Rrëfimet e piktorit për Ali Pashën, kur bënte pazar për shitjen e Pargës

Hera

Έτερος εγώ
Rrëfimet e piktorit për Ali Pashën, kur bënte pazar për shitjen e Pargës

download5.jpg
Louis Dupré, autoportret

LUOIS DUPRÉ DHE PETKU I EPIRIT

Pas leximit me shumë kujdes dhe dëshirë të librit “Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë”, të autorit francez Louis Dupré (1789 – 1837) dhe të përkthyer nga origjinali në frëngjisht prej diplomatit dhe studiuesit Luan Rama, nxitesh të argumentosh rreth qëllimit, misionit dhe vlerës së udhëtimeve të perëndimorëve në toka orientale, gjatë shekujve të kaluar. Pata fatin e mirë që të kontaktohesha nga akademikja Floresha Dado, e cila më propozoi të angazhohesha në promovimin e këtij libri, në prani të shqipëruesit dhe të akademikëve me emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në referimin tim i dhashë prioritet temës: “Louis Dupré dhe dëshmia e tij piktorike në trojet e Orientit Jugperëndimor të Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1819-1825”. Dëshminë piktorike të Dupré nuk mund ta veçojmë kurrsesi prej dëshmive të tij të shkruara.

Në ditët që jetojmë, autorët e “Librave të udhëtimit” të shekujve 17, 18 dhe 19 janë të shumtë. Prof. Aurel Plasari mendon se “mbi dëshmitë e tyre, shkenca e historisë së shkruar mund të bazohet mirë e bukur”. Në këtë format krijimtarie dhe përmes përkthimit, emri i diplomatit Luan Rama është bërë mjaft i njohur në botimet dhe te lexuesi shqiptar. Por, nuk mund të themi të njëjtën gjë për mendimet dhe krijimtarinë në pikturë të Louis Dupré, edhe pse tek-tuk ndonjë punim i tij ka zënë vend në faqet e katalogëve të paktë të botuar në Shqipëri. Piktori Louis Dupré udhëtoi drejt Greqisë antike kur ishte rreth të 30-ve dhe rruga i ra edhe nga viset e Shqipërisë së Jugut.

Struktura e librit “Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë” është konceptuar prej shqipëruesit Luan Rama në tri pjesë. Ai e nis librin me studimin e tij linear me titull “Louis Dupré dhe bota shqiptare”, që cek hap pas hapi kujtimet, derisa përmbledh tërësinë e përmbajtjes së tyre. Studimi ndiqet nga teksti i përkthyer në shqip “Udhëtim në Athinë dhe në Kostandinopojë” dhe pjesa e tretë i përket botimit të tekstit në frëngjisht sipas origjinalit të autorit Louis Dupré. Në studimin e tij, Luan Rama analizon pikat qendrore të itinerarit udhëtues drejt orientit modern të Louis Dupré dhe tre miqve të tij. Ai sjell fakte biografike të artistit Dupré, që vijnë si impenjim profesional i shqipëruesit, si dhe nevojshmëri njohëse dhe orientuese për lexuesin e ri të shek. XXI. Atij i jepet mundësia të argumentojë ndaj përjetimeve dhe opinioneve të individëve perëndimore, si dhe të përfitojë nga kërshëritë e ndijimeve të tyre gjatë udhëtime drejt siteve antike arkeologjike, në shekujt e lartpërmendur. Luan Rama hulumton dhe ndalet si një vëzhgues i mprehtë mbi shënimet e piktorit francez Louis Dupré. Ai evidenton thelbin e tyre. Madje, kërkon të informojë me fakte të tjera historike, duke i pasuruar shënimet e piktorit në arsyen e modelimit të faktit, që lexuesi të kuptojë qartë kohën, motivin dhe qëllimin e udhëtimeve të perëndimorëve drejt orientit modern. Orienti modern, asokohe, nënkuptonte kombe e territore të Europës Jugperëndimore, të përfshira nën administratën turke. Në tokat e tij gjendej kultura antike si ajo e Greqisë së Lashtë, e cila ishte bërë frymëzim dhe nxitje e realitetit të kohës. Artistë, shkrimtarë, filozofë dhe estetë të shekujve 18 dhe 19, kërkonin të preknin dhe studionin në origjinal artefaktet antike.

