Moisiu: “Shqipëria në rrezik nga shteti tribal”

alfonci

Veri investigatio
Ish-Presidenti Alfred Moisiu flet për integrimin në NATO, për shkaktarët e Gërdecit, për reformën zgjedhore dhe rotacionin politik. Jeta dhe aktivitetet e përditshme të ish-kreut të shtetit.

Intervistoi: Albert Gjoka (Gazeta Albania)

Në Shqipëri është shumë e vështirë që të jesh president mbi palët, që të gëzosh konsensusin e të gjithëve dhe të marrësh besimin e qytetarëve. Por ish-presidenti Alfred Moisiu është krenar se ka qenë i tillë. Ndonëse shprehet i rezervuar për pasardhësin e tij, Moisiu thotë se nuk i mbetet asgjë tjerë, veçse ta urojë zotin Topi që të dalë me sukses në përballjen me tendencat e rrezikshme të shtetit tribal që po triumfojnë te ne. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Albania”-n, ish-kreu i shtetit rrëfen për jetën e përditshme që nis në një zyrë të vogël në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet dhe vazhdon me takime të shumta me qytetarë të thjeshtë, intelektualë dhe miq të tij, që i qëndruan në krah gjatë drejtimit të Presidencës. Aktualisht ai ka dy impenjime kryesore: përgatitja dhe botimi i kujtimeve të tij, një pjesë e të cilave pritet të dalë së shpejti në qarkullim dhe vënia në aktivitet të plotë e fondacionit të tij, i cili është themeluar vetëm pak javë më parë. Ai është tejet i vëmendshëm për të gjitha zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në vend. Megjithëse ka kaluar më shumë se një vit që nga periudha që la postin e kreut të shtetit, ai tashmë është i përfshirë në nismat e ish-burrave të shtetit të Europës, të cilët promovojnë filozofinë e paqes dhe të pajtimit kudo në botë. Edhe kësaj radhe, i vetmi president i zgjedhur me pëlqimin e dy prej aktorëve më të rëndësishëm politikë të vitit 2001, Fatos Nano dhe Sali Berisha, flet troç për gjithçka: për Gërdecin, Kodin Elektoral, rotacionin e pushtetit, integrimin në strukturat euroatlantike dhe për zgjedhjet e vitit 2009. Ai ndihet i qetë kur i thotë gjërat sipas të vërtetës së tij, pasi, siç thotë edhe vetë, është mësuar t’u përmbahet betimeve që bën.

Zoti Moisiu, fillimisht desha t’ju pyes se cila është jeta e përditshme e një ish–presidenti? اfarë angazhimesh keni në këto momente?

Ashtu si secili ish-president që nuk merr pjesë në politikat partiake, edhe unë vijoj të kem angazhime të shumta që lidhen me funksionet e mia të mëparshme dhe me përfaqësimin e një fondacioni politik që kam krijuar. Një pjesë të madhe të kohës ia kushtoj kontakteve dhe shkëmbimeve me homologë dhe partnerë të ndryshëm të fondacionit; me takime me politikanë, diplomatë e persona të tjerë, si dhe me shkrimin e kujtimeve të mia. Më shumë se 60 vjet karriere në shtetin shqiptar, që nga oficer i thjeshtë, deri te posti më i lartë, ai i kryetarit të shtetit, përbëjnë një bazë të mirë përvoje dhe kujtimesh, të cilat dëshiroj t’ia bëj të njohura për publikun. Unë mendoj se çdo politikan i lartë që largohet nga politika aktive duhet të bëjë të njëjtën gjë, në mënyrë që brezat më të rinj të kenë botime serioze në dispozicion, për të kuptuar, analizuar dhe ballafaquar punën e tyre. Nuk bëhet fjalë për të fetishizuar apo për të ekzagjeruar ndonjë gjë, sepse në jetën time më kanë munguar këto trende. Asnjëherë nuk kam menduar që kryetarët e shteteve, të cilët kanë shkruar memuaret e tyre, kanë gënjyer ose kanë tentuar të shtrembërojnë të vërtetat. Në përgjithësi mund të them se nuk më mjafton koha për t’i përballuar të gjitha kërkesat dhe angazhimet, aq më tepër se gjithçka më duhet ta përballoj pa ndihmës.

