Reciprocitet deri në vetëvendosje

polisi_tajrush

Struga zemra Ilirides
Shkruar nga Valon Murati


Edhe një herë për marrëdhëniet shqiptaro-serbe

1. Ato që herë me të drejtë, e herë pa të drejtë janë konsideruar pakica kombëtare, kanë qenë një mollë sherri në Evropë, posaçërisht pas Luftës së Parë Botërore. Vendosja e padrejtë e kufijve në Konferencën e Parisit qëndron në themel të këtyre problemeve. Madje këta kufij kanë qenë edhe njëri ndër ushqyesit e nazizmit gjerman dhe shtysë për të ardhur ai në pushtet dhe për t’ia shkaktuar njerëzimit krejt ato tragjedi që ia shkaktoi. Mbi të gjitha, si atëherë, ashtu edhe sot, nuk ka një definicion në të drejtën ndërkombëtare mbi atë se çka janë pakicat. Dhe kjo është e kuptueshme duke pasur parasysh se si atëherë, ashtu edhe sot me këtë term luhet shumë; ai keqpërdoret në mënyrë të paskrupull dhe zakonisht në fund janë njerëzit ata që e vuajnë më së shumti këtë situatë.

Një pjesë e madhe e popujve apo pjesëve të popujve që shtetet e ndryshme i trajtojnë si pakica, veten nuk e trajtojnë të tillë. Në një pozitë të tillë kanë qenë edhe shqiptarët që nga pushtimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare nga Serbia në vitet 1912-13. Madje për një periudhë të gjatë Serbia dhe trashëgimtaret e saj, Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene e ajo Jugosllave, nuk i njihte shqiptarët as si pakicë. Për shtetin e atëhershëm ata ishin serbë të myslimanizuar që duhet të ktheheshin në fenë e të parëve, ose turq që duhet të shkonin në Turqi së bashku me shtetin turk. Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët filluan të trajtohen si pakicë, e pas vitit 1974 - si kombësi. Sidoqoftë, të dyja këto kategori ishin përdorur dhe shpikur me të vetmin qëllim: popullin shqiptar në ish-Jugosllavi të mos e pranonin si komb. Duke mos e trajtuar si komb, shteti jugosllav ia mohonte të drejtën e vetëvendosjes, e drejtë që e dallon kombin prej pakicës kombëtare. Por pse populli shqiptar që jetonte në Jugosllavi duhej të trajtohej si komb, e jo si pakicë kombëtare? Ai duhej të trajtohej i tillë jo për arsye se ishte gati gjysma e popullit shqiptar në Ballkan që kishte mbetur jashtë kufijve të padrejtë që iu caktuan shtetit shqiptar më 1913, jo për arsye se ishte pushtuar e gjakosur nga shovinizmi serbomadh, jo për arsye se ishte mashtruar e manipuluar nga Jugosllavia e “re” e pas Luftës së Dytë Botërore, por mbi të gjitha sepse në territorin ku ai jetonte ishte shumicë dhe ai territor homogjen etnik kishte shtrirje të pashkëputshme territoriale në pjesët e tij ku ai jetonte nën Jugosllavi dhe po ashtu kishte gjithandej lidhje të pashkëputura me shtetin shqiptar. Përpjekjet e pandalura të shovinizmit serb për ta ndërprerë këtë pashkëputshmëri territoriale kishin dështuar në vazhdimësi, përkundër terrorit, kolonizimit dhe dëbimit të shqiptarëve. Se çka do të thotë ky konstatim dhe standard politik për pakicat në Kosovë dhe për marrëdhëniet shqiptaro-serbe sot, në përgjithësi, dhe për veriun e Kosovës e për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, në veçanti, do të sqarohet më poshtë.

