Kultura kombëtare shqiptare e plazmuar më së shumti si kulturë romano-papnore

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Kultura kombëtare shqiptare e plazmuar më së shumti si kulturë romano-papnore

1599314919760.png
Pjesë e librit eseistik studimorë mbi Shqipëtinë mesjetare që po përgatitet për botim
Ndriçim Kulla

lg.php


lg.php


lg.php


Shekulli XVIII u hap nën shenjën e Papës shqiptar Albani, e mund të quhet i konsiderueshëm interesimi i këtij njeriu të kultivuar, virtuoz e të zellshëm, për atdheun e tij të origjinës e për gjithë Orientin në përgjithësi. Promotor i luftës antiturke, mbështetës i rebelimeve të fiseve shqiptare, i ndihmuar edhe nga arqipeshkvi i Tivarit Zmajeviç, ai arriti të kryejë një reformë të thellë kishtare në Shqipëri, reformë kjo që do të kulmohet me mbajtjen e “Këshillit të parë Kombëtar” më 1703. Por trashëgimnia më e madhe që ai i la Shqipërisë ishte impulsi i fortë që i dha studimeve orientale. Duke pasur dijeni për përgatitjen që po bënte jezuiti Filipo Riceputi të një Illyricum Sacrum, të llojit të përmbledhjeve të tjera që përgjatë këtij shekulli erdudit po shihnin dritën e botimit për çdo komb, ai jo vetëm e inkurajoi me ndihmë e mbështetje materiale dhe njerëzore këtë ndërmarrje, por edhe i dhuroi atij studimet dhe materialet e mbledhura në rininë e vet. Përpilimi i kësaj vepre gjigande zgjati për një shekull të tërë derisa u përfundua nga Daniele Farlati (me 6 vëllimet e para, kur vëllimi i parë daton më 1751) dhe Xhakomo Koleti, me dy vëllimet e tjera, i teti u botua më 1819), e mbetet ende dhe sot një vepër themelore, më e gjera që ekziston, përsa i përket historisë civile dhe kishtare të Shqipërisë. Natyrisht Illyricum Sacrum merret kryesisht me zhvillimet e kishës latine, ndërkohë që përsa i përket ritit ortodoks ky zhvillim pasqyrohet më thellësisht nga vepra tjetër e madhe “Mbi origjinën, progresin dhe gjendjen e sotme të ritit ortodoks në Itali dhe Shqipëri”, e përgatitur nga arbëreshi i madh Pietro Pompilo Rodotá, nxënës i kolegjit të Shën Athanasit, më 1763.

Në po këtë kohë, shohim të zgjohet interesi edhe në studimin e gjuhës. Kështu, nga Kolegji i Shën Pjetrit në Montorio del nga shtypi vepra “Vërejtje” e italianit At Franceso M. nga Leçe (1716), një vepër kjo goxha e rëndësishme dhe e konsideruar si gramatika e parë e botuar shqip, madje e mbetur unike për një kohë të gjatë.

Në Shqipëri, ndërkaq përgjatë shekullit XVIII, nisën të lulëzojnë poetët Kostë Berati, Muhamet Çami e Nezim Frakulla. Ky i fundit, bir i një beu beratas, njohës i thellë i gjuhëve dhe i letërsive persiane e arabe, në një “Divan” që nuk u botua kurrë, përmblodhi këngë erotike e satira, të cilat jo vetëm që patën në kohën e tyre një përhapje të jashtëzakonshme gojore në të tërë Shqipërinë, por ende deri para çlirimit përbënin pjesën më të mirë të repertorit, të të ashtuquajturve bejtexhij, që mbushnin me hare festat dhe ngjarjet e shënuara të dasmave. I akuzuar për herezi e ide të dyshimta politike, Nezimi arrestohet dhe çohet nën mbikqyrje të rreptë në Stamboll, ku vdiq më 1754. Vargjet e tij që imitojnë motive e forma të poetëve orientalë, janë të mbushura plot me fjalë turke, arabe e persiane. Po gjithsesi, duhet nënvizuar se me poezitë e tyre, bejtexhijtë, mes të cilëve Nezimi është konsideruar si një kaposhkollë, synuan ta zbukurojnë e ta bëjnë oborrtare gjuhën e krijimit të tyre poetik.

