Martin Luteri

Lauri

Anunnak
Martin Luteri, murgu i mirë, që sfidoi Kishën dhe na “dhuroi” protestanizmin

martin_zpso2ro5kn8.jpg

Përgjatë shekujve, Luteri (1483-1546) është identifikuar në mënyra të ndryshme, si një avokat i monarkisë absolute, demokracisë, lirisë individuale, shtypjes intelektuale, nacionalizmit, internacionalizmit, spiritualizmit dhe laicizmit. Fakti që kaq shumë njerëz kanë pretenduar se murgu i Vitenbergut është një stërgjysh i vetë bindjeve të tyre, është dëshmi e staturës së këtij njeriu. Në të vërtetë, do të ishte e vështirë të identifikohej ndonjë individ tjetër që, pa patur pushtet politik apo pa udhëhequr ushtri, ka ndryshuar në mënyrë mëse vendimtare kursin e historisë. Edhe epoka jonë post-kristiane nuk mund ta fshijë. Megjithatë, ne duhet t’i rezistojmë tundimit për ta rikrijuar atë sipas imazhit tonë. Ai ishte një figurë fetare; betejat e tij u luftuan për çështje teologjike që sot për ne mund të duken të pakuptueshme, por pasojat e të cilave kanë prekur çdo fushë të jetës.

Do të ishte e vështirë të identifikohej ndonjë individ tjetër që, pa patur pushtet politik, apo pa udhëhequr ushtri, ka ndryshuar në mënyrë vendimtare kursin e historisë. Edhe epoka jonë postkristiane nuk mund ta fshijë. Megjithatë, ne duhet t’i rezistojmë tundimit për ta rikrijuar atë sipas imazhit tonë. Ai ishte një figurë fetare; betejat e tij u luftuan për çështje teologjike që sot për ne mund të duken të pakuptueshme, por pasojat e të cilave kanë prekur çdo fushë të jetës…

Praktikisht, Jacob Burckhardt kish të drejtë kur e identifikonte reformimin, si një arrati nga disiplina. Për shekuj të tërë, Kisha kish patur monopolin e propagandës; afresket, takëmet e vendeve të shenjtë dhe altarëve, veprimtaritë pastorale dhe edukuese të klerit, të gjitha flisnin për nevojën e jashtëzakonshme të njerëzve që të përgatiteshin për botën që do të vinte. Kjo do të thoshte të shfrytëzonin mjetet e këshilluara prej eprorëve të tyre spiritualë. Kleri kishte çelësin për lumturinë e përjetshme, ose mundimet e përjetshëm. اdokush që kish dyshime, apo shpallte një program rival, ishte heretik dhe ndaj tij veprohej ashpër. I vetmi autoritet spiritual buronte nga Roma. Luteri, megjithatë, këmbënguli se kishte një tjetër burim autoriteti, më i lartë: Fjala e Zotit e shkruajtur në Bibël. Në predikimet dhe mësimet e tij, por mbi të gjitha në konfrontimet e tij publike me liderë spiritualë dhe me kalimtarë, ai u jepte leje njerëzve që të vinin në dyshim çdo gjë që u mësonte hierarkia katolike, që ta gjykonin ata vetë, përkundrejt dëshmisë së Biblës.