2. Nuk mund të trajtohen si pakica kombëtare të gjithë popujt që kanë mbetur jashtë shtetit të tyre kombëtar, ashtu siç ka përpjekje të trajtohet kjo problematikë nga qarqe të ndryshme. Jo. Një pjesë e madhe e këtyre popujve janë pushtuar me dhunë dhe me dhunë u mohohet e drejta e kombeve për vetëvendosje. Ata janë shumicë në territorin ku jetojnë dhe kanë lidhje të pashkëputshme territoriale me shtetin kombëtar. Përderisa ata e kanë këtë karakteristikë mbesin popull, të drejtat e të cilit duhet të jenë ato të një kombi. Në anën tjetër, një pjesë tjetër e këtyre popujve janë asimiluar apo dëbuar nga vendi i tyre, e si rrjedhim janë zvogëluar në numër, duke e humbur lidhjen territoriale me pjesët e tjera të kombit dhe kështu, nëse kanë mbijetuar, janë shndërruar në pakicë kombëtare. Ndërsa pjesët e kombeve që jetojnë në një shtet jashtë shtetit të tyre kombëtar në mesin e një kombi shumicë dhe nuk kanë lidhje territoriale me shtetin kombëtar apo nuk kanë shtet kombëtar fare, duhet të trajtohen si pakica kombëtare. Në kontekstin kosovar, hiq serbët e veriut të Kosovës, serbët që jetojnë në brendësi të Kosovës, boshnjakët, turqit etj. janë pakica kombëtare. Dhe ndonëse është ngritur shumë pluhur rreth pakicave kombëtare në Kosovë, e vlen të theksohet se shqiptarët nuk duhet t’i shohin pakicat kombëtare si rrezik për të ardhmen e tyre. Përkundrazi. Pakicat kombëtare duhet të shërbejnë si ura miqësie në mes të shqiptarëve e Kosovës me kombet të cilave këto pakica iu përkasin. Sidomos duke qenë se në Kosovë shqiptarët janë mbi 90% të popullsisë, ata duhet vërtet të kenë mirëkuptim për nevojat dhe të drejtat e pakicave që jetojnë në Kosovë, e të cilat pakica janë shumë të vogla edhe numerikisht. ثshtë tjetër gjë pastaj që shovinizmi serb për interesa të veta e ka shfrytëzuar dhe keqpërdorur pakicën kombëtare serbe në Kosovë si mjet për ta sunduar Kosovën dhe shqiptarët. Kjo ka bërë që marrëdhëniet në mes të dy popujve të jenë gjithnjë të tensionuara, e madje edhe të helmuara me urrejtje.