ali-pasha.jpg

Hap pas hapi, shqipëruesi i jep njehsim përjetimeve të francezit Louis Dupré në takimet me Ali Pashë Tepelenën, me psikun, fizikun dhe mënyrën e të sjellurit e të jetuarit të shqiptarëve të Epirit e të malësorëve luftëtarë arvanitas e suljotë; me kohën, natyrën, me banesat, me zakonet, me armët, me rrënojat antike, me veshjet e me elemente të tjerë, që lidhen edhe me kombësitë greke, arumune, sllave e turke.

Louis Dupré i përket shkollës europiane të artit të fundshek. XVIII dhe gjysmës së dytë të atij XIX. Ai ishte nxënës i neoklasikut të famshëm francez, Jacques Louis David (1748- 1825). Dupré mbeti një neoklasik, që nuk e tejkaloi mësuesin e tij dhe iu përshtat mënyrës nostalgjike të jetesës së udhëtimeve të 800 – ndëshit europian, duke përjetuar modën e ngazëllimit gjatë prekjes dhe zbulimit të rrënojave antike në trojet e Italisë jugore, Greqisë veriore dhe Turqisë së sotme. Louis Dupré përshkoi Korfuzin, tokën e japigëve apo të shqiptarëve të Jugut në Epir, Prevezën, Artën e Çamërinë, Thesali apo Greqinë Qendrore, Athinën dhe ishujt Saronicë në afërsi të saj. Në kujtimet e shumëllojshëm të Dupré le të mbetemi te përjetimet që lidhen me banorët shqiptarë jugorë arvanitas e suljotë, që jetuan përtej kufijve të sotëm të Shqipërisë, duke analizuar dhe dhënë rëndësi imazheve të artit të tij, të cilët, në ditët e sotme, janë një pasuri kuptimplote dhe e çmuar për dijen, trashëgiminë dhe kulturën albanologjike.

151.jpg
Suljoti, vizatim nga Louis Dupré
Dupré, si çdo artist francez modern i kohës së vet, e ëndërronte të njihte Orientin modern, ku gjendej antikiteti. Për iluministët dhe neoklasikët ishte kthyer në shpresë se do të ndryshonte misionin e “vjetruar” të artit të shek. XVII. Shqipëruesi Luan Rama, në studimin e tij prej 30 faqesh, shkruan se “tashmë ngjarjet e Greqisë ishin bërë temë e ditës në Paris dhe në kryeqytetet e tjera kryesore të Europës”. Me këtë nxitje, Dupré u nis nga Napoli drejt jugut me 22 shkurt 1819 “për të njohur antikitetin grek, i cili me artin e tij të fuqishëm e grishte prej kohësh…”. Udhëtimi në tokat e antike zgjati deri në prill 1822. Ai plotësoi dëshirat e tij, pa që bota ideale e Greqisë antike t’i zbulohej para syve. Historiani grek i artit, Lili Vingapulu, shkroi se “Në krijimtarinë e Dupré shtrirja e subjekteve të trajtuara u bë më e gjerë dhe arti i tij u animua nga një ‘vrull’ i freskët”.

Dupré i realizoi punimet në teknikën e litografisë, që filloi të lulëzojë në fillim të viteve 1820. Ajo ishte një teknikë thjeshtësisht e përdorshme. Udhëtuesit neoklasikë e iluministë, për t’u shkëputur nga vaniteti i stilit rokoko dhe për të ringritur artin në standarde të reja iu drejtuan litografisë, për të pasqyruar rrënojat e Pompeit, Romës dhe Greqisë së lashtë.

