Rexhep Qosja: Berisha, skenarist i gjenocidit

eGo0sTyle

System Engineer
30260_10.jpg


Në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë, domethënë në Muzeun e historisë së shqiptarëve, pjesëtarë të të cilit jetojnë jo vetëm në Shqipërinë shtetërore, por edhe në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës, në Itali, në Greqi, në Turqi, në një varg vendesh evropiane, në SHBA, në Kanada, në Australi, në Zelandë të Re e në vende të tjera, gjendet PAVIJONI I GJENOCIDIT. Sado nuk e dija saktë se cilën ditë, cilën javë, cilin muaj dhe cilin vit është hapur, këto ditë mësova se është hapur në vitin 1996, kur kryeministri i sotëm i Shqipërisë ishte ende kryetar i Shqipërisë.
Në kohën kur flitej për nxjerrjen e ligjit për gjenocidin komunist në Shqipëri dhe për krijimin e, nuk më kujtohet tani, Institutit, Muzeut a PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT, në një artikull për një çështje tjetër kisha shkruar disa fjalë edhe për këtë "gjenocid". Meqenëse ligji për gjenocidin nuk u nxor dhe nuk u nxor sepse, siç u pa shpejt, propozuesit e tij, gjenocidit ia caktonin kuptimin siç donin vetë e jo siç ia ka caktuar OKB-ja, kurse nisma për krijimin e Institutit, Muzeut a Pavijonit të gjenocidit u sendërtua me krijimin e PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT, unë e harrova gati plotësisht çështjen e "gjenocidit", që shqiptarët paskan bërë ndaj vetvetes në kohën e komunizmit, dhe vazhdova të merrem me çështje të tjera politike në Shqipëri, me dhunën shtetërore serbe në Kosovë dhe me politikën paqësore, në të vërtetë nënshtruese të disa partive tona, në krye me LDK-në, ndaj asaj dhune.
Tani, rreth pesëmbëdhjetë vjet më vonë, diku në pjesën e tretë të shkurtit të këtij viti, institucioni në të cilin ruhen dëshmitë e "gjenocidit" që paskan bërë shqiptarët ndaj vetvetes, papritmas më del parasysh: në një emision, në njërin prej televizioneve të Tiranës, për Muzeun Historik Kombëtar, shoh se si mbi një derë ishte shkruar me shkronja posaçërisht të dukshme: PAVIJONI I GJENOCIDIT .
E pyes veten: a po shoh mirë? A po shoh mirë apo më bëjnë sytë?
I heq syzet, i fshij kujdesshëm, i vë prapë dhe ngrejë kokën e shikoj prapë televizionin: shoh prapë çka kisha parë pak më parë: PAVIJONI I GJENOCIDIT. Kamera televizive është përqendruar pikërisht në të: në PAVIJONIN E GJENOCIDIT. Dhe, dëgjoj: do të jetë gati, në katin e tretë të Muzeut Historik Kombëtar, deri nga fundi i prillit, kur fillon sezoni turistik; dhe do të jetë gati në atë kohë me qëllim që të plotësojë, që të kënaqë interesimet e turistëve për gjenocidin komunist!
Nuk mund ta di a ka edhe tani gjë dhe në qoftë se ka - çka ka para se të hapet solemnisht, në atë pavijon. E di, ndërkaq, se krijimi i këtij pavijoni, që quhet PAVIJONI I GJENOCIDIT, më parë sesa gjykimit të shëndoshë e larghedhës i detyrohet gjykimit të errësuar, dritëshkurtër politizues. Dhe, e di se krijimi i këtij pavijoni në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë e ballafaqon mendjen, ndërgjegjen dhe etikën kombëtare shqiptare me një sërë pyetjesh, të cilat pashmangshëm kërkojnë përgjigje, natyrisht në qoftë se duam të mendojmë drejt, objektivisht, për përmbajtjen, për domethënien dhe për ndikimin e tij, në njërën anë, në marrëdhëniet brendashqiptare e, në anën tjetër, në mendimet e të tjerëve për ne.
Ja disa prej këtyre pyetjeve.
1. A është shkruar në histori për ndonjë popull, i cili mund të ketë bërë gjenocid ndaj vetvetes?
Deri sot nuk kam lexuar të ketë ndonjë popull të tillë, i cili ka bërë gjenocid ndaj vetvetes. ثshtë shkruar kur e kur në shtypin botëror për gjenocidin e kmerëve të kuq ndaj kmerëve në Kamboxhia gjatë viteve 1975-1979, por në Kamboxhia, në Pnom Pen a në ndonjë qytet tjetër të këtij shteti, nuk e di se është ngritur institut, muze a pavijon në kuadrin e ndonjë instituti a muzeu, për gjenocidin e kmerëve ndaj vetvetes.
