Karl Spitzweg Poeti i Varfër

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Karl Spitzweg Poeti i Varfër


Ishte pa dyshim një goditje mjeshtri. Në mes të ditës, në një nga ndërtesat më të mbikqyrura, në pallatin Charlottenburg të Berlinit, u zhduk tabloja Poeti i Varfër i Karl Spitzweg-ut, mbase piktura më e dashur për gjermanët. Grabitësit arritën t’a kalonin përmes kontrolleve të shumta mjetin me të cilin prenë varësen e tablosë duke e fshehur në karrocën e invalidëve ku ishte ulur njëri prej tyre. Ndonëse të gjitha hyrjet u bllokuan nga personeli i sigurimit të ndërtesës, ata arritën të largoheshin së bashku me tablonë. Kjo ndodhi më 3 shtator 1989 dhe qysh nga ajo ditë piktura nuk është parë më. Tabloja kishte patur të njëjtin fat dymbëdhjetë vjet më parë, por fundi i aventurës së saj kishte qenë më fatlum. Ajo u kthye përswri nw muze vetëm pas disa orësh. Ky fat po i ndjek të gjitha veprat e Spitzweg-ut të cilat, ç’është e vërteta, vidhen shpesh. Mbase “fajin” e ka vetë autori i cili ka përdorur formate të vegjël, çka i bën të lakmueshme për grabitësit profesionistë të veprave të artit. Poeti i varfër nuk bën përjashtim – tabloja është vetëm 45x36cm, një format që mund të fshihet pa shumë vështirësi. Por vjedhja e shpeshtë e tablove të Spitzweg-ut nuk mund të shpjegohet vetëm me formatin e tyre të vogël. Motivi kryesor pa dyshim është popullariteti i jashtëzakonshëm i tyre në Gjermani. Në një anketim të paradokohshëm, Poeti i Varfër zinte vendin e dytë pas Mona Lisas së Leonardo da Vincit, duke lënë pas një pikturë tjetër të dashur për gjermanët, Lepuri i Albrecht Dürer-it.
Spitzweg-u mësoi vetë të pikturonte. I lindur në 1808 në Mynih ai ndoqi pa ndonjë dëshirë të madhe këshillën e të atit për t’u bërë farmacist. Por në 1833, pas vdekjes së tij, me një ndjenjë lehtësimi ju kushtua tërësisht pikturës. Realizimin e pasionit të tij e mundësonte edhe trashëgimia e cila i krijonte pavarësinë e nevojshme financiare, një luks të cilin nuk e kishin shumë artiste të tjerë të kohës së tij. Në vitin 1837 shiti dy pikturat e para, dy versione pothuaj të njëjta të tablosë Poeti i Varfër. Njëra prej tyre iu shit një klienti privat, ndërsa tjetra u ekspozua në Kunstverein-in e Mynihut, më pas në Hanover dhe në Regenburg. Një nga kureshtitë që lidhen me këto tablo është një letër kopjative të cilën me sa duket artisti e ka përdorur për të kopjuar veprën e tij. Deri në 1989, një version i tablosë ishte ekspozuar në Berlin, ndërsa tjetra ndodhet në Neue Pinakothek-ën e Mynihut. Ekziston gjithashtu një version e tretë në një koleksion privat.
Afërmenç, askush nuk mund ta parashikonte asokohe famën e madhe që do të fitonin këto tablo në vitet që do të vinin. Ato përmenden për herë të pare në shtypin gjerman në vitin 1840, në një shkrim komentues mbi ekspozitën e Hanover-it, botuar në Morgenblatt für gebildete Leser (Lajme mëngjesi për lexues të shkolluar). Tabloja e Spitzveg-ut përmendet midis një liste të gjatë tablosh të tjera të ekspozitës pas së cilës autori i shkrimit e sheh me vend ta përmbyllë ligjëratën me fjalët “…meritojnë të përmenden me nderim.”