Nga ana tjetër, një gjendje shpirtërore antipatie për të huajt – cilësi kjo karakteristike e poezisë sonë popullore – në të cilën është shumë i qartë dallimi ndërmjet muslimanit dhe turkut aziatik, dëshmohet bukur në një poezi anonime, por goxha të famshme për dekada me radhë, të titulluar “Zani i kasnecëve”. Strofa me gjashtë vargje njimbëdhjetërrokëshe, duhet të jetë shkruar nga ndonjë shqiptar i kulturuar dhe të jetë mësuar më pas nga populli, i cili ka ditur ta ruajë me besnikëri kujtesën e saj. Kjo pjesë lirike, që i mundon prej kohësh studiuesit e poezisë popullore, mburr vlerën e shqiptarve, me besime të ndryshme, por të bashkuar në luftë kundër Pazvan Oglut. Flitet, pra, për një nga ato ekspedita me ushtri të mëdha lufte që derdhi Turqia, e shtrënguar të dërgojë në Shqipëri, për të shtypur rebelimin e vazhdueshëm të “kryeneçëve dhe turbulluesve arnautë”.

“Zëri i Araldeve” siç njihet ndryshe, është kënga e një gëzimi krenar për fitoren e porsakorrur mbi nji ushtri të madhe, të komanduar nga i lartpërmenduri Pasha. Ëndrra e një Shqipërie të bashkuar, e vulosur me gjurmë zjarri në histori nga Skëndërbeu, kish mbetur e pashlyer në kujtesën e shpirtit shqiptar; ndaj sa herë që ndonji shkëndijë dhune e ndriçon, atëherë shpirti i tij jep menjëherë dëshminë e ekzistencës së vet të brishtë. Por ky në thelb është një instinkt, nuk është shndërruar ende në një ndërgjegjje kombëtare. Një lëvizje më të gjallë e një instinkti të tillë më të thellë dhe ngulmues, e gjejmë në episodin e Jakup Ramadanit (musliman shkodran), i cili në gjysmën e parë të shekullit XIX vrau dy ushtarë turq, të cilët në periferi të qytetit deshën të përdhunonin një grua kristiane.

“Ndoshta ky qe fati i Shqipnisë”, do të nënvizonte më vonë Koliqi, “të qe e pushtuar dhe e fosilizuar nga “dominimi” roman – si Pompei nën hinin e Vezuvit – fosilizim i cili ndoshta e shpëtoi nga sllavizimi në Veri dhe helenizimi në Jug, dhe e lejoi të rizgjohet më 1912,pas pesë shekujsh letargjie, e pandarë etnikisht.

Përveç kësaj, në këtë periudhë, vihen re dhe disa orvajtje të çmueshme letrare në kolonitë arbëreshe, ku më e përmendura është ajo e Jul Varibobës, lindur në Mbuzat (San Giogio Albanese), krahinë e Kozencës, në çerekun e parë të shekullit XVIII; pavarësisht italianizmit të skajshëm të gjuhës, poezia e tij arrin të ngrihet në kulmin e një lavdi të vërtetë poetik.

Madje mund të shtohet se lirika shqiptare e merr kështu pagëzimin e saj të vërtetë nga arti, pikërisht me poemthin “Gjella e Shën Mëris Virgjërë” (Jeta e Shën Mërisë së Virgjër) të Jul Varibobës. Natyrë e çrregullt si njeri e si prift, arrivist, luftarak, i nderuar si shenjt nga një pjesë dhe i akuzuar si fajtor për veprime të rënda kundër moralit nga pjesa tjetër, ai punoi me një zell të çuditshëm për t’i bindur bashkëvendasit e tij që ta braktisnin ritin oriental e të përqafonin atë latin. Zhyti në kaos vendin e tij të lindjes ku shërbente si prift, i pacaktuar nga ndokush, dhe e detyroi hierarkinë ekleziaste të largohej nga Mbretëria e Napolit. Jetoi i mërguar në Romë ku dhe vdiq në një datë ende të panjohur. Shkroi shumë himne fetare, disa prej të cilave shumë të çmueshme për vrullin lirik, përderisa përdoren ende dhe sot ndër komunitetet shqiptare të ritit bizantin.

