Qyteti i Bylisit kjo dëshmi antike dhe mesjetare e Shqipërisë !

braziljania

Anëtar i Nderuar
Sapo del nga qyteti i vogël i Ballshit, 5-6 km larg tij, diku në krahun e djathtë të rrugës, gjithkujt i bie në sy një varg kodrash të larta, të cilat duke përthyer butësisht relievin lartësohen në formë të zgjatur në drejtimin veri- jug. Mbi grumbullin e gjatë të tyre është dhe kodra e Hekalit, ku në pikën më të lartë të saj shihen rrënojat e një qyteti antik, tipik ilir. Eshtë qyteti i Bylysit, një ndër qytetet antike me shtrirje më të madhe dhe me vazhdimësi të gjatë, jetë kjo e cila shtrihet deri në periudhën e mesjetës.
Zbulimet arkeologjike në këtë qytet kanë nxjerrë në dritë objekte të ndryshme, të cilat përbëjnë fondin e pasur të vlerave, që mbart ky qytet dhe njëkohësisht një terren mbikqyrje për restauruesit shqiptar.
Fillesat e këtij qyteti i takojnë fundit të shekullit të IV të p.e.s. Qyteti antik, i cili plotësonte të gjitha kushtet optimale, u bë në atë kohë vendbanimi i popullsisë që jetonte në qytetin e hershëm antik të Nikojës, pasi terreni i këtij të fundit ndodhej vetëm gjysëm ore larg Bylysit dhe nuk kishte mundësi zgjerimi për shkak se ngrihej në një kodër të pjerrët.
Burime të ndryshme historike tregojnë se vendbanimi i ri me sipërfaqe të sheshtë dhe shumë më të madhe nga ajo e qytetit prej nga lindi, muret rrethuese të të cilit kishin gjatësi 2200-2300 metra, u shndërrua shumë shpejt në një qendër kryesore ekonomike dhe politike për fisin e bylynëve. Fuqinë ekonomike dhe politike të këtij qyteti e tregon dhe fakti se në vitin 220- 260 p.e.s ai pret monedhën e vet.
Sipas burimeve historike në fund të shekullit të II të e.s qyteti e humb rëndësinë dhe jeton si një qytet i zakonshëm, madje kthehet në gjendjen e një fshati ku mendohet të kenë ndikuar luftrat iliro- romake.Ndërsa në shekullin e VI të e.s sipërfaqja e qytetit reduktohet në një të tretën e sipërfaqes së tij, e cila rrethohej me mure të ndryshme nga ato të periudhës mesjetare.
Gërmimet e para arkeologjike në këtë qendër e kanë zanafillën e tyre në vitin 1976. Zbulimet e mureve rrethuese flasin për një gjendje të dëmtuar të tyre. Në inventarin e këtij qyteti numërohen rrënojat e 5 bazilikave paleokristiane, 5 mozaikë me motive të ndryshme gjeometrike, floreale, zoomorfe, të cilat i takojnë shekullit të 5- 6 e.s, monumente të larmishme antike, si mure rrethuese, teatri i rrënuar, tri shëtitore, një sterë për ambiente publike, e cila shërbente për grumbullimin e ujit etj.
Edhe pse është një qytet, i cili huazon në ndërtimet e tij kulturat greke dhe romake, ai është në vetvete një qytet tipik ilir ku ndërthuren të tria kulturat së bashku. Qyteti antik krahas vlerave kulturore që mbart në vetvete shtrihet në një peisazh të mrekullueshëm natyror. Vizitorë të huaj dhe vendas i japin gjallëri qytetit në periudha të ndryshme të vitit.

Gazeta Albania
 
Bylisi i bylinëve dhe i Ilirisë

Aty ku takohet antikiteti dhe peizazhi i bukur
bylisi_travel_magazine_d8d5cacd5f6c41b49dc8991eb86180b0.jpg


“O i huaj mos iu shmang vështrimit nga bukuria e Bylisit, muret rrethuese të të cilit, dikur të rrënuara i rindërtoi Viktoriani guximtar”

I vendosur në zemër të krahinës së Mallakastrës në Bylis, shkohet shumë lehtë. Pasi lëmë pas qytetin e Ballshit dhe rrugën nacionale, mund të marrësh drejtimin për në jug, drejt fshatit Hekal, ku tashmë gjenden rrënojat e shumta të qytetit të dikurshëm antik.