3. Pozita e pakicës serbe pas luftës së fundit nuk ka qenë fare e lehtë. Nuk ka qenë lehtë të jesh serb në Kosovën e pasluftës (ashtu siç nuk ka qenë e lehtë as të jesh shqiptar në veriun e Mitrovicës dhe në veriun e Kosovës). Ndonëse paradoksalisht, serbët si kolektiv kanë fituar shumë të drejta, duke i tejkaluar ato të pakicës e duke u barazuar me shumicën, në aspektin individual - të të drejtave të njeriut, ata kanë pasur vështirësi të shumta (megjithëse viteve të fundit situata e tyre nuk mund të krahasohet me atë të pasluftës). Ndonëse të drejtat e tyre janë shkelur kryesisht nga individë të tjerë (shkelje horizontale), pra jo nga organet e pushtetit (që janë shkeljet më të rënda e që trajtohen si shkelje vertikale), dallim ky tepër i madh me të kaluarën, dështimi i organeve të pushtetit sidomos të pasluftës (UNMIK-ut, KFOR-it, Qeverisë së Përkohshme, organeve komunale etj.) për ta mbrojtur jetën dhe pronën e tyre, si dhe për ta siguruar lëvizjen e tyre të lirë, nuk është një dështim i vogël. Sidoqoftë, për këtë situatë arsyet janë të shumta. اështja e Kosovës nuk u zgjidh me mbarimin e luftës, sepse shqiptarëve nuk iu njoh e drejta e vetëvendosjes, e drejtë që nuk u njihet as sot, gjë që ka bërë që për vite të tëra ata të jenë të shqetësuar për pozitën e tyre. Bashkësia ndërkombëtare për interesa të veta çështjen e Kosovës nuk e trajtoi si problem të mungesës së vetëvendosjes, si problem të pushtimit e kolonializmit serb, por si një konflikt ndëretnik (problemet ndëretnike nuk ishin shkaku, por ishin pasoja e konfliktit të gjatë në mes të vullnetit politik të shqiptarëve për vetëvendosje dhe shovinizmit serbomadh për ta mbajtur Kosovën të pushtuar e të shfrytëzuar ekonomikisht). Kjo pa dyshim ishte një huq i rëndë, por jo i paqëllimtë. Sepse krejt çka bëri bashkësia ndërkombëtare në Kosovë pas luftës e deri tek Plani i Ahtisarit ishte që t’ia vishte shoqërisë kosovare një atribut të paqenë: modelin e vendit që ka kaluar një konflikt ndëretnik, andaj nevojën e ‘rivendosjes’ së multietnicitetit e shndërroi në prioritet të vetin. Në këtë drejtim bashkësia ndërkombëtare, përveç serbëve të cilët edhe ajo filloi t’i manipulojë, filloi t’i manipulojë edhe shqiptarët dhe liderët e tyre politikë. Një faktor që tradicionalisht i ka rënduar marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë ka qenë se serbët janë manipuluar thellë nga politika serbe. Në këtë vazhdë një pjesë e tyre kanë luajtur një rol negativ edhe në luftën e fundit në Kosovë, duke bërë që shqiptarët në masë të madhe t’i përgjithësojnë të bëmat e tyre në luftë. Në anën tjetër, që në fillim ka munguar një politikë, vizion dhe ofertë e qartë dhe e sinqertë nga ana shqiptare në raport me pakicën serbe dhe me veriun e Kosovës. Kjo politikë, ashtu siç është sjellë me shqiptarët para, gjatë dhe pas luftës, nuk ka mundur të ketë farë vizioni më të qartë se çka duhet bërë me serbët. Ajo, si atëherë, ashtu edhe sot ka mbetur nën ndikimin e plotë të agjendave të ndryshme ndërkombëtare. Ndërsa faktor me mjaft ndikim, në mos me ndikim vendimtar, i cili ndikoi në pozitën e atillë të serbëve që jetojnë në brendi të Kosovës, megjithatë mbetet vazhdimi i manipulimit të tyre nga ana e politikës shtetërore serbe deri në ditët e sotme. Politika serbomadhe e shtetit serb nuk po lejon integrimin e tyre në jetën institucionale të Kosovës dhe kështu ata po mbesin peng i zhvillimeve në veriun e Kosovës. Për t’u përmirësuar pozita e tyre, ata duhet të shndërrohen në një pakicë normale, të cilët do t’i gëzonin të drejtat më të larta kolektive dhe ato të njeriut të garantuara me të gjitha standardet më të larta për mbrojtjen e pakicave dhe të drejtave të njeriut. Për të ndodhur kjo, duhet të zgjidhet problemi i veriut të Kosovës dhe ai i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. E kur të zgjidhen këto probleme, pozita e pakicës serbe do të përmirësohej thellësisht, sepse ata nga një ‘komunitet’ i privilegjuar, pozitë e cila në vazhdimësi do t’i konfrontonte me shumicën, do të trajtoheshin si një pakicë me të gjitha të drejtat. (Dhe shih paradoksin: pikërisht këto privilegje kthehen në dëm të të drejtave të tyre të jetës së përditshme). Kështu, ata nuk do të jenë më peng i serbëve të veriut të Kosovës dhe instrument i Beogradit. Në një situatë të tillë do të krijoheshin parakushtet për vendosjen e marrëdhënieve normale jo vetëm në mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe të atyre shqiptaro-serbe në përgjithësi. Kjo do ta mundësonte edhe kthimin e të gjithë serbëve që duan të kthehen në vendet e tyre në Kosovë, por edhe të shqiptarëve në veriun e Kosovës dhe në veriun e Mitrovicës (veriu i Mitrovicës gjithashtu e kërkon një trajtim të veçantë, por zgjidhja e tij po vështirësohet nga plogështia e politikës sonë dhe nga agresiviteti i politikës serbe që në mënyrë konstante po e spastron atë pjesë të qytetit nga shqiptarët dhe për më tepër po vazhdon në mënyrë të organizuar t’i blejë pronat e tyre). Por t’i kthehemi pyetjes se si mund të zgjidhet kjo nyje gordiane e marrëdhënieve shqiptaro-serbe: si duhet të trajtohen dhe si duhet të zgjidhen politikisht çështja e veriut të Kosovës dhe çështja e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës?

