Si “meritokracia” e maskon mediokritetin

Nga Ben Sixsmith

Duket se është koha për një raund tjetër sulmesh ndaj konceptit të meritokracisë. Vetë termi u shpik nga një prej kritikëve të tij, Majkëll Jang, në librin e tij “Ngritja e meritokracisë”. Por herë pas here dikush do të synojë të lëshojë një shigjetë ndaj saj, sikurse bën Lani Ginier me librin e tij “Tiranizimi i meritokracisë”.

Ky vit ka prodhuar shumë prej tyre. “Tirania e meritës” e Majkëll Sandel (pa asnjë lidhje me librin e Ginier) denoncon “arrogancën e meritokracisë”, ose “prirjen e fituesve për t’u mburrur deri në ekstrem me suksesin e tyre”.

Në librin “Kulti i të zgjuarve” të Fredi de Bur, kritikohet ideja se rezultatet arsimore duhet të përcaktojnë të ardhmen e dikujt. Ndërkaq libri “Koka, dora, zemra” e Dejvid Gudhart kritikon epërsinë e punës njohëse, mbi punën manuale dhe atë të kujdesit shëndetësor.

Të gjitha këto ide kanë meritat e tyre. Gudhart është i saktë, kur thotë se ka një besim të tepruar mbi ekonominë e dijes, në kurriz të sektorit industrial. De Bur është i sinqertë, si një i majtë, kur pranon pabarazitë e potencialit njohës. Por edhe ka të drejtë – të paktën në frymë – kur thotë se duhet të ketë një lloj rishpërndarje, nga ata me më shumë tek drejt atyre me më pak fat.

Por libri i Sandel do të jetë ai që do të ketë më shumë ndikim. Profesori i teorisë së qeverisë në Universitetin e Harvardit, dhe autor i librit “Drejtësia:Cila është gjëja e duhur që duhet bërë”, ai shpalos premisën e mëposhtme për ta sulmuar atë:”Rendi i sotëm laik meritokratik, e moralizon suksesin në mënyra që i bëjnë jehonë një besimi të mëparshëm providencial. Meqë të suksesshmit nuk i detyrohen asgjë ndërhyrjes hyjnore për fuqinë dhe pasurinë e tyre – ata ngrihen falë përpjekjes dhe punës së tyre të madhe – suksesi i tyre pasqyron virtytin e tyre superior. Të pasurit janë të pasur, sepse janë më meritorë se të varfrit”.

Ne i dimë variacionet e djathta të këtij besimi. Për shembull, Ben Shapiro thotë:”Nëse dështon në një vend të lirë, ndoshta është faji yt”. Por ka edhe variacione të krahut të majtë. Ndërsa Sandel thekson se diskursi mbi “privilegjin” i vendos progresistët kundër formave të suksesit, ai ka të drejtë në lidhje me shkallën në të cilën të majtët kanë përfituar nën hijen e kredencialeve të tyre, dhe sofistikimit të tyre të supozuar kulturor.

Ka shumë gjëra për t’u pëlqyer në lidhje me këtë libër, si nga të djathtët ashtu edhe të majtët. Sandel shkruan me një stil të qartë, analizon me shumë disiplinë të dhënat, dhe ka kureshtjen intelektuale për të trajtuar tezën e tij në çdo aspekt, nga teologjia tek ekonomia.

Sandel bën një kritikë me vlerë ndaj kredencializmit, ose idesë se kualifikimet akademike të dikujt, tregojnë me besueshmëri potencialin dhe autoritetin e dikujt. Ashtu si Edrjus në një ese të fundit “American Conservative”, ai tërheq vëmendjen se si të pasurit janë përpjekur të luajnë me sistemin.

Ai tregon gjithashtu se edhe arritjet e pamohueshme intelektuale, nuk janë një garanci e besueshme se burrat dhe gratë zotërojnë një “mençuri praktike apo një instikt për të mirën e përbashkët”. Një nga shembujt më shkatërrues të kredencializmit shkoi keq shkruan ai.

