Ligji i Arsimit

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
L I G JI ( I AXHORNUAR )

Nr.7952, datë 21.6.1995
PER SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR
ndryshuar me
Ligjin Nr.8387, datë 30.7.1998

PER DISA NDRYSHIME NE LIGJIN NR.7952, DATE 21.6.1995
"PER SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR"




Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991
"Për dispozitat kryesore kushtetuese", me propozimin e Këshillit të
Ministrave,

KUVENDI POPULLOR
I REPUBLIKES SE SHQIPERISE


V E N D O S I:

KREU I

PARIME TE PERGJITHSHME

Neni 1


Arsimi në Republikën e Shqipërisë është përparësi kombëtare. Ai realizohet në përputhje me parimet e sanksionuara në legjislacionin në fuqi, mbështetet në traditat e arritjet e shkollës sonë kombëtare dhe kryhet në përputhje me marrëveshjet dhe traktatet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë. Arsimi respekton të drejtat e fëmijëve dhe të të rriturve të sanksionuara në këto dokumente.

Neni 2

Arsimi ka për mision emancipimin shpirtëror, progresin material dhe zhvillimin social të individit.

Neni 3

Shtetasit e Republikës së Shqipërisë gëzojnë të drejta të barabarta për t'u arsimuar në të gjitha nivelet e arsimimit që përcakton ky ligj, pavarësisht nga gjendja sociale, kombësia, gjuha, seksi, feja, raca, bindjet politike, gjendja shëndetësore dhe niveli ekonomik.

Neni 4

Arsimi në Republikën e Shqipërisë realizohet në institucione arsimore publike dhe private, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Neni 5

Ministria e Arsimit dhe Shkences përgjigjet për realizimin e politikës shtetërore të arsimimit laik, të miratuar nga Këshilli I Ministrave.

Neni 6

Mësimet në institucionet arsimore publike të Republikës së Shqipërisë zhvillohen në gjuhën shqipe, me përjashtim të rasteve që parashikon ndryshe ky ligj.

Neni 7

7.1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
7.2. Në institucionet arsimore publike ndalohet indoktrinimi ideologjik e fetar.

Neni 8

Të gjithë fëmijët e moshës 6-vjeçare në Republikën e Shqipërisë regjistrohen në shkollat e arsimit të detyruar, i cili zgjat jo më pak se 8 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin e detyruar deri në moshën 16 vjeç.

Neni 9


Në institucionet arsimore publike shteti u siguron nxënësve falas mjediset mësimore, bazën materiale të tyre dhe personelin mësimdhënës.

Neni 10

10.1 Personave që u përkasin pakicave kombëtare u krijohen mundësi të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën amare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre brenda kuadrit të planeve dhe programeve mësimore.
10.2 Për të mundësuar një pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në jetën ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të Republikës së Shqipërisë, shteti krijon kushte që personat e pakicave të moshës shkollore të mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën shqiptare.
10.3 Planet e programet mësimore, si dhe raportet e përdorimit të gjuhës amtare dhe asaj zyrtare në procesin mësimor, përcaktohen me akte të veçanta të Ministrisë së Arsimit dhe Shkences.
10.4 Arsimi, për personat e pakicave, realizohet në njësi shkollimi dhe institucione arsimore të caktuara, hapja dhe funksionimi i të cilave bëhet sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

Neni 11

11.1 Personat me kombësi shqiptare që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë të drejtë të arsimohen në Republikën e Shqipërisë. Pranimi i tyre bëhet sipas akteve nënligjore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkences.
11.2 E drejta e shtetasve të huaj për t’u arsimuar në institucionet arsimore publike të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkences.

Neni 12

12.1 Institucionet arsimore publike bashkëpunojnë me prindërit për realizimin e detyrave të tyre.
12.2 Komuniteti i shkollave publike, i përbërë nga nxënësit, mësuesit, gjithë personeli tjetër i shkollës, prindërit dhe partnerë të tjerë socialë, synon ngritjen e nivelit mësimor-edukativ të nxënësve dhe integrimin optimal të tyre në jetën, emancipimin dhe përparimin e vendit.

Neni 13

Ministria e Arsimit dhe e Shkences përcakton me akte nënligjore kriteret e ekuivalentimit për rastet e fëmijëve shqiptarë që vijnë nga shkolla jashtë vendit.

