Rinia shqiptare ose dy anët e të njëjtës medalje

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Evis Plaku

rinia-300x207.jpg


اdo brez mendon se ai mund ta ndryshojë botën. Kjo e vërtetë e thjeshtë duhet të jetë në fakt ‘perpetuum mobile’ i çdo të riu apo të reje. Mirëpo, veçanërisht në rastin e rinisë shqiptare shohim një dyzim të frikshëm; një tendosje dyanëshe që shpesh shkatërron të dyja anët dhe që i ka mbërthyer të rinjtë në një pezullti asfiksuese.

Për çfarë e kam fjalën?
Brezi i ri, pjesë e të cilit jam edhe unë, jeton në një përzierje të çuditshme dhe të rrezikshme vlerash e anti-vlerash ku skandali është bërë i zakonshëm dhe ku të zakonshmit mënjanohen nga shoqëria sepse konsiderohen si skandalozë prej saj. Në një vend ku i forti respektohet më shumë se sa i drejti dhe ku modelet e vërtetë për të rinjtë janë specie në zhdukje, është thuajse e pamundur për një të ri, që të mos e humbasë toruan e të bëhet edhe ai pjesë e kësaj vorbulle shkatërruese. Duke dezertuar kështu misionin e tij më të parë: atë të ndryshimit (për mirë) të realitetit rreth tij.
Natyrshëm lind pyetja: si është e mundur kjo gjë?

Problemi qëndron në faktin se mjetet që të rinjtë kanë sot në dorë janë në vetvete të rrezikshëm. Më konkretisht dhe për të ilustruar këtë ide, le të marrim shembullin e universiteteve. Që janë të shumtë, (pothuajse) sa edhe të pavlerë. Shumica prej tyre (nuk ekziston ndonjë renditje cilësore që të ishim më konkretë) duket sikur janë vetëm fabrikues diplomash në masë. Dhe për hir të së vërtetës një pjesë jo e vogël e rinisë shqiptare e dëshiron këtë gjë. Sepse joshet nga bukuria e një diplome të pamerituar dhe i pëlqen të shijojë frytet e saj. Kjo pjesë e të rinjve jo vetëm e justifikon, por edhe e ushqen një sistem të tillë ku merita nuk është kriter e ku kriteret nuk kanë të bëjnë me meritën. Ata e shohin shkollën si një fast-food. Gjithçka që do mund ta marrësh sa herë që do, aq shpejt sa do. Mjafton të paguash në kohë.

Ana tjetër e medaljes është ajo pjesë e të rinjve që janë të dhënë pas dijes. Ata janë seriozë në studime dhe mësojnë dyfish. Sepse u duhet të tejkalojnë mediokritetin e shkollave ku studiojnë, por edhe të përballen me korrupsionin e shkaktuar nga bashkëmoshatarët e tyre dembelë, por me diplomë në xhep që pa nisur shkollën. Këta të rinj dëshirojnë të thellohen në studime dhe të zhvillojnë personalitetin e tyre akademik, por përballen me një universitet që nuk e njeh kërkimin shkencor, që urren kreativitetin dhe nxit uniformitetin. Duke vrarë kështu dijen e bashkë me të pasionin e shumë të rinjve.

Përveç shkollimit, problemi tjetër madhor i rinisë është punësimi, i cili është në mënyrë të pashmangshme i lidhur më politikën. Së pari, sepse ajo është përgjegjëse direkte për rregullimin e mekanizmave të duhur për krijimin e nxitjen e vendeve të punës; dhe së dyti, sepse në një masë të madhe vendi i punës në Shqipëri është i lidhur me bindjet partiake. Edhe këtu shfaqen qartë dhe frikshëm dy fytyrat e rinisë së sotme. Njëra anë është rinia dembele e “mikut të fortë”. Po, po, Miku – ky është emri i saj. Edhe mbiemri. Edhe identiteti. Edhe diploma, edhe kualifikimet. Sepse veç mikut të fortë nuk i duhet asgjë tjetër për të zënë vendin e punës. Në kurriz dhe në dëm pjesës tjetër të rinisë. Asaj që është e zotë, por e pafuqishme. Punëtore, por e papunë. Asaj që duron deri në dhimbje. Që shpreson deri në pamundësi.