Jeta e Spitzweg-ut rrodhi e patrazuar nga hallet familjare, sherret me gruan, telashe fëmijësh etj. Ai i qëndroi gjithë jetën besnik beqarisë së tij. I pëlqente të udhëtonte, të shihte botën dhe e njohu jetën në papafingo edhe si përvojë vetjake. Por shihte ëndrra, shpesh aq të frikshme sa çohej qull në djersë dhe ja përse thoshte – përpara se të shkoj për të fjetur lutem të shoh ëndrra të bukura …” Atij i pëlqente të jetonte në katet e larta. Në 1830-ën ai u vendos në katin më të lartë të një ndërtese në pjesën e vjetër të qytetit të Mynihut: “Pamja është e mrekullueshme… përreth meje shtrihet një varg i madh tymtarësh dhe dritaresh, papafingosh që dukeshin si kështjella dhe gërmadha…ndërsa qielli është kaq afër-s’ka të krahasuar.” Lumturia e artistit të ri për atë që sheh nga dritarja mbi shtrirjen e pafundme të çative ndihet edhe në këtë tablo. Përpara dhe poshtë dritares së papafingos së poetit të varfër shtrihej Mynihu me mbretin, oborrin e tij dhe pothuajse të njëqind mijë banorët e tij. Qyteti ishte përfshirë në ethet e ndryshimit: me të ardhur në pushtet në 1825, mbreti Ludvig e kishte zgjeruar mjaft qytetin e ngushtë mesjetar duke shtuar disa bulevarde të mrekullueshme si e famshmja Ludwigstrasse me Hollin e Gjeneralëve dhe Harkun e Fitores. Ai ndërtoi galerinë e skulpturës dhe Pinakotekën, teatrin e oborrit dhe atë kombëtar, të gjithë të frymëzuar nga arkitektura e Rilindjes italiane. Mynihu asokohe ishte njëlloj “Rome gjermane” ose “Athine e Gjermanisë”.Në projektet e tij të ndërtimit mbreti Ludwig I nuk e vriste shumë mendjen të merrte mendimin e qytetarëve të tij. Ai ashtu si të gjithë princat e Federatës gjermane pas Revolucionit të Korrikut të 1830-ës shtypi pa mëshirë çdo prirje demokratike. Ai shkoi deri aty sa të miratonte një dekret ku u ndalohej zyrtarëve të tij të përdornin termin “qytetar”. Në vend të tij duhej të përdornin termin e vjetër “subjekt” pasi termi “qytetar”….shpinte në arrogancë”. Mbreti përcaktonte gjithçka që shkruhej apo thuhej dhe sidomos se çfarë arti duhej mësuar në akademinë e artit të hapur prej tij. Ai ishte tepër i dhënë pas kulturës italiane dhe kishte caktuar Peter Corneliusin, një adhurues tjetër i flaktë i kulturës rilindase italiane, të drejtonte akademinë e artit të Mynihut. Spitzweg-u as nuk u përpoq të hynte në Akademinëe arteve. Ai mësoi vetë në rrethin e një grupi miqsh artistë. Nga sa mund të shohim sot duket qartë se ai e filloi punën për Poetin e Varfër duke bërë shumë vizatime të cilat kanë silueta të qarta dhe të japin përshtypjen se janë ngjyrosur më pas. Subjekti –një poet në një papafingo i rrethuar nga varfëria krejt e papërfillshme për të- nuk ishte i panjohur. Artisti anglez William Hogarth e kishte trajtuar pothuaj një shekull më parë ndërsa bashkëkombasi i tij William Turner në 1809-ën. Po ashtu italiani Tommaso Minardi e përdori këtë temë disa vjet më vonë për një vetportret. Po ashtu mund të përmendim piktorin Kaspar Braun i cili pikturoi një tablo me të njëjtën temë në 1832 i pasuar nga Honoré Daumier dhe pa dyshim edhe nga shumë të tjerë qysh nga ajo kohë.