اdo përpjekje për të vlerësuar impaktin e Luterit duhet të nisë me mënyrën si ai ripërcaktoi individin. Udhëtimi i tij spiritual ishte personal. Në vitin 1505, ai hoqi dorë nga karriera ligjore dhe hyri në manastirin augustian në Erfurt, me qëllim që të shpëtonte shpirtin e tij të pavdekshëm. Ai po ndiqte rrugën e vetëmohimit dhe shenjtërimit, siç përshkruhej nga Kisha prej shekujsh. Për të paktën tetë vite, ai bëri maksimumin. Nuk arriti të gjejë ngushëllimin që kërkonte për arsye se, përveçse me një ndërgjegje të ndjeshme, ai qe bekuar edhe me një mendje të mprehtë e logjike. Ai mund të shihte të meta në sistemin e ndëshkimit që predikonte Kisha: Nëse pendimi dhe mohimi praktikoheshin në interes të vetëfrenimit, atëherë ata ishin egoistë, domethënë mëkatarë. Ai nuk ishte në vetvete i pari që e gjente veten në mes rutinës së mëkatit, rrëfimit, faljes, dyshimit. Ishte një situatë e vështirë dhe e pafund. Gjithnjë i pranishëm ishte imazhi i “fundit” i Krishtit, që ndante delet nga dhitë dhe që i dërgonte këto të fundit në torturat e ferrit. Luteri zbuloi në letrën e Palit drejtuar romakëve, shpatën për të zgjidhur nyjen gordiane: “Drejtësia e

Perëndisë zbulohet nga besimi në besim… njeriu i drejtë do të jetojë duke besuar”. Ashtu si shumë të krishterë më parë, që atëherë, ai zbuloi ekstazën të çlirimit.

Ai mund ta kish lënë me kaq dhe si një murg i mirë, të kish predikuar justifikim vetëm përmes besimit, si një e vërtetë që në një farë mënyre do t’i përshtatej sistemit tradicional të Kishës. Por, nuk mundej. Labirinti i teologjisë skolastike dukej se nuk lejonte arritjen në të vërtetën e madhe qendrore, që Luteri kish zbuluar. Logjika e tij e papajtueshme e bindi të propozojë, në 95 tezat me të cilat sfidoi publikisht Kishën në vitin 1517, se praktika e indulgjencave, me anë të të cilave blerësit mund të siguronin shlyerje të dënimeve për mëkatet kur të shkonin në botën tjetër, ishte një çështje që kërkonte debat teologjik urgjent. Kur regjimi papnor refuzoi të bëjë këtë debat, atëherë nisi problemi i vërtetë. Luteri sfidoi Papën, Inkuizicionin dhe trupën e teologëve katolikë. I thirrur përpara Konferencës Imperiale nga Perandori Karl V në Uorms në prill 1521, Luteri refuzoi të tërhiqet mbrapsht, duke këmbëngulur “se ndërgjegjja është e robëruar prej fjalës së Zotit… Nëse nuk bindem nga shkrimet dhe nga arsyeja, nuk do të sprapsem”.
 
Titulli: Martin Luteri

Me zor mundesh që të ekzagjerosh për domethënien dhe pasojat e këtyre fjalëve. Luteri nuk po sfidonte thjesht mësimet e akumuluara të Kishës; ai po thoshte se çdo njeri që kishte Biblën e tij apo të saj mund të bëhej teolog i vetvetes. Nëse Zoti kish ofruar Biblën si një fener për rrugën që duhet të ndjekë besimtari, atëherë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur duhet të nxiten ta lexojnë. Kështu që ai e përktheu dhe botoi në gjermanisht. Brenda pak vitesh, qindra laikë po shkruanin libra devocioni dhe botime e pamflete polemizues. Ish harruar tashmë ideja se gjithë sa u nevojitej njerëzve ishin aftësitë që i lejonin t’u përgjigjeshin thirrjes së Zotit në një shoqëri hierarkike. Tashmë, mësimi ishte diçka që duhej vlerësuar në vetvete. Në vitin 1524, Luteri u shkroi autoriteteve lokale në të gjithë Gjermaninë, duke u bërë thirrje që të hapnin shkolla elementare për të gjithë fëmijët, përfshirë vajzat. Reagimi nuk ishte dramatik, por deri në 1580, gjysma e komunave në Saksoninë elektorale kishin shkolla për djem dhe në 10% kishte të tilla edhe për vajza. Siç ka thënë historiani amerikan Steven Ozment, “nuk është e tepërt ta quash lëvizjen e parë protestante, iluminimin e parë perëndimor”.

