Miss Metamorfoza

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Miss Metamorfoza

Një herë e një kohë ishte e para në fushën e basketbollit, kapitene e ekipit për femra “Sport Klub Tirana”. Tani po synon të pushtojë një fushë kryekëput ndryshe, atë të modës. Për këtë i është dashur të ndryshojë 100 %. Ja se si...

Suadela Balliu



Sapo hap faqen zyrtare të “Miss Universe”-it dhe klikon mbi të parën konkurrente në listën e gjatë sipas rendit alfabetik, nëse nuk lexon Albania mbi fotografinë e bukuroshes pretendente për kurorën që të shfaqet në foto e veshur me kostum banje dhe me një trëndafil mes flokësh, do ishte pothuajse e pamundur ta gjeje vetë se ajo është Matilda Mcini, e përzgjedhura për të përfaqësuar këtë vit bukurinë shqiptare.

Duket se nga ajo vajza me flokët e gjatë në ngjyrë gështenjë, e cila në mbrëmjen e 4 prillit – pasi kishin përfunduar ethet e konkursit të organizuar si çdo vit nga “Jeta Media Company” – nuk lodhej së u buzëqeshuri fotografëve, të ftuarve që e uronin, kolegeve që e përgëzonin për fitoren, ka mbetur fare pak.

Flokët e derdhur e të gjatë i ka prerë fare shkurt duke ngjasuar pak me modelet punk. Gështenja e thellë tashmë ka marrë nuanca të verdha platini.

Stili i saj duket gati transgresiv dhe qëndrimi misterioz. Por asgjë nga këto nuk ia zbehin joshjen. Përkundrazi, i nxjerrin pakursyer në pah sytë jeshilë dhe buzët e plota. Megjithatë, ata që e njohin mirë e dinë se edhe kjo pamje e re nuk përbën edhe aq çudi, sepse me shndërrimet Matilda ka kohë që bashkëjeton duke bërë kapërcime gati akrobatike, që u përngjajnë atyre pasimeve të topit në fushat e basketbollit, në përpjekjet për të shënuar një pikë të rëndësishme në rrjetën e kundërshtarit. E kjo është lëvizja që ajo di të bëjë më mirë. Tashmë jo vetëm në fushat e basketbollit ku është mësuar prej vitesh të shënojë për të renditur ekipin e saj për femra “SK Tirana” në vendet e para, por edhe në fushën e re që ka nisur të zotërojë, atë të spektakleve të bukurisë dhe modës.

Për të arritur aty ku do, për t’i hyrë botës së modelingut, për t’u shpallur ikonë bukurie e për t’u renditur mes 80 bukurosheve nga i gjithë planeti, basketbollistes i është dashur të ndryshojë shumë gjëra te vetja. Jo vetëm ngjyrën e flokëve – kur nga bionde natyrale u shndërrua në brune të ëmbël për të kaluar pastaj në një bukuri të platintë nordike – por edhe lëvizjet, sjelljen, fjalorin... Vajza arrakate duhet të bëhej një zonjushë elegante. Vetëm kështu mund të kalonte me sukses nga poli i shpenguar i sportit në polin mondan e delikat të modës.



Dy vjet më parë trokitja e saj në dyert e agjencisë “Jeta Modeling” i përngjante më shumë një aventure adoleshentesh se sa një vendimi të marrë shumë seriozisht mbi të ardhmen. Megjithatë, ishte e vetëdijshme se kishte një bukuri jo edhe aq të zakontë. Ia kishin zbuluar më së shumti të tjerët, sidomos në ambientet e pallateve të sportit. Gjatësinë prej 180 centimetrash do t’ia kishin zili mjaft vajza. Komentet e miqve apo të familjarëve mbi hiret e saj apo edhe të ndonjë zëri ziliqar: “Të kisha unë trupin e saj me siguri do të isha bërë modele”, nuk do ta linin pa ia shtuar kërshërinë dhe dëshirën për t’u gjendur brenda një agjencie modelesh. Në fund të fundit, natyra i kishte dhënë shumë, por ndërsa do të kapërcente atë derë, do të kuptonte se vetëm kaq nuk mjaftonte. Do t’i duhej të mësonte shumë e shumë gjëra për t’u prezantuar ashtu siç duhet në botën ku po synonte të hynte.

Veshja fare e thjeshtë, flokët e lëna ashtu shkujdesur mbi supe, njollat e mbetura nëpër këmbë e krahë prej ndeshjeve të basketbollit, duart e pakuruara, fytyra e patrukuar fare... ia zbehnin jo pak bukurinë natyrale ditën kur ajo do të paraqitej në zyrat e agjencisë së modeleve. Qëndrimi, sjellja e gjithë lëvizjet e saj nuk prezantonin veçse një vajzë çapkëne, që veç basketbollit – apo dhe ndonjë loje futbolli me djemtë – nuk njihte asgjë tjetër. Informacionet e marra me doza koprace mbi kriteret që kërkoheshin për të qenë modele, parametrat që duhet të plotësonte për t’i hyrë kësaj pune, ca të shkëputura nga ndonjë dëgjim rrëmbimthi në kanalet televizive të modës, ca nga ndonjë rresht që i kishin zënë sytë duke shfletuar revista, nuk mjaftonin. Megjithatë, sytë e profesionistëve e pikasën bukurinë e saj. Pas pak kohësh, pasi i kishte mësuar disa gjëra, e përzgjodhën si fituesen mes 37 vajzave që do të konkurronin në “Miss Universe Albania”. Nuk kishin gabuar. Sapo i bënë make up-in e krehjen moderne, sapo i veshën një fustan elegant, Matilida Mcini nuk i ngjante më asaj vajzës së ditës së parë që trokiti në derën e “Jeta Media Company”. Nën dritat e sallës, ndërsa kalamendej mbi takat e larta e ngulte vështrimin tek juria e aparatet fotografike, ajo dukej si një modele e vërtetë e aspak më si ajo çapkënia basketbolliste.