Imazhi romantik i poetit që jeton në varfëri ishte tepër i përhapur-jo vetëm nëpër tablo, por edhe në letërsi dhe në skenat e teatrit apo të operave. Në 1812 August von Kotzebue shkroi një pjesë me titull Der Arme Poet (gjerm. Poeti i Varfër); ka të ngjarë që titullin e veprës Spitzweg-u e mori hua prej tij. Po ashtu në Paris u botua në1851 romani i Henri Murger-it La Bohème, temë e cila frymëzoi Giacomo Pucinin për të shkruar një opera me të njëjtin titull. Romani i Murgerit fillon me një përshkrim të dhomës së ftohtë të poetit. Po ashtu si në tablonë e Spitzweg-ut ai tregon se si tavolina, shtrati dhe karrigia kanë dale nga oxhaku, ndërsa tavani i pjerrët tregon se poeti banon në një papafingo.
Duke respektuar parimin e njohur të dritëhijes, drita më e fortë, (dritarja) dhe pjesa më e errët, (soba me pllaka), janë vendosur bashkë në pjesën e majtë të tablosë. Drita verbuese e pasqyruar në çatitë me bore që hyn nga dritarja jo vetëm i jep nota të hareshme tablosë, por thekson kontrastin me sobën e cila ndonëse burim i mundshëm nxehtësie, me ftohtësinë që përcjell thekson edhe më shumë gjendjen e mjeruar të poetit të shtrirë në dysheme. I ftohti është përdorur nga autori për të theksuar varfërinë dhe mjerimin e artistit. Soba s’do mend që nuk është ndezur prej kohësh, përndryshe në tubin e saj nuk do të varej kapelja cilinder e artistit, tufat e fletëve nuk do të ishin stivosur në derën e sobës, ndërsa vetë poeti nuk do të kishte marrë masa mbrojtëse ndaj të ftohtit duke u bërë paksa komik, duke u veshur me pallto dhe me skufe nate. Asokohe dhomat e ftohta ishin diçka me të cilën ishin mësuar të gjithë. Sobat ishin në gjendje të mbanin të ngrohta vetëm një pjesë të shtëpisë, duke i kthyer ato në objekte rreth të cilave organizohej jeta e shtëpisë në dimër. Në zona të ftohta të kontinentit si Gjermania, puna e parë që bëhej në mëngjes ishte ndezja e sobës, nëse ndodhej diçka për ta ndezur. Në krye të listës së krimeve kundër pronës nuk ishte vjedhja e ushqimeve, por ajo e druve të zjarrit. Sipas statistikave prusiane, katër të pestat e vjedhjeve lidheshin me lëndët djegëse; Poeti i Spitzweg-ut shkon edhe më larg. Siç shihet ai po djeg veprat e tij për të mos vdekur nga të ftohtit. Në një stivë përpara derës së nxirë të sobës mbi letra shihen fjalët “Operum meor. Fasc. III dhe IV”, pjesa e parë dhe e dytë e veprës së tij ka shumë të ngjarë të jetë ngjitur drejt qiellit në formën e paqëndrueshme të tymit. Sidoqoftë, poeti, sipas edhe imazhit romantik të kohës për artistin e pakuptuar dhe të shpërfillur nga shoqëria e borgjezëve mendjetrashë dhe të pagdhendur, nuk e meriton këtë gjendje, pasi ajo nuk është rrjedhojë e paaftësisë së tij. Madje nëse shohim më nga afër gjendjen e shkrimtarëve të Mynihut të viteve ’30 të shekullit XIX del se gjendja e mjeruar ekonomike e poetit nuk është domosdoshmërisht pasojë e mungesës së talentit të tij. Asokohe në Mynih mund të jetoje mire si piktor, por kurrësesi si poet. “Vetëm fare pak fatlumë mund të jetojnë vetëm me fitimet e shkrimeve të tyre letrare” thuhet në një libër mbi jetën e Mynihut të botuar në 1840 nga Herr Daxenberger.” Gazetaria është kufizuar vetëm në disa gazeta vendore dhe ato paguajnë pothuajse asgjë. Mungon nxitja. Mynihu nuk ka treg letrar si Leipzigu apo Shtutgarti dhe as publik lexuesish si Vjena.” Megjithëse ekzistonin rrethet letrare, vazhdon Daxenberger-i, veprat që paraqiten në to janë vepra mësuesish, anëtarësh të pallatit mbretëror dhe profesorësh tëuniversitetit. Pra, ata të gjithë ishin punonjës civilë që të shkruarit e kishin thjesht si një pasion dytësor. Por të fitoje jetesën vetëm me poema, histori, romane dhe tregime nuk ishte e vështirë vetëm nëMynih. Heinrich Heine, i cili ishte larguar nga Gjermania për t’i shpëtuar censurës dhe shtypjes, jetonte më tepër me paratë e trashëgimisë se sa me shpërblimin e shkrimeve tëtij. Eduard Mِrike jetoi për shumë vjet si prift në një famulli, ndërsa aristokrati Joseph von Eichendorff- si shumë bashkëkombas të tij- e quante “qesharake” të ushtronte “profesionin” e shkrimit të poezisë”.