Luteri zëvendësoi autoritetin e Kishës me atë të Biblës. Por, ishte gjithmonë Bibla dhe arsyeja. Me tekstin në duar, çdokush mund të realizonte shpëtimin e vet dhe nuk kish më nevojë për shërbimet e një prifti ndërmjetës. Kjo kish pasoja që rrihnin larg. Nëse e vërteta i përket ekskluzivisht një kaste priftërinjsh, çdo sistem i ndërtuar mbi këtë themel do të jetë autokratik. Por, nëse e vëteta ndodhet në një libër të cilin çdokush mund ta lexojë, atëherë autoriteti mund të sfidohet me miratim hyjnor. Kështu u hapej rruga mënyrave të tjera, përfshirë demokracinë. E vërteta është se vetë Luteri u tërhoq nga pasojat më revolucionare të një Bible të hapur. Ai nuk inicioi personalisht debate për çështje të tilla si, mënyrën si të krijohet një commonwealth besimtarësh, nëse tiranët duhet të rrëzohen, apo ekuilibrimin mes kurorës dhe Parlamentit. Por, qëndrimi i tij kurajoz kundër Papës dhe Perandorit Romak, mishërimet politike të autoritetit tradicional, ndezën zjarr imagjinatën dhe shtuan vendosmërinë e frymave më radikale në krishtërimin perëndimor.

Megjithatë, Luteri asnjëherë nuk e sfidoi hapur establishmentin. Kjo e veçon atë nga shumica e reformuesve të tjerë fetarë të kohës së tij. Wycliffe, Savonarla, Hus dhe rebelë e priftërinj të tjerë karizmatikë zakonisht e kishin patur fillesën në hallet e popullit, shtypjen, korrupsionin, zhvatjen. Shumë e vishnin mesazhin e tyre me një gjuhë apokaliptike, duke shpallur se ishin dërguar për të pastruar botën në përgatitje për Ardhjen e Dytë. Por jo Luteri. Ai dëshironte të rikthente Kishën në pastërtinë e vet të Testamentit të Parë. Në këtë dëshirë, ai qe në një linjë me një pjesë të madhe të opinionit publik, duke përfshirë studiuesit humanistë, mbretërinë e madhe edhe Perandorin. Kishte një kërkesë për krijimin e një këshilli të përgjithshëm të Kishës, për të iniciuar reformat. Vetëm kur disa papë të njëpasnjëshëm refuzuan të bëjnë lëshime për çdo gjë që do të kish dobësuar pushtetin e Romës, atëherë Luteri konkludoi se papati duhet të jetë antiKrishti, që do e shkatërronte nga brenda komunitetin e krishterë.

Nga pikëpamja e politikës laike, një etiketim anakronik, por ndoshta i përshtatshëm për të është “reaksionar i djathtë”. Teoria politike që ai gjeti në Testamentin e Ri ishte, që Perëndia urdhëroi mbretërit të ruajnë rendin dhe se të qeverisurit prej tyre (përfshirë klerin), duhej t’u bindeshin. Më pas, thuhej se udhëheqësit laikë ishin të ngarkuar me reformimin e kishave në territoret e trye. Ai mbrojti masa të tilla, si përfundimin e juridiksionit eklesiastik për çështje martesore.

Luteri ndiente neveri për anarkinë. Ai ndante një frikë për rebelimin dhe kaosin, që qëndronin shumë pranë sipërfaqes në jetën mesjetare, por për të rendi publik ishte një çështje veçanërisht e ndjeshme, për arsye se rebelimet politiko-fetare në Gjermani i dhanë armiqve të tij një shkop për ta rrahur atë. Kjo shpjegon arsyen përse ai reagoi aq dhunshëm ndaj luftës së fshatarëve të viteve 1524-1525, një kryengritje e përhapur popullore kundër princëve laikë, nga njerëzit e zakonshëm, disa prej të cilëve kishin nxjerrë konkluzione shoqërisht radikale pikërisht nisur nga mësimet e Luterit.
 