Në Rusi, pas rënies së diktaturës komuniste, është shkruar shumë, shumë për terrorin stalinist, për internimet masive të rusëve e pjesëtarëve të kombësive të tjera të Bashkimit Sovjetik në Siberi, për likuidime masive, sidomos për likuidime të shumë intelektualëve, midis të cilëve edhe të shumë shkrimtarëve, shkencëtarëve dhe oficerëve të lartë, por rusët nuk kanë themeluar as farë instituti, as farë muzeu, as farë pavijoni në kuadrin e farë institucioni a muzeu për gjenocidin e rusëve ndaj vetvetes.
Në اeki, më shumë se në disa vende të tjera ish komuniste, është shkruar për dhunën komuniste, sidomos për dhunën e tmerrshme pas përpjekjeve të dështuara për reforma në vitin 1968, por çekët nuk pranojnë se kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes, prandaj kanë themeluar jo institut, jo muze, jo pavijon të gjenocidit në kuadër të tyre, por një muze që e kanë quajtur Muzeu i dhunës komuniste.
Për dhunën në kohën e komunizmit është shkruar shumë në Hungari, në Poloni, në Rumani, por as në Hungari, as në Poloni, as në Rumani nuk është themeluar farë instituti, muzeu a pavijoni në kuadrin e tyre për gjenocidin e hungarezëve, polakëve a rumunëve ndaj vetvetes.
Në histori dihet për popuj që kanë jetuar gjatë, që kanë pasur një qytetërim sado kudo të zhvilluar, por dikur janë zhdukur. Një popull i tillë, i njohur, që kishte një qytetërim pak a shumë të zhvilluar, që kishte shtet një kohë, janë edhe hazarët. Janë zhdukur vonë, diku rreth shekullit XI, dhe janë zhdukur jo pse kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes, por pse janë tretur, janë përngjashmuar me popujt e tjerë fqinjë.
Përpos se nuk di për popull që është zhdukur sepse ka bërë gjenocid ndaj vetvetes, historia nuk di as për popull që mund të ketë bërë ndonjëherë farë gjenocidi ndaj vetvetes, ndërsa vazhdon të jetojë sot.
Në qoftë se u besojmë historive të popujve të tjerë, të zhdukur a të gjallë, del, kështu, se shqiptarët janë i vetmi popull në planetin e Tokës, të cilët paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes! Shteti i sotëm shqiptar synon që ky pohim tragjik me "të dhëna" të shqiptohet në PAVIJONIN E GJENOCIDIT në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë!
2. A mund të thuhet se në Shqipërinë komuniste kishte program politik dhe shtetëror për zhdukjen e pjesëtarëve të ndonjë bashkësie racore, të ndonjë shtrese shoqërore, të ndonjë bashkësie etnike, të ndonjë bashkësie fetare apo të pjesëtarëve të ndonjë përkatësie tjetër?
Jo. Program i tillë nuk është zbuluar deri sot sepse një program i tillë nuk ekzistonte - kurrë në Shqipërinë komuniste a jokomuniste.
3. A mund të thuhet e të faktohet se dhuna shtetërore në Shqipërinë komuniste ka sjellë gjenocid ndaj shqiptarëve, ndaj ndonjë bashkësie tjetër racore, ndaj ndonjë bashkësie tjetër etnike, ndaj ndonjë bashkësie fetare, ndaj pjesëtarëve të ndonjë shtrese shoqërore a të ndonjë përkatësie tjetër?
Jo. Kurrë. Në Shqipërinë komuniste ushtrohej dhunë ndaj vetjeve të ndryshme, të cilët më pak a më shumë shkelnin ligjet shtetërore, mohonin ideologjinë, politikën a rendin në fuqi, por dhunë masive për dëbim a zhdukje ndaj çfarëdo bashkësie a grupi etnik, racor, fetar, klasor e të tjera nuk kishte. Në kohën e komunizmit kufijtë e Shqipërisë shtetërore ruheshin jashtëzakonshëm, ku e ku edhe me tela të elektrifikuar, sa prej armikut të jashtëm aq për të penguar largimet vetjake a grupore të qytetarëve të Shqipërisë në vende të tjera, që mund të ndikonin në dobësimin demografik të vendit. Hajde, ta krahasojmë sjelljen e këtillë të regjimit komunist, i cili bën çmos që t'i mbajë nënshtetasit në vendin e vet, duke u dhënë punë po thuaj të gjithëve, me sjelljen e regjimit të sotëm, i cili bën çmos që sa më shumë shqiptarë të shpërngulen në botë, qoftë për t'u krijuar ashtu hapësirë punësimi anëtarëve të partive në pushtet, qoftë për të marrë sa më shumë dërgesa financiare prej atyre të shpërngulurve në botë!
