Justifikoje!

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
kopertina-11-260x300.jpg


Ke dështuar të mbarosh një shkollë. Nuk ke përvetësuar dot asnjë profesion. Në fund të muajit nuk çon asnjë kacidhe në shtëpi. Vazhdon të ushqehesh prej prindërve edhe pse ke nja dhjetë vite që quhesh burrë. Duan, por nuk të përzënë dot nga shtëpia nga turpi i mëhallës. E megjithatë e vetmja gjë që ti di dhe vazhdon ta bësh është gjë e ligë.

U vra një vajzë nga i ati se kishte mbetur shtatzënë në beqari?

Ngrihu shaj mbarë e mbrapsht kë të mundësh. Jo vetëm babain vrasës. Shaj, për shembull, fshatin që e paragjykoi dhe e çoi babain drejt aktit mizor. Shaj mendësinë mesjetare të shqiptarëve, që akoma e quajnë turp dashurinë mes të rinjve. Shaj policinë që nuk arriti ta parandalonte. Por vetëm vrasësin mos e shaj. Atë jo. Atë vetëm justifikoje.

U hodh një studente nga maja e një grataçieli drejt e në trotuar?

Ti gjithmonë ke çfarë të bësh. Fillo akuzo pedagogët që nuk i dhanë provimin, kusur mos u lër. Akuzo të dashurin që e ndau për një tjetër të dashur. Vërja fajin edhe rojeve të sigurisë që nuk demonstruan syçelësinë e duhur për ta ndalur vetëflijimin. Ose akuzo prindërit. Edhe atyre punoju qindin. Se ata e vunë nën trysni për të marrë nota të mira dhe e kanosën se do t’ia hapnin kafkën me qysqi po të zinte të dashur. Pastaj merru me shoqërinë e saj të shkollës, që e kishte dhunuar barbarisht me garën për rezultate. Jo ndonjë tjetër por pikërisht atë që vendosi t’i japë fund jetës pa të drejtë. Që tmerroi dynjanë dhe i dha shembullin më të tmerrshëm motrës, vëllait, shoqes, koleges, kalimtarit, kalimtares, mua, ty, të cilët dhe të cilat ty dhe vetëm ty të duhet t’i justifikosh.

grate-300x212.jpg


Humb një fëmijë dhe del që e paska përdhunuar, masakruar dhe zhdukur kufomën një pedofil? Ti nisu vrik akuzo nga shqiptarët deri te mjekësia botërore që ende nuk kanë gjetur një ilaç për kurimin e sëmundjes së pedofilisë. Shtetin, që nuk di si t’i edukojë këta majmuna, këta çakej, këta djaj. Madje quaji të gjithë shqiptarët injorantë, të paemancipuar, që nuk dinë të sillen si europianë përpara këtyre fenomeneve. Të gjithë përlyeji me faj. Atë, monstrën, shtazën, bërllogun e njerëzimit, atë jo, vetëm atë jo, atë justifikoje.

U kap duke shitur 10 ton drogë?


Bravo thuaj. Thuaj, është i varfër populli. Populli do hajë, thuaj. Fajin vërja shtetit që nuk punon për këtë popull. Lëvdoje para miqve të tu për zotësinë. Llogarit sa para do të kishte fituar. Sa ka humbur nga kjo gjëmë. Fillo të përdhosësh policët derdimenë që e zunë në punë të tij. Televizionet dhe gazetat, mallkoji. Madje, merr laps e letër dhe shkruaj një artikull heroizimi. Hidh shpifje, akuza, gënjeshtra mbi çdo shqiptar të drejtë, që i vjen mirë kur dëgjon se ai u kap. Atë, tregtarin e jetës së fëmijëve tanë, fëmijëve të botës, jo, kurrën e kurrës mos u merr me të, atë vetëm justifikoje.


Iku nga burgu ku vuante dënimin për vrasje, për përdhunim, për pengmarrje, për gjobëvënie, për trafikim droge, për tregëtim njerëzish dhe shpëtoi?

foto-3-arrestimet-300x110.jpg


Hapi një faqe në Facebook dhe lëvdoje. Bëje Gjergj Elez Ali. Bëje Adem Jashar. Bëje Skënderbe. Futu të shara nga më perverset policisë, gjykatave, prokurorëve. Edhe atyre gardianëve që u vranë në përpjekje për ta ndalur. Edhe atyre stisu ndonjë bisht. Thuaj ishin rivalë. E kishin zili ngase ishte i zot. Quaji të gjithë shqiptarët popull spiun, që nuk lë rehat tjetrin në punën e tij. Atë, që sot mund të na vrasë edhe mua e ty, atë jo, atë vetëm justifikoje.