Shqipëria mori ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit. Tashmë ka nisur edhe procesi i ratifikimit të Protokollit nga parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s. A mendoni se do të mbyllet ky proces dhe vendi ynë do të jetë anëtar në Samitin e ardhshëm të NATO-s?

Interesi dhe dëshira e çdo shqiptari është që ky proces të përfundojë me sukses, sa më parë të jetë e mundur. Ashtu si në Bukuresht, edhe në muajt e fundit, ne jemi mbështetur fuqishëm nga aleati historik i shqiptarëve, SHBA dhe shtete të tjera të mëdha perëndimore. Ftesa e anëtarësimit erdhi në përfundim të një procesi të gjatë reformash, të shoqëruara me suksese, por edhe me kriza politike. Falë mbështetjes amerikane dhe këmbënguljes së presidentit Bush, por edhe të aleatëve kryesorë europianë, Shqipëria dhe Kroacia përfituan ftesën dhe shansin historik të bashkimit politik me NATO-n. Merita e ftesës nuk lidhet me një apo me dy qeveri, madje as me emra të veçantë politikanësh e shtetarësh. Gjatë këtyre 18 viteve kemi pasur rast të shohim politikanë që kanë vendosur një gur në ngritjen e kalasë së reformave dhe të integrimit, por gjithashtu kemi parë edhe politikanë që vazhdimisht, si në ritin e Rozafës, e kanë prishur murin e kalasë duke na kthyer vite pas. Ftesa për anëtarësim duhej të vinte krahas vendeve të tjera ish-komuniste, pra të paktën 6-7 vjet më parë, por për fajin dhe gabimet tona, procesi u vonua dhe ne jemi në një grup me vende që kanë kaluar në luftëra civile ose në izolim ndërkombëtar. Nga kjo përvojë, por edhe nga përvoja e vendeve të tjera ish-komuniste, ne duhet të mësojmë që ftesën e anëtarësimit të mos e kuptojmë si triumf të një partie apo të një politikani, por si një shans historik për të punuar gjithsesi më mirë dhe në mënyrë më të ndershme; më me përkushtim dhe transparencë në të mirë të reformave dhe të shtetit ligjor. Personalisht do të doja që elita jonë politike, e cila ka shumë detyrime morale e politike ndaj qytetarëve dhe vendit, të nxjerrë mësimet e duhura dhe të ndahet nga modelet e vjetra të luftës politike vetëm për pushtet dhe përfitim elektoral. Ne kemi nevojë për politikanë që ulen, takohen, bisedojnë, bien dakord për reforma të rëndësishme në interes të qytetarëve dhe jo të formulave të përkohshme elektorale. Ne kemi nevojë për liderë politikë që në vend të mitingjeve apo të konferencave butaforike të shtypit, të parashtrojnë ide e projekte konkrete se si të zgjidhet reforma në Drejtësi, se si të zgjidhet problemi i pronave, ai i kompensimit të ish-të përndjekurve politikë, i pensionistëve, i ushtarakëve të liruar, i privatizimeve të mëdha publike, i nevojës për t’u dhënë shansin të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë këtu apo në emigracion për të votuar, për të kontribuar në vendimmarrjen politike dhe zhvillimin demokratik të vendit; kemi nevojë për sa më shumë vende pune, në mënyrë që rinia jonë të ketë një perspektivë të qartë brenda vendit e të shohë sa më pak drejt emigracionit. Pra, në vend të tundjes elektorale të flamujve të NATO-s, është koha që politika të marrë përgjegjësi konkrete dhe të reflektojë pasi mesazhi i Bukureshtit nuk ishte thirrje për revansh politik, por thirrje për përgjegjshmëri e rezultate konkrete në reformat e shtetit të së drejtës.

Ju keni qenë ndër personalitetet aktive të lobimit për në strukturën euroatlantike. A vazhdoni sërish të kontribuoni në këtë drejtim?

Natyrisht që mbetem i angazhuar në këtë proces qoftë përmes aktiviteteve të përditshme, qoftë edhe përmes kontakteve me bashkëpunëtorë dhe miq të çmuar politikë e diplomatë shqiptarë e të huaj.

Ju keni qenë drejtues në strukturat e Ushtrisë për një kohë të gjatë dhe më pas në detyrën e komandantit të Forcave të Armatosura si president i vendit. Tragjedia e Gërdecit ishte ndër ngjarjet më të rënda në vendin tonë gjatë viteve të tranzicionit. Cilat janë gabimet e strukturave ushtarake dhe të strukturave politike në lidhje me këtë rast? A do të krijojë pengesa në integrimin e vendit tonë në BE dhe NATO kjo tragjedi?

