Qe te mos e shnderrojme Jalin si Durresin

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Buzë bregdetit të Jalit, një fshat që nuk ekzagjerohet po të quhet i mahnitshëm, plazhi vazhdon të jetë i qetë, muzika e bareve dhe pak restoranteve përreth është relativisht e ulët dhe më pak bezdisëse se mega-discot e ndërtuara anembanë bregdetit nga Velipoja në Ksamil, ndërsa në det motorrat e ujit pothuajse nuk ekzistojnë. Asnjë ndryshim që mund të ndodhë vit pas viti në fshatin e Jalit, nuk arrin t’ia vjedhë magjinë detit dhe gjirit përballë! Eshtë me siguri më i kthjellëti, më i pastri dhe më i freskëti në të gjitha gjiret buzë Jonit.

Por “lezeti” i këtij plazhi dhe i këtij fshati të papërsëritshëm vazhdon të jetë edhe këtë vit kampingu veror. Ened Mato, ambientalist dhe një i ri që nuk i mungon as intuita prej një biznesmeni të mirëfilltë, ka disa vite që ka lançuar për herë të parë këtë lloj turizmi në Shqipëri. Ngriti fillimisht pak çadra në oborrin e një shtëpie fshati në Jalë, nën hijen e ullinjve, ndërtoi si mundi disa lehtësira për nevoja të përditshme dhe për higjenën, ofroi kurse për zhytje nënujore dhe në njëfarë mënyrë i ftoi të gjithë të rinjtë e etur për pushime verore ndryshe nga tradicionalet, që të shkonin atje, të paguanin shumë pak për çadrën e për ushqimin e njëkohësisht të zbulonin natyrën përreth. Brenda pak viteve ky kamp u shndërrua në atraksionin më “seksi” të të gjithë të rinjve nga Tirana. Sot është jo vetëm një atraksion po aq i preferuar, por edhe shembulli se prej nga ku duhet të nisen vendim-marrësit dhe politikbërësit, sa herë i vjen rradha debatit (thuajse të munguar) se ku duhet të bazohemi për vizionin e turizmit në Shqipëri.

Kosova “zbulon” Jonin!

Mbi 200 vetë ishin fundjavën e kaluar në kampingun e Jalit, shumica pjesëtarë dhe aktivistë të Vetëvendosjes dhe të tjerët, aktivistë të “Aleancës Kuq e Zi”; e para parti dhe lëvizje kryesore opozitare në Kosovë që kërkon bashkimin me Shqipërinë, ndërsa e dyta, lëvizje e njohur për përpjekjet e saj kundër regjistrimit të popullsisë mbi bazën e kombësisë. Të rinj nga 18 në 30 vjeç dhe disa të tjerë më të mëdhenj në moshë, dukej sikur edhe realisht, edhe simbolikisht po “testonin” një bashkëjetesë “kombëtare” mes natyrës dhe buzë detit shqiptar. Ne qëndruam në një çadër të rrethuar me aktivistë të Vetëvendosjes, vajza e djem të sjellshëm, të gëzuar por zhurmëmëdhenj! Natën ishte e vështirë të flije për shkak të zhurmave e gëzimit të tyre, por të dëgjonin, nëse u kërkoje të mbanin qetësi në atë pjesë të kampit ku njerëzit kërkonin të flinin.

Në kamp duhet të dish si të organizohesh

Brenda në çadrën që kushton, së bashku me mëngjesin dhe darkën 1000 lekë çdo natë, mund të flije mirë. Të pajisura me dyshekë, jastëkë, çarçafë e këllëfë jastëkësh të pastër, mund të flihet në fresk, deri në mëngjes kur dielli e bën të padurueshëm qëndrimin. Mëngjesi është i mjaftueshëm, kryesisht reçel e mjaltë me qumësht ose lëng frutash. E pas tij koha e plazhit dhe rrezeve buzë detit! Eshtë shumë mirë të qëndrohet në diell në orët e para të mëngjesit deri në mesditë. Pas saj qëndrimi bëhet edhe i rrezikshëm edhe i padobishëm. Gjatë qëndrimit tonë, një prej aktivistëve të moshuar të Vetëvendosjes u sëmur rëndë nga qëndrimi i pambrojtur dhe i zgjatur në diell, aq sa të nesërmen atë e shoqëruan në spital. Pasditja kalohet mirë duke dëgjuar muzikë në barin e vogël të kampit, duke luajtur shah që gjatë qëndrimit tonë me të rinjtë nga Kosova loja shndërrohej në një kampionat të vërtetë ngaqë të rinjtë nuk e kishin harruar zakonin dhe kënaqësinë për të qëndruar rreth tavolinës ku luhej shah e për të dhënë mend në çdo lëvizje, njësoj si dikur… Dushet janë sociale, në kuptimin që teksa ti lahesh me rroba banjo apo veshje intime në trup të tjerët, që presin rradhën mund të të shikojnë. Mos kini as frikë as turp, ajo është një jetë sociale, brenda filozofisë së një kampingu veror ku dushi me ujë të ëmbël ndonjëherë është edhe i panevojshëm! Më mirë qëndroni me ujin e kripur të detit, që ju ndihmon të shpëtoni nga mushkonjat apo insektet e tjera. “Kur ne vijmë para se të hapim kampin, ambienti përreth është mjaftueshëm i egër me insekte të shumëllojshme, por ne kujdesemi ta pastrojmë dhe dizinfektojmë”, na siguron Enedi, themeluesi i këtij kampi.