Por vepra e tij më e mirë mbetet poemthi shumë origjinal mbi Jetën e Virgjëreshës, që ai e simbolizon me një vajzë të thjeshtë nga populli, e cila reagon me një realizëm fshatar, për të lajmëruar misionin e saj të jashtëzakonshëm, të shënjuar prej Zotit. Me një gjuhë të painfektueshme nga elementët dialektikë kalabrezë, por të gjallë, të lëmuar e plastike, me kolorit e rrjedhshmëri të lumtur vargjesh e rimash, ai rrëfen jetën e Madonës dhe lindjen e Jezusit. Rrëfen etapa të ndryshme nga ngjarja e madhe, duke përdorur terma të papërpunuar popullorë, për të na i paraqitur ato në pamjet dhe mënyrën më të qartë njerëzore.

Kështu, lindjen e Jezusit, ngjarje që do të transformonte botën, autori e transferon nga Betlehemi në San Giorgion e vet, në një banesë çfarëdo të fshatit. Katundi i thjeshtë, me banorët e tij, ndjehen të tronditur nga mrekullia e mishërimit të Zotit në prehrin e një fshatareje të përvuajtur. Në San Giorgio ndihen të kumbojnë melodi engjëllore, hapen papritmas qiejtë e rigon një shi i mahnitshëm dritash që e transformon gruan e re, e cila përtej të qenit si çdo grua tjetër e fshatit, e veshur me bukurinë e amësisë misterioze, ka në vetvete diçka të veçantë, që i lartëson jo vetëm gjithë gratë e botës, por edhe botën vetë. Ndërkaq, banorët e San Giorgios jetojnë brenda mrekullisë, të edukuar krejt papritmas nga një frymë që rritet pareshtur dhe i jep hir çdo gjesti të tyre e madhështi çdo fjale, çdo fryme që grafullon nga ndjenja e dashurisë së pastër të Varibobës për Nënën e Zotit, ajo që purifikon realitetin e ashpër dhe që shkrin me një brishtësi të pastër shprehjet më vulgare të zhargonit popullor.

Vepra e frymëzueme e poetit nga Mbuzati, paralajmëron pastaj ardhjen e madhërishme të treshes së madhe të poetëve kombëtarë shqiptarë: Jeronim De Radës, Naim Frashërit e Gjergj Fishtës.

Duke përmbledhur, mund të themi se i gjithë produkti letrar shqiptar i këtyre shekujve të dhimbshëm është i vulës dhe përmbajtjes katoliko-romane, ndërkohë që edhe autorët e tyre janë të gjithë famulltarë e priftërinj, të të dyja riteve.

Për të gjetur ambjente të tjerë të lulëzimit të saj na duhet të presim dorëshkrimet e rralla muslimane të fundit të kësaj epoke, apo produktet pedagogjikë – më pak në shqip dhe më shumë në greqisht – të qëndrave të lulëzuara kulturore të Moscopolit dhe të Beratit, të gjitha në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII. Edhe në këto qendra duhet nënvizuar një ndikim i tyre nga ana e Venecias apo e traditës kulturale që nëpërmjet nxënësve të kolegjit të Shën Athanasit, sillte në Shqipëri frymën e ndikimin të Romës. Fillon, kështu, epoka e tretë e historisë së kulturës shqiptare, që mund të pozicionohet nga fundi i viteve ‘700 deri në ditët tona, një epokë kjo që karakterizohet vërtet nga faktorë të rinj që i japin edhe një fizionomi të re, por pa arritur t’ia ndryshojnë aspak prirjen themelore, që do të bëhet gjithnjë e më perëndimore.

Pra, nëse në dy epokat e mëparshme, jeta kulturore shqiptare synonte dhe lëvrinte totalisht në ambjentin romano-katolik dhe latin për nga kultura, në fillimet e kësaj epokë është ambjenti ortodoks i Shqipërisë jugore ai që do të spikasë më fort, veçanërisht në qendrat e tij historike, ku përtej atyre që përmendëm, me kalimin e dekadave nisën të zgjohen edhe qendra të tjera si Gjirokastra, Elbasani dhe Korça. Të gjitha këto, i dhanë një kontribut të madh kauzës së kulturës kombëtare, duke filluar që nga “Akademia e re”, shkolla e mesme e Voskopojës dhe me botimet e saj të famshme, si p.sh. fjalorthi greko-rumuno-shqiptar ose i quajtur ndryshe, një lloj teksti me nocionet bazë në fusha të ndryshme, përpiluar nga Kavaljoti dhe botuar përsëpari në Venecia më 1770.