Dupré realizoi litografi bardhezi dhe me ngjyra, vizatime dhe kroki me laps, si dhe piktura, që i kreu me frymëzim dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën njerëzore dhe gjeografike, të vendeve që shkeli. Pasuria krijuese, që kreu në udhëtim, u botua në libra të formatit të madh në vitin 1823 dhe 1825 në 10 kopje. U përzgjodhën për botim 40 punime në litografi, të cilat u ekspozuan në Paris. Dupré, përmes kësaj trashëgimie historiko – grafike, u bë një dëshmues i rëndësishëm jo vetëm i përqafimit të stilit antik në interes të modelimit të stilit neoklasik, por edhe i ndjesive të veta në dashuri me kulturën e të jetuarit dhe tipologjinë e njeriut hijerëndë dhe krenar të fiseve shqiptare të Sulit, që i pa dhe i njohu në Korfuz në “Regjimentin e shqiptarëve” siç na vë në dijeni Luan Rama në studimin e tij.

Në njohje me kujtimet e Dupré shihet se interesi ynë është të vështrojmë më në thellësi opinionet artistike të tij mbi psikofizikun e shqiptarit që jetoi në mesin e kulturave orientale të osmanizmit; të malësorit dhe luftëtarit të krishterë nga Suli që mbijetoi përmes luftërave, por edhe të sovranit “Ali Pashë Tepelena”, që Dupré e quan “Pashai i Epirit”

Në mënyrë të qenësishme, çdo studiues, në praktikat e veta, evidenton ato elemente përbërëse të një subjekti që theksohen si më të rëndësishmet. Duke u nisur nga ky parim dhe duke e sistemuar dijen e këtij libri dhe imazhet që lidhen ngushtësisht me të, veti kjo e transmetuar mjaft qartë si nga Dupré, ashtu dhe nga studimi i Luan Ramës, mendoj se imazhet kryesore u përkasin tri subjekteve, të cilat gjerësisht kanë ngazëllyer udhëtarin perëndimor, por edhe e kanë ndalur në pasqyrimin e tyre, për t’u bërë një dëshmues prioritar. Në këtë studim përcaktohen si prioritete tri subjekte kryesore që dëshmohen në libër përmes artit të litografisë, vizatimit dhe të pikturës:

1. Figura, portreti, personaliteti, gjesti dhe kostumografia suljote.

Suljotët, që takoi Dupré, kishin zbritur nga lartësitë e Abruzzes dhe nga brigjet e Jonit. Ai shkruan se “Në Korfuz…takova disa grekë, tiparet dhe veshja e veçantë e të cilëve nuk ngjante aspak me ato të atyre që kisha parë deri atë kohë: ishin suljotë… U preka nga pamja e këtyre njerëzve fisnikë e mërgimtarë të mjerë… Ata jetonin me kujtimin e shkëmbinjve të tyre të pushtuar dhe të familjeve të shfarosura nga barbari osman…”

Foto Piko, i biri i Foto e Mosko Xhavella nga Suli Kur Dupré skicoi Foto Piko-n, përballë tij kishte një dëshmitar okular dhe ai i tregoi ngjarje të luftës së Sulit kundër Ali Pashë Tepelenës. Dupré ishte me shumë fat, pasi pikturoi psikologjinë e një burrë suljot real, të cilin e përshkruan sypatrembur, krenar, malësor, i pafat, me fizionomi të trishtë, në mjerim, por i papërkulshëm dhe i cilësuar nga bashkëtrimat e tij si “Shpata e Epirit dhe tmerri i Aliut”. Foto Piko la një shënim me dorën e vet. Pasi pa vizatimin e mbaruar, shënoi me laps në greqisht emrin e tij dhe vendlindjen Suli, për të dëshmuar kënaqësinë dhe habinë e tij. Kostumi që mban veshur Foto, është i një malësori të Epirit. Ai paraqitet me dy guna dimërore. E para në trup është e bardhë dhe ka formën e brucës me fije të leshta dhe e dyta mbi të është guna prej shajaku të rrahur në vegjë, e zezë dhe dekoruar me gajtanë të zi të thurur e zbukuruar me motive gjeometrike e vija horizontale të bardha. Vijat krijojnë zigzage dhe trekëndësha. Ajo duket si një gunë prijësi, e mrekullueshme për sa i përket punimit artizanal të kostumografisë së trevës së Sulit. Sipas zakonit dhe sjelljeve të një burri të asaj kohe, Foto është pikturuar me pipën e gjatë apo cigarishten e gjatë në dorën e djathtë dhe armët e sermës në brez. Flokët e gjatë u japin burrave shqiptarë të shek. 18 dhe 19 një hijeshi të veçantë dhe dallueshmëri tipike. Vendosja mbi to e tanuzit të kuq me bishta mëndafshi apo pambuku në ngjyrë blu nxirrte në pah ballin dhe tiparet e fytyrës, duke i dhënë fuqi krenarisë dhe vrullit mashkullor.

