Rritet mërgimi ilegal i të rinjve kosovarë drejt BE-së

Rritet mërgimi ilegal i të rinjve kosovarë drejt BE-së

mergimtare-770x470.jpg
Pavarësisht faktit se, asnjë shtet i Bashkimit Evropian (BE) nuk u jep azil qytetarëve të Kosovës, javëve të fundit është shtuar dukshëm shkuarja e tyre ilegale.

Agjencitë turistike kosovare të cilat kanë lidhje të rregullta për Beograd, çdo mbrëmje i mbushin autobusët e tyre me të rinj dhe të reja nga Kosova

Pavarësisht faktit se, asnjë shtet i Bashkimit Evropian (BE) nuk u jep azil qytetarëve të Kosovës, javëve të fundit është shtuar dukshëm shkuarja e tyre ilegale. Ndër ta, më së shumti janë të rinjtë të cilët po shkojnë për shkak të situatës së rëndë ekonomike. Kosova është shteti i vetëm në Ballkan i cili nuk e gëzon liberalizimin e vizave me shtetet e BE-së. Prandaj, qytetarët e Kosovës të cilët sipas Marrëveshjes së Brukselit në Serbi mund të hyjnë vetëm me letërnjoftim, në mënyrë ilegale, nga Serbia po kalojnë në Hungari dhe pastaj, në shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kështu, agjencitë turistike kosovare të cilat kanë lidhje të rregullta për Beograd, çdo mbrëmje i mbushin autobusët e tyre me të rinj dhe të reja nga Kosova, të cilët nisën në mënyrë ilegale drejt Evropës. Disa nga këto kompani janë në gjendje të mbushin edhe nga dy ose tre autobusë, varësisht nga numri i udhëtarëve. Në faktin se, kundërshtitë janë të mëdha dhe kërkohet një biletë tepër, stacioni i autobusëve në Prishtinë është i mbushur.

Ata të cilët udhëtojnë, por edhe familjarët e tyre, hezitojnë të flasin për gazetarët. Jo vetëm se nuk dëshirojnë të flasin para kamerave por, ata edhe kërcënojnë dhe kërkojnë të largohen.
Megjithatë, njëri prej tyre pranon të flas për ne. Thotë se është nga rrethina e Lypjanit dhe se po e përcjell të vëllain. Ai thekson se arsyet e largimit të rinjve është papunësia e madhe dhe mungesa e perspektivës. “Punësim nuk ka. Qeveria nuk është duke punuar për popull, për askënd. Po të detyron me e braktis vendin tënd për të shkuar në shtetet e Evropës. Njerëzit janë duke përjetuar tragjedi të mëdha. Domethënë, po ta imponon për të shkuar rrugëve, strehëve nëpër gjithë Evropën për me e lënë vendin tonë. Se askush nuk e lëshon vendin e vet për qejf…shkuarja është ilegale, pasigurt, rrugëve të malit, kah do që munden, pa pare… 15 euro është deri në Beograd. Pastaj nga Beogradi deri në Suboticë, prej Suboticës në Hungari dhe prej Hungarisë në Evropë, ku do që munden me u ndal.”

Gjithnjë e më i shtuar është largimi i të rinjve të moshës 18 deri 35 vjeçare. Shqiptarët e Kosovës shkojnë kryesisht në mënyrë individuale kurse për pjesëtarët e komunitetit romë, ashkalinj dhe egjiptian (RAE) është karakteristikë se e lëshojnë në mënyrë kolektive, gjithë familjet.

Drejtori i Departamentit për Shtetësi Azil dhe Migracion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, Valon Krasniqi ka thënë se ende nuk ka të dhëna për muajin nëntor mirëpo, sipas statistikave të EUROSTAT-it, nga janari deri në tetor, numri i qytetarëve të Kosovës të cilët kanë kërkuar azil në shtetet e Bashkimit Evropian është afro 14 mijë dhe shton se , 99 % e kalimeve ilegale bëhet nëpër Serbi.

“Qytetarët e Kosovës po e shfrytëzojnë lirinë e lëvizjes me Serbinë, prej nga pastaj, në mënyrë ilegale e kalojnë kufirin e Serbisë. Këtë mundësi po ua krijojnë grupet e ndryshme të kontrabanduesve në Serbi, më saktësisht në Suboticë, që është qendra ku po grumbullohen qytetarët dhe aty bien në kontakt me persona dhe grupe të ndryshme të cilat iu mundësojnë kalimin ilegal të kufirit me Hungarinë” thotë Krasniqi.