Megjithatë, një ndihmë e kontribut themelor në këtë epokë, jo vetëm për shqipen por edhe për rringjalljen kombëtare, dhanë patriotët militantë të arbëreshve të Italisë. Që në fillim të shekullit të XVIII, pjesërisht nën ndikimin e nacionalizmit, të ringjallur si rrymë në të gjithë Evropën, e pjesërisht nën ndikimin e romantizmit, që i dhuroi aq shumë impuls letrar, kolonitë shqiptaro-arbëreshe të Mberetërisë së dy Siçilive, futen në periudhën e një zjarrmie të ethshme të jetës kulturore, ç’ka manifestohet në ndërrmarje frymë-gjera poetike (De Rada) e në orvajtje te fuqishme në studimet shkencore të historisë dhe gjuhës shqipe (midis tyre dhe Sqiroi).

Veç më vonë, pas gjysmës së parë të shekullit XIX, do të vijë zgjimi i elementin jo kristjan, veçanërisht bektashian, i mbledhur rreth Naim Frashërit, ai që do të bëhet propoganduesi më i flaktë i nacionalizmës shqiptare. Në këtë pikë, do të qe me vend të bënim një sqarim. Sekti bektashian, shumë heterodoks si në aspektin dogmatik ashtu dhe atë ritual, përfaqëson më tepër një tendencë, në mos kristjanizuese, sigurisht perëndimore në gjirin e shoqërisë islamike, nëse mund të quhet vallë i përfshirë brenda saj, fakt për të cilin gjen shumë dyshues.


Ndërkaq, Moskopoli ishte shkatërruar, por copërat e kulturës dhe rrezatimet e saj nisën dalngadalë të mblidheshin, të grupoheshin e të formonin një rrymë të re në Elbasan, e cila nëpërmjet përfaqësuesit të saj më të madh Kristoforidhit, nisi të shndërrohej në njërën nga qendrat më të rëndësishme të jetës kulturore të kombit. Më vonë do të jetë Korça, që pa shumë lidhje me të shkuarën, do të marrë në duar udhëheqjen e lëvizjes kulturore toske.

Kurse, përsa i përket traditës më parë të lavdishme katoliko-shkodrane, mund të thuhet se ky ambjent edhe pse me ngadalë, por i pasur nga një traditë të madhe kulturoro-letrare, ku shkolla katolike edhe pse më pak ekzotikisht origjinale, ishte sigurisht më e pajisur nga pikëpamja klasike dhe humaniste dhe produkti i saj shquhej për një vlerë më teknikisht artistike, duke marrë impuls e frymëzim nga rizgjimi patriotik i jugut, arriti ta marrë veten me shpejtësi e të kontribuojë fuqishëm në këtë kauzë.

E në fakt, shohim të themelohet në Shkodër që më 1841 Instituti i parë kulturor katolik, i cili u mbyll shpejt për t’u rikthyer më 1859, tashmë jo si një seminar dioqeze, por si një kolegj papnor kombëtar; kolegj ky që arriti të shndërrohej menjëherë në një qendër të kulturës, jo vetëm pse nëpërmjet kurseve të tij letrarë dhe filozofikë, qe shkolla e parë e mesme e epokës së re në historinë shqiptare, e me kurset teologjikë shërbeu si shkolla e vetme superiore e Shqipërisë deri para çlirimit, por edhe pse kultura shekullore e përftuar prej priftërinjve shqiptarë, e bëri atë njërin prej faktorëve më vendimtarë në përpunimin e gjuhës dhe zhvillimin e kulturës shqiptare.

Të nxitur vërtet nga një shpirt i kulluar apostolik, këta misionarë nuk i anashkaluan aspak studimet specifike mbi kulturën kombëtare, e midis tyre mund të veçohen që në vitet e para të punës At Bruschi e veçanërisht At Jungg, vëllimet e shumta të të cilëve – më e spikatura një gramatikë dhe një fjalor – sipas gjykimit të përgjithshëm qenë perla të një stili naiv të shqipes e më të lexuarat në Shkodër për më shumë se dy breza.

Më 1870, jezuitët vënë në punë në mënyrë klandestine, pranë seminarit të tyre një shtypshkronjë, e cila pas jetës së shkurtër që pati në shekullin e XVIII ajo e Shën Lukës në Voskopojë, për plot 40 vjet shërbeu si e vetmja shtypshkronjë ekzistuese në Shqipëri, sub hostili dominatione, me rreth 700 publikime, nga të cilat 450 në shqip.