Bylisi, ka qenë qyteti më i madh i Ilirisë së jugut, i cili përmendet për herë të parë nga autori antik Skylaksi, që në veprën e tij të titulluar “Lundrimi”, në shekullin IV p.k., thekson: “prej këtij gadishulli, gjatë bregut të detit banojnë bylinët që janë Ilirë”.

Qyteti ngrihej mbi një kodër të fortifikuar në lartësinë 524 m dhe rrethohej me mure që arrinin një gjatësi prej 2250 m, trashësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m. Brenda tyre ndodhej një sipërfaqe prej 30 ha, e cila kishte një planimetri në formë trekëndëshi me bazë nga lindja.

Kjo sipërfaqe ishte e ndarë në tre zona kryesore si: ajo për banim, që e ndeshim në pjesët lindore dhe perëndimore të qytetit, me një sipërfaqe prej 20 ha, në të cilat janë gjetur një sërë shtëpish banimi. Zona e dytë është ajo e Agorasë që ishte tregu dhe sheshi kryesor i Bylisit, në të cilin ndodheshin teatri, stoat, (shëtitorja e vogël dhe ajo në formë L-je), gjimnazi, prytaneoni, stadiumi, etj.

Stadiumi i Bylisit me një gjatësi prej 190 m është stadium i dytë i ruajtur më mirë në vendin tonë, krahas atij të Amantias. Sot prej tij ruhen 19 shkallë të ndërtuara me blloqe prej guri gëlqeror. Nën pistën e pjesës jugore ndodhej një sterë për grumbullimin e ujit me një thellësi prej 6 m, e cila mbulohej me harqe guri. Kanalet e shumta të ujit përreth saj dëshmojnë se si grumbullohej uji në të. Fare pranë saj u ndërtua monumenti më i rëndësishëm kulturor i Bylisit, siç ishte teatri me kapacitet prej 8000 vendesh. I vendosur në shpinë të kodrës ai përbëhej nga 40 shkallare, diametri i së cilës arrinte gjatësinë prej 78 m. Sot prej tij ruhen bazamentet e orkestrës, skenës, proskenës, muret mbajtëse dhe disa ndenjëse prej guri, në të cilat uleshin njerëzit më të shquar të qytetit. Me blloqet e gurëve të tij u ndërtuan gjatë mesjetës së hershme muret bizantine, të cilat vihen re tek kulla jugore dhe terma e Justinianit. Nga agoraja antike kanë mbetur edhe bazamentet e stoas së teatrit dhe stoa e madhe. Të dyja këto ndërtime ishin të tipit monumental dhe u ndërtuan me dy kate. Edhe sot vizitori mund të dallojë qartë bazamentet e trarëve të gurtë që mbanin dyshemenë e katit të dytë. Në pjesën perëndimore të stoas së teatrit gjendet një nga portat e qytetit, të cilën arkeologët e kanë quajtur porta nr 5-së. Me gjatësi 7 m dhe gjerësi 3 m, në të dallohet qartë mbishkrimi i periudhës romake, i cili përkthehet:” Augusti, bir i perandorit, اezarit të hyjnueshëm” dhe “Colonia Iulia Augusta”.

Të tjera monumente me të cilat ndesh syri i vizitorit janë edhe prytaneoni, ndërtesa ku ndodhej selia e funksionarit më të lartë të qytetit; arsenali, një ndërtesë nëntokësore ku ruheshin armët e forcave të armatosura; tempulli i kultit të perandorit romak, ku ai nderohej duke u njehsuar njëlloj si perënditë, gjimnazi dhe termat.

Pjesa e tretë e Bylisit shtrihej në anën juglindore të tij dhe shërbente për strehimin e popullsisë në rast lufte. Kjo pjesë me sipërfaqe prej 6 ha u quajt “euhorion” dhe në të nuk u bënë ndërtime. Qyteti u ndërtua njëlloj si Apolonia dhe Nikaja në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit. Edhe këtu u krijuan blloqe kuadratike banesash që ndërpriteshin nga rrugë të drejta.