Titulli: Martin Luteri

Duke bërë këtë, Luteri humbi mbështetjen e shumicës së popullatës. Thirrjet e tij të njohura drejtuar fisnikërisë gjermane për të “goditur, vrarë dhe therur” çdo rebel, ashtu “si vritet një qen i çmendur” shkaktuan akuzat se atë e kishin futur në xhep princat, një thumbim që deri në një farë mase ishte i justifikuar. Pasi kish siguruar tashmë ndihmën e kryekomandantëve gjermanë për ta mbrojtur nga Kisha dhe Perandori, Luteri nuk mund të pengonte që lëvizja e tij të merrej peng nga këta njerëz me pushtet, të cilët u bënë bashkë në vitin 1530 për të krijuar Ligën Shmalkaldike.

Luteri i paralajmëroi vazhdimisht që të mos i shpallnin luftë perandorit. Nëse do ta bënin, “ata nuk do të kishin ndërgjegje të pastër përpara Zotit, asnjë bazë ligjore përpara perandorisë dhe aspak nder përpara botës. Kjo do të ishte e tmerrshme”. Por shumë pak vetë e dëgjonin.

Establishmenti i ri protestant kish marrë atë që donte nga Luteri dhe tashmë, axhenda e tij politike jokonfrontuese tingëllonte krejt pa lidhje në veshët e tyre.

Një gjë e tillë ngre pyetjen se mos Luteri duhet parë si një apostul i absolutizmit. Disa autokratë të mëvonshëm kanë pretenduar se ai ka qenë babai themelues i tyre. Nuk është koinçidencë që statujat e reformuesit u ngritën në Uorms dhe Uitenberg në shekullin 19, një kohë kur Gjermania po ndërtonte perandori; as edhe që Hitleri e përshkruan Luterin si një bashkëudhëtar në librin e tij “Mein Kampf”. Po çfarë do t’u thoshte njeriu që kish vendosur imazhin e tij kundër militarizmit, në shërbim të shtetit protestant, atyre ushtarëve që në vitin 1914 marshuan drejt frontit duke kënduar himnin e tij, “Ein feste Burg”?

Po ky apostull i absolutizmit u lëvdua nga filozofi gjerman Johan Fichte në 1793 si “shenjti mbrojtës i lirisë”, i cili “theu zinxhirët e njerëzimit” dhe hija e të cilit ngriti dorën e tij, për të bekuar francezët që përmbysën regjimin e lashtë.

Luteri ishte sigurisht një patriot gjerman. Një element bazë në kundërshtimin e tij ndaj Romës, ishte neveria që ai ndiente për “italianët shterpë”.

Ai ndante fyerjen e shumë prej bashkatdhetarëve të tij kur shihnin privilegjet e klerikëve të lartë, të cilët as nuk donin t’ia dinin për njerëzit dhe që përdornin të ardhurat e Kishës për të jetuar mes luksit në stil transalpin. Kur Papa Julius II inicioi një “taksë” për të paguar për ndërtimin e bazilikës së re të Shën Pjetrit në Romë, ai do të ishte gjithmonë jo popullor në shtetet gjermane dhe pasardhësi i tij, Leo X priti katër vite pas vdekjes së Juliusit përpara se të dërgonte mesazherë të tij atje. Kur Luteri shprehu kundërshtimin e tij ndaj këtij projekti tek 95 tezat, ai thjesht po përsëriste një ankesë që dëgjohej në çdo shtëpi birre dhe pazar.

“Përse Papa, pasuria e të cilit është sot më e madhe se e Krasusit më të pasur, nuk e ndërton këtë bazilikë të Shën Pjetrit me paratë e tij, por kërkon ta ndërtojë me paratë e besimtarëve të varfër”?