Në Shqipërinë e Enver Hoxhës, si edhe në vendet tjera komuniste, si edhe në një varg vendesh të demokracisë tradicionale, joliberale, shteti shqiptar shumë më tepër kujdesej për të drejtat dhe interesat e shoqërisë si tërësi, për zhvillimin e përgjithshëm të saj, për arsimin, për kulturën, për shëndetësinë, për emancipimin e saj, e shumë më pak për të drejtat njerëzore e interesat e vetjeve të veçanta. Në të vërtetë, në emrin e interesave të shoqërisë si tërësi, cenoheshin, shpesh, pa arsye shumë të qëndrueshme të drejtat e interesat vetjake. Por, e gjithë kjo as nuk mund të ishte politikë, as nuk mund të ishte ideologji, as nuk mund të ishte praktikë e gjenocidit, siç do të donin të bindnin opinionin shqiptar projektuesi, organizuesit dhe merenduesit e PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT. E gjithë kjo tregon qartë, ndërkaq, se projektuesi, organizuesit dhe merenduesit e PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT ose nuk dinë se çka do të thotë nocioni gjenocid, ose e shtrembërojnë, e keqpërdorin, e falsifikojnë çdo kuptim shkencor të tij. E nocioni gjenocid, si thuhet, shkurt, në numrin më të madh të fjalorëve të sociologjisë, të politikologjisë a të filozofisë është: "çdo veprimtari për zhdukje ose shfarosje të paramenduar dhe sistematike të krejt një kombi, grupi etnik, racor ose kulturor".
Ta supozosh një veprimtari të tillë, që sjell gjenocid, në cilëndo periudhë të shtetit shqiptar, Shqipërisë, prandaj edhe në periudhën e komunizmit, është një çmenduri kundërkombëtare.
4.Sa mund të jetë numri i shqiptarëve të përndjekur e të zhdukur në kohën e komunizmit në Shqipëri?
Sa më ka rënë të lexoj, të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve të përndjekur dhe të likuiduar në kohën e komunizmit në Shqipëri ende nuk janë dhënë. Shifrat e botuara në gazeta, në revista, në libra të veçantë deri tani, si e thonë edhe autorët e atyre shifrave, më së shpeshti janë të përafërta, domethënë të hamendësuara. Po të krahasojmë numrin e shqiptarëve të përndjekur dhe të likuiduar në Jugosllavinë komuniste, e cila në Perëndim quhej diktaturë e mëndafshtë, në qoftë se këtë krahasim e bëjmë, natyrisht, duke pasur parasysh numrin e banorëve të njërit vend - të Shqipërisë dhe numrin e banorëve të vendit tjetër - të Jugosllavisë, do të shohim se dhuna në Jugosllavi, sidomos, në njëzet vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, ishte shumë më e përshtrirë dhe më e madhe se në Shqipërinë shtetërore. Pas rënies së komunizmit janë botuar të dhëna që dëshmojnë se vetëm në kampet e përqendrimit, siç ishte kampi në ishullin famëkeq Goli Otok, ku çoheshin kundërshtarët politikë, që e kundërshtonin prishjen e marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik pas Rezolutës së Informbyrosë më 1948 me të cilën dënohej Jugosllavia, u janë nënshtruar trajtave më të paimagjinueshme të dhunës disa qindra mija komunistë e jokomunistë, të cilët adhuronin Rusinë a Stalinin, kurse janë likuiduar disa dhjetëra mijë.
Më tej, me të dhëna arkivore është dëshmuar se në vitin e parë pas çlirimit prej pushtimit gjerman vetëm në Beograd janë pushkatuar rreth njëqind mijë veta të konsideruar armiq ideologjikë dhe politikë, pjesëtarë të formacionit luftarak çetnik të Drazha Mihailloviqit, armiq të revolucionit, kundërshtarë të kolektivizimit, bashkëpunëtorë të pushtuesit, argëtues të pushtuesve. E të tjerë. Midis të pushkatuarve kishte edhe: studiues të njohur shkencorë, shkrimtarë të njohur, piktorë të njohur, skulptorë, aktorë, këngëtarë. Shkruhet se ndër të pushkatuarit ishte edhe aktorja më e lavdishme e teatrit serb, e akuzuar se kishte argëtuar gjermanët me artin e saj teatror.
Aspak më e mëshirshme dhe aspak më e rrudhur nuk ishte dhuna as ndaj kundërshtarëve ideologjikë e politikë, sidomos, ndaj pjesëtarëve dhe ithtarëve të regjimit kuisling të ustashëve në Kroaci.