Ministria e Arsimit dhe e Shkences përcakton kriteret per dhenien e Medaljes se Arte Nxenesve qe perfundojne arsimin e mesem publik apo privat me rrezultate te shkelqyera.

Neni 14

14.1 Në institucionet shkollore dhe parashkollore publike mësuesi është figura qendrore shkencore e pedagogjike. Ai zbaton programet e përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences. Mësuesi ka të drejtë të zgjedhë metodat dhe mekanizmat e përshtatshëm për zbatimin e programit themelor, duke u bazuar në aftësitë dhe përgatitjen e tij profesionale, duke siguruar një edukim të harmonizuar, duke ruajtur personalitetin e nxënësve dhe duke shmangur çdo ndikim që mund të krijojë me bindjet e tij sociale, politike e fetare.
14.2 Kërkesat bazë për përgatitjen iniciale dhe kualifikimin e mësuesve përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.
14.3 Mësuesit dhe personeli tjetër mësimor kanë të drejtën e kualifikimit pasuniversitar sipas kërkesave të Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences, si dhe forma të tjera në bashkëpunim me institucione kualifikuese të specializuara brenda e jashtë vendit.


KREU II

SISTEMI ARSIMOR PUBLIK

Neni 15


Sistemi arsimor publik në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga rrjeti i institucioneve arsimore publike, që realizojnë tërësinë e planeve dhe programeve mësimore në nivele të ndryshme shkollore e parashkollore. Kërkesat e programeve për institucionet shkollore dhe parashkollore publike përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

Neni 16

16.1 Rrjeti i instituconeve arsimore publike përbëhet nga shkolla të tipave të ndryshëm, duke përfshirë shkollat me kohë të plotë dhe me kohë të shkurtuar. Kriteret për hapjen dhe funksionimin e këtyre institucioneve përcaktohen me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences.
16.2 Sistemi arsimor publik përbëhet nga:
16.2.1 Arsimi parashkollor publik
16.2.2 Arsimi i detyruar publik
16.2.3 Arsimi i mesën publik.
16.2.4 Arsimi special publik.



ARSIMI PARASHKOLLOR PUBLIK

Neni 17

17.1 Arsimi parashkollor publik është niveli i parë i sistemit arsimor publik në Republikën e Shqipërisë.
17.2 Institucionet që realizojnë arsimin parashkollor janë kopshtet e fëmijëve.

Neni 18

Institucionet parashkollore publike, në bashkëpunim me prindërit, synojnë edukimin e zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe i parapërgatitin ata për në shkollë.

Neni 19

19.1 Regjistrimi në kopshte i fëmijëve të moshës 3-6 vjeç bëhet sipas dëshirës së prindërve dhe në përputhje me aktet e Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences.
19.2 Kopshtet funksionojnë gjatë gjithë vitit.
19.3 Kopshtet mund të jenë pa ushqim ose me ushqim. Kriteret e pagesës në kopshtet me ushqim caktohen nga Këshilli i Ministrave.

ARSIMI I DETYRUAR PUBLIK

Neni 20

Arsimi i detyruar publik është arsimi bazë, i njësuar dhe I përgjithshëm. Institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 21

Arsimi i detyruar publik synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t‏i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare.

Neni 22

21.1 Shkolla e arsimit të detyruar publik përfshin dy cikle:
- ciklin fillor;
- ciklin e lartë.
22.2 Cikli i lartë është vazhdim logjik dhe i natyrshëm I ciklit fillor.
22.3 Cikli fillor dhe cikli i lartë kanë tipare organizative dhe pedagogjike specifike, të cilat përcaktohen nga Ministria e Arsimit.
22.4 Shkolla e arsimit të detyruar mund të jetë shkollë me cikël të plotë ose shkollë me kohë të shkurtuar. Shtetasit që kanë mbushur moshën 16 vjeç, por që nuk kanë përfunduar arsimin e
detyruar, mund të ndjekin shkolla me kohë të shkurtuar. Këto shkolla funksionojnë në përputhje me udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences.

Neni 23

Sipas numrit të nxënësve, terrenit dhe klimës, procesi mësimor mund të realizohet edhe në klasa kolektive. Për këto raste Ministria e Arsimit dhe e Shkences nxjerr udhëzimet përkatëse.

Neni 24

Të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve i përfshin detyrimi shkollor, janë të detyruar t'i dërgojnë fëmijët e tyre në institucione publike ose private të arsimit të detyruar.