Kjo përshkruhet në librin klasik të Dejvid Halbershtam “Më të mirët dhe të shkëlqyerit”. Aty tregohet sesi Xhon F.Kenedi krijoi një ekip me CV-të më të mira të mundshme të formimit profesional. Por shkëlqimi i tyre teknokratik, i çoi gjithsesi Shtetet e Bashkuara në marrëzinë e Luftës së Vietnamit.

Edhe libri “Tirania e meritës”, përmban mendime të lavdërueshme ndaj idesë se “vlera e tregut” mund të barazohet me “vlerën morale”. Kështu një pronar kazinoje mund të bëjë: … Mijëra herë më shumë para se një infermier apo një mjek. Por edhe duke supozuar se tregjet për manjatët e kazinosë dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor janë krejtësisht konkurruese, nuk ka asnjë arsye të besohej se vlera e tyre e tregut, pasqyron vlerën e vërtetë të kontributeve të tyre në shoqëri”.

Të djathtët përpiqen shpesh ta përziejnë admirimin e pakualifikuar mbi kapitalizmin e tregut të lirë, me neverinë ndaj konsumizmit, turpin dhe shfrytëzimin, dhe kjo është një shenjë e lidhjes së Sandelit me idenë e ekuilibrit shkencor.

Ndonjëherë nxjerr krye edhe tribalizmi. Për shembull, Sandel mendon se pretendimi i Bret Kavanoug se ai “hëngri dynjanë” për t’u futur në “shkollën numër më të mirë të drejtësisë në vend”, ishte një përgjigje e parëndësishme ndaj akuzës se ai kishte sulmuar seksualisht Kristin Ford.

Unë nuk jam një ekspert i fakteve mbi çështjen Kavanoug, por ajo ishte një përgjigje ndaj akuzave të rënda nga demokratët, se Kavanoug kishte qenë një djalë i Partisë Republikane i varur nga alkooli. Për mirë a keq, akuzat ishin mbi karakterin e tij si një i tërë, dhe jo mbi një akt individual.

Që të bëhemi më seriozë, unë mendoj se duke iu përgjigjur idesë së “përgjegjësisë personale” me prova të disavantazheve të trashëguara dhe mjedisore, Sandel pranon një dikotomi të rreme. Duke iu përgjigjur pretendimit të republikanit Mo Bruks se parimet e larta për të sëmurët mund të ulin koston për “njerëzit që bëjnë jetë të mirë”, ai shkruan:

“Shikimi i shëndetit dhe i pasurisë si një çështje lavdërimi dhe faji, është një mënyrë meritokratike për ta parë jetën. Kjo qasje nuk i jep asnjë meritë fatit, dhe na mban plotësisht përgjegjës për fatin tonë. Gjithçka që ndodh është një shpërblim ose dënim për zgjedhjet që bëjmë dhe për mënyrën se si jetojmë”.

Unë nuk jam dakord me perspektivën që shtron, dhe as me mendimet e Brus në lidhje me kujdesin shëndetësor. Por nuk do të isha dakord as me të kundërtën. Sot unë jam duke u përpjekur të lë duhanin. Nëse heq dorë nga kjo përpjekje, vazhdoj të pi cigare, dhe më pas rezultoj më kancer në mushkëri, do të ishte qesharake të sugjeroja se unë jam i përjashtuar nga përgjegjësia si viktimë fatkeqe e kushteve të trashëgimisë.

Kjo nuk do të thotë që dikush e meriton të jetë i sëmurë. Nuk ka domosdoshmërisht implikime morale. Por është e vërtetë. Nëse ne e heqim përgjegjësinë nga jeta publike, kjo u jep njerëzve dorë të lirë të sillen ashtu si dëshirojnë, dhe i inkurajon politikanët të ndërhyjnë gjithnjë e më shumë në punët e njerëzve, për aq sa sugjerohet që njerëzit nuk mund të kujdesen dot për veten e tyre.