Me gjithë këtë dhunë shumë të përshtrirë e të shumëmënyrshme në Jugosllavinë komuniste, as serbët, as kroatët, as sllovenët, as malazeztë, as boshnjakët, as maqedonasit, nuk flasin dhe nuk shkruajnë se në kohën e komunizmit është bërë gjenocid ndaj tyre. Si të flasin e të shkruajnë? Të gjithë, natyrisht, cilët më shumë e cilët më pak, ishin në pushtet, prandaj vetëdija politike, vetëdija historike, dinjiteti kombëtar nuk i lejon të thonë se, ja, paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes.
Menjëherë pas çlirimit të Francës prej pushtimit gjerman, në Francë janë bërë shumë pushkatime: janë pushkatuar, thuhet dhe shkruhet, shumë francezë që kanë marrë pjesë në administratën e regjimit kolaboracionist të Petenit, janë pushkatuar shumë bashkëpunëtorë të tjerë të pushtuesve, janë pushkatuar shumë pronarë të hoteleve, të restoranteve, të kafeneve, që u kanë shërbyer gjermanëve, janë pushkatuar shumë artistë dhe joartistë - zbavitës të gjermanëve.
Numri më i madh i të pushkatuarve ishte në Paris. Një ditë, shpejt pas fillimit të pushkatimeve, njëri prej bashkëpunëtorëve të tij do t'ia tregojë Sharl De Golit numrin e të dënuarve me vdekje. I befasuar, De Goli do t'i thotë: ndalojeni dënimin me vdekje se kështu do ta dënojmë me vdekje gjithë Parisin!
Askush, asnjë kundërshtar a armik i Lëvizjes Franceze të Rezistencës dhe i Sharl De Golit nuk ka thënë dhe nuk ka shkruar ndonjëherë se në Francë është bërë gjenocid.
Francezët e mençur nuk thonë dhe nuk shkruajnë - kurrë dhe kurrkund, as se francezët kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes në kohën e Revolucionit të vitit 1789 kur gijotina me vite ka punuar çdo ditë. Me të, me gijotinën, do të priten kokat e mija e mija francezëve, madje edhe të disa krijuesve e filozofëve mendjendritur që nuk i harron historia.
Francezët e mençur nuk thonë dhe nuk shkruajnë se francezët kanë bërë gjenocid ndaj vetvetes as gjatë tiranisë pesëmbëdhjetëvjeçare të Napoleon Bonapartit, megjithëse luftërat e tij e kishin lënë Francën pa rini mashkullore, e cila dhunshëm mobilizohej në Armatën e tij, duke e përgjysmuar numrin e përgjithshëm të popullsisë franceze.
Për gjenocid të bërë ndaj vetvetes, ndërkaq, nuk flasin dhe nuk shkruajnë as gjermanët: as gjermanët e Lindjes, as gjermanët e Perëndimit .
Pasojat e politikës naziste të Adolf Hitlerit, që do të shkaktojë Luftën e Dytë Botërore, do të jenë tragjike jo vetëm për numrin më të madh të shteteve të Evropës, por edhe për vetë Gjermaninë. Në vitin e fundit të luftës, Adolf Hitleri me bashkëpunëtorët e tij do ta vazhdojë luftën duke mobilizuar edhe të rinjtë e moshës jomadhore, madje edhe katërmbëdhjetëvjeçarët. Fundin e Luftës së Dytë Botërore, Gjermania do ta presë me numër tmerrshëm të zvogëluar të meshkujve. Politikanët dhe intelektualët e sotëm gjermanë thonë dhe shkruajnë se Gjermaninë e pasluftës e kanë ndërtuar gratë gjermane - se meshkuj gati se s'kishte! Por as politikanët, as intelektualët gjermanë nuk thonë e nuk shkruajnë se në shtetin gjerman prej vitit 1933, kur Hitleri do të vijë në pushtet, e deri në vitin 1945, kur Hitleri do të bëjë vetëvrasje, gjermanët na paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes. Jo. Nazistët kanë bërë gjenocid ndaj hebrenjve, por jo ndaj gjermanëve.
Megjithëse komunizmi në Republikën e ashtuquajtur Demokratike Gjermane ishte jashtëzakonisht i egër, shumë më i egër se në disa vende të tjera komuniste, politikanët dhe historianët gjermanë, që kishin jetuar atje, sot flasin e shkruajnë për përndjekjet dhe për dhunën e jashtëzakonshme, por jo për farë gjenocidi që mund të kenë bërë gjermanët lindorë ndaj vetvetes.