Neni 25

25.1 Regjistrimi i fëmijëve në klas- ‏ parë të shkollës së arsimit të detyruar bëhet me këto dokumente:
25.1.1 Certifikata e lindjes.
25.1.2 Certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
25.2 Regjistrimi i fëmijëve në klasat e tjera të shkollës së arsimit të detyruar bëhet me këto dokumente:
25.2.1 Dokumenti i përfundimit të klasës së mëparshme.
25.2.2 Certifikata e vaksinimeve e përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.
25.3 Institucioni arsimor, ku duhet te rregjistrohet femija, percaktohet nga organet e Pushtetit Lokal, me propozim te Drejtorise Arsimore te rrethit.

ARSIMI I MESEM PUBLIK

Neni 26


Arsimi i mesëm publik synon të zhvillojë në mënyrë sa më të plotë e harmonike personalitetin dhe potencialin e nxënësve, për t`i aftësuar ata të kontribuojnë në mënyrë sa më aktive në zhvillimet ekonomike, politike, sociale e kulturore të vendit.

Neni 27

Arsimi i mesëm publik i përgatit nxënësit për të ndjekur universitetin, shkolla të tjera të larta ose për të ushtruar profesione të caktuara.
Arsimi i mesëm publik organizohet sipas niveleve të ndryshme të shkollimit, dallimeve të përmbajtjes dhe të profileve profesionale, në shkolla me kohë të plotë ose të shkurtuar. Sipas numrit të nxënësve, terrenit dhe klimës, procesi mësimor, në raste të veçanta, mund të bëhet edhe me klasa kolektive. Për këto raste Ministria e Arsimit dhe e Shkences nxjerr udhëzimet përkatëse.

Neni 28

28.1 Të gjithë shtetasit kanë të drejtë të arsimohen në shkollat e mesme publike, pasi të kenë përfunduar shkollën e arsimit të detyruar.
28.2 Pranimet në shkollat e mesme publike bëhen sipas kritereve që përcakton Ministria e Arsimit dhe e Shkences. Ajo përcakton gjithashtu edhe kriteret për kalimin e nxënësve nga një lloj shkolle e arsimit të mesëm publik në një tjetër.

Neni 29

Në klasën e parë të shkollave të mesme publike me kohë të plotë pranohen nxënës jo më të mëdhenj se 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të veçanta të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

SHKOLLAT E MESME TE PERGJITHSHME PUBLIKE

Neni 30

30.1 Shkollat e mesme të përgjithshme publike japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit të detyruar. Afati I këtyre shkollave është 4 vjet.
30.2 Për të mundësuar që nxënësit të fitojnë njohuri, aftësi dhe përgatitjen e nevojshme personale për studime në shkollën e lartë, në fusha të ndryshme ose për një formim të caktuar profesional, shkollat e mesme të përgjithshme mund të kenë drejtime të orientuara, që dallohen nga planet dhe programet mësimore.

Neni 31

Në shkollat e mesme të përgjithshme publike, krahas formimit të përgjithshëm mund të zhvillohen edhe lëndë ose kurse fakultative dhe lëndë me zgjedhje, sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

Neni 32

Për fusha specifike, si ato artistike, socialkulturore etj, funksionojnë shkolla të mesme publike të veçanta. Afati i studimit për këto shkolla varet nga fusha e studimit dhe përcaktohet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

SHKOLLAT PROFESIONALE PUBLIKE

Neni 33


Shkollat profesionale publike strukturohen në 2 nivele
Niveli i parë, i cili zgjat 2 ose 3 vjet pas arsimit të detyruar dhe përgatit punëtorë të kualifikuar për të gjitha specialitetet.
Niveli i dytë, i cili zgjat 5 vjet pas klasës së tetë ose 3 vjet pas klasës së dhjetë dhe përgatit teknikë, të aftë për të punuar e drejtuar në ndërmarrje të ndryshme.

Neni 34

Shkollat profesionale publike të nivelit të parë realizojnë përgatitjen profesionale me karakter të theksuar praktik. Në përfundim të tyre nxënësit marrin një certifikatë për nivelin e përgatitjes profesionale, krahas dëftesës së shkollës. Modalitetet e certifikatës përcaktohen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet e tjera qendrore.


