Pushtimi i Shqipërisë në ’39-ën, Mehdi Frashëri: Hoqa mënjanë mbretin dhe… Zbulohet ditari i ish-Kryeministrit për agresionin italian

Hera

Έτερος εγώ
Pushtimi i Shqipërisë në ’39-ën, Mehdi Frashëri: Hoqa mënjanë mbretin dhe… Zbulohet ditari i ish-Kryeministrit për agresionin italian


lg.php

HASAN BELLO

hasan-bello.jpg


Më 1935-1936, Mehdi Frashëri u bë për një periudhe gati njëvjeçare, Kryeministër i Shqipërisë. Ai ndoqi një politikë liberale dhe ka hyrë në histori si një nga personalitetet, i cili ngjalli shpresat e elementëve më progresiv të kohës, duke përfshirë antizogistët dhe komunistët. Akti më pozitiv i jetës politike të Mehdi Frashërit është thirrja që ai i drejtoi opinionit botëror më 7 prill 1939, duke përdorur valët e “Radio Tiranës” me të cilën denoncoi haptas agresionin italian të Shqipërisë dhe paralajmëroi Europën për pasojat negative që do të kishte ky pushtim në arenën ballkanike.

Pikërisht në këto ditë të vështira për shtetin dhe popullin shqiptar, bën fjalë edhe ditari i mëposhtëm. Ai ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Fondin 434, viti 1939, dosja 1 dhe për lexuesin po botohet për herë parë.

Ky ditar përfshin intervalin kohor nga 3 deri më 7 prill 1939 dhe sjell një panoramë reale të situatës që mbizotëronte në ato ditë të vështira për popullin shqiptar. Në këtë ditar pasqyrohen gjithashtu edhe marrëdhëniet e ngrira të Mehdi Frashërit me mbretin Zog, të cilat megjithatë nuk i penguan këto personalitete, që përballë interesave madhore të kombit të gjenin rrugët dhe t’i kapërcenin ato. Propozimet italiane dhe kundërpropozimet shqiptare për të mos iu nënshtruar Romës, janë një aspekt tjetër interesant…


cropped-mehdi.jpg

PJESË NGA DITARI I MEHDI FRASHËRIT 3 prill – dita e hënë, u alarmova tepër nga fjalët që dëgjoheshin jashtë rreth rrezikut që i kërcënohej Shqipërisë nga ana e italianëve. Meqenëse Mbreti Zog që kur se kisha rënë nga ministër nuk më jepte audiencë, nuk e tentova një gjë të tillë. Por, duke menduar se Abdurrahman Krosi kishte një prestigj të madh pranë mbretit, e thirra në telefon dhe i thashë që të vinte në shtëpinë time për një çështje me rëndësi. Ai u ngrit dhe erdhi, nga fytyra dukej i rënë tepër dhe kish marrë qëndrimin e një fajtori të përulur.

I thashë se shteti shqiptar po kalon një rrezik të madh me qenë se tinëzarët i kanë mbushur mendjen mbretit kinse unë jam një njeri i dëmshëm, sa herë që kam kërkuar audiencë nuk më kanë dhënë, prandaj nuk kërkova. Të thirra ty, që t’i thuash nga ana ime se propozimet që do t’i kenë bërë italianët t’jua kërkojë me shkresë dhe i lutem që një kopje të këtyre propozimeve të ma çojë mua, ta studioj dhe të jap mendimin tim, duke i dalluar ato që janë të pranueshme dhe ato që nuk janë. Krosi, pasi foli disa budallallëqe që nuk kanë rëndësi, u ngrit dhe vajti në pallat; unë shkova në kafenë e vjetër, “Bella Venezia”.