Në po këto vite, nisi jetën e vet edhe shkolla elementare françeskane, që pas 50 vjetësh do të ngjitej në nivelin e shkollës së mesme, por që mund të lëvdohet me nxjerrjen e një figure të tillë si At Leonardo de Martino, një arbëresh i Greqisë, i cili falë venës së pasur poetike dhe aftësive teknike, qe i pari që ndërfuti në poezinë shqiptare metrikën dhe stilin e strofave të traditës së çmuar të poezisë më të mirë italiane, duke i siguruar asaj dhe mbizotërimin.

Ndërsa më 1877 pranë Kolegjit papnor, hapet nga jezuitët kolegji i famshëm Saverian, që do të ketë për nxënës të tij figura të rangut më të lartë të historisë dhe kulturës shqiptare, si p.sh Mati Logoreci, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Kolë Thaçi, Ernest Koliqi, etj.

E gjithë kjo veprimtari i dha shpejt rezultatet. Jo vetëm në shtypin shqiptar e jo vetëm për meritat e tyre të qenësishme, duket të ngrihen lart gjer në rangun e vlerësimit universal të vendit, disa shkrimtarë katolikë ose priftërinj, duke filluar që nga At Leonardo Martini dhe At Antonio Zanoni e deri te Dom Ndre Mjeda dhe At Gjergj Fishta. Dy të parët mund të konsiderohen si pararendësit e asaj epoke të artë të letërsisë shkodrane, të cilët hodhën bazat për zhvillimin e rrymave të reja letrare, ndërsa Ndre Mjeda si babai i prirjes klasiciste, ashtu sikurse Gjergj Fishta i frymës epike apo homeriko-rapsodike.



Atëherë, pas përqasjes me të gjithë këta faktorë, antikë e të rinj, që patën aq shumë ndikime – qoftë edhe disi të ndryshme – ç’mund të thuhet për formimin e kulturës së re kombëtare shqiptare? Duhet të nënvizojmë, para së gjithash, se mungësa e komunikimit dhe diversiteti i regjimit të ushtruar qëllimisht nga sundimi turk përgjatë 5 shekujve, nga rajoni në rajon, e kishin përkeqësuar diferencën, në epokën antike shumë më pak të ndjeshme, midis dialektit geg dhe tosk. Politika divizioniste e Turqisë, fanatizmi i saj i spikatur dhe favoritizmi i saj i njohur – i ushtruar me qëndrimin e padronit kapriçioz ndaj shërbëtorit të vet të pispillosur – për ortodoksinë, kishin krijuar ndarje religjioze – të paekzistueshme më parë – me pasoja të konsiderueshme në jetën materiale dhe morale të tre ambjenteve kryesorë fetarë shqiptarë e të gjuhës së tyre. Po gjithësesi, edhe midis xhelozive të fanatizmit të zonave apo feve, në epokën e një vërshimi të korrupsionit politik, të importuar nga propaganda e vendeve të ndryshme, jo vetëm fqinje, në këtë teatër prirjesh të ndryshme – ngandonjëherë edhe të kundërta – siç qe Shqipëria e shekullit të XVIII, ai që mbizotëroi dhe shkëlqeu ishte një sentiment i ndershëm dhe i sinqertë i kombit shqiptar, i gjallë si midis katolikëve, ashtu dhe jo katolikëve.

Kështu, lëvizjes patriotike bektashiane, iu përgjigjën menjëherë edhe ambjentet e tjera patriotike të Shqipërisë. Madje është emblematik rasti i njërit prej tyre, Luigj Gurakuqit,i rritur në ambjentin katolik shkodran, goxha të mbyllur në vetvetve në atë kohë,i cili u bashkua vullnetarisht me këtë lëvizje, madje ushtroi gjithë zellin e vet në zgjedhjen e dialektit të Kristoforidhit si bazë e një gjuhe të unifikuar. E trashëgimnia që ai la pas, ka për të mbetur gjatë si një shkollë e vërtetë politike dhe letrare.