Uroj shumë që tragjedia e Gërdecit të mos ketë ndikim negativ në procesin e integrimit në NATO dhe përafrimit me BE-në. Gërdeci, siç e kam thënë edhe më parë, ishte një tragjedi me plot kuptimin e fjalës, por njëherësh edhe një krim shtetëror. Dikush, për të përfituar ekonomikisht, përdori ushtrinë, institucionet e sigurisë dhe shtetin për trafikim armësh dhe ky është një nga llojet më të rënda të krimeve në një shtet demokratik. Unë kam besuar e besoj se ushtarakët më shumë se përgjegjës janë viktima të politikës dhe individëve politikë të papërgjegjshëm, të cilët e përdorën ushtrinë për abuzime nga më të pashembulltat; i kthyen pasuritë e ushtrisë në pronë të tyre. Unë besoj se Prokuroria do të ketë aftësinë dhe përgjegjësinë të zbardhë të vërtetën deri në fund. Kushdo që është implikuar, pavarësisht nga posti dhe pozita në hierarkinë e shtetit, duhet të përballet me drejtësinë. Ky dhe vetëm ky do të ishte një nderim dinjitoz i viktimave të pafajshme të Gërdecit, por edhe një shenjë e qartë për partnerët tanë ndërkombëtarë se jemi vend demokratik dhe kemi një shtet të së drejtës që vepron në mbrojtje të Kushtetutës e të ligjit, si dhe për popullin tonë të vuajtur. Rezultati i hetimit të Gërdecit dhe vënies përpara përgjegjësisë së rreptë ligjore të përgjegjësve, ose do ta rrisin besimin e popullit te Drejtësia, ose do ta dëmtojnë atë përfundimisht.

Në qershorin e vitit të ardhshëm janë parashikuar për t’u zhvilluar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërkohë që nuk është miratuar Kodi, nuk kemi gati as kartat e identitetit dhe ende nuk është bërë publik një regjistër përfundimtar i zgjedhjeve. A janë këto probleme të kapërcyeshme për të pasur një proces normal zgjedhor? Si i parashikoni zgjedhjet parlamentare të vitit 2009?

Fatkeqësisht situata po përsëritet siç ka ndodhur më vitet 2001, 2003, 2005 dhe më 2007-n. Interesat elektorale të 2-3 individëve apo të partive mbajnë peng reformën zgjedhore për të gjetur një zgjidhje të sforcuar në limitet e fundit kohore. Qeveria e sotme në rrugë zyrtare më ka informuar në nëntor 2005 se brenda vitit 2006 të gjithë qytetarët do të ishin të pajisur me kartat e identitetit. Sot jemi në vitin 2008 dhe ende nuk ka asnjë rezultat konkret për këtë. Dyshimi im nuk është se ka politikanë, shtetarë apo zyrtarë të papërgjegjshëm që e mbajnë peng procesin, por se ka politikanë që kanë frikë nga zgjedhjet e lira dhe që përmes problemeve të tilla, në dukje teknike, përpiqen të krijojnë mjete ekstra ligjore për manipulim zgjedhjesh, ose në rastin më të mirë, në rast humbje të tyre, gjejnë alibi për të mbajtur peng partinë që drejtojnë. Në të dyja rastet e rëndësishme është se gabimi më 2009-n nuk do të mund të lejohet dhe do të ketë kosto shumë të lartë politike për Shqipërinë, demokracinë dhe procesin e integrimit euroatlantik. اdo vend në Europë ka bërë zgjedhje të lira e të ndershme, me përjashtim të Shqipërisë dhe Bjellorusisë. Unë mbetem me shpresë se nuk do të lejohet të kemi një Llukashenko tjetër në kontinent.

Ju keni qenë president në një periudhë jo pak të vështirë, kur u bë edhe rotacioni i pushtetit në mënyrë demokratike. Si e shpjegoni mentalitetin që ekziston tek të huajt, që është ende shumë e vështirë që procesi i kalimit të pushtetit nga njëra forcë politike tek tjetra të kalojë pa probleme në vendin tonë? A ka përfunduar tranzicioni politik në Shqipëri?