Neni 35

Nxënësit që mbarojnë shkollat profesionale publike të nivelit të parë, mund të vazhdojnë studimet në shkollat profesionale publike të nivelit të dytë ose në shkollat e mesme të përgjithshme. Me mbarimin vetëm të shkollës profesionale publike të nivelit të parë, nxënësit nuk mund të vazhdojnë drejtpërdrejt shkollën e lartë.

Neni 36

Nxënësit që mbarojnë shkollat profesionale publike të nivelit të dytë, krahas certifikatës së shkallës së përgatitjes profesionale, marrin edhe diplomën e maturës. Këta nxënës mund të vazhdojnë shkollën e lartë.

Neni 37

Në organizimin e arsimit profesional publik Ministria e Arsimit dhe e Shkences bashkëpunon me ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, veçanërisht për studimin e nevojave të tregut të punës.

Neni 38

38.1 Krahas arsimimit dhe kualifikimit profesional të nxënësve, në shkollat profesionale publike kryhen edhe kurse të kualifikimit të mëtejshëm, si shërbime për llogari të ministrive ose institucioneve të tjera qendrore.
38.2 Duke u bazuar në mundësitë dhe specifikat që kanë shkollat profesionale publike, atyre u jepet një autonomi më e madhe administrative e financiare në krahasim me shkollat e tjera, për rritjen e efektivitetit të përgatitjes profesionale, sipas akteve nënligjore.

KREU III

ARSIMI SPECIAL PUBLIK

Neni 39

39.1
Arsimi special publik është pjesë përbërëse e sistemit arsimor publik në Republikën e Shqipërisë.
39.2 Arsimi special publik synon që nëpërmjet përdorimit të formave dhe metodave të veçanta të sigurojë zhvillimin sa më të plotë të mundësive të personave që paraqesin paaftësi fizike, mendore ose emocionale, në përputhje me nevojat e tyre dhe kërkesat për një jetë sa më dinjitoze.

Neni 40

40.1 Arsimimi i fëmijëve që paraqesin nevoja të veçanta kryhet falas në institucionet arsimore publike, nëse kjo është dëshira e prindërve dhe zgjidhja më e drejtë profesionale. Shteti merr masa për sigurimin gradual të kushteve të nevojshme për realizimin e integrimit.
40.2 Për fëmijët, të cilët paraqesin nevoja të veçanta që nuk mund të plotësohen brenda sistemit shkollor, ngrihen klasa dhe nstitucione të posaçme, ku trajtimi i specializuar bëhet falas.
40.3 Kriteret për përcaktimin e fëmijëve që përfitojnë arsimin special vendosen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave.

Neni 41

Për kualifikimin e kuadrit të arsimit special hapen degë dhe kurse specializimi të veçantë.

Neni 42

Për ndjekjen dhe studimin e problematikës së arsimit special krijohen me akte nënligjore struktura dhe institucione të posaçme.

KREU IV

ARSIMI PRIVAT

Neni 43


Krijimi i institucioneve arsimore private lejohet në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Shtetasit shqiptarë ose të huaj kanë të drejtë t'i ndjekin këto institucione, në përputhje me rregullat e pranimit të tyre.

Nder institucionet arsimore, publike, parauniversitare mund te privatizohen vetem institucionet e arsimit profesional. Ne keto raste mjediset, paisjet dhe trualli I tyre privatizohen ne perputhje me dispozitat ne fuqi.

Ndalohet ndryshimi I destinacionit te institucionit arsimor publik te arsimit profesional te privatizuar.

Neni 44


44.1 Hapja e institucioneve arsimore private laike, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, bëhet vetëm me leje të dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences. Për rastet e institucioneve arsimore private, ku mësimet zhvillohen edhe në gjuhë të huaj ose kur zhvillohen edhe lëndë fetare, kjo leje jepet nga Këshilli I Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences. Ministria e Arsimit dhe Shkences propozon institucionin arsimor publik te arsimit profesional, I cili do te privatizohet. Miratimi behet nga Keshilli I Ministrave me vendim te veçante. Menyrat dhe fazat e procesit te privatizimit percaktohen nga Ministria e Ekonomise Publike dhe Privatizimit dhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkences.