Gjatë historisë së tij të trazuar Bylisi do të ishte herë pjesë e shtetit epirot, herë atij ilir, maqedonas apo romak. Diku nga viti 224 p.k. bylinët u bënë të pavarur dhe kështu i ndeshim ata në vitet 224-213 p.k., si aleatë të Lidhjes së III Epirote. Ndërkohë që në vitin 213 p.k., bylinët do të pushtohen nga mbreti Filip V i Maqedonisë, i cili nëpërmjet territorit të tyre depërton drejt Apolonisë. Pas shumë vitesh konflikti, në vitin 198 pk, me thyerjen e Filipit V nga romakët, Bylisi fitoi autonominë, tashmë si aleat i Romës.

Këtë status, Bylisi, do ta ruajë deri në antikitetin e vonë, kohë kur ai përmendet edhe në katalogun e Hieroklit, një guidë udhëtimi e shekullit të IV, ku ai përmendet si një ndër tetë qytetet kryesore të provincës romake të Epirit të ri, me qendër Durrësin, i cili shtrihej nga lumi Drin në veri dhe deri në lumin Vjosa në jug..

Gjatë periudhës Bizantine do të ndryshojë edhe emri i qytetit. Diku nga mesjeta e hershme, ai filloi të quhet nga vendasit Ballës, sipas termave Byllis-Ballis-Ballës-Ball. Këtë emër qyteti e mori për shkak të pozicionit të tij mbizotërues mbi lumin Vjosa, që do të thoshte, kryevend apo ballë i vendit.
bylisi_travel_magazine1_89c50ea09a52e22e93c141c6931b7aec.jpg

Ky emër do të përdoret edhe nga të huajt në dokumentet e ndryshme historike. Kështu bizantinët do ta emërtojnë atë me emrin “Kefalini” (kefalos në greqisht do të thotë krye-kokë), ndërsa bullgarët do ta quajnë “Gllavinicë” (gallava në bullgarisht do të thotë krye-kokë). Këto dy terma nuk janë veçse përkthime të fjalës shqipe “kryevend”, që përkojnë me termin Ball-Ballës-Ballësh.

Një nga arritjet e qytetërimit gjatë antikitetit të vonë në Bylis ishte Krishtërimi, ku në bazë të dokumentacionit historik, si qendër peshkopale na del edhe ky qytet. Në këto dokumente përmenden disa përfaqësues të lartë të klerit bylin. Në vitin 431 peshkopi i Bylisit dhe Apolonisë Feliks, mori pjesë në koncilin ekumenik të Efesit. Disa vite më vonë, përmendet në letrën e drejtuar perandorit Leon, në vitin 458 edhe peshkopi tjetër i qytetit të Bylisit, “Filohari”.

Pas braktisjes së Apolonisë në vitin 458, Bylisi kthehet në qendrën më të rëndësishme peshkopale në këtë rajon. Këtë fakt e tregojnë edhe ndërtimet e kultit paleokristian, siç janë pesë bazilikat e qytetit të ndërtuara midis shekujve V-VI.

Ndërtimi i këtyre bazilikave, ku dy të parat kanë përmasa monumentale, tregon për organizimin e konsoliduar të kishës, por dhe për rëndësinë e Bylisit si qendër kishtare. Të kësaj periudhe në krahinën e Mallakastrës janë një sërë bazilikash, rrënojat e të cilave i ndeshim në vendbanimet e sotme të kësaj krahine si në Margëlliç, Panahor, Dukas, Gorishovë, Kraps, Plyk, Cakran dhe Ballsh, të dhënat për të cilat janë botuar në formën e studimeve shkencore nga zbuluesit e tyre, arkeologët Skënder Anamali dhe Skënder Muçaj.

Por rëndësia e Bylisit nuk do të ishte kjo e sotmja n.q.s. nuk do të ishte zhvilluar një veprimtari intensive nga arkeologët. Historia e arkeologjisë këtu nis në vitet e luftës së parë botërore. Gërmimet e para në Bylis i ndërmori arkeologu Austriak Kamilo Prashniker në vitin 1916. Edhe këtu njëlloj si në Apoloni ai veproi nën goditjet e artilerisë Italiane, e cila ishte vendosur përtej Vjosës, në fshatin Karbunar të Vlorës. Ndërkohë në vitin 2004, arkeologët Neritan Ceka dhe Skënder Muçaj botuan në Tiranë, librin e tyre të titulluar “Bylisi”, ku trajtonin historinë e qytetit, monumentet dhe kërkimet arkeologjike të kryera në të, të pasqyruara me foto shënime e skica.