Vasil Gudha, një nga figurat shqiptare më fisnike që Dupré pikturoi aso kohe.

Ai lindi në Grameno. Ishte njeri i shkolluar dhe në 1821, kur Ali Pashë Tepelena u armiqësua me të gjitha krahinat e Epirit, iu bashkua me familjen e tij të madhit Marko Boçari, në Sul. Portreti i tij i pikturuar nga Dupré në 1828, në Paris, ku Vasil Gudha shkoi të kurojë plagët e rënda të verbimit dhe pas vrasjes së Marko Bocarit. Piktura e tij është vepra më cilësore kushtuar një burri të njohur të Jugut shqiptar. Dupré shkruan se “Sapo e pashë, mendova menjëherë se do të ishte mirë ta gjenin atë figurë fisnike e mashkullore në koleksionin e veprave të mia…”. Piktura ka një shënim të bërë nga dora e Vasil Gudhës. “Vasil Gudha, luftëtar nga Epiri, zëvendësgjeneral dhe sekretar i Marko Boçarit”. Piktura e Vasil Gudhës shpreh anën tjetër të medaljes së pikturës së Dupré. Nëse në dukje ka pikturuar i tërhequr nga kostumografia dhe burri luftëtar, te Vasil Gudha është tërhequr prej burrit inteligjent, patriot dhe sqimatar, që ka një gjest perëndimor në qëndrim, në shikim, në lakueshmërinë e kokës dhe në vështrimin komunikues të syve. Imazhit në tërësi dhe gjestit nuk i mungon asnjë detaj apo element i lidhur me kostumografinë e një fisniku të pasur, të mençur, e të lëçitur, si edhe në sjelljen e një burri të kohës së vet, që nuk harron ta ketë cigarishten e gjatë, të cilën e mban krejt i sigurt.

2. Figura, portreti, personaliteti, gjesti dhe kostumografia e Ali Pashë Tepelenës, gardës së afërt dhe pazhëve të tij.

Dupré, me ndihmën e Komisionerit të Madh të Ishujve Jonianë, Thomas Maitland, e pa për herë të parë, Pashain e Epirit, në Butrint, ku anglezi dhe veziri bënin pazaret e shitjes së Pargës. Dupré shkruan se “…Përjetoja një emocion të madh kur u shfaqa para atij personazhi të famshëm, që ushtronte në mënyrë të tmerrshme një pushtet …që në çdo çast të mbretërimit të tij ishte i shënuar nga një akt mizorie apo nga një mendim kriminal…Por, ai na ftoi hirësisht të zinim vend në divanin e tij…Fizionomia e tij e ëmbël dhe e qeshur…mbulonin mizorinë e tij natyrore…”. Dupré e përshkruan Ali Pashën me ato cilësi mizore që kishte dëgjuar për të, si dhe me ato cilësi jetësore që pa prej sjelljeve të drejtpërdrejta në oborrin e vet. Dupré sjell një kujtesë realiste si në tekste, ashtu dhe në pikturën e vetme, kushtuar Pashait.