Pra, poeti i Spitzweg-ut dëshmon në një masë të kosiderueshme një fare shkëputjeje nga realiteti, sepse ai ka marrë përsipër të sigurojë jetesën duke shkruar poezi, në vend që të bëjë ndonjë punë zyre si punonjës civil. Po ashtu e dalëmode duket edhe mënyra e të shkruarit. Vëllime të tilla të trasha si ato që shihen në dysheme rrotull dyshekut të tij trajtoheshin me shpërfillje nga romantikët e saj kohe. Fjalët duhej të rridhnin të lira prej përvojës së artistit dhe jo të ndërkalleshin në ritmin e paracaktuar të një heksametri, ritmet e të cilëve poeti i ka shënuar në mur. Ai duket se po numëron rrokjet me gishta, për t’u siguruar se ato përkojnë me metrin klasik. Heine bën romuze me të njëjtën gjë në 1847-ën kur shkruan për një arush të vogël që “kruan kokën /si një poet që kërkon rimën/ edhe ai rrokjezon me putrat e tij”.
Siç e thamë edhe më lart për t’u mbrojtur nga të ftohtit, poeti është shtrirë mbi dyshek i veshur me pallto dhe ashtu si shumë bashkëkohës të tij edhe me një skufe nate. Ai ka vënë rreth qafës një kravatë si të jetë bërë gati për të dalë jashtë. Asokohe kravatat ishin një nga elementet më të rëndësishme të garderobës së një burri. Ato mund të lidheshin me një numër të pabesueshëm mënyrash. Një adhurues i tyre, shkrimtari i njohur francez Honore de Balzac shkonte deri aty sa të shpallte se “La cravate, c’est l’homme”. (fr. Kravata është burri). Ai do të kishte thënë të njëjtën gjë edhe për bastunët të cilët nuk mungonte t’i zgjidhte me dorezë fildishi, megjithëse ishte i mbytur në borxhe dhe ndiqej këmba-këmbës nga kreditorët. Këta mbaheshin në dorën e majtë, pra, në dorën që një burrë i sërës përpara Revolucionit francez mbante shpatën. Një prodhues i tyre arriti të ofronte deri në 500 modele. Ashtu si kravata, edhe bastuni ishte njëri nga sendet me anën e të cilit një burrë i shoqërisë së lartë mund të dallonte veten nga të tjerët dhe të tregonte një farë klasi dhe individualiteti. Bastuni i poetit të varfër është mbështetur në murin majtas, pranë sobës. Modeli i tij është nga ata më të lirët dhe ka një kokë në formë T-je i quajtur “bastuni i Fricit”, sipas emrit të mbretit prusian Frederiku II. اadra e hapur mbi dyshek është padyshim një shpikje piktorike e Spitzweg-ut, pasi askush, të paktën për sa dihet, nuk e ka pikturuar një motiv të tillë më parë. Ajo jo vetëm me siluetën e saj luan një rol të spikatur në lojën e ndërsjelltë formale dhe grafike, por i jep edhe një notë humori të gjithë skenës. Edhe çadra ishte bërë pjesë e rëndësishme e sendeve vetjake të një burri, megjithëse jo prej shumëkohësh. Ajo ishte bërë e modës vetëm në shekullin XVIII dhe përdorimi i saj lidhej me ata zotërinj të cilët nuk ua mbante xhepi të kishin karrocat e tyre. Gjendja