Pjesë më zbavitëse e librit “Tirania e meritës” është momenti kur Sandel merret me përdorimin gjithëpërfshirës të fjalës “i zgjuar”: Xhorxh H.W. Bush nisi ta përdorë atë në kuptimin e saj të ri, të moshës digjitale. Ai foli për “makinat e zgjuara”, “autostradat e zgjuara”, “armët e zgjuara”, “shkollat e zgjuara”.

Përdorimi i termit ‘smart’ (i zgjuar) në retorikën presidenciale u bë shumë më në modë me Bill Klintonin dhe Xhorxh W.Bushin, ku secili e përdori atë më shumë se 450 herë. Ndërkohë Obama e përdori atë më shumë se 900 herë.

Edhe Trumpit, siç shkruan Sandel, i pëlqen ta cilësojë veten si “të zgjuar” (“një nga njerëzit më të zgjuar kudo në botë”). Në kohën e një partizanizmi të madh në politikë, Sandel vazhdon:… Gjuha mbi të zgjuarit dhe budallenjtë ka një joshje të kuptueshme; ajo duket se ofron një strehë ndaj betejave ideologjike, është një mënyrë e argumentit politik, që i largohet polemikës në rrafshin moral, dhe kërkon konsensus mbi bazën e asaj që është e zgjuar, e ndjeshme, e matur”.

Dhe ky është një argument që qëndron. Ajo që Sandel mund të kishte eksploruar, është se sa larg janë institucionet elitare nga të qenit të zgjuara. Për shembull shumë nga ata na thanë në janar, shkurt dhe mars se Covid-19 po mbivlerësohej, se ne duhet të jetonim normalisht, dhe se maskat ishin të padobishme.

Por shumë shpejt e kthyen fletën, dhe me po aq siguri deklaruan se Covid-19 ishte shumë i rrezikshëm, se ne duhej të qëndronim në shtëpi dhe duhet të mbanim maska. Ky nuk është vendi për të kuptuar se ku qëndron e vërteta, por 3 nga ato mendime duhet të kenë qenë të gabuara.

Përkundër tiranisë së meritës, kultit të të zgjuarve, dhe mbretërimit të “kokës” mbi “dorën” dhe “zemrës”, elitat tona dështuan bujshëm për ta parashikuar dhe trajtuar këtë krizë. Problem nuk është vetëm arroganca në mesin e atyre që punojnë në media, universitete dhe politikë, por sa e pa merituar është ajo.

Në një artikull në formën e një replike ndaj Toni Blerit në vitin 2001, Majkëll Jang shkroi: “Është mirë që t’u caktoni njerëz punë sipas meritave të tyre. E kundërta ndodh kur ata që vlerësohen se kanë një meritë të një lloji të veçantë, forcohen dhe ngrihen në një klasë të re shoqërore, pa pasur hapësirë për të tjerët”.

Unë mendoj se njerëzit shumë shpesh e anashkalojnë termin “të një lloji të veçantë” në këtë fjali. E kush nuk bie dakord mbi rëndësinë e meritës ? Edhe Endrjus, që propozon krijimin e një klase të re aristokratike, e pranon se “kjo kastë duhet të pranojë sa më shumë të sapoardhur të denjë, në përputhje me sensin e tyre të vazhdimësisë”.

Por njerëzit nuk bien dakord mbi llojin e meritës. Kështu Sandel dëshiron që gjeniu të kombinohet me një ndjenjë të solidaritetit qytetar. Dhe solidariteti qytetar fillon me lidhjen me një vend dhe një mënyrë jetese të caktuar. Përndryshe ai është një humanizëm abstrakt, me të cilin tirania e meritës e lajkaton veten.

“Arc Digital” – Bota.al

Shiko fotografinë 1759943
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top