Fustani në jeshile të smeraldtë, që kishte veshur në sfilatën e fundit të konkursit dhe kurora e fitores mbi kokë, që iu shtua pak çaste më pas duke e përzgjedhur si më të bukurën mes gjithë konkurrenteve, e largonin edhe më shumë nga imazhi i vajzës së parë.



Shumë shpejt Matilda Mcini do të shndërrohej në imazh. Kësaj here, jo në imazhin qendror të ekipit të basketbollit për femra “SK Tirana” – ku kishte arritur të ishte kapitene në moshën 16-vjeçare – por në imazhin e markave të ndryshme të veshjeve dhe aksesorëve. Tani bezdinë dhe stepjen, që i shkaktohej dikur nga shkrepjet e panumërta e flakëruese të aparateve fotografikë mbi sy, e ka shndërruar në një lojë argëtuese.

Tamam si një ndeshje basketbolli, si ca zhytje brenda ujit apo ca faulle të shkaktuara kundërshtarëve në ndeshjet e improvizuara të futbollit. Këshillat e fotografëve, që për njerëzit normalë duken sikur flasin në gjuhë të koduar kur sugjerojnë pozat, qëndrimet, shikimin, buzëqeshjet apo impostimin e buzëve, tani i ka mësuar përmendsh.

Jo vetëm kaq. Matilda nuk ka pasur frikë të eksperimentojë dhe me imazhin e ikonës më të madhe të bukurisë së të gjitha kohërave. Në një set të tërë fotografik, ajo solli mishërimin e divës hollivudiane Marilyn Monroe. Ngjasimi ishte mbresëlënës dhe jo vetëm nga germa e parë e emrit, por edhe nga flokët biondë me onde të mëdha, me gjatësinë që nuk i kalonin supet dhe nga fustani i bardhë i ngjashëm me të famshmin e Monroe-së, që duket sikur vallëzon me erën ndërsa fotografohet.





Për të mbërritur në aventurën amerikane, i duhej të shtypte përsëri fjalëkalimin “shndërrim”. Kështu, “Jeta Media Company” mundësoi udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara dhe një sërë trajnimesh e setesh fotografike, të cilave i duhej t’u nënshtrohej përpara se të bëhej gati për të udhëtuar sërish. Kësaj here drejt destinacionit final të ëndrrës së saj: qytetit Nha Trang të Vietnamit. Fotografitë e realizuara nga fotografi Fadil Berisha, i cili është edhe fotografi zyrtar i “Miss Universe”-it, pushtuan menjëherë faqet e internetit.

Tashmë në forume nuk mungojnë diskutimet, komplimentet e as krahasimet e Matildës me Merylin Monroe, Charlize Theron apo Scarlet Johansson. Mbi emrin e Matilda Mcinit klikohet pafund nga të gjitha anët e botës. Tashmë njihet kudo. Ajo ia doli me të vërtetë të hyjë në botën e modelingut edhe në atë të spektakleve të bukurisë. Rrugëtimi drejt “Miss Universe”-it – që këtë vit organizohet në Vietnam – edhe pse i ka të gjitha gjasat të duket si një aventurë, për Matildën nuk është aspak i tillë. Nëse dy vjet më parë trokiti në derën e “Jeta Media Company” si për të luajtur një lojë të re jashtë fushës së basketbollit, ku ishte mësuar të luante prej kohësh, tani prezantimin e Shqipërisë në një konkurs ndërkombëtar nuk e quan aspak kështu. Tashmë ajo është shndërruar në një ikonë bukurie.



Sommario



Veshja fare e thjeshtë, flokët e lëna ashtu shkujdesur mbi supe, njollat e mbetura nëpër këmbë e krahë prej ndeshjeve të basketbollit, duart e pakuruara, fytyra e patrukuar fare... ia zbehnin jo pak bukurinë natyrale ditën kur ajo do të paraqitej në zyrat e agjencisë së modeleve





Sytë e profesionistëve e pikasën bukurinë e Matilda Mcinit dhe e përzgjodhën mes 37 vajzave që do të konkurronin në “Miss Universe Albania”. Dhe nuk kishin gabuar. Sapo ra në duart e stilistëve dhe grimierëve, nuk i ngjante më asaj vajzës së ditës së parë që trokiti në derën e “Jeta Modeling”



Box

Fustani i gjatë saten në ngjyrë të zezë dhe pelerina e kuqe me shqiponjën dykrenare, e veshur nga Matilda Mcini për garën e kostumeve tradicionale në “Miss Universe”, është klasifikuar ndër dhjetë më të mirët, mes Kolumbisë, Kosovës, Indisë, Venezuelës etj.



Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top