Po më tej, mund të pyetet se ç’ndikim vallë a në ç’masë ideja romano-papnore arriti të ndikojë në këtë epokë të rinovimit dhe të kompleksitetit të kulturës shqiptare? E në këtë përgjigjje, do të qe me vend të kishim parasysh një fakt të madh dhe shekullor historik: Selia e Shenjtë, nëpërmjet gjithë shekujve të historisë shqiptare, ishte gjithmonë mikja e vetme, mbrojtësja unike, e sinqertë dhe konstante, e kombit shqiptar: e shohim këtë në një lloj mënyre, në të gjithë ato dëftuesit letrarë që përmendëm përgjatë këtij studimi; por mund të shtojmë, se në një këndvështrim më konkret të fakteve, ndërrmarrja epike e Skënderbeut u bë e mundur vetëm nëpërmjet mbështetjes morale, politike dhe financiare të Romës papnore: e kjo është diçka mëse e pranuar nga të gjithë; Por s’mund të ndalemi veç këtu: shekujt që pasuan vdekjen e tij deri në epokën e fillimit të Rilindjes Shqiptare, kanë një histori të parreshtur luftrash antiturke, të inkurajuara nga princërit kristjanë, por gjithmonë me frymëzimin, patronimatin dhe mbështetjen e Selisë së shenjtë. E kjo është një histori, që për fat të keq, është anashkaluar në të gjitha detajet e saj, por që gjithësesi, faktet treguan se ajo nuk kaloi pa lënë një kujtim të madh – ndonëse disi të vagullt – në ndërgjegjjen e kombit. Në patriotët e shekullit XVIII, por edhe të shekullit të shkuar, ekzistonte një sens i përbashkët mirënjohjeje bujare ndaj Selisë së Shenjtë, për kontributin e atij organi të saj të madh siç ishte Instituti i Propagandës, dhe për veprën e zhvilluar prej misionarëve të saj në favor të kombit shqiptar. Vijoi diçka e tillë edhe në gjeneratën e lindur në periudhën e Rilindjes Kombëtare, e cila u edukua me një respekt të veçantë për Romën papnore, nga shkrimtarët e studiuesit e mëdhenj jo katolikë të rangut të Konicës apo të Lumo Skëndo; madje shkolla e tyre vazhdoi të jetojë nëpërmjet të njëjtit shpirt edhe në veprën e një tjetër studiusi nacionalist siç ishte Ilo Mitkë Qafëzezi.

Atëherë, çmund të themi në përfundim të këtij udhëtimi – disi të zgjatur – historik në gjetjen e rrënjëve dhe fizionomisë që krijoi kulturën tonë kombëtare?

Epoka e saj e parë, periudha e mesjetës, qe për Shqipërinë epoka e ndikimit kontrastues të Romës dhe Bizantit, përgjatë së cilës Roma papnore arriti të rruajë gjithmonë disa vend-qendrime të saj të forta, për t’u kthyer pas ngjarjeve dhe luftrave të ndryshme, përsëri në udhëheqjen e drejtimit shpirtëror të kombit, derisa në epokën kastriotiano-venedikase, të konfirmohej si nëna dhe mësonjësja e përbashkët e Shqipërisë dhe kulturës së saj.

Periudha moderne, e nisur me stuhinë shkatërimtare turke, që dukej se do t’i shkëpuste Romës papnore çfarëdolloj lidhjeje, arriti vërtet ta mbysë kulturën e sapolindur shqiptare në pjesën më të madhe të vendit, por jo në Shqipërinë latine, që nën impulsin e Romës Papnore mbeti kështu e vetmja gurrë ushqyese, për tre shekuj me rradhë, jo vetëm e Idesë kombëtare, por edhe e gjuhës dhe kulturës.

Periudha bashkkohore, edhe pse ia humbi eskluzivitetin e veprimt ambjentit katolik, nuk ia humbi Selisë së Shenjtë atë ndikim të madh që i siguronin meritat e shekujve të mëparshëm.

Si përfundim, mund të pohojmë se kultura kombëtare shqiptare, në pjesën e saj më të madhe është plazmuar si kulturë romano-papnore, e në pjesën tjetër e respektuar a mirënjohëse ndaj saj. Ka pasur, dhe ende ka, rryma të kundërta tradicionaliste, e të tjera mund t’i shtohen në të ardhmen – qoftë edhe në një masë a ndikim më të vogël – nën ndikimin e traditave të vendeve të tjera, por megjithatë ato s’kanë arritur kurrë deri aty sa ta kalojnë në plan të dytë atë ndikim kulturor parësor që i plazmoi literaturën dhe i kaliti qëndrësën e vet në mbijetesën e dhimbshme përmes shekujve.

g.shqiptare.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top