4. Nuk ka dyshim se e vetmja zgjidhje e drejtë dhe përfundimtare për të dy rastet është zbatimi i së drejtës së kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje. Pse? Me standardet që i vendosëm më lart, serbët që jetojnë në tri komunat në veri të Kosovës nuk mund të trajtohen si pakicë kombëtare. Ata janë shumicë, jetojnë në një territor kompakt dhe kanë lidhje territoriale me Serbinë. Serbët në atë pjesë të Kosovës duhet të trajtohen si komb dhe t’iu garantohet e drejta për vetëvendosje deri në shkëputje. Në të njëjtën pozitë janë edhe shqiptarët shpesh të harruar të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës. Ata janë shumicë në territorin ku jetojnë dhe kanë lidhshmëri të pashkëputur me shqiptarët që jetojnë në Kosovë. Si rrjedhim, ata nuk mund të konsiderohen pakicë, por si komb me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Sidoqoftë, në pozitën e serbëve në veri dhe të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ka një dallim thelbësor. Serbët në veri të Kosovës janë duke qeverisur në mënyrë të papenguar me atë pjesë; atje ka një prezencë të fuqishme të shtetit serb e një prezencë simbolike ndërkombëtare. Në atë pjesë nuk ka asnjë prezencë të autoriteteve të Prishtinës, ndërsa serbët kanë pas vete edhe një marrëveshje të imponuar ndërkombëtare për Kosovën (ajo e Ahtisarit) që serbëve u jep një pozitë të fuqishme të privilegjuar në shtetin e Kosovës, e komunave serbe fuqi dhe përgjegjësi asimetrike në krahasim me komunat e tjera në Kosovë. Në anën tjetër, shqiptarët nën Serbi jetojnë në kushte të një regjimi terrori të vazhdueshëm nga ana e shtetit serb, i cili jo vetëm që nuk ua njeh, por edhe luan me të drejtat e tyre më themelore (p.sh. mosnjohja e diplomove të Universitetit të Prishtinës është presion direkt për shpërngulje). Për më tepër, pozita e tyre injorohet në mënyrën më të vrazhdë nga politika zyrtare e Prishtinës dhe Tiranës, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kudo në rajon, në mënyrën më të çuditshme ka vendosur standarde të dyfishta. Shqiptarët e asaj pjese një kohë të gjatë kanë sakrifikuar shumë dhe u është kërkuar të jenë të qetë përderisa të zgjidhet problemi i Kosovës. Politika e Prishtinës zyrtare, por edhe ajo e Tiranës, po vazhdon të heshtë për situatën atje, duke i bërë veshët shurdh, duke i shpërfillur interesat e asaj popullate me pretekstin se problemet e Kosovës vazhdojnë të jenë primare. Kjo politikë po harron se problemet e Kosovës, sidomos ai i veriut të Kosovës, mund të zgjidhen mu me aktivizimin e kërkesave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. ثshtë inkurajuese se kohëve të fundit ka lëvizje nga vetë politika në këtë pjesë të botës shqiptare, duke kërkuar që Prishtina zyrtare t’i përgjigjet Beogradit në shumë çështje me një reciprocitet (p.sh. në takimin me kryetarin e AAK-së ata kanë kërkuar që pranë qeverisë së Kosovës të hapet zyra koordinuese për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ashtu siç e ka të hapur qeveria serbe zyrën koordinuese për Kosovën). Ndonëse kërkesat e shqiptarëve atje kanë ende nevojë të kristalizohen, të dalin nga korniza e të drejtave të pakicave, dhe të mos kërkojnë që të krahasohen me të gjithë serbët në Kosovë, por vetëm me ata në veri të Kosovës, këto lëvizje janë pozitive. Në përgjithësi, ajo çka politika shqiptare do të duhej të kërkonte sot nga Beogradi dhe nga bashkësia ndërkombëtare është reciprociteti për Preshevën, Bujanocin e Medvegjën me veriun e Kosovës. Nuk ka dyshim se zgjidhja më e drejtë për të dy popullatat është vetëvendosja. Por duke qenë se koniunkturat ndërkombëtare njëherë për njëherë këtë nuk po e lejojnë, sepse Prishtina zyrtare nuk po ka guxim t’i hyjë kësaj nisme, kurse Beogradi ende ka synime për krejt Kosovën, atëherë së paku deri kur këto dy çështje do të shtrohen për t’u zgjidhur me parimin më të drejtë për këtë situatë - atë të së drejtës për vetëvendosje, ato duhet të trajtohen sipas parimit të reciprocitetit. Atë çka u jepet serbëve në veri, duhet t’iu jepet edhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Kjo nuk nënkupton se reciprociteti është zgjidhja e këtyre problemeve, por kjo mund të jetë një hap i parë drejt zgjidhjes në të ardhmen. Pra, për këto dy raste duhet të vlejë motoja: reciprocitet deri në vetëvendosje.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top