Ka dalë në televizor duke mbushur çantat me lekët e mia, me lekët e tua? Pështyje në surrat babanë tënd që nuk ishte i shkathët sa ai. Që kur kishte mundësinë të bëhej deputet, u hoq anash dhe ia la radhën një tjetri. Bjeri kokës me grushta. Shkul flokët nga marazi, që e kërkove jetën drejt e drejt. Që nuk bëre asgjë që të ishe ti në vend të atij me çanta. Kurse atë, hajdutin, maskarain, të pacipin, të pafytyrin, që vjedh në mes të ditës paratë e mia, paratë e tua, atë jo, atë justifikoje.

Falsifikoi bilancin, dha para nën dorë dhe nuk pagoi taksat?

justifikoje-2gjykatat-260x300.jpg


Bëj një konkurs për njeriun më të pasur të vitit dhe jepi një trofe. Madje ftoje në televizion dhe jepi mundësinë t’u tregojë shqiptarëve si bëhesh i pasur. Shqiptarëve të drejtë dhe të ndrojtur, që heqin paratë e fituara me djersë dhe gjak, atyre të varfërve që nuk guxojnë të fshehin taksat, thuaju matufë. Dembelë, frikacakë, trupeshk, pa iniciativë. Mos u ndal as në semafor t’u lësh radhë të kalojnë. Mos u jep as dorën sa herë të përshëndesin me admirim kur të shohin në rrugë. Kurse atë, manipulatorin e famshëm, atë jo, atë vetëm justifikoje.

E zuri bashkëshorti me dashnorin në krevat dhe i vrau në vend që të dy? Ti çirru e broçkullis kundër këtij fanatiku, vrasësi, që preu në mes jetën e dy njerëzve, të cilët janë të lirë të bëjnë me veten ç’të duan. Ky satrap, katundar, burrë dështak, që nuk është në gjendje të bëjë të lumtur gruan e tij, gjen guximin ta vrasë atë në kërkim të kësaj lumturie të munguar. Plasja në burg përjetë nuk e shlyen. S’ka gjykatë të verë drejtësi për këtë. Klith se atij i do rrjepur lëkura, i duhen shkulur dhëmbët e shëndoshë dhe thonjtë me pinca, dhe të lihet në agoni të mos vdesë asnjëherë. Ndërsa, atë burracakërinë, tradhëtimin, shkatërrimin e një familjeje, degjenerimin moral, mos e quaj gjë të madhe, vetëm justifikoje.

ligje-justifikoje-3-300x210.jpg

Por, që ta arrish t’i justifikosh të gjithë këto palaçollëqe, ik fshij nga kodi penal gjithë ato dënime që parashikon ligji ndaj atyre që i kryejnë. Dhe meqë disa nga veprat, edhe vetë ligji nuk i dënon, pra i justifikon, punën e ke mjaft të lehtë.

Por ke edhe një pengesë që s’të lë të shkosh deri në fund.

Morali.

Ajo që njerëzit, ata që s’duan t’ia dinë për shkrim e këndim, për ligj as maliq, quajnë të mirë e të keqe. Ai mekanizmi që i bën njerëzit të ndjehen të neveritshëm kur bëjnë njërën nga veprat e justifikuara nga ti dhe/ose ligji. Ajo që njerëzit e kanë për turp ta bëjnë dhe të turpshme e quajnë edhe kur e bëjnë të tjerët. Po nuk arrite të fshish edhe këto rreshta të shkruara thellë në ndërgjegjet e njerëzve, pra po nuk zhduke Moralin, asgjë s’ke bërë. E gjithë përpjekja jote do të varroset njëherë e përgjithmonë pa asnjë gjurmë.

/belkisa
 
Titulli: Justifikoje!

Mjerishte,shoqeria shqiptare funksionon ne shumicen e saj,ne kete forme.
Ajt i shalla behemi me mire..
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 25.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 18.8%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 25.0%
Back
Top