E dimë, ndoshta të gjithë, se në Mesjetën e vonshme, ishte një organizim me shtrirje në disa vende të Evropës, që quhej Inkuizicion e që - si thonë studiuesit e tij - ushtronte dhunë të paramenduar e sistematike ndaj të ashtuquajturve heretikë, që në gjuhën e sotme do të quheshin disidentë fetarë, ndaj grave të trajtuara shtriga dhe ndaj rrënjësve të kolonive. Viktima të Inkuizicionit do të jenë: në Evropë - mbi një milion gra dhe disa qindra mijëra meshkuj, ndër të cilët edhe shkencëtarë e krijues të tjerë të lavdishëm dhe në kolonitë - miliona pjesëtarë të rrënjësve! Por, as anglezët e mençur, as francezët e mençur, as spanjollët, italianët e holandezët e mençur nuk thonë e nuk e shkruajnë se organizatat e inkuizicionit kanë bërë gjenocid jo vetëm ndaj popujve të vet, por as ndaj rrënjësve të kolonive.
Të vazhdojmë më tej dhe të pranojmë për një çast se ja, Partia e Punës e Shqipërisë, e kjo domethënë se shqiptarët, paskan bërë gjenocid ndaj vetvetes, ta pranojmë, pra, për një çast këtë marrëzi e të shohim se ku na çon ky pohim dhe me çfarë obligimesh politike, shoqërore dhe morale ngarkohen ata që e pranojnë e, sidomos, ata që e kanë trilluar.
5. Në qoftë se në Shqipërinë shtetërore, në kohën e komunizmit, na qenka bërë gjenocid ndaj popullit shqiptar, pashmangshëm do të shtrohet edhe kjo pyetje: a mund të quhet i liruar prej çdo faji, çdo përgjegjësie politike e morale për sendërtimin e gjenocidit në kohën e komunizmit edhe ideologu politik dhe ndërtuesi shtetëror i PAVIJONIT Të GJENOCIDIT, kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha? A mund të quhet i liruar prej çdo faji, çdo përgjegjësie politike e morale, njeriu i cili ka pranuar të bëhet sekretar i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Fakultetin e Mjekësisë, në të vërtetë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, i cili njëkohësisht ka pranuar të bëhet kandidat (i merituar) për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i cili ishte mik i familjes së diktatorit, Enver Hoxha, në kohën kur bëhej "gjenocidi" komunist në Shqipëri? Njeriu me mendje sado kudo të shëndoshë, sado kudo të ndershme, sado kudo etike, sado kudo të përgjegjshme pashmangshëm do t'i bëjë pyetje këtij trilluesi të gjenocidit: ku ishe ti atëherë? Pse heshtje derisa po bëhej gjenocid ndaj popullit të cilit i përkisje? Pse nuk e thoshe bile një fjalë mospajtimi me atë gjenocid dhe të bëje një a pesë a dhjetë vjet burg siç kanë bërë disa që nuk janë pajtuar me përndjekjet politike e shtetërore në kohën e komunizmit? Pse, more shok, shikoje se si po bëhej gjenocidi ndaj popullit të cilit i përkisje, ndërsa pranoje të bëheshe anëtar i nomenklaturës komuniste, pranoje të bëheshe sekretar në Partinë e Punës, që ishte parti dhe shtet njëkohësisht dhe, madje, kandidat për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ku na qenkan ndërtuar ideologjia, politika, taktika dhe strategjia e gjenocidit ndaj popullit të cilit i përket? Pse, more shok, e shihje se si po vazhdonte gjenocidi ndaj popullit të cilit i përkisje, ndërsa bëje çmos që të futeshe në shtëpinë e kryeprojektuesit të "gjenocidit", diktatorit Enver Hoxha?
A ka kush, a ka njeri me mendje sado kudo të shëndoshë, me mendje sado kudo etike, me përgjegjshmëri elementare qytetare, me vetëdije kombëtare që do të thoshte se ti, mor shok, si vidhë sado e vogël e makinerisë së gjenocidit, na qenke plotësisht i pastër, plotësisht i pastërpikur prej çdo pike të gjakut të shkaktuar nga ai "gjenocid"! A ka kush, a ka njeri me mendje sado kudo të shëndoshë, me mendje sado kudo etike, me përgjegjshmëri elementare qytetare, me vetëdije kombëtare, që do të thoshte se ti na qenke i vetmi sekretar në Partinë e Punës dhe i vetmi kandidat për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, i cili as me fajin më të vockël nuk mund të quhet bashkëpjesëmarrës në atë "gjenocid"? Në qoftë se përgjigjet në këto pyetje janë përgjigje që në asnjë mënyrë, as para Krishtit e Muhamedit, as para popullit nuk mund të të shpallin të pastër, atëherë të shtrohet edhe një pyetje: pse, more shok, e ke shpikur gjenocidin dhe pse e lejon ekzistimin e atij pavijoni të quajtur PAVIJONI I GJENOCIDIT në Muzeun Historik Kombëtar?
A të shkon mendja se në njëzet e shtatë nënndarjet e sallës së PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT prej rreth 800 metrash katrorë, mund të gjenden edhe dokumente të tjera për reshperinë tënde politike për të cilat do të bëje çmos që të mos shiheshin aty?