44.2 Leja jepet kur planet, programet mësimore dhe kushtet e realizimit të tyre nuk bien në kundërshtim me interesat kombëtare me legjislacionin shqiptar, me rendin publik, normat morale dhe higjienën, si dhe kur sigurohen kushtet materiale të domosdoshme së bashku me personelin e nevojshëm mësimor.
44.3 Gjuha dhe letërsia shqipe, historia e kombit shqiptar dhe gjeografia e Shqipërisë zhvillohen detyrimisht në shqip.
44.4 Kriteret dhe procedurat për dhënien e lejes për shkollat private laike, në të cilat mësimi bëhet në gjuhën shqipe, rregullohen me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences. Për shkollat e tjera private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare ose në të cilat mësimi bëhet edhe në gjuhë të huaj, këto kritere ose procedura caktohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences. Leja për hapjen e institucioneve arsimore private nuk mund të jepet më parë se 3 muaj dhe jo me vone se 1 vit nga koha e dorëzimit të kërkesës.
44.5 Kur provohen shkelje të dispozitave të këtij ligji, leja e dhënë për institucionet arsimore private laike, në të cilat mësimi bëhet në gjuhën shqipe, hiqet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences. Për institucionet e tjera arsimore private kjo leje hiqet nga Këshilli i Ministrave.
44.6 Shkollat private, të cilave u është hequr leja, mund të bëjnë kërkesë për ta rifituar atë për vitin e ardhshëm shkollor.

Neni 44/a

Krahas institucioneve arsimore private te niveleve te arsimit parauniversitar, lejohet hapja dhe funksionimi I institucioneve arsimore, private, plotesuese. Quhen te tilla ato institucione arsimore e njesi shkollimi qe funksionojne jashte strukturave te institucioneve arsimore, publike e private dhe ku punohet ne drejtim te aresimit dhe edukimit ne lende e specialitete te veçanta, brenda ose jashte planeve mesimore, te miratuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkences.

44/a.2 Leja per funksionimin e institucioneve arsimore, private, plotesuese jepet nga Ministria e Arsimit dhe Shkences jo me pare se dy muaj nga data e depozitimit te kerkeses.

44/a.3 Kriteret per hapjen dhe funksionimin e tyre percaktohen me akte nenligjore te Ministrise se Arsimit dhe Shkences.


Neni 45

45.1 Ministria e Arsimit dhe e Shkences përcakton njëvlefshmërinë për njohjen e dokumenteve të përfundimit të një klase a një shkolle private. Nëse shkolla private zhvillon edhe lëndë fetare, Ministria e Arsimit dhe e Shkences përcakton njëvlefshmërinë për njohjen e pjesës laike të programit në përfundim të një klase a të një shkolle të tillë private.
45.2 Nxënësit mund të kalojnë nga një shkollë private në një shkollë publike sipas akteve nënligjore të veçanta të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

Neni 46

Për dhënien e lejes së hapjes së institucioneve arsimore private, ao duhet të provojnë se kanë personel pedagogjik me arsimin përkatës e me kualifikimin e duhur dhe se janë të pajisura me mjetet mësimore për të realizuar kërkesat e planit e të programeve mësimore, si dhe sigurojnë kushtet materiale të domosdoshme së bashku me personelin e nevojshëm mësimor.

Neni 47

Ministria e Arsimit dhe e Shkences dhe organet e saj arsimore në rrethe kontrollojnë periodikisht procesin mësimor laik në shkollat private për të verifikuar realizimin e kërkesave të planit e të programeve mësimore të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

Neni 48

48.1
Për shkollat private të arsimit të detyruar leja jepet vetëm kur ato marrin përsipër të realizojnë kërkesat e planit e të programeve mësimore të detyrueshme për shkollat publike të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.
48.2 Në rastet e heqjes së lejes shkollave private të arsimit të detyruar, Ministria e Arsimit dhe e Shkences dhe organet e saj në rrethe marrin masat e nevojshme për t‏i sistemuar nxënësit në shkolla të tjera.

Neni 49

Ministria e Arsimit dhe e Shkences përcakton rastet e veçanta kur arsimi I detyruar zhvillohet pranë familjes në rrugë private. Përvetësimi I programeve mësimore kontrollohet me provime që jepen në shkollat publike të arsimit të detyruar.