Si të shpenzoni pak në Jalë

Gjatë drekës mund të provosh gatime tradicionale shqiptare në një restorant të ndërtuar me dru, ku për shembull, çmimi i makaronave është vetëm 100 lekë (kushton më shumë po kërkove tu hedhësh salcë kima përsipër), patatet e skuqura gjithashtu 100 lekë, dhe të gjitha gjellët e tjera, përfshirë specat e mbushura, të shoqëruara me mish viçi: 250 lekë! Ndërsa ndryshe nga pak restorantet e tjera, në këtë vend ku gatuhet tradicionalisht (nuk ka as emër, shkruhet vetëm: Gatime Tradicionale), si në shtëpi, produktet e detit si, për shembull, një peshk kocë i pjekur në zgarë, i shoqëruar me limon dhe vaj nga ulliri që kultivohet në Jalë, kushton vetëm 800 lekë, nga 1300 që kushton gjithandej nëpër bregdetin shqiptar. Në ambientet e tjera, çmimet dyfishohen, por ama, gjithandej picat kanë të njëjtin çmim, për shembull, “Margarita” që është ideuar në shekullin 20-të për bashkëshorten malazeze të Vitorio Emanuele III që do të ishte edhe Mbret i Shqipërisë, kjo picë e lidhur dhe me shqiptarët pra, variaon nga 3500 në 4000 lekë, ndërsa versionet më “të komplikuara” të picave me proshutë, kërpudha apo ton peshku, nisin nga 4500 lekë deri në 5500 lekë. Në fshat ka dhe parking me lekë, me një çmim të pranueshëm, por ne ju këshillojmë që në atë pjesë të kurseni duke gjetur rreth e rrotull vende të lira pa kosto. Afër parkingut “me lekë”, ishte dhe një çift të sapomartuarish të cilët tregtonin mjaltë me nektar malor dhe çaj mali! Janë ilaçe më të mira edhe se antibiotikët më të fortë ato produkte. Ndaj duhet t’i blini se s’bën, qoftë dhe për t’i provuar në shije…

Të mashtrojnë me internetin!

Ne blemë një kod për internetin “wireless” që na u tha se do të ishte për 24 orë. Kushtoi 500 lekë, por gjatë 24 orëve, ne arritëm të lidheshim qoftë dhe me faqen më të thjeshtë “google.com”, vetëm tre herë! Ai lloj interneti, freenet.com që mesa duket është një biznes fitimprurës por jo detyrimisht lehtësues për përdoruesit e internetit, është më mirë të konsumohet vetëm në rastet e emergjencave, maksimumi për të kontrolluar postën elektronike apo për të nisur një mesazh. Kështuqë ne ju këshillojmë të mos shpenzoni për të në rast se vërtet nuk ju nevojitet! Shkëputuni nga jeta e përditshme dhe shijoni Jalin për pak ditë…

Hedhja nga shkëmbinjtë

Mosho, një 50 vjeçar me trup të formuar në mënyrë të atillë që dukej si një 30 vjeçar i palestruar, vdiste të shkonte çdo mëngjes majë shkëmbinjve të Jalit dhe të zhytej me kokë! I njeh shumë mirë ai shkëmbinjtë dhe thellësinë e detit, ndaj 13, apo 14 vjeçarët e Jalit, siç patëm mundësi ta vërtetojmë këtë, i kërkonin këshilla se ku ishte vendi më i mirë për t’u hedhur me kokë. Kujdes nëse vendosni të imitoni vendasit: ata e njohin detin dhe shkëmbinjtë si në pëllëmbë të dorës, dinë të manovrojnë mes shkëmbinjve dhe dinë të ruajnë veten e tyre. Në rast se keni frikë dhe jeni akoma të pamësuar me zhytjet, më mirë ndiqni ujin duke u nisur nga bregu dhe notoni lehtë drejt shkëmbinjve. Eshtë mirë të pajiseni me syze, që të keni pamje sa më të mirë të ujit e të mos dëmtoheni nëpër shkëmbinj…

