Rinia Dhe Kultura Gjuhesore

WxP

Staf në FV.AL
Prof. As. Dr. Aleksandër Kocani

Aty nga fillimet e viteve ‘60-të gjuha shqipe zhvillohej si lëndë në vitet e para të shkollës së mesme. Më pastaj për një arsye që nuk u mor vesh publikisht, ajo u hoq nga ky nivel i shkollimit duke mbetur vetëm në atë 8 -vjeçar. Një heqje të tillë zyrtare ishte e vështirë që ta kundërshtoje po zyrtarisht në atë kohë. Por nuk ka dyshim se kundërshtime të heshtura, apo të shfaqura si dyshime të ndrojtura me siguri ka patur. Ka të ngjarë që, edhe për shkak të tyre, aty nga mesi i viteve ‘80-të u bë një hap zyrtar për forcimin e mësimdhënies së letërsisë në shkollën e mesme. Me sa mbaj mend, motivi ishte që të forcohej kultura gjuhësore e nxënësve, sidomos ajo e shkruar. U mendua që një pikësynim i tillë realizohej më mirë duke forcuar lëndën e letërsisë, se sa duke rifutur atë të gjuhës shqipe. Arsyet e vërteta të një vendimi të tillë është vështirë që t’i marrim me mend tani. Ka të ngjarë që ndër to të bëjë pjesë edhe mungesa e dëshirës për të pranuar se heqja e kësaj lënde nga shkolla e mesme ishte një gabim fatal, gjë që do të hidhte hije dyshimi në drejtësinë e politikës arsimore të PPSH-së. Ndoshta kjo mund të shpjegojë se përse kryesisht në qarqet arsimore u soll si argument në të mirë të forcimit të letërsisë, logjika se ajo përbën një gjuhë shqipe të aplikuar dhe, nga kjo pikëpamje ka epërsi ndaj parashtrimit si lëndë mësimore të gjuhës në nivelin në fjalë të shkollimit.

Rifutje e gjuhës apo forcim i letërsisë?

Sigurisht këtu nuk është çështja që thjesht të gjykojmë një qëndrim të dikurshëm për ta “mbërthyer” atë në bankën e të akuzuarve. Problemi qëndron ndoshta në analizën logjike të tij për të zbuluar defektet e mundshme të këtij qëndrimi, në mënyrë që të kapen qartë përmasat e rëndësisë së mësimdhënies së gjuhës në nivelin e shkollimit ku jepet kultura e përgjithshme. Kështu do të mund të shmangen në të ardhmen përsëritje të qëndrimeve të gabuara dhe të gjenden rrugë më efektive për të rritur kulturën gjuhësore të nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme.
Shtrohet pyetja: Për të arritur këtë pikësynim në parim më mirë është që të rifutet gjuha shqipe, apo të forcohet mësimdhënia e letërsisë? Në se nuk do të kërkohej një zgjedhje alternative, autori i këtij artikulli do të ishte për ndjekjen e të dy rrugëve. Ndërsa në kushtet e një zgjedhjeje të tillë, siç edhe ka ndodhur, por edhe mund të ndodhë në të ardhmen, preferenca do të ishte nga ana e rifutjes së gjuhës. Pikërisht kjo ka ndodhur dhe për këtë mendoj se është për t’u përgëzuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Arsyeja e preferencës në fjalë është e thjeshtë. Kërkojmë të forcojmë kulturën gjuhësore të nxënësve të shkollës së mesme dhe kjo do të thotë, në radhë të parë, forcim i përvetësimit të strukturave gjuhësore (gramatikore, sintaksore etj.) dhe i parimeve e ligjësive gjuhësore. A mund t’i kapim këto dy objektiva thjesht duke shtuar orët e letërsisë dhe duke e përsosur programin e saj në shkollën e mesme? Ndryshe, me një gjuhë filozofike mund të pyetet: Për të përsosur kulturën gjuhësore që merret në të, a duhet të ndjekim rrugën nga e veçanta, nga rastet e veçanta të aplikimit të gjuhës në letërsi, në arritjen me induksion tek “bërthama” e kësaj kulture, dmth, tek strukturat, parimet e ligjësitë gjuhësore në fjalë? Kemi ardhur kështu në një çështje mjaft të rëndësishme dhe shumë të debatuar të metodologjisë së kërkimit shkencor, që tashmë e ka marrë një përgjigje nga filozofia e shkencës dhe që është pranuar nga komuniteti shkencor. Logjika shkencore ka dhënë “verdiktin” e vet për rrugën deduktive, atë të nisjes nga e përgjithshmja për të vajtur tek rastet e veçanta të zbatimit të saj. Në kushtet e problemit tonë, do të thonim se në një situatë alternative, për të forcuar kulturën gjuhësore, më e pranueshme do të ishte që fillohej me forcimin e përvetësimit të gjuhës shqipe nëpërmjet mësimdhënies së saj, për të kaluar pastaj në përsosjen e zbatimit të njohurive gjuhësore në letërsi dhe në çdo lëndë tjetër mësimore, në shkollë dhe jashtë saj. Në çdo lëmë të dijes nuk mund të rritet e përsoset kultura përkatëse në se nuk trajtohet drejt raporti teori-praktikë. Kështu, nuk mund të mbështetemi vetëm në komponentin e praktikës në emër të gjoja përparësisë së zbatimit, siç po bëhet aktualisht në të famshmin eksperiment për matematikën në shkollat e mesme. Zbatimi përbën një procedurë logjiko-operuese që ndjek linjën e arsyetimit deduktiv, dmth që kalon nga e përgjithshmja, nga teoria tek e veçanta, tek rastet aplikative (ushtrime, situata problematike etj.). Ai në thelb vendos një korrespondencë dinamike midis të përgjithshmes dhe të veçantës nëpërmjet një rruge aktualizimi, apo bërjeje të së parës (e cila nuk është veçse termi i dytë në mundësi).
Pra është e nevojshme të jenë të dy termat (e përgjithshmja, teoria dhe e veçanta, rastet e aplikuara të saja) dhe të kalohet nga termi i së përgjithshmes tek ai i të veçantës. Ngelja vetëm në secilën prej dy termave në fjalë nuk bën të mundur procedurën e zbatimit, gjë që do të thotë se nuk lejon që të kemi përvetësim krijues të njohurive në fushën përkatëse. Do të kemi ose të mësuar riprodhues mekanik të teorisë, ose mbetje në njohuri të cekëta për raste të veçanta aplikative të teorisë, që nuk kanë kahe përgjithësuese dhe nuk i hapin rrugën mendimit krijues, aplikimeve në situata të reja.