Ali Pasha ose “satrapi plak” siç e quan Dupré në fq. 58 të librit, nuk pranoi që t’i pikturohej portreti, edhe “pse propozimin e priti me një të qeshur të veçantë”. “Barka e Ali Pashë Tepelenës në Liqenin e Butrintit” është një pikturë historike dhe u skicua në një ditë gjuetie në liqenin e Butrintit. Dupré e vizatoi me dëshirë të madhe, në fshehtësi dhe me shpejtësi. Ai skicoi tiparet e tij dhe sipas dëshmive të kohës, mendohet se ishin shumë afër ngjashmërisë së Ali Pashës. Ndërsa më pas realizoi pikturën ku shihen varkëtarët dhe garda e tij ushtarake. Pashai ruan tiparet e tij, të cilat sot i njohim mirë, mjekra e bardhë, mosha 80-vjeçare, pipa apo cigarishtja e gjatë, gjesti i tij gjysmë i shtrirë dhe i mbështetur në jastëkë, furi i errët apo qyrku i kuq me gëzof kunadheje e pa mëngë. Në tërësi një stil veshje e përbërë, por me dominin oriental. Festja e stilit tunizian, e zbukuruar me një gurë të çmuar në mes dhe brezi disangjyrësh, ku pozicionohen pisqollat dhe në fund poturet e mëndafshta në ngjyrë të kuqe.

Në pikturën “Ismaili dhe Mehmeti” paraqiten nipat e Ali Pashait. “Ismaili ishte kureshtar dhe kryeneç dhe Mehmeti i butë dhe i bindur. Piktura u krye në disa seanca dhe të dy djemtë ishin entuziastë gjatë pozimit”. Çdo detaj tregon shumë mbi nivelin, cilësinë dhe kahun osman të jetesës në pashallëqet shqiptare. Është një nga pikturat e kategorisë portret më të mira të Dupré. Kujtesa e shkruar rreth çasteve të realizimit të kësaj pikture është mjaft me interes si për përshkrimin tipologjik të nipave, ashtu edhe për fakte sociale të jetuara asaj periudhe.

Libri merr një rëndësi specifike, kur studiuesi përballet me çdo pikturë që lidhet me trojet tona, pasi ato informojnë për situata të karakterit shkencor albanologjik, si dhe të zhvillimit të subjekteve sociale në territoret e Perandorisë Osmane në brigjet e Jonit shqiptar e më në jug të tij. Kostumet e pikturuara të personazheve janë një përbërje e elementeve tradicionale të trojeve të banuara nga shqiptarë të Jugut me elemente të veshjeve të importuara nga banorë të ardhur prej vendeve të ndryshëm. Dallohen elemente të kostumeve të banorëve të krishterë e myslimanë shqiptarë, grekë, armenë dhe myslimanë turq. Kostume të kombinuara me elemente të ndryshme të marra prej kostumeve të kombësive të ndryshme formonin asaj kohe modën e kohës në Orientin modern, që dallon në themel nga moda e oksidentalizmit europian. Kjo është edhe një arsye më shumë që ky libër dhe piktura litografike e Dupré merr vlerë për qasjet studimore shqiptare.

3. Antikiteti, figura e konsullit Louis Fauvel dhe gruaja suljote-një shkëmbim i mrekullueshëm i tri kulturave skajmërisht të ndryshme, por tërësisht në bashkëjetesën harmonike të një kohe të vetme orientale.