KREU V

STRUKTURAT PLOTESUESE TE ARSIMIT

Neni 50


50.1 Në Republikën e Shqipërisë veprojnë edhe struktura të tjera plotësuese që ndihmojnë, mbështetin dhe pasurojnë sistemin arsimor, si qendra kulturore, qendra të vlerësimit, qendra të dokumentacionit shkollor, lektoriume, kurse speciale, qendra të formimit profesional, institute të rritjes së shkallës së kualifikimit etj.
50.2 Strukturat plotësuese të arsimit janë nën vartësinë e dikastereve dhe të organizmave që i kanë krijuar.







KREU VI

DREJTIMI I SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR

Neni 51


Ministria e Arsimit dhe e Shkences është organi më i lartë administrativ publik i arsimit. Ministria e Arsimit dhe e Shkences, nëpërmjet specialistëve të saj dhe institucioneve vartëse, harton dhe përpunon programet e zhvillimit të arsimit në përputhje me prirjet dhe zhvillimet arsimore ndërkombëtare, si dhe veçoritë kombëtare, rajonale, socialekonomike e demografike të Shqipërisë.

Neni 52

52.1 Ministria e Arsimit dhe e Shkences ose institucione të tjera vartëse që ajo cakton, miratojnë dokumentet themelore arsimore, që përfshijnë planet, programet dhe tekstet mësimore për institucionet publike arsimore.
52.2. Ministria e Arsimit dhe e Shkences ka të drejtën e eksperimentimit për përmirësimin e cilësisë në arsim në përputhje me standardet ndërkombëtare, në bashkëpunim me institucione të specializuara të vendit dhe të huaja.
52.3 Inspektimet në procesin mësimor bëhen vetëm nga organet e specializuara të caktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.

Neni 53

Ministria e Arsimit dhe e Shkences përcakton strukturën e vitit shkollor, ngarkesën mësimore të trupit pedagogjik, numrin e nxënësve për klasë, për të gjitha nivelet e institucioneve arsimore pubike.

Neni 54

Për përpunimin e drejtë të politikës arsimore Ministria e Arsimit dhe e Shkences ngre pranë saj një organ konsultativ të përbërë nga personalitete të fushave të ndryshme, si dhe drejtues të arsimit e mësues të shquar.

Neni 55

55.1
Ministria e Arsimit dhe e Shkences përcakton kriteret për hapjen e institucioneve arsimore publike dhe private laike.
55.2. Hapja e kopshteve është në kompetencë të komunave dhe bashkive.
55.3 Hapja e shkollave të arsimit të detyruar dhe atyre të arsimit të mesëm të përgjithshëm publik, me përjashtim të rasteve të parashikuara ndryshe në këtë ligj, bëhet nga bashkitë për qytetet dhe nga këshilli i rrethit për komunat, pasi të jetë marrë miratimi nga Ministria e Arsimit dhe e Shkences.
55.4 Hapja e shkollave profesionale publike, e shkollave speciale publike dhe atyre të përcaktuara në nenin 32 është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences.

KREU VII

MARREDHENIET FINANCIARE TE SISTEMIT ARSIMOR

Neni 56


Arsimi publik në Republikën e Shqipërisë financohet nga buxheti i shtetit, si dhe nga burime të tjera të parashikuara me ligj.

Neni 57

57.1 Krahas detyrave kryesore të mësimdhënies, shkollat e arsimit të detyruar e të mesëm publik mund të kryejnë edhe veprimtari ekonomike me përfitime financiare në fushat që kanë lidhje me zbatimin e programeve mësimore, në përputhje me dispozitat ligjore.
57.2 Shkollat profesionale publike me qendra të përgatitjes praktike veprojnë si njësi ekonomike për realizimin e veprimtarisë prodhuese, të shërbimeve etj., duke kontraktuar me persona juridikë shtetërorë e privatë.

Neni 58

Personat juridikë shtetërorë e privatë, në bazë të kapaciteteve të tyre, duhet të pranojnë dhe t‏u krijojnë kushte të përshtatshme për kryerjen e praktikave nxënësve të shkollave profesionale sipas specialiteteve të tyre. Marrëdhëniet që rrjedhin nga ky bashkëpunim, rregullohen me marrëveshje ndërmjet palëve të interesuara drejtpërsëdrejti ose institucioneve përfaqësuese të tyre.