Sot Bylisi me rrënojat dhe historinë e tij i ofron vizitorëve zhvillimin e një turizmi historik dhe kulturor, interesin e të cilit ia shtojnë edhe ekspeditat e përvitshme që zhvillohen tashmë. Por e veçanta është se këtu zhvillohet edhe festivali i isopolifonisë, i cili ngjit çdo vit në skenën e teatrit antik, ku dikur janë luajtur tragjeditë e Eskilit dhe të Sofokliut, me dhjetëra grupe polifonike nga vendi dhe bota. Ky është Bylisi, ku e vjetra ndërthuret me të renë dhe ku peizazhi i bukur të relakson me pamjet e tij.


albtravel
 
Qyteti antik i Bylisit

2-12.jpg

Qyteti antik i Bylisit ndodhet në krahun e djathtë të rrugës nacionale Ballsh-Tepelenë, vetëm 35 km nga Fieri, 10 km nga Ballshi dhe 1,5 km nga qendra e fshatit Hekal.

I themeluar ne vitet e para te shek.IV.p.e.s. qyteti shumë shpejt u pajis me monumente të rëndësishme të tilla si:
Muri rrethues me gjatësi 2,2 km, gjerësi 3,5 m dhe lartësi deri në 9 m, duke përfshirë brenda tij një sipërfaqe prej 30 ha.

Teatri me kapacitet afro 7500 vende
Stoa dykatëshe
Stoa pranë teatrit
Stadiumi
Stera e madhe e ujit
Lagja e banesave

Bylisi është përfaqësuesi më i denjë i qytetërimit ilir. Qyteti preu në shek.II-I.p.e.s. monedhat e veta të destinuara për bashkësinë byline dhe për qytetin, gjë që e dëshmon Bylisin si kryeqendër e bashkësisë byline, ku bënin pjesë edhe qytetet e Nikajës (fshati sotëm Klos 1,5 km nga Bylisi), qytetet ilire në Margëlliç e Gurzezë dhe shumë fortifikime e fshatra antike.

Gjatë periudhës romake dhe asaj të antikitetit të vonë qyteti pëson ndryshime në përputhje me kushtet e reja të krijuara. Në kohën e sundimit të Augustit, Bylisi u shndërrua në një qytet koloni të Romës.Gjatë kësaj periudhe arkitekturës së tij i shtohen monumente të tilla si terma, altari i Augustit,banesa të periudhës romake etj.


Në periudhën e antikitetit të vonë Bylisi u shndërrua në një qendër të rëndësishme peshkopale, pasi dhe peshkopi i fundit i Apollonisë u vendos në Bylis.Gjatë kësaj kohe u ndërtua një mur i ri mbrojtës i cili kufizonte qytetin në 10 ha. Monumentet më të rëndësishme të kësaj periudhe janë: 5 bazilika, midis të cilave, njera në kuadrin e një kompleksi peshkopal. Bazilikat e Bylisit janë ndër monumentet më të pasura në Ballkan jo vetëm për dyshemetë me mozaikë në një sipërfaqe prej 1000m2, por edhe për skulpturën e pasur dekorative. Krahas bazilikave qyteti i kësaj periudhe kishte edhe monumente të tjera si punishte vere dhe vaji,banesa etj.
Qyteti u shkatërrua nga dyndjet barbare në vitin 586.

Sot qyteti antik i Bylisit, në sajë të gërmimeve të shumta arkeologjike dhe restaurimeve, përbën një nga qendrat antike më të rëndësishme të vendit tonë me 21 monumente të periudhës helenistike, romake dhe antikitetit të vonë.

Pasuria në monumente, peisazhi i mrekullueshëm që ofron pozicioni dominues i Bylisit mbi luginën e Vjosës, si dhe rruga shumë e mirë automobilistike, e bëjnë Parkun Arkeologjik të Bylisit një destinacion tërheqës për turizmin kulturor dhe lehtësisht të arritshëm.Burimi:Missshqiperia
Byllis-01-Alb.jpg
11.jpg
 

Attachments

  • 2-12.jpg
    2-12.jpg
    77.4 KB · Shikime: 0
  • Byllis-01-Alb.jpg
    Byllis-01-Alb.jpg
    38 KB · Shikime: 0
  • 11.jpg
    11.jpg
    25.5 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top