Louis Francois Fauvel
(1753-1838) konsulli francez, piktor, arkeolog, mik i Dupré dhe siç shkruan Luan Rama në fq. 17 të studimit “…Ishte Fauvel, ai që u kishte shërbyer të gjithë udhëtarëve të ndritur për t’u treguar historitë dhe vendet historike të Greqisë antike…” u pikturua prej Dupré, ku prezantoi në një bllok të vetëm atë ç’ka përjetoi në lidhje me të gjitha njohuritë që grumbulloi në trojet e Greqisë antike. Në sipërfaqen e saj janë të përfshira të gjitha karakteristikat e neoklasicizmit si në përmbajtje, edhe në formë. Në qendër, ulur dhe me vështrim drejt nesh, është konsulli Fauvel, të cilin Dupré e ka përshkruar si njeriun më të afërt të tij dhe me nota pozitive. Kavaleti, telajo, gruaja shqiptare që servir, veprat nudo të antikitetit grek në sfondin e parë dhe peizazhi me akropolin janë një gjetje mjaft organike. Ky lloj kompozimi ka lindur si rezultat i njohjes në themel të jetës së Konsullit mes artit të tij, veprave të antikitetit që koleksiononte, gruas shqiptare që i shërbente dhe shtëpisë së tij në lagjen Plaka. Gjë të cilën e gjejmë edhe të përshkruar nga Dupré me detaje në tekstin e librit e të tij. Çdo element është shprehje e një qëndrimi konsekuent në stilin neoklasik. Dupré riorganizoi përmbajtjen e besueshme në një subjekt humanist, duke pikturuar qartësisht një sipërfaqe të pastër, të lëmuar e të butë. Çdo personazh dhe objekt i ka skajet e linjave të pastra. Thellësia e planeve, perspektiva dhe figurat janë pikturuar me ngjyra të ndritshme. Nuk i mungon asgjë për t’u cilësuar një pikturë e stilit neoklasik.

Louis Dupré, me librin e udhëtimit dhe me pikturat e tij, është piktor francez i rëndësishëm për kulturën shqiptare, sepse jo vetëm fjala dhe mendimi tij japin një kontribut të caktuar në një segment të historisë shqiptare, por edhe pikturat e tij janë një fushë referimi, ku mund të gjesh shumë argumente për të biseduar rreth vlerave të panjohura të personazheve të njohur, si dhe mbi elementet e kostumografisë së një kohe të shkuar. Luan Rama ka ditur të vlerësojë në shumë aspekte rëndësinë e këtij udhëtari piktor dhe përkthimi i tij është një aspekt i barasvlershëm me të gjithë aspektet që përmban studimi i tij në këtë libër, në dukje i vogël, por me shumë vlerë në faqet e tij
 

Attachments

  • download5.jpg
    download5.jpg
    11.6 KB · Shikime: 0
  • ali-pasha.jpg
    ali-pasha.jpg
    220.1 KB · Shikime: 0
  • 151.jpg
    151.jpg
    29.9 KB · Shikime: 0
  • download5.jpg
    download5.jpg
    11.6 KB · Shikime: 0
  • ali-pasha.jpg
    ali-pasha.jpg
    220.1 KB · Shikime: 0
  • 151.jpg
    151.jpg
    29.9 KB · Shikime: 0
@Hera, faleminderit per kete postim interesant.

Nje sqarim te vogel ne lidhje me citimin:

“Në Korfuz…takova disa grekë, tiparet dhe veshja e veçantë e të cilëve nuk ngjante aspak me ato të atyre që kisha parë deri atë kohë: ishin suljotë…

Termi 'grek' eshte perdorur per shume shekuj ne Shqiperine e Jugut per shqiptaret ortodoks, si vartes se kishes ortodokse greke (Patriarku i Konstandinopojes/Stambollit). Ka mjaft fakte per kete; nje shembull eshte emri i vendbanimit arberesh ne Sicili qe me pare quhej '' 'Piana degli Greci' dhe me vone mori nje me emer te sakte etnologjik, 'Piana degli Albanesi'. Ne te njejten menyre edhe shqiptaret musliman shpesh-here thirreshin turq.

Ne shkrimin ne vijim keni edhe nje citim nga Metaksa, i cili e tha shkoqur se Suliotet ishin shqiptar:

 
@Hera, ku e ke marre kete artikull?

Pyes sepse me duket i pasakte titulli, i cili nenkupton qe ishte Aliu ai qe po e shiste Pargen. E verteta rezulton ndryshe - ai e bleu nga Britaniket te cilet me duket se e kishin marre/pushtuar nga francezet.

p.s. Aliu ka bere edhe lufte me francezet per nje qytet ne Cameri.
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top