Pas pak kohësh, më lajmëruan se Abdurrahman Krosi ka ardhur përsëri në shtëpinë time. U ngrita nga kafeja shkova në shtëpi, Abdurrahmanin e gjeta në sallon, më dha të fala nga ana e mbretit dhe që bisedat midis atij dhe italianëve janë prerë e pas nja dy ditësh do të më jepte një audiencë. Ditën e mërkurë, tek vinja në kafenë e re “Bella Venezia” e re, më lajmëruan se më kërkonin në Pallat. U ngrita dhe vajta dhe i kërkova propozimet që kishin bërë italianët. Mbreti më tha se i kishte ministri i Jashtëm, Eqrem Libohova, dhe më shtoi që të shkoja në Ministrinë e Jashtme që të takoja Eqremin, të formonim një komision me Kryeministrin e ministrin e Punëve të Jashtme së bashku dhe të hartonim një kundra projekt.

Me gjithë që dukej i emocionuar, përpiqej të shfajësohej që nuk më kishte pranuar në audiencë. Unë i thashë se s’ka nevojë për një gjë të tillë, sepse qeveria e tij gjithmonë është e rrethuar prej tinëzarësh dhe prandaj është e ditur që ata që e duan atdheun e tyre gjithmonë janë të akuzuar. Por, tani nuk është koha e këtyre sendeve. U ngrita dhe vajta drejt për së drejti pranë ministrit të Punëve të Jashtme, Eqrem Libohovës, dhe i kërkova projektin e propozimeve që kishin bërë italianët, ai më tha se nuk e kishte të gjithë tekstin, por do të lexonte pikat më me rëndësi. Unë shfaqa habinë time për një çështje të tillë, sepse në të tilla raste, edhe një presje ka rëndësi.

Njeriu nuk mund të gjykojë mbi një tekst të metë, megjithëkëtë, i thashë që të lexonte ato pjesë të tekstit që ndodheshin pranë. Thirri Hamdi Karazin që të merrte shënime mbi bisedat tona. Si duket, deri atëherë Hamdi Karazi nuk dinte gjë se ç’bëhej. Kur Eqrem bej Libohova filloi të këndonte tekstet, menjëherë u mor vesh se bëhej fjalë për një protektorat efektiv dhe të fortë me okupacion ushtarak. Me fjalë të tjera, Shqipëria bëhej një Tunizi në një kënd të Ballkanit, në Europë. Menjëherë i thash Eqrem Beut se pranimi i saj ose një kundërpropozimi do të formonte një tradhti të lartë. Hamdi Karazi vërtetoi fjalët e mia.

Eqrem Beu insistonte edhe po na lëçite disa ndryshime frazash pa rëndësi, që i kishte bërë tekstit origjinal. Më në fund, unë thashë se, në një komision të këtillë nuk mund të marr pjesë. Pas dreke të asaj dite, vajta përsëri në Pallat, gjeta mbretin Zog, Kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, të cilët bisedonin mbi çështjen e ditës. Mbreti më pyeti përshtypjet e mia mbi propozimin e italianëve. Unë iu përgjigja duke i thënë se, këto propozime i ngjasojnë fjalëve të një njeriu që të paraqitet si mik, por që tjetrit i kërkon gruan. Karshi një gjëje të këtillë, nuk mbetet veçse t’i përgjigjesh me armë kur të shkeli pragun e shtëpisë dhe i shtova se unë në një komision të këtillë nuk mund të marr pjesë.

Më në fund, unë ika dhe duke ikur, hoqa mënjanë mbretin dhe e këshillova që të largonte fëmijën një orë e më parë dhe të përgatitej për luftë. Edhe unë, me gjithë dy djemtë e mi, do të shkoja të luftoja. Një sakrificë e tillë do të na krijonte të drejta historike, mund të provokonte dhe një luftë të përgjithshme. Mbi këtë fjalë u impresionua tepër, sepse dukej që rëndësinë e çështjes nuk e kishte kuptuar thellësisht. Mbi këtë fjalë, u ngrita e ika, tepër i shqetësuar, dhe në shtëpi i thashë djalit tim, Ragipit, si ish-oficer që ishte, të vishte rrobat ushtarake të vinte në bashki dhe të regjistronte vetëdashësit që destinoheshin për vdekje. Ai m’u përgjigj se ishte gati dhe t’i lutej mbretit që t’u jepte armë. Duhet të shënoj dhe këtë që, ditën e mërkurë në mbrëmje vajta në të gjithë legatat e Ballkanit dhe i lajmërova për kërcënimet që Italia i bënte Shqipërisë. Kur vajta në legatën greke, iu luta zotit Skeferis që t’i telefononte ministrit Bances se doja ta takoja me urgjencë.

