sweetzzinna
Dum spiro, spero くる
Sepse ne besojmë që vizioni ynë europian nuk është i yni, por i paraardhësve e i pasardhësve tanë.
Ashtu siç nuk është vetëm e jona ambicia e Shqipërisë së re Sociale, të cilën janë me qindramijëra shqiptarët që e synojnë.
As nevoja e një ndarjeje të prerë me politikën e vjetër të së shkuarës, përmes një rruge të re ku shqiptarët në tërësi me plot dëshirë duan të ecin, nuk është vetëm e jona. Nuk është vetëm e jona as sfida e një solidariteti të ri, mishëruar në një kontratë sociale ku cdo e drejtë është një përgjegjësi e ku, pa asnjë dyshim, një numër shumë herë më i madh bashkëqytetarësh sesa numri i anëtarëve të partisë sonë janë gati të nënshkruajnë. Kauza jonë është më e madhe sesa Partia Socialiste dhe prandaj na duhet një forcë e madhe sa kauza jonë.
Kopertina e pasme: Sot, 16 vjet pas lindjes së partisë së socialistëve shqiptarë, shoqëria shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht krahasuar me 16 vjet më parë dhe mes saj e politikës është krijuar vit pas viti një hendek i madh.
Partia Socialiste duhet të ndahet prerazi nga politika që nuk ka veshë t’i dëgjojë shqiptarët e as gojë që t’u flasë për problemet e tyre, nga politika që nuk ka zemër t’i ndjejë vështirësitë e shpirtrave kërkues të këtij vendi dhe as farën e pasionit që entuziazmon njerëzit, nga politika që s’mund të transmetojë energji e vlera, të përfshijë qytetarët e komunitetet në një projekt të ri shprese.
Partia Socialiste e Shqipërisë duhet të jetë instrumenti i cdo shqiptari që do të ndryshojë jetën e tij, i cdo të riu që do të ndryshojë botën rreth tij, i cdo gruaje që do të ndryshojë pozicionin e saj shoqëror, i cdo familjeje që do të ndryshojë gjendjen e saj të vështirë, i çdo punëmarrësi që do të ndryshojë kushtet e punës dhe i çdo sipërmarrësi që do të ndryshojë cilësinë e shërbimit a të teknologjisë, i çdo organizate jotofitimprurëse që do të ndryshojë diçka sado të vogël në shoqëri, i çdo komuniteti që do të ndryshojë cilësinë e hapësirës e të shërbimeve publike, i çdokujt që do të ndryshojë cilësinë e jetës. Faqja e dytë:
Ky është një tekst i pambaruar. Një tekst i hapur. Eshtë konceptuar si i tillë. Për t’u lënë të tjerëve rradhën të shtojnë atë çka mungon, me vërejtjet, kritikat, sugjerimet konkrete. Të cilat shpresoj do të lindin nga leximi i këtyre rreshtave që skicojnë Programin e Ri Politik të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Faqja e trete: Vizioni ynë: Shqipëria Europiane. Misioni ynë: Shqipëria e Re Sociale. Rruga jonë: Politika e Re. Sfida jonë: Cdo e drejtë një përgjegjësi Fuqia jonë: Partia Socialiste e Shqipërisë.
NE BESOJME
Ne besojmë tek Shqipëria dhe shqiptarët. Atdheu ynë ka një histori të gjatë mbijetese, përgjatë së cilës shqiptarët kanë treguar se dinë t’ia dalin mbanë. Sot ata janë përsëri dëshmi e një energjie dhe aftësie të rrallë për t’u përshtatur me kohën e me hapësirën e re të pas vitit ’90. E kanë lënë pas të shkuarën duke pranuar sfidën e hapjes dhe ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës në funksion të integrimit në një botë rregullash krejt të reja për ta. Dhe duke arritur, në jo pak raste, të ngrenë në këmbë sipërmarrje mbresëlënëse, të nxjerrin në pah dhunti të veçanta në realitete të vështira gjeografike, ekonomike, sociale apo të ngjisin shkallë karrierash të admirueshme edhe nëpër botë.
Ne besojmë tek një Shqipëri e respektit dhe besimit tek çdo njeri. Në atdheun tonë nuk duhet të dështojë askush për shkak të gjinisë, fesë, krahinës, minoritetit apo përkatësisë politike. Sot, për fat të keq, janë të shumtë ata që nuk arrijnë të japin gjithshka munden, për shkak se rëndom aftësia shpërfillet dhe merita nuk respektohet. Atdheu ynë duhet të jetë njësoj i hapur e besimplotë ndaj burrave dhe grave, të cilave duhet t’u ofrojë shanse e mundësi të barabarta me burrat. Shqipëria e mosbarazpeshës së madhe gjinore nuk është vendi që duam t’u trashëgojmë brezave që vijnë. Tek barazia gjinore ne shohim një nga burimet e pashfrytëzuara të zhvillimit demokratik, shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë.
Ne besojmë tek një Shqipëri e punës dhe e shpërblimit sipas punës. Shqipëria është një vend ku me energji të mëdha individuale ndërtohen shtëpi, krijohen sipërmarrje, prodhohen të mira materiale. Në këtë vend, ku ka një dëshirë të madhe individuale për sukses ekonomik, duhet të ketë edhe një ambicie të re shoqërore për zhvillim ekonomik përmes një vlerësimi të ri për punën, një tregu të ri të punës e një shpërblimi të merituar me punë. Papunësia s’mund të mbetet një sëmundje e pakuruar shoqërore, e cila rëndohet vit pas viti. اdo shqiptar duhet të gëzojë të drejtën e punës dhe askush nuk duhet të privohet nga mundësia për të jetuar me punë të ndershme e për të përgatitur përmes punës të ardhmen e fëmijëve të tij. Ne besojmë tek një Shqipëri solidare me çdo shqiptar në vështirësi. Jo të gjithë i’a dalin vetë për njëmijë e një arsye. Ende shumë ndër ne jetojnë nën minimumin jetik. Plot të tjerë nuk arrijnë të shkollojnë fëmijët e tyre. Të tjerë akoma detyrohen të braktisin atdheun në pamundësi të një pune e të një strehe. Asnjë shqiptar nuk duhet të ndjehet i vetmuar në Shqipërinë ku ne besojmë e ku për secilin duhet të ketë një shans për të dalë nga kurthi i varfërisë e i përjashtimit social.