TIRANE-Regjisori i njohur, Leonard Bombaj ka promovuar dje në një ambient miqësor librin e tij të parë, bazuar në një histori të përjetuar nga vetë ai... Ndonëse është një libër artistik, për të shkruar këtë roman regjisori u frymëzua nga historia e pasqyruar në faqet e shtypit në lidhje me akuzat për përdhunimin e nxënëses së tij 15-vjeçare.
Faqet e shtypit për javë të tëra u mbushën këtë verë me fakte dhe kundrafakte nga kjo histori që i tronditi të gjithë, dhe për më tepër e komentuar si një ngjarje e rëndë për të ardhmen profesionale të një artisti. Por, ndërkohë që çështja është drejt përfundimit të hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, që u ka njoftuar akuzat shtetasve Arkimed Lushaj (Stresi) dhe Elis Bashaj, të dy nën masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje", Leonard Bombaj i surprizon të gjithë me shkrimin në kohë rekord të një romani, që e ka titulluar "Në emër të atit, të bijës dhe shpirtit të zbathur". Në faqet e librit, i cili është shpërndarë gjatë ditës së djeshme në të gjitha libraritë e kryeqytetit, nuk përmenden emra konkretë, por në të gjenden detaje të personave të përfshirë në këtë histori, të sjellë si karaktere artistike nga Bombaj. Në ceremoninë e djeshme kanë qenë të ftuar personalitete të njohur në vend, ku mund të përmendim këtu: Pëllumb Kullën, Osman Mulën, Agron Llakajn, Alfred Trebickën etj.
Përveç këtyre emrave në ceremoni kanë qenë prezent gjithashtu disa prej aktorëve të vegjël të "Kripëmjaltëzave", të cilët tashmë të rritur, sollën përjetimin e tyre për këtë ngjarje, ndërkohë që i drejtuan profesorit të tyre lutjen për t'iu rikthyer shkollës.
Në fjalën e saj, një prej ish-nxënëseve të shkollës së aktrimit "Sirea Film", sqaroi gënjeshtrën e madhe të ngritur nga ana e moshatares, me të cilën kishte ndarë dhomën e hotelit nëpër turne të ndryshme. Adoleshentja shtoi veç të tjerash, edhe një bilanc të frikshëm partnerësh që i kish pasur të dashur 15-vjeçarja e përfshirë në këtë ngjarje. Libri është sjellë nga shtëpia botuese "Dudaj", dhe në takimin e djeshëm nuk mungoi as fjala e botueses, e cila foli për një roman në gjininë e dramës, i cili do të ngjallte debat e do të trondiste të gjithë shoqërinë. Në përfundim, për të pranishmit u shtrua një kokteil...
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)