Të gjitha këto ndodhin në një brez ku shumëçka është fasadë. Sidomos mes të rinjve. Anti-konformistët, anti-mainstream dhe rebelët virtualë janë tashmë jo vetëm në modë, por edhe në shumicë. Në këtë vërshim anormaliteti ku përjashtimi bëhet rregull, i riu i zakonshëm e me vlera e gjen veten gjithnjë e më shumë të asfiksuar e përjashtuar. Sepse ai sheh që vlerat janë hedhur në plehra e janë ricikluar pastaj në diçka që do turpëronte gjithëkënd, e aq më shumë një të ri. Kështu pra, solidariteti konsiderohet si vlerë vetëm për sa kohë i shërben interesave meskine. Inteligjenca vlen vetëm kur zhvillon korrupsionin. Zotësi është vetëm t’ia hedhësh tjetrit. A nuk na mëson kështu politika? A nuk na thotë ajo se urdhërimi i njëmbëdhjetë dhe virtyti më i rëndësishëm është të dish t’ia fusësh tjetrit e për analogji mëkati kardinal është kur tjetri ta fut ty. Një logjikë e pisët, por e përhapur me shpejtësinë e një virusi ama, që ka prekur mijëra të rinj të cilët integritetin e kanë integruar pafundësisht larg.

E vërteta nuk ka nevojë për zbukurime artistike, sepse është vetë mjaftueshëm e trishtë. Shembujt janë të shumtë. Dhe çdo i ri e gjen veten të shtypur në mes të një sandwich-i të trishtuar. Rinia është sot në një farë mënyre si një personalitet skizofrenik, tragjikisht e ndarë më dysh brenda vetes. Një luftë e përhershme civile, por shpesh e heshtur, tërbohet brenda saj. Nga njëra ana shumica e të rinjve. Ata që kuantifikojnë cilësinë në varësi të numrave; që ngatërrojnë atë ç’ka është e drejtë me atë ç’ka bën shumica. Për këtë shkak e drejta dhe e padrejta janë shndërruar tashmë në terma lehtësisht të konvertueshëm. Ato varen vetëm nga shijet apo antipatitë e një bashkësie të veçantë njerëzish.

Nga ana tjetër gjendet një pakicë te rinjsh të zotë, por të nëpërkëmbur, shpesh të harruar dhe të pavlerësuar. Sepse ata vazhdojnë të jenë ëndërrimtare në mes të një brezi që nuk ëndërron më. E dëshirojnë lirinë në një kohë kur bashkëmoshatarët e tyre skllavërohen çdo ditë nga politika. Kjo pjesë e të rinjve vazhdon të studiojë me zell në mes të një brezi që e vetmja gjë që lexon janë emrat e lokaleve në të cilët kalon gjithë ditën e Perëndisë. Këta të rinj në minorancë vazhdojnë të jepen pas kauzave të vërteta në mes të një brezi miop e të çoroditur që nuk ka më as kauza, as modele, e as vizion.

Në mes të këtij dyzimi frikësues, pjesa serioze, idealiste e punëtore e rinisë duhet të përmbushë misionin e saj më të madh: ndryshimin dhe tejkalimin e vetes. Si një e tërë. Pjesa e shëndetshme e këtij trupi rinor duhet të ringjallë edhe pjesën e vdekur të tij. Jo ta tërheq atë zvarrë, sepse ashtu do t’i ngelet përgjithmonë si një patericë invaliditeti. Por duhet që ta ndryshojë pak nga pak e përgjithmonë. Që të mos zgjohen në mëngjes me keqardhjen se i përkasin këtij brezi. Që të mos mësohemi kurrë me idenë se në këtë vend çdokush mund të vjedhë, të vrasë, të bëjë ç’të dojë e të marrë ç’të dojë. Vetëm kështu mund të ndalet e gjithë kjo marrëzi. Duke e flakur tutje cinizmin. Pa pasur frikë se integriteti do të na cenojë rehatinë. Për ta ndalur këtë eksod skllavërues që edhe kur na ngop trupin na lë me turpin e zbrasjes së shpirtit.

Sot të rinjtë që mendojnë kështu janë në pakicë. Por ka ende shpresë, sepse ka ende të rinj (të tillë). Ndryshimi nuk vjen kurrë nga turmat, por nga një grusht njerëzish plot integritet e vizion që nuk bëjnë kompromise me vlerat dhe kauzat e tyre. Duket sikur këto gjëra janë të pamundura. Por ne jemi shumë të rinj për të kuptuar që këto gjëra janë me të vërtetë të tilla. Ndaj do t’ia dalim gjithsesi. Sepse marrëzia më e madhe është ta shohim botën siç është dhe jo siç duhet të jetë.

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top