Tranzicioni përfshin një numër të madh standardesh dhe kriteresh, por nëse i referohemi administratës, ju siguroj se ai ende nuk ka mbaruar. Edhe në vitin 2008 ne po shohim se jo vetëm rotacioni politik, por edhe një ndryshim ministri brenda të njëjtit koalicion qeveritar shoqërohet me shkarkime dhe spastrime politike dhe emërim në poste të larta të besnikëve të ministrit apo të partisë që e ka zgjedhur atë. Mungesa e një administrate të pavarur dhe profesionale është një shqetësim i madh për një vend dhe është një nga dy kritikat kryesore ne raportet e Bashkimit Europian për Shqipërinë. Fatkeqësisht, tendencat e vjetra të partisë-shtet shfaqen vazhdimisht dhe rast tjetër i kësaj është edhe përpjekja e shumicave politike parlamentare për të kontrolluar pushtetet e pavarura, siç janë gjykatat dhe Prokuroria. Ne shohim se titullarë të lartë të qeverisë, gjatë tre muajve të fundit, kanë folur vetëm njëherë për varfërinë, që është shqetësimi real për çdo familje shqiptare dhe detyra kryesore për zgjidhje e çdo qeverie, ndërkohë që janë më shumë se 30 fjalime publike kundër gjykatave, një pushtet paralel me Ekzekutivin, që nuk ka lidhje varësie nga qeveria. Pra është vetë politika që e zgjat tranzicionin, nuk pranon të marrë dhe të ushtrojë vetëm pushtetin që u jep Kushtetuta, por tentojnë e tentojnë me lloj-lloj metodash të marrin pushtet ekstra kushtetues mbi Presidentin, Parlamentin, Gjyqësorin, Prokurorinë, shërbimet sekrete etj.

Sa e vështirë është për të qenë një president mbi palët në Shqipëri?

ثshtë e vështirë, por pikërisht se është e tillë dhe kërkon përkushtim, durim, guxim e sakrifica, edhe është një mision sa qytetar e zyrtar, aq dhe fisnik. Unë isha betuar se do të respektoja vetëm Kushtetutën dhe për vetë edukatën time profesionale e trashëgiminë familjare; jam mësuar se kur bëj betime, t’i mbaj ato. Jam përpjekur që vazhdimisht të isha në krye të detyrës kushtetuese, të qëndroja mbi palët dhe njëherësh të punoja me të gjitha forcat për të nxitur e forcuar demokracinë e shtetin ligjor. Ndjehem mirë kur shoh se kritikë e mbështetës, në media e në politikë, por sidomos qytetarët e thjeshtë, pavarësisht nga komentet subjektive, në thelb çmojnë dhe evidentojnë modelin e presidentit kushtetues që krijova gjatë mandatit tim. Unë mendoj se shqiptarët kanë pasur dhe kanë nevojë për president mbi palët, por është gjithashtu e nevojshme që vetë aktorët politikë të pranojnë statutin e presidentit; ta respektojnë atë sepse respekti për shtetin dhe institucionet është i shenjtë dhe qëndron në themel të krijimit të një shoqërie vërtetë demokratike dhe europiane. Ju e mbani mend që gjatë mandatit tim jam atakuar ashpër nga dy maxhorancat; kam dëgjuar lloj-lloj shpifjesh e fyerjesh, kam pasur lloj-lloj presionesh dhe jam ndeshur me shumë të papritura, por të gjitha këto shkojnë dhe ajo që mbetet është modeli presidencial që krijova bashkë me stafin tim, një model që do t’u duhet sot e në të ardhmen edhe korit të atyre që janë mësuar dhe kanë mision politik shërbimin pa kushte, sharjen, shantazhin apo fyerjen.

Si e vlerësoni presidencën Topi deri tani? A e ka mbajtur premtimin për të qenë president i të gjithë shqiptarëve, jo përfaqësues i interesave të partisë prej nga ka ardhur?

E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris, se një ish-president nuk është mirë të bëjë komente për punën e pasardhësit të tij. I mbetem kësaj bindjeje, e cila ka të bëjë me ato që thashë edhe më lart; me respektin ndaj institucionit dhe vetvetes. Uroj që presidenti Topi të ketë sukses në përballjen me tendencat e rrezikshme të shtetit tribal, që po triumfon tek ne.

اfarë raportesh keni sot me kryeministrin Berisha, ish-kryeministrin Nano dhe me kryetarin aktual të PS-së? Po me homologët tuaj më rajon dhe më gjerë?