ndryshoi pas revolucionit parizian të 1830-ës. Lui Philippe i Shtëpisë së Burbonëve, mbreti-qytetar i Francës, e përdori çadrën si mjet afrimi me popullin. Përdorimi i shpeshtë i çadrës nga këmbësorët u kthye në simbol të prirjeve politike populiste. Kjo është e vërtetë edhe për kapelen. Formën e saj cilindrike e mori gjatë Revolucionit Francez, kur zëvendësoi kapelen tricepëshe dhe paruken. Në shekullin XIX e humbi ngarkesën simbolike subversive dhe u kthye në veshje standard për njerëzit e bindur ndaj ligjit madje edhe me prirje monarkiste. Cilindri, çadra, bastuni, kravata-të gjitha këto kishin një kuptim të natyrshëm për shikuesit e pikturës së Spitzweg-ut. Si në realitet edhe në art ato karakterizonin individin në terma të klasës dhe personalitetit. Ne e shohim sot poetin e shtrirë dhe karakteristikat e elementeve të garderobës së tij nga një këndvështrim i ndryshëm, pothuaj i kundërt. Për ne, ai nuk është një individ i ndryshëm nga të tjerët, por figura simbolike e një epoke të tërë – epoka Biedermeier.
Periudha Biedermeier që zgjati nga viti 1815 deri në 1848, u karakterizua nga rikthimi i stilit feudal të qeverisjes gjatë sw cilës « qytetarët » me mendjen te të drejtat kushtetuese u kthyen sërish në « subjekte ». Ishin të shumtë qytetarët që reaguan ndaj këtij presioni duke u tërhequr në sferën private të veprimtarive të tyre. Termi Biedermeier sot të kujton imazhe familjesh të mëdha e të lumtura, skena baritore dhe jete sentimentale shumë larg nga jeta politike. Por nwse epoka e mori emrin pasi kishte marrë fund,syzet, kapelet cilindër, çadrat dhe bastunët u kthyen në simbole të jetës vetjake gjatë rrjedhës së viteve. Spitzweg-u, i cili pikturoi deri në vitin e vdekjes, më 1855, luajti një rol të rëndësishëm në shndërrrimin e objekteve të jetës së përditshme në simbole të shpirtit të një epoke. Por kjo ndodhi vetëm në vitet pas pikturimit të tablosë Poeti i Varfër. Në këtë pikturë, vetëm skufja e natës ka një kuptim që lidhet me diçka tjetër që do ta shohim më poshtë. Piktura e Spitzweg-ut është ende subjekt diskutimesh akademike, që ka të ngjarë të jenë filluar nga vetë artisti. I pranishëm në debate është një vizatim përgatitor në të cilin janë shkarravitur me nxitim katër fjalë nga të cilat vetëm dy të fundit janë deshifruar si “weg floh” (gjerm. zhduku mor plesht). Kjo tregon se njeriu mbi dyshek nuk po ritmon rrokjet, por është duke shtrydhur një plesht midis gishtit të madh dhe atij tregues. Po a thua të jetë lexuar saktë kjo fjali? Sidoqoftë ndryshimi midis fluturimeve poetike të artistit – fjalët ad parnassum janë shtypur në njërën prej vëllimeve – dhe varfëria e dhomës së tij është tepër goditës. Detaji e pleshtit mund të jetë i gjetur, por jo i domosdoshëm.