Epilog

Jo pa qëllim më sipër në argumentin e sjellë u përdor, por jo me sforco, edhe një linjë filozofike e arsyetimit. اështja është se problemi i forcimit të kulturës gjuhësore të brezave që kalojnë në sistemin tonë të shkollimit nuk përbën thjesht një problem specifik që u takon vetëm specialistëve të gjuhësisë për ta trajtuar. Ai ka edhe përmasa më të gjera sociale që “thërrasin” në diskutim edhe filozofin, edhe sociologun, edhe psikologun etj. Kultura gjuhësore, në dallim nga disa të tjera, që u përkasin shkencave të veçanta, zë një vend qendror në formimin kulturor në përgjithësi të çdo individi. Jo më kot gjuhën e kanë konsideruar si “matematikë të shkencave sociale”. Ajo krahas arsenalit terminologjik, strukturave gjuhësore për ndërtimin e parashtrimeve, nëpërmjet mbështetjes logjike për arsyetim u jep individëve një ndihmesë të pazëvendësueshme në ndërtimin e vetë mendimit në fusha të ndryshme. Antropologu amerikan Lee Worf shkonte deri aty sa të pohonte se gjuha e programon vetë mendimin.
Edhe me sa u dha më sipër shihet se edhe për rininë shkollore, kultura gjuhësore është tepër e rëndësishme sa në formimin e tyre kulturor në përgjithësi, aq edhe në atë të disiplinave të veçanta. Prandaj dhe e ritheksojmë se rifutja e mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollën e mesme përbën një veprim në drejtimin e duhur, madje mjaft të vonuar. Ajo do të kontribuojë jo vetëm në një kulturim të përgjithshëm më të mirë të nxënësve, por edhe në rritjen e shkallës dhe të cilësisë së përvetësimit krijues të njohurive në disiplinat e ndryshme. Për më tepër, nga pikëpamja sociale ajo do të përmirësojë edhe komunikimin e të rinjve në shkollë dhe jashtë saj, duke ndikuar për mirë në uljen e shkallës së konfliktualitetit që lidhet me nivelin aktual të këtij komunikimi.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top