SANKSIONET

Neni 59


Kur nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, të cilët i përfshin detyrimi shkollor, mungojnë pa arsye në shkollë ose e braktisin atë, prindërit e tyre dënohen për kundërvajtje administrative me gjobë nga 1 000 deri në 10 000 lekë, si vijon:
59.1 Kur nxënësi mungon në mësim pa arsye 30-50 për qind të kohës në dy muaj të njëpasnjëshëm, masa e gjobës është 1 000 deri në 3 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje gjatë po atij viti, gjoba bëhet 5 000 lekë.
59.2 Kur nxënësi mungon në mësim pa arsye mbi 50 për qind të kohës në dy muaj të njëpasnjëshëm, masa e gjobës është 5 000 deri në 7 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje gjatë po atij viti ose braktisje të shkollës, gjoba bëhet 10 000 lekë.
59.3 Vendimi i gjobës jepet nga kryetari I bashkise apo komunes, sipas propozimit të drejtorit të shkollës. Kundër vendimit të gjobitjes mund të bëhet ankim brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes së njoftimit në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja.
59.4 Përjashtohen nga gjoba ata prindër, fëmijët e të cilëve janë regjistruar në një shkollë shqiptare a të huaj, brenda vendit, me kusht që të paraqesin dokumentin e regjistrimit pranë drejtorisë së shkollës në vendbanimit të tyre.
…..59.5 Përjshtohen nga gjoba ato prinder, fëmijët e të cileve janë të regjistruar në një shkollë jashtë vendit.
Neni 60

Ndalohet punësimi i fëmijëve që përfshihen në detyrimin shkollor. Kur vërtetohen raste të punësimit të fëmijëve të moshës së detyrimit shkollor, punëdhënësi shtetëror ose privat dënohet për kundërvajtje administrative nga inspektori i punës me gjobë 100 000 lekë dhe, në rast përsëritjeje, me gjobë 200 000 lekë.
Kundër vendimit të dënimit mund të bëhet ankim dhe protestë, brenda 10 ditëve nga dita e shpalljes ose e njoftimit, në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja.

Neni 61

Hapja e institucioneve arsimore private dhe e institucioneve arsimore private plotësuese në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dispozitat e këtij ligji përbën kundërvajtje administrative. Kundërvajtësit në çdo rast dënohen me gjobë, përkatësisht 500 000 lekë dhe 200 000 lekë si dhe me ndërprerje të veprimtarisë së filluar.
Vendimi për gjobë dhe ndërprerje të veprimtarisë merret nga Ministri i Arsimit dhe e Shkences për institucionet arsimore private laike dhe nga Këshilli i Ministrave për institucionet arsimore private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare ose në të cilat mësimi bëhet edhe në gjuhë të huaj.
Kundër vendimit të dënimit mund të bëhet ankim, brenda 10 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit, në gjykatën e Tiranës.

Neni 62

Shqyrtimi i kundërvajtjeve administrative dhe ekzekutimi I vendimeve të dënimit me gjobë bëhet sipas dispozitave të caktuara në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 "Për kundërvajtjet administrative".

DISPOZITA TE FUNDIT

Neni 63


Këshilli i Ministrave me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe e Shkences nxjerr akte nënligjore në fushën e arsimit dhe ngarkon atë apo ministri të tjera sipas rastit për zbatim.

Neni 64

Ministria e Arsimit dhe e Shkences ka të drejtë të miratojë rregulloren, udhëzime e urdhra për zbatimin e këtij ligji. Ajo përcakton llojin e dëftesave shkollore për çdo klasë e cikël.

Neni 65

Ligji nr.4624, datë 24.12.1969 "Për sistemin e ri arsimor", ligji nr.7887, datë 8.12.1994 "Për detyrimin shkollor", si dhe aktet e tjera nënligjore që bien në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
Shkollat private ekzistuese të hapura në periudhën 1991-1993 i nënshtrohen të gjitha dispozitave të këtij ligji. Shqyrtimi I kërkesave për vazhdimin e funksionimit të shkollave private ekzistuese të hapura në periudhën 1991-1993, si dhe ekuivalentimi i diplomave të lëshuara nga këto shkolla, bëhet brenda një periudhe 3-mujore nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 66

Shteti garanton sigurimin e jetës dhe të veprimtarisë së mësuesve e nxënësve si dhe paprekshmërinë e institucioneve arsimore dhe të territoreve të tyre.

Neni 67



Shpallur me dekretin nr.1144, datë 3.7.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

Shpallur me dekretin nr.2178, date 3.8.1998 te Presidentit te Republikes se Shqiperise, Rexhep Mejdani.

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top