Ai m’u përgjigj, duke më thënë se për një orë, ministrat francezë dhe anglezë do të vizitojnë legatën greke dhe me këtë rast do të caktonte takimin tim me të dy bashkë e do të më telefononte duke më treguar orën pa shpjegim tjetër. Unë shkova drejt në shtëpi dhe po prisja lajmin telefonik. Pas dy orësh, më lajmëroi orën e pranimit në legatën frënge, ora tetë e gjysmë e mbrëmjes. Vajta në legatën frënge, atje gjeta ministrin francez dhe të Anglisë, të cilëve u tregova çështjen dhe iu luta që të ndërmjetësonin pranë shteteve ballkanike me shpejtësi, duke i këshilluar që të tregoheshin solidarë me Shqipërinë.

Një demarsh i tillë kolektiv mund të largonte rrezikun e okupacionit ushtarak, në qoftë se do të vepronin më shpejt. Që të dy ministrat më pyetën se kur ka filluar kjo çështje. Unë iu thashë se nuk e dija pikërisht, por duhet të ketë nja katër ose pesë javë. Ata më thanë se nuk kishin ndonjë lajm nga qeveria shqiptare, as ata, as qeveritë e tyre, në Paris e në Londër. Megjithëkëtë, që nga ajo natë do të telegrafonin pranë qeverive të tyre.

Gjithashtu, ditën e mërkurë shkova në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe kërkova tekstin integral të propozimeve italiane dhe mbasi e mora, Hamdi Karazit i diktova një kundërpropozim, i cili përmbante tri pika kryesore: 1. Në vend që italianët të okuponin katër skela, rrugë strategjike fushat e aeroplanëve dhe pikat strategjike të kufijve, si aleat që ishim midis Shqipërisë dhe Italisë, të bëhej një koment ushtarak ku do të caktoheshin rrethanat të cilat mund të përbënin kërcënim lufte (minaçe di guerra) edhe me një rast të tillë do të caktohej mënyra e veprimeve ushtarake të dy palëve dhe kur të largohej kërcënimi ose të mbaronte lufta ana tjetër të hiqte Ushtrinë.

2. Prej shtetasve italianë, ata që do të qëndronin pesë vjet në Shqipëri mund t’u akordohej shtetësia shqiptare, por me konditë që të mos kishin të drejtë të vendoseshin në tokat rurale, jashtë qyteteve. Mund të formonin shoqëri kolektive me të zotët e tokave, shqiptarët duke vënë tokat e tyre si kapital të patundshëm dhe italianët të vinin teknikë dhe kapitale të luajtshme, duke përdorur vetëm punëtorë, të cilësuar bujqësorë, pa instalim familjesh edhe kjo kategori nuk mund të kalonte një të dhjetën e punëtorëve shqiptarë. Në këtë mënyrë, siguroheshin interesat e të dy palëve. 3. Në vend të misionit doganor, të zbatohej një tarifë e famshme dy për qind të vlerës së mallrave si në Itali për mallrat shqiptare ashtu dhe në Shqipëri për mallrat italiane. Kjo siguronte interesat e dy palëve pa cenuar sovranitetin. 4. Mbas propozimit italian, në vend që sekretarët e përgjithshëm të ishin italianë, organizatorët e sotëm mund të vepronin me efikasitet për realizimin e reformave dhe për të ndaluar shpërdorimet.

Këto modifikime ia lashë Hamdi Karazit që t’i përkthente në italisht dhe me kopjen e shqipes në dorë, vajta në Pallat për t’ia treguar mbretit. Ai më tha që të shkoja në komisionin e posaçëm që kishte formuar nën kryesinë e Koço Kotës, për të biseduar çështjen. U ktheva në Ministrinë e Punëve të Jashtme, hyra në Komision, u lëçita kundër-propozimin, të cilën e morën parasysh. Në atë çast erdhi Eqrem Libohova dhe na tha se nuk kishte kohë për biseda të gjata, sepse afati ishte deri nesër në drekë, domethënë të enjten pasdite.