Sipas fjalëve të tij, çmimi i kalimit ilegal nga Serbia në Hungari sillet nga 1.000 deri në 2.500 euro, për person. Pastaj, nga Hungaria, kosovarët shkojnë në shtetet tjera të Evropës, më së shumti në Gjermani, Francë, Suedi, Luksemburg dhe Zvicër. Mirëpo, çdo vit, nga shtetet e Bashkimit Evropian në Kosovë kthehen rreth 15 mijë qytetarë sepse asnjë shtet nuk u jep azil ekonomik.

Krasniqi thekson se qytetarët të cilët nisën në mënyrë ilegale në Evropë, vetëm se i shkaktojnë dëme materiale ekonomisë së tyre familjare. “اdo investim për të migruar ilegalisht në vendet evropiane, do të ishte një investim i gabuar sepse ata do të kthehen edhe më të varfër se sa kanë qenë kur kanë shkuar. Kemi informacione që njerëzit po shesin pronat e tyre, po marrin kredi nëpër banka, vetëm sa për të siguruar shumën e mjaftueshme të pareve, për të shkuar në vendet e Unionit Evropian. Të vetmit përfituesit në tërë këtë situatë janë kontrabanduesit dhe kriminelët.”

Në Kosovë thonë se zyrtarët e shtetit serb nuk janë treguar aspak bashkëpunues në luftimin dhe parandalimin e punës së grupeve kriminale të cilat organizojnë kalimet ilegale të kufirit. Duke e parë këtë, Policia e Kosovës, në territorin e vet, ka organizuar shumë aksione të suksesshme në zbulimin dhe shkatërrimin e këtyre grupeve kriminale. Me këtë rast, janë arrestuar me dhjetëra persona.

Ndër të tjera, Valon Krasniqi përmend edhe faktin se, me qëllim të parandalimit të shkuarjes ilegale të rinjve kosovar në Evropë, institucionet e Kosovës janë duke negociuar me shtetet e Bashkimit Evropian dhe Zvicrën për arritjen e marrëveshjes sipas të cilës, qytetarëve të Kosovës do t’iu mundësohej punësimi sezonal ose bursat për studim, në ato shtete.

Arsyeja për largimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve të Kosovës në shtetet e BE-së është mungesa e perspektivës për një jetë më të mirë në Kosovë, konsideron Driton Selmanaj, drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

“Problemi kryesor është qasja politike ndaj zhvillimit ekonomik. Unë mendoj se kjo klasë politike duhet që, njëherë e përgjithmonë të vetëdijesohet se kjo shoqëri meriton tjetër qasje, ky popull ka tjera pritje, tjera kërkesa dhe ata, është koha kur duhet të mendojnë për njerëzit e Kosovës e jo për vete, për partitë politike dhe për interesat shumë të ngushta“ thotë Selmanaj. Ai vlerëson se, jo vetëm situata ekonomike por edhe situata politike në Kosovë, mos funksionimi dhe moszbatimi i ligjit, si dhe mos ekzistimi i shtetit ligjor, po ndikojnë që njerëzit të humbin besimin dhe të marrin rrugën pa kthim.
“Metodat e nepotizmit, klientelizmit, kur ti patjetër duhet të jesh i lidhur me politikën që ta gjesh një vend pune, të jesh shumë i lidhur me politikën që të funksionosh si biznes, ndërkohë, shkon në gjykatë dhe lënda jote me vite të tëra nuk zgjidhet. Krejt kjo, ka ndikuar që njerëzit ta humbin besimin në punën e këtij shteti dhe në, eventualisht, ardhmërinë që mund të sjell ditë më të mira”.

Driton Selmanaj po ashtu përmend faktin se, vendosja e kontrollit policor në kalimin kufitar të Merdarës për t’i kthyer mbrapsht personat për të cilët dyshohet se janë nisur për të hyrë në mënyrë ilegale në shtetet e BE-së, është në kundërshtim me parimet e lirisë së lëvizjes.

“Shteti i jonë duhet të merret me shkaqet, pse njerëzit po vendosin me dal jashtë. Jo, pse ata po dalin por cilat janë arsyet, në mënyrë që më pas ato t’i eliminojnë dhe njerëzit nuk ikin por do të shkojnë për ndonjë vizitë, besoj shumë për qejfi edhe në Beograd edhe në vendet tjera” përfundon Selmanaj.



P.S. Qëndrimet e shprehura në këtë rubrikë janë të vet autorëve dhe nuk e pasqyrojnë politikën redaktuese të Islampress.info.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top