Sa mirë! Vizitorët e ardhshëm të PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT, numri i të cilëve, thonë organizuesit e tij, do të jetë i madh, do të kenë rastin që aty, në nënndarjet e superstrukturës së gjenocidit, të shohin e të lexojnë procesverbalet e mbledhjeve të organizatës themelore të Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Tiranës, të kryesuara prej Sali Berishës, si sekretar i saj, natyrisht në qoftë se nuk i ka zhdukur SHIK-u në kohën kur Sali Berisha ishte kryetar i Shqipërisë; të shohin e të lexojnë procesverbalin e mbledhjes së Komitetit Qendror të PPSH-së, në të cilën ishte pranuar kandidatura e Sali Berishës për kandidat të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. E dokumente të tjera qoftë si fotografi, qoftë të shkruara për të - për kryeministrin e sotëm të Shqipërisë, për kryetarin e djeshëm të Shqipërisë, për kryetarin njëzetvjeçar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, për sekretarin e organizatës themelore të Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Sali Berisha.
Si i gjithë Muzeu Historik Kombëtar, ashtu edhe PAVIJONI I GJENOCIDIT, përpos strukturës, do të duhej të ketë edhe superstrukturën e tij. Organizuesit e tij, merenduesit e tij, si historianë që janë, si shkencëtarë që janë, si intelektualë që janë do të jenë shkencërisht të obliguar që në të të paraqesin edhe atë superstrukturë të "gjenocidit". Pse jo? Përpos praktikës tragjike, gjenocidet kanë edhe ideologjinë, teorinë, metodologjinë dhe propagandën e tyre, zakonisht të mbajtura në vepra shkencore, publicistike, letrare e të tjera artistike!
Sa mirë! Sa mirë! Vizitorët e ardhshëm të PAVIJONIT Të GJENOCIDIT do të kenë rastin që t'i shohin aty, në një vend, veprat shkencore, publicistike, letrare, muzikore, filmike, artistike-figurative në të cilat e me të cilat madhërohen rendi politik-shoqëror e shtetëror, si dhe Partia që paska bërë "gjenocid" ndaj popullit të vet! E numri i veprave të tilla është aq i madh saqë, ndoshta, do të jetë e nevojshme që hapësira e PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT shpejt të dyfishohet a të trefishohet!
Meqenëse Kryeideologu dhe Kryeurdhëruesi i "gjenocidit" ishte Enver Hoxha, është e kuptueshme se ai do të jetë edhe Protagonisti i nënndarjeve të këtij Pavijoni, në të cilat do të paraqitet superstruktura e "gjenocidit". Aty, prandaj, vizitorët kureshtarë, të brendshëm e të jashtëm, do të kenë rastin të shohin bustet, shtatoret dhe portretet që për të, për Enver Hoxhën, kanë bërë skulptorët dhe piktorët; filmat dokumentarë e artistikë që për të, për jetën e tij, për luftën e tij, për ndërtimin e vendit nën udhëheqjen e tij, kanë bërë skenaristët, regjisorët dhe aktorët; vjershat dhe poemat, tregimet dhe novelat, dramat dhe romanet që për të - të frymëzuara prej jetëshkrimit të tij, prej ideologjisë së tij komuniste, prej politikës së tij të brendshme e të jashtme, prej kolektivizimit, prej luftës së klasave, prej luftës së tij politike kundër kapitalizmit dhe imperializmit amerikan, prej luftës teorike kundër letërsisë dhe, në përgjithësi, artit modern dekadent perëndimor - do të shkruajnë poetët, tregimtarët, dramaturgët, romancierët. Ata që kanë jetuar në kohën e komunizmit, ata do ta dinë, pa i përkujtuar unë, se vendi qendror në nënndarjet kushtuar superstrukturës në PAVIJONIN E GJENOCIDIT do t'i takojë apologjisë letrare të stalinizmit - romanit DIMRI I MADH, në të cilin Enver Hoxha madhërohet më dhuntishëm (më talentueshëm) se në asnjë roman a vepër tjetër artistike dhe madhërohet prej shkrimtarit më të popullarizuar të kohës, kurse prej Shtetit e prej Partisë së Punës dhe prej vetë Enver Hoxhës më të stolisur me dekorata, medalje, diploma, çmime, poste, shpërblime, pasaporta diplomatike. E të tjera.
Po këtu, në këto nënndarjet e superstrukturës në PAVIJONIN E GJENOCIDIT, pashmangshëm do të paraqiten edhe shkrimet e shumta publicistike, qoftë të botuara në përmbledhje të veçanta qoftë të mbetura në gazeta e revista për Enver Hoxhën, për jetën, politikën, ideologjinë dhe, në përgjithësi, veprën e tij. Oh, sa i madh, sa i pafund e i pa skaj, është numri i këtyre shkrimeve.