Komisioni i posaçëm, me terma më të shkurtra, bëri po ato modifikime dhe ia komunikoi Ministrit të Italisë dhe e shtyu afatin deri në mesin e natës, që ishte e premte. Të enjten në mëngjes dhe pas dreke vajta në Pallat, ku gjeta ministrat dhe disa nga deputetët. Me theksim të fortë, thashë se pranimi i propozimeve italiane pa qëndresë me armë, do të na poshtërojë në sytë e botës pa ndonjë dobi të vërtetë, duke rrënuar dhe të drejtat historike, në rast të një lufte të përgjithshme. Pasi legata italiane i komunikoi Ministrit të Punëve të Jashtme se afati i zbarkimit të Ushtrisë ishte shtyrë deri në mesin e natës së ditës së enjte duke gdhirë e premte, Parlamenti do të bisedonte pranimin ose mospranimin e parashtresave italiane. Në këtë mbledhje solemne pranë mbretit u ndodha edhe unë.

Deputetët, edhe në orën e rrezikut, nuk hiqnin dorë nga dallkaukllëku dhe u ndanë në dysh. Një pjesë thoshte që do t’i pranonin, pjesa tjetër thoshte që do të kënaqeshin vetëm me një protestim në letër. Atëherë, unë me një theksim të fortë e të shpeshtë, u thashë deputetëve se protestimi me letër në arenën ndërkombëtare nuk do të kishte asnjë rëndësi, vetëm poterja e pushkës dhe e topit do t’i jepte të kuptonte botës se populli shqiptar, independencën e tij do ta mbronte me sakrificën e gjakut të tij. Më në fund, deputetët shkuan dhe u mblodhën në Parlament dhe refuzuan propozimet italiane. Pasi u larguan deputetët dhe refuzuan propozimet e ministrit, erdhën pranë mbretit dhe bisedonin rreth çështjes së ditës. Unë i thashë mbretit të më jepte leje që të shkoja të takoja ministrin italian Jakomonin, për t’i thënë disa fjalë, sepse qeveria italiane e di fare mirë se unë kam qenë partizan i një aleance të sinqertë pa intriga makiavelike.

U ngrita dhe vajta pranë Jakomonit, shkurtimisht i thashë se okupacioni ushtarak ishte fillimi i aleancës dhe duke qenë një okupacion i këtillë, aleanca nuk mund të qëndronte më këmbë, prandaj i propozova që të bënin një komandë ushtarake ku do të caktonin rastet e kërcënimit të luftës dhe një koment i tillë isha gati ta formuloja atë çast. Edhe në qoftë se situata e përgjithshme tregon një kërcënim të tillë, pasi të firmosej konventa ushtarake, shkarkimi mund të bëhej qetësisht si dy shtete aleate.

Në qoftë se qeveria italiane pranonte këtë zgjidhje, çështjet e tjera i bisedonim më vonë me qetësi dhe me prehje shpirti. Ministri italian Jakomoni, ai për veten e tij e pranonte këtë propozim dhe do t’i telegrafonte Musolinit, më në fund më shtoi me sinqeritet ose me hipokrizi duke më thënë se, të këtilla fjalë të shkurtra dhe të sinqerta të bazuara në aleancë kurdoherë do të pranoheshin nga Musolini, por deri tani kemi parë vetëm rrena, dinakëri dhe politikë me dy faqe. Mbi këto fjalë u ktheva në Pallat, iu shpjegova përgjigjen e Jakomonit.