Kjo gjë u shpreh me protestat zyrtare në nivelet më të larta. Pikërisht në konferencën e Uorms ku Luteri u pyet dhe më pas u kritikua nga Perandori, shtetet gjermane paraqitën gjithashtu një katalog me “102 barra e masa shtypëse si dhe abuzime të bëra mbi Perandorinë Gjermane, nga Selia e Shenjtë e Romës”. Por, një plasë ishte shfaqur tashmë dy vite më herët, në 1519, kur Perandori Romak i lindur në Austri, Maksimiliani

I ishte pasuar nga Karli V, një spanjoll, duke u dhënë kështu liderëve politikë gjermanë, një tjetër entitet të huaj kundër të cilit të identifikoheshin. Në fillimet e shekullit 16, “Perandoria Romake e Kombit Gjerman”, që në 1667 u përshkrua si një “trup që nuk pajtohet me asnjë rregull dhe që i ngjan një monstre”, ishte një mish-mash shtetesh elektorale, princërore dhe eklesiastike, si dhe qytetesh të lirë që nuk ishin aspak të etur për një identitet kulturor.
 
Titulli: Martin Luteri

Por reformimi vuri në punë studiuesit, artistët dhe historianët, në kërkim të asaj që i bënte trashëgimtarët e Charlemagne një popull të ndryshëm nga të tjerët. Vetë Luteri pati një kontribut shumë të madh në këtë drejtim. Mes viteve 1520 dhe 1546 ai ishte personalisht përgjegjës për një të tretën e të gjithë botimeve amëtarë. Ai shkruante në një gjermanishte korrekte që herë pas here mund të ishte vulgare ose poetike. Arritja e tij më e madhe ishte Bibla gjermane (botuar në 1534), e cila ndihmoi më shumë se çdo gjë tjetër, për të shkrirë në një identitetet rajonalë. Jo më pak me ndikim ishin katekizmat që Luteri shkroi për “popullin e dashur gjerman”.

Nëse 1517 dhe 1521 janë data të rëndësishme në jetën e Luterit, 1525 është po kaq domethënës. Në mesin e Luftës së Fshatarëve dhe në një kohë kur ndodhej në mes të një debati teologjik me Erazmin, Luteri befasoi të gjithë miqtë e tij dhe shqetësoi shumë prej tyre: Ai u martua. Kur u pyet përse po e bënte këtë gjë kur ishte 43 vjeç, ai shpjegoi se përderisa kish këshilluar murgj e murgesha që ishin larguar nga manastiri që të martoheshin, duhej që edhe vetë të jepte një shembull.

Ndoshta më afër të vërtetës mund të jetë fakti që faktor kryesor ka qenë zonja. Katerina fon Bora ishte një grua me vullnet të hekurt dhe shumë e vendosur, një murgeshë katolike 17 vjet më e vogël se ai, të cilën Luteri e kish ndihmuar të largohej nga një konventë.

Kjo ngjarje e ndau moshën e pjekur të Luterit në dy gjysma të barabarta: Prej 21 vjetësh ai kish hyrë në manastir, dhe tashmë i mbeteshin mbi

20 vite për të shijuar jetën familjare. Por ai nuk u tërhoq në rutinën shtëpiake. Statusi i ri ishte po aq shumë një demonstrim i të vërtetës biblike, sa ç’kish qenë edhe kundërshtimi prej tij i faljeve të paguara. Ai shpallte se virgjëria dhe beqaria nuk janë vokacione superiore. Kjo ide lartësonte bërthamën e familjes, si bllokun kryesor ndërtues të shoqërisë. Vinte theksin në rëndësinë e shtëpisë për ushqimin e fëmijëve në një mënyrë kristiane, si dhe për ushtrimin e mikpritjes. Kjo e përfshinte atë vetë në atë botë të vogël marrëdhëniesh intime, me gëzimet dhe dhimbjet e saj, ku laikët kalonin në fakt jetët e tyre. Shkurt, familja e Luterit që u rrit në konventën e vjetër augustiane në Uitenberg u bë modeli i familjes paternaliste protestante, një miniaturë e Kishës, ku kreu i familjes ishte peshkopi i saj, që mblidhte fëmijët dhe shërbëtorët përreth tij për lutjet e përditshme, si dhe i udhëhiqte në ndërtesën e Kishës për faljet e të dielës.