Nuk janë të rëndësishme detajet e raporteve të mia me politikanë të caktuar brenda vendit, sidomos me emrat e mësipërm. Unë jam i lumtur dhe krenar që kam e ruaj marrëdhënie korrekte dhe aktive me një numër shumë të madh qytetarësh në të gjithë vendin, të cilët, edhe pse nuk kanë poste politike, janë pasuria më e çmuar e këtij vendi. Po ashtu, kam marrëdhënie miqësore dhe të vazhdueshme me homologët në rajon e më gjerë. Këto ditë mora pjesë në një forum presidencial në Francë, i cili emërtohet “Këshilli Europian mbi Tolerancën dhe Pajtimin”, që do të zhvillojë një punë të madhe për të kontribuar për një botë më të qetë dhe më tolerante. Po ashtu kam marrë pjesë në disa aktivitete të ndryshme ndërkombëtare që janë zhvilluar në Berlin, Londër etj. Kam kontakte të vazhdueshme me diplomatët që gjenden në vendin tonë, me të cilët shkëmbej mendime mbi forcimin e marrëdhënieve midis vendeve tona dhe zhvillimin e ndryshimeve demokratike në vendin tonë.

INTEGRIMI Nث NATO
“Falë mbështetjes amerikane dhe këmbënguljes së presidentit Bush, por edhe të aleatëve kryesorë europianë, Shqipëria dhe Kroacia përfituan ftesën dhe shansin historik të bashkimit politik me NATO-n. Merita e ftesës nuk lidhet me një apo dy qeveri, madje as me emra të veçantë politikanësh e shtetarësh”

TRAGJEDIA E GثRDECIT
“Unë kam besuar dhe besoj se ushtarakët, më shumë se përgjegjës, janë viktima të politikës dhe të individëve politikë të papërgjegjshëm, të cilët e përdorën Ushtrinë për abuzime nga më të pashembulltat; i kthyen pasuritë e Ushtrisë në pronë të tyre. Unë besoj se Prokuroria do të ketë aftësinë dhe përgjegjësinë të zbardhë të vërtetën deri në fund”

ZGJEDHJET Nث SHQIPثRI
“Interesat elektorale të 2-3 individëve apo të partive mbajnë peng reformën zgjedhore për të gjetur një zgjidhje të sforcuar në limitet e fundit kohore. Qeveria e sotme, në rrugë zyrtare, më ka informuar në nëntor të 2005-s se brenda vitit 2006 të gjithë qytetarët do të ishin të pajisur me kartat e identitetit. Sot jemi në vitin 2008 dhe ende nuk ka asnjë rezultat”

RAPORTI MES PUSHTETEVE
“Janë më shumë se 30 fjalime publike kundër gjykatave, një pushtet paralel me Ekzekutivin, që nuk ka lidhje varësie nga qeveria. Pra është vetë politika që e zgjat tranzicionin, nuk pranon të marrë dhe të ushtrojë vetëm pushtetin që u jep Kushtetuta, por tentojnë e tentojnë me lloj-lloj metodash të marrin pushtet ekstra kushtetues, mbi Presidentin, mbi Parlamentin, Gjyqësorin, Prokurorinë, shërbimet sekrete”

PRESIDENCA TOPI
“E kam thënë edhe më parë dhe po e përsëris se një ish-president nuk është mirë të bëjë komente për punën e pasardhësit të tij. I mbetem kësaj bindjeje, e cila ka të bëjë me ato që thashë edhe më lart; me respektin ndaj institucionit dhe vetvetes. Uroj që presidenti Topi të ketë sukses në përballjen me tendencat e rrezikshme të shtetit tribal, që po triumfon te ne”

PRESIDENT MBI PALET
“Ndjehem mirë kur shoh se kritikë e mbështetës, në media e në politikë, por sidomos qytetarët e thjeshtë, pavarësisht nga komentet subjektive, në thelb çmojnë dhe evidentojnë modelin e presidentit kushtetues që krijova gjatë mandatit tim. Unë mendoj se shqiptarët kanë pasur dhe kanë nevojë për president mbi palët, por është gjithashtu e nevojshme që vetë aktorët politikë të pranojnë statutin e presidentit”

albania
 
Ky kur ishte president e beri "katerbal" ose "katerpal",per te qeneme korrekt me gjuhen shqipe te sotme.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top