Por, në nënndarjet e PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT, kushtuar superstrukturës, vizitorët kureshtarë do të duhej të mund të shihnin edhe dokumentet - fotografi, procesverbale, diskutime, biseda, të autorëve të ndryshëm të asaj superstrukture, të ngritur në anëtarë a në funksione të Partisë së Punës, të Frontit Demokratik të Shqipërisë, si levë e Partisë së Punës, në deputetë të Kuvendit Popullor. Shumë përshtypjelënëse për shikuesit do të jenë edhe fotografitë dhe insertet televizive në të cilat, përpos deputetëve të tjerë, shihen edhe krijuesit - deputetë duke votuar, të shkrirë në gaz, domethënë të lumtur, për miratimin e Nenit 55 të Kodit Penal me të cilin dënoheshin pamëshirshëm agjitacioni dhe propaganda, në Kuvendin e Republikës Popullore të Shqipërisë.
Dhe, kështu, duke e formuar PAVIJONIN E GJENOCIDIT në Muzeun Historik Kombëtar, themeluesi dhe organizuesit e këtij Pavijoni, Sali Berisha me pretorianët e tij partiakë i bën krijuesit shqiptarë që ishin anëtarë a funksionarë të Partisë së Punës së Shqipërisë a të ndonjë parti tjetër, levë e sa, që kishin krijuar vepra për Enver Hoxhën, që kishin krijuar vepra në të cilat me gjuhën artistike a shkencore përkrahnin rendin politik shoqëror, Partinë dhe Shtetin, i bën, pra, ata, krijuesit e arteve e të shkencave tona, qoftë përkrahës, qoftë pjesëmarrës në atë "gjenocid" të cilit, ja, i është kushtuar PAVIJONI I GJENOCIDIT!
E krijuesit tonë, shkrimtarët tonë, artistët tonë, punonjësit tonë shkencorë, prej vitit 1996, kur është themeluar, e shikojnë këtë PAVIJON të gënjeshtërt, ndoshta disa prej tyre edhe e vizitojnë, duke heshtur si të mos ekzistonte. A është e mundshme? O tempora! O mores!
Edhe me një pyetje, më në fund, e ballafaqon PAVIJONI I GJENOCIDIT mendjen, ndërgjegjen dhe etikën kombëtare shqiptare dhe kjo është pyetja:
6. اka do të thonë vizitorët e huaj të Muzeut Historik Kombëtar mbasi ta shohin lëndën e të gjitha nënndarjeve të PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT?
Mund të supozojmë, me të drejtë, se, mbasi të mësojnë në këtë PAVIJON Tث GJENOCIDIT, se shqiptarët na qenkan mbajtur si popull i tërësishëm, i njësuar, edhe nën sundimin romak, edhe nën sundimin bizantin, edhe nën sundimin serb, edhe nën sundimin otoman, edhe nën sundimin e sërishëm serb - një pjesë e tyre, edhe nën sundimin italian e gjerman ata, vizitorët e huaj, do të mund të pyesnin vetveten: çfarë populli është ky që mbas të gjitha atyre pushtimeve prej të huajve, në fund, në pjesën e dytë të shekullit njëzet, të shekullit të krijimit të shteteve të reja në botë, bën gjenocid ndaj vetvetes? Si është e mundshme që ky popull të mos përjetojë kurrfarë gjenocidi as kurrfarë përpjekje për gjenocid as nën sundimin romak, as nën sundimin bizantin, as nën sundimin e parë serb, as nën sundimin otoman, as nën sundimin italian dhe gjerman, as nën sundimin e sërishëm serb - një pjesë e këtij populli, por të bëjë gjenocid ndaj vetvetes?
A kanë menduar, O Zot, trilluesit e gjenocidit të shqiptarëve ndaj vetvetes në kohën e komunizmit dhe organizuesit e merenduesit e PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT në kuadrin e Muzeut Historik Kombëtar se vizitorët e huaj, mbasi t'i shikojnë dëshmitë lëndore dhe dëshmitë shpirtërore, dëshmitë e strukturës dhe dëshmitë e superstrukturës së "gjenocidit", do të mund të thoshin: po çfarë populli na qenka ky që aq lehtë pranon ta turpërojë vetveten me atë pavijon: me PAVIJONIN E GJENOCIDIT?