Që nga fundi i Perandorisë Romake në 1806, Gjermania ka përjetuar kriza të vazhdueshme identiteti, të cilat kanë patur impakte shkatërrimtare edhe mbi pjesën tjetër të Evropës. Ndarja e vjetër veri-jug u zgjidh nga prusifikimi prej Bismarkut i perandorisë së re, por rezultoi në një eufori nacionaliste që Kancelari i Hekurt nuk kish fuqi ta kontrollonte. Të tilla qenë edhe fatkeqësitë e 1914-1918 dhe 1939-1945, të cilat sot mund të shihen si një konflikt i vetëm, në fund të të cilit Gjermania doli edhe një herë e ndarë, këtë herë mes Lindjes dhe Perëndimit. Arritja e kombësisë i ka kushtuar shtrenjtë Gjermanisë dhe fqinjëve.

ثshtë e pashmangshme që partizanët e një Rajhu më të madh të kenë dashur të rendisin në kauzën e tyre një prej gjermanëve më patriotë. Në kapërcimin e shekullit 20, udhëheqësve luterianë u duhej të zgjidhnin nëse duhej të mbështesnin apo jo politikat ekspansioniste. Ata që e bënë, si anëtarët e Partisë Kristiane gjermane përdorën pa hezituar emrin e themeluesit të tyre, për të bindur elektoratin që triumfi i racës superiore ishte shkruar në palcën e popullit gjerman dhe se Luteri kish futur kombin në një kurs të pashmangshëm, duke hedhur tej ndërhyrjet nga jashtë. Kështu lindi legjenda “nga Luteri-tek-Hitleri”.

Por, reformatori nuk ishte asnjëherë nacionalist në kuptimin modern të fjalës. Ai ishte mbi të gjitha, një pastor. Shumë prej bindjeve të tij u shprehën në libra dhe pamflete që u shkruajtën për të ndihmuar njerëzit që konsultoheshin me të, për problemet e tyre. Kështu, për shembull, kur një ushtar mercenar erdhi tek ai me një ndërgjegje të trazuar, rezultati ishte një tjetër pamflet: “Nëse, edhe ushtarët mund të shpëtohen”. Ndonëse jetoi gjatë, Luteri punoi vetë drejt vdekjes së tij. Ai përshpejtoi fundin e tij duke udhëtuar në kushte të këqija moti, për të zgjidhur një mosmarrëveshje mes një pronari tokash dhe fqinjëve të tij.

Atëherë, Luteri e preku jetën në çdo nivel të sajin, individin, familjen, kishën, shtetin, dhe ai e bëri këtë jo si një filozof pedant, por si një qenie njerëzore prej mishi e gjaku, duke u munduar për çëshjet e rëndësishme me të cilat përballeshin të gjithë bashkëkohësit e tij. Ai qe një teolog, që e jetoi teologjinë e tij.

Luteri vendosi Biblën në qendër të gjithçkaje, dhe ashtu sikurse e zbatoi për çdo problem të princëve apo fshatarëve, u përpoq ta jetojë edhe vetë. Në të vërtetë, askush më shumë se sa Martin Luteri nuk i ngjan heroit me cene, për të cilin teksti i shenjtë ofron kaq shumë shembuj. Nëse sot ne nuk e gjejmë simpatik, kjo ndoshta ndodh për arsye se nuk ndajmë këndvështrimin e tij biblik për botën.

Nga Derek Wilson
Pergatiti: E. Gjinaj
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top