Pyetja që na bren ende pa përgjigje është se përse kjo pikturë u bë kaq popullore mbetet piktura më e dashur për gjermanët? Sigurisht jo sepse ilustron epokën Beidermeier në çdo libër shkollor të historisë. Libra të tillë përmbajnë një numër tepër të madh ilustrimesh të cilat nuk i përmend askush. Mbase kjo tablo është kaq e njohur sepse është tepër e afërt me ëndërrat tona të rastësishme –dëshirës tonë për t’u tërhequr brenda katër mureve, për t’u dhënë më tepër pas librave se sa pas realitetit, për të ikur sa më larg të jetë e mundur nga bota e shëmtuar që na pret jashtë mureve, për t’u strehuar brenda një bote të brendshme plot bukuri, të rehatuar mbi nënkrejse të buta dhe të mbrojtur nga mburoja mirëdashëse e një çadre. Por shpjegimi eskapist i Poeti i Varfër nuk është i vetmi shpjegim i mundshëm i popullaritetit të tij; një faktor i dytë- më kombëtar në karakter duhet marrë në shqyrtim. Qysh nga fillimi i shekullit XIX, të paktën, karikatura e “gjermanit Mikael” portretizohej zakonisht me një skufe nate me majë. A mos ishte Poeti i Varfër një vëlla modern i këtij “gjermani tipik”? Mos e kanë marrë gjermanët poetin e Spitzweg-ut kaq për zemër sepse ilustron anën positive të imazhit të tyre të dikurshëm negativ - si një njeri që gjithmonë, edhe përballë situatash të vështira “çan vetëm përpara”. Gjatë atyre vitesh shtypjeje edhe në Francë u pikturua një tablo te e cila francezët njohën karakteristikat e tyre kombëtare: Liria Udhëheq Popullin në Barrikada, e realizuar nga Eugéne Delacroix. ثshtë e pamundur të gjesh dy tablo që kontrastojnë më shumë se sa poetit të Spitzweg-ut Mikael- dhe një figure femërore që po shpërthen barrikadat, një Liri e idealizuar që mban mban fort shtrënguar flamurin tringjyrësh në dorën e ngritur e ndjekur nga qytetarë të armatosur, punëtorë dhe fëmijë.
Në sferën e artit, një nga parakushtet për popullaritetin e një vepre është thjeshtësia. Ashtu si Mona Lisa e da Vincit dhe Lepuri i Dürerit, skena e Spitzweg-ut mund të përfshihet në një shikim të vetëm. Aty nuk ka perspektivë të ndërlikuar: dhoma, dritarja, soba dhe dysheku janë paraqitur paralel me rrafshin piktorik. اdo gjë është përcaktuar qartë, madje edhe nëse shikuesi nuk e di mirë se çfarë është ndonjë objekt që varet në mur, kjo nuk e shqetëson fare efektin e përgjithshëm. Një tjetër parakusht i popullaritetit: piktura duhet t’u flasë ndjenjave tona. Ndryshe nga rastet e Mona Lisas dhe Lepurit të Dürerit, në rastin e Poetit të Varfër ne nuk jemi të sigurt nëse po shohim një idil apo një satirë. Mbase Spitzweg-u i kishte të dyja ndër mend dhe ka të ngjarë që këtu të fshihet edhe tërheqja e vërtetë e kësaj tabloje. Ashtu si bën edhe në piktura të tjera, edhe këtu autori e sheh subjektin nga një këndvështrim paksa tallës, por tëpatëkeq dhe dashamirës. Poeti i Varfër tregohet me qëndrimin e skajshëm mospërfillës ndaj botës dhe realitetit, viktimë e pasionit dhe dëshirës për të mos u përballur me botën, të cilën mundohet ta kuptojë nga lartësia e papafigos ku është “fshehur”. Ai nuk është aspak i përkryer, ndryshe nga personazhet dhe bota që përshkruan në veprat e tij. Spitzweg-u i pranon dhe i do njerëzit ashtu siç janë, me huqet dhe virtytet e tyre, me marrëzitë dhe urtësinë e tyre. Një filozofi e urtë, pa dyshim, megjithëse aspak e përshtatshme për revolucionet

BallkanWeb
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top