Të gjithëve u erdhi një prehje shpirti dhe një habitje mbi përgjigjen afirmative të ministrit italian. Më thanë që të shkoja bashkë me Eqrem Benë për t’u porositur propozimi dhe pranimi. Unë, të them të drejtën, kam pasur dyshimin mbi gjeneral Serreqin dhe Eqrem Benë si njerëz që i janë shitur Italisë dhe biseda me anën e këtyre më dukej e dyshimtë. Prandaj para se të shkojmë te Jakomoni me theksim, iu drejtova Eqrem Beut duke i thënë se, shiko Eqrem Bej – mos më bëj bisht, se pastaj të kam borxh një revolver. Megjithatë shkuam bashkë me Eqrem Benë dhe ia përsëritëm propozimin. Po ashtu dhe referatin telegrafisht te Musolini. Është çudi që në rast kërcënimi të një lufte midis dy aleatëve, formulimi i një konvente ushtarake nuk ishte marrë parasysh aspak, dhe mbreti nuk kishte asnjë kuptim mbi një gjë të tillë, sepse kur ja propozova që ditën e mërkurë një gjë të këtillë, më tha se Konventa ishte bërë që kur ishe t’i në qeveri nga ana e Dhimitër Beratit. Unë, me habi, i thashë se konventat ishin bërë me qëllime ekonomike dhe jo ushtarake.

Një komandë ushtarake këso dore ishte lidhur në kohërat e fundit midis Francës dhe Ingliterrës, madje është marrë parasysh që para se të fillojë lufta, ushtria e përgatitur e ingliterrës vendoset në Francë qysh më parë. Gjeneral Serreqi, xhahil i paguar prej italianëve madje në propozimet italiane figuronte se Shqipëria në Romë do të krijonte një ambasadë dhe Italia në Shqipëri, një ambasadë italiane. Dhe gjeneral Serreqi, si ndërmjetës i marrëveshjes, ishte shënuar si ambasador. Eqrem bej Libohova, prej natyre ishte shumë frikacak, aq sa kur bëhej fjalë për qëndresën me armë, i dridheshin leqet e këmbëve. Të enjten mbrëma deri në nëntë qëndrova në Pallat, pastaj ika, shkova në shtëpi. Në mëngjes pyeta me telefon se ç’lajme kishte?

Më thanë se nga ora katër e gjysmë e mëngjesit, duke gdhirë e premte, kishte filluar lufta në Durrës, Vlorë, Sarandë e Shëngjin dhe lufta po vazhdonte. U vesha dhe dola jashtë, më erdhi ndërmend që të përdorim radion për të lajmëruar botën. Shkova në shtëpinë e Koço Kotës, atje gjeta dhe mbretin, po përgatitej Rrok Gjera dhe Sami Koka për të shkuar në Durrës, të takoheshin me gjeneral Guzzonin për të bërë Konventën ushtarake. U ktheva dhe shkova në bashki, pyeta se ku është Radioja, kur vajta atje më thanë se radioja nuk punonte, për shkak se ishte lidhur me S.E.S-ën dhe kjo ishte një ngrehinë italiane e italianët kishin shkuar dy ditë më parë. Menjëherë vajta në shtëpinë e Varacit, drejtorit të P. të P.T e R më thanë se nuk ishte aty, por zonja e tij kishte shkuar në shtëpi të doktor Kalmarit.

Shkova te Ddr. Kalmari, atje gjeta të shoqen dhe i thashë se me të ardhur Nereci ta çonte në bashki, te Radio, edhe vetë shkova në Bashki. Një grup të rinjsh intelektualë u mblodhën pranë, disa nga të teknikës i dërguam të hapin derën Sesës, të vënë në aktivitetet centrale të lidhin radion e të fillonin të lajmëronin botën. Djelmoshat e shkretë plot zell e entuziazëm, shkuan hapën Sesën me vrap, u vu në punë centrali dhe radioja filloi të punonte. Atë çast, përpilova një thirrje gjithë popujve të botës në gjuhën frënge, të cilën intelektualët e mbledhur brenda një ore e përkthyen në dhjetë gjuhë dhe me radhë radioja filloi ta përhapte në gjithë botën. Kjo gjë na tregoi se rinia shqiptare ka një vlerë sa të përkthejë më këmbë një tekst në dhjetë gjuhë. Madje, kjo gjë kishte tërhequr vëmendjen e radiove të aeroplanëve italianë, që lëvrinin mbi Tiranë.

Panorama Al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top