Asnjë gazetar, asnjë publicist, asnjë sociolog a politikolog, asnjë politikan a shtetar evropian, amerikan, aziatik, afrikan a australian nuk ka folur dhe nuk ka shkruar deri sot se Enver Hoxha dhe Partia e tij paskan bërë gjenocid ndaj popullit të vet, domethënë ndaj vetvetes, por ja, këtë kretinizëm e thotë dhe e përsërit ish sekretari i Partisë së Punës në Universitetin Shtetëror të Tiranës, kandidati për anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, miku i familjes së Enver Hoxhës, kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, me pretorianët dhe me historianët e tij partiakë!
A është e mundshme kjo?
Hiqeni, prandaj, sa më parë mbishkrimin PAVIJONI I GJENOCIDIT mbi derën e asaj salle në Muzeun Historik Kombëtar: sepse ai mbishkrim i rrejshëm e nxin historinë shqiptare dhe e nxin Shqipërinë e cila pikërisht në kohën që ju e quani koha e gjenocidit që shqiptarët paskan bërë ndaj vetes ishte palë e kjo do të thotë nënshkruese e Konventës për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit (më 1955) dhe e Konventës për moszbatimin e kufizimeve statusore ndaj krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit (më 1971); sepse ai mbishkrim i rrejshëm e cenon rëndë, e fyen rëndë vetëdijen historike të popullit shqiptar, vetëdijen kombëtare të popullit shqiptar, etikën e lartë, dikur botërisht të çmuar, të popullit shqiptar, nderin dhe dinjitetin e popullit shqiptar! Hiqeni sa më parë mbishkrimin PAVIJONI I GJENOCIDIT sepse ky pavijon e komprometon rëndë Mendjen shqiptare!
Quajeni Pavijoni i përndjekjeve komuniste, a Pavijoni i dhunës komuniste, por jo PAVIJONI I GJENOCIDIT!
Për të qenë pjesë vërtet historike, pjesë vërtet shkencore e Muzeut Historik Kombëtar, ky pavijon do të duhej të përfshinte shkeljen e të drejtave të njeriut, përndjekjet, dhunën politike e pushtetore prej se është krijuar Shqipëria shtetërore e deri sot. Mendja shkencore, prandaj, do ta quante Pavijon të shkeljeve të të drejtave të njeriut, ose Pavijon i dhunës politike dhe shtetërore ndaj qytetarëve, ose Pavijon i dhunës pushtetore. Nuk janë shkelur të drejtat e njeriut, nuk janë përndjekur shqiptarët, nuk është ushtruar dhunë mbi qytetarët e shtetit shqiptar vetëm në kohën e komunizmit. Të gjitha këto të këqija që ua bënte shteti qytetarëve të vet ishin më të përshtrira, më të ndryshme, më të shumëllojshme, në kohën e komunizmit, por të drejtat e njeriut shkeleshin, shqiptarët përndiqeshin, mbi qytetarët shqiptarë ushtrohej dhunë edhe në regjimin e mbretit Ahmet Zogu, edhe në kohën e pushtimit italian e gjerman, edhe në regjimin dhunëtar të Sali Berishës prej se është në pushtet.
Mos të harrojmë se nën këqyrjen e Ahmet Zogut janë vrarë figura të shquara historike si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, janë përndjekur e gjykuar me shumë vite burgje krijues, shkrimtarë, si Haki Stërmilli, janë dënuar me vdekje publicistë me dhunti të madhe si Ismet Toto. E të tjerë. E të tjerë.
Mos të harrojmë se nën sundimin e Sali Berishës dhe si fryt i zi i politikës së tij të ndarjeve, përçarjeve, të konfliktit, shqiptarët janë gjetur në luftë qytetare, që ka sjellë disa mijëra të vrarë, shumë të mbytur në det, shumë e shumë të plagosur, shumë të shpërngulur në botë. Mos të harrojmë se politika e Sali Berishës është edhe sot politikë e dhunës jo vetëm me gojë: ajo është politikë edhe e zhvendosjes së afër një milion shqiptarëve në botë, edhe e shantazheve, e trysnive politike, e vrasjeve, si në Gërdec, si në protestën e 21 janarit, e nxjerrjeve nga puna për shkak të përkatësisë partiake e të punësimit për shkak të përkatësisë partiake. E të tjera. E të tjera.
E di, sigurt, se mbishkrimi PAVIJONI I GJENOCIDIT nuk do të hiqet menjëherë pas këtij shkrimi, por e di se pashmangshëm do të hiqet një ditë, madje më shpejt seç mendojnë projektuesi politik dhe organizuesit e merenduesit e tij, dhe e di, gjithashtu, se emrat e projektuesit, të organizuesve dhe merenduesve të tij, të PAVIJONIT Tث GJENOCIDIT, të këtij pavijoni të rrejshëm, të shpikur, kundërkombëtar, për gjenocidin që shqiptarët gjoja paskan bërë ndaj vetvetes, do të kujtohen me dëshpërim, pezëm e neveri në kujtesën historike të popullit shqiptar.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top