Pse Joni nuk duhet shndërruar në “Durrës”…

Ka disa ndryshime këtë vit në Jalë. Rruga prej 5 kilometrash, nga rruga nacionale pasi ke kaluar Vunoin, deri në fshatin e Jalit është asfaltuar dhe pajisur me një sinjalistikë të mirë, ndërsa në një prej tre plazheve pothuajse të virgjëra që gjenden atje, këtë vit është shtuar edhe një “version veror” i “Folie”, një prej club-eve më në zë në Tiranë. Ka një tentativë të vazhdueshme për ta “modernizuar” bregdetin e ashpër shkëmbor dhe të mahnitshëm të Jonit, vit pas viti, por e gjitha kjo ndodh pa një studim të mirëfilltë kombëtar për atë që duam ne shqiptarët të bëjmë me atraksionet tona turistike: do inkurajojmë turizmin masiv si ai në Durrës që për 3 vjet dështoi, pasi u dynd dhe u pushtua nga familjarë, kryesisht nga Kosova apo nga qytetarë pak të informuar rreth shërbimeve turistike, të cilët kërkonin pak, shpenzonin pak, e në të njëjtën kohë kujdeseshin po aq pak për natyrën?

Apo do ta ruajmë bregdetin e Jonit të virgjër, me sa më pak ndërtime betoni dhe me sa më shumë ndërtime miqësore me natyrën? “Folie” duket se imiton simotrat e veta nëpër të gjithë vijën bregdetare të Jonit, që nga Vlora deri në Ksamil, ama kanë bërë një gjë praktike me investimin e tyre në Jalë: nuk kanë hedhur beton asgjëkundi dhe nuk kanë ndërtuar struktura të rënda që mund të prishin harmoninë natyrore të një plazhi dhe as peisazhin natyror të tij. “Ka një sekret që e njohin mirë operatorët turistikë”, thotë Ened Mato, ambientalist dhe një i ri i dashuruar me natyrën, “kur kroçierat e huaja të kalojnë përballë plazheve e brigjeve tona, duhet të mahniten me bukurinë e virgjër të natyrës, e jo të tremben nga ndërtime betoni buzë detit”. Ndaj një plan minimalist zhvillimi për Jalin parashikon që ndërtimet të zhvillohen përgjatë kodrës, jo në breg të detit. E rëndësishme është t’i “ftojmë” turistët drejt nesh, ata që në fakt, nuk presin luks apo shërbime të shtrenjta që i gjejnë më të mira në Greqi apo Mal të Zi…

Teksa qëndroj buzë detit, që nga perëndimi i diellit, deri në mbrëmje vonë, t’ju them të drejtën, nuk shikoj asnjë anije të kalojë në ato brigje, apo përballë tyre. Ama, mendoj se çfarë do të përfytyronin ata njerëz të etur për aventurë e për origjinalitet nëse në atë moment do të kalonin me anije aty përballë Jalës, ku 30 familje autoktone kanë muaj të tërë që janë në gjyq me qeverinë që u shkatërroi shtëpitë e ndërtuara në tokën që prej 300 vjetësh e trashëgonin nga të parët. Do u dukej mjaftueshëm tërheqës një zjarr i madh buzë detit, rreth të cilit dëgjohen të rinjtë nga Kosova e Tirana të cilët gëzojnë duke pirë hashash…? Nëse nuk do ta vinin dot re këtë, a ka mundësi t’ua bëjmë të ditur ndryshe, duke menduar për herë të parë kombëtarisht se çfarë duhet të bëjmë me këto brigjet e gjiret tona të jashtëzakonshme…?/Shekulli
 
Pe: Qe te mos e shnderrojme Jalin si Durresin

Vertet bukur .....por kur mbipopullohet cdo gje shemtohet ....dhe ai plazhi kristal me guret e bardhe nuk te ben pershtypje perballe nje rremuje akustike .Pervec kesaj eshte gjynah te krijohen hotele apo komplekse turistike aty ,plazhi eshte i bukur ashtu sic eshte edhe pa sherbime fare.Mjafton buka me vete barbeky dhe kjo eshte kenaqesia me e madhe por gjithmone brenda kushteve dhe hapsirave qe te lejohen .
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top