Julia Sinani ka zgjedhur teatrin imagjinar...

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Julia Sinani ka zgjedhur teatrin imagjinar për të shpërfaqur aftësitë e saj regjisoriale, duke vënë në skenë pjesën “Over there” nga autori rumun Dorum Motok

Gjithkush do të shkojë “atje tej”, ku ëndrrat prekin realitetin, por në momentin që kuptojmë se nuk është e mjaftueshme, nisemi sërish në kërkim të më së mirës. Kështu ka ndodhur me regjisoren Julia Sinani, e cila ka vendosur që ëndrrën e saj ta kthejë në realitet, duke ngjitur në skenë shfaqjen “Over there” nga dramaturgu rumun Dorum Motok. E ka zgjedhur një vepër të tillë qëllimisht, duke u nisur nga vetja. “Edhe unë kërkoj, dua të arrij “atje”, dua të arrij diku, por e marr ngadalë, duke iu përshtatur mundësive që më jepen. Por si një regjisore e re, mendoj se kam dhënë diçka, duke qenë se brenda tre vitesh kam ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar premierën e katërt. Por Julia e ka kuptuar që për të pasur sukses në profesionin e saj nuk mjafton vetëm të ëndërrojë. Asaj i duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, për të arritur objektivat që i ka vënë vetes, edhe pse e ka të qartë se lodhja nuk justifikohet gjithnjë. Vepra i përket teatrit imagjinar, një gjini e palëvruar në panoramën e artit skenik shqiptar. Por Julia e ka marrë përsipër faturën e rrezikut. “Nuk kam frikë në zgjedhjet e mia, pasi preferoj të rrezikoj, të jem ndër të parat që përballem më të renë, sesa të ngelem në vend”, shprehet ajo. Gjithnjë me projekte dhe ide novatore, Sinani e ka ndarë mendjen për t’u shpërfaqur si protagoniste në mes regjisorëve të rinj. Për këtë flasin vetë punët e saj. Edhe pse ka dy vjet që është diplomuar, kjo është shfaqja e katërt që vjen nën regjinë e saj. Nëse e pyet për se zgjodhi pikërisht veprën e Motok, Sinani rrëfen çiltërsisht se ishte një zgjedhje praktike: “Me veprën e Dorum Motok njihesha prej kohësh, por zgjedhja e saj është matematikë e thjeshtë. Pjesa ka vetëm tre personazhe, çka i përshtatet buxhetit që më është akorduar për të realizuar pjesën. Por gjithsesi, është një vepër e bukur për të treguar cilësitë si regjisore”, shton ajo. Meqë jemi te koncepti regjisorial i pjesës, Julia tregon sesi i ka zhvendosur personazhet në shfaqje në një stacion treni. Tre personazhe, shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, por me një qëllim të përbashkët: në kërkim të ëndrrës së pamundur. Një histori që përkon jo vetëm me realitetin shqiptar, por me të gjithë realitetet, për faktin e thjeshtë se personazhet e shprehin më qartë që synojnë të shkojnë “Over there” (Atje). “Mendoj se ka ardhur momenti të shkojmë drejt këtyre rrymave të reja teatrore. Janë shfaqje mjaft të kuptueshme, kudo që të shkosh e t’i shikosh”, shpjegon regjisorja e re. Secili prej personazheve ka zgjedhur mënyrën e vet. Njëri prej të rinjve mendon se idealizmi do ta çojë “atje”, personazhi tjetër, praktiku, zgjedh forcën për të shkuar atje. Ndërsa personazhi vajzë bën pjesë në një kategori më racionale, duke zgjedhur të qëndrojë me këmbë në tokë, sepse ndryshe nuk arrihet asgjëkund. Të tre personazhet e veprës kanë dëshirë të ndryshojnë realitetet... Ata duan të shkojnë “atje”, sepse “over there” është ndryshe nga këtu, nga ku jetojnë. “Në vepër, sipas autorit, të gjithë personazhet vriten në fund të saj, por unë kam menduar që ta shmang këtë zgjidhje kaq ekstremiste. Dua të përcjell qartë mesazhin e veprës, që është se, pavarësisht realiteteve, dëshirave e ëndrrave tona, ne duhet t’i përmbushim ato, duke qëndruar me këmbët në tokë”, vazhdon ajo. Këtë tipa të shoqërisë sonë do të vijnë nën petkun e tre aktorëve të rinj: Klodiana Keço, Ledion Zoi dhe Klodian Hoxha. Regjisorja do të ngjisë premierën në Teatrin Kombëtar më datë 17, 18 dhe 19 tetor. E shkruar prej një autori të ri rumun, Dorum Motok, vepra, më shumë sesa fjalëve, u jep përparësi lëvizjeve. Ajo i përket artit bashkëkohor, ndërsa mesazhi ose qëllimi i veprës është i përkthyer në lëvizje të trupit. Sipas autorit të veprës, Dorum Motok, “Over there” është krijuar për t’u dhënë liri të plotë regjisorëve të shfaqjes dhe në të njëjtën kohë të stimulojë imagjinatën e tyre. Si rrjedhim, në këtë vepër mund të imagjinohet çdo vend dhe çdo kohë për të vendosur veprimin. Pamja, mosha, kostumet dhe veprimet fizike të personazheve, të përcaktuara edhe këto vetëm si numër, janë lënë gjithashtu në zgjedhje dhe në varësi të vetë regjisorit, ndërsa po kaq liri në realizimin e veprës kanë edhe vetë aktorët. Një tjetër aspekt i regjisores që ngjason me pjesën, është karakteri i saj luftarak. Kështu, ajo nuk mjaftohet vetëm me vënien në skenë të një vepre, por kërkon të luftojë për artin e saj. “Mendoj se regjisorët dhe producentët duhet ta kthejnë teatrin në industri, dhe shfaqjet duhet të vihen në skenë të paktën 50 herë. Unë drejt kësaj dua të shkoj. Ne nuk duhet të varemi nga institucionet, por duhet të punojmë vetë më shumë, sesi të joshim publikun e ta afrojmë drejt teatrit”, shprehet regjisorja e entuziazmuar. Julia Sinani është një prej fitueseve të “Fondit Publik për të Rinjtë 2008”, projekt i financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo e fundit, përpos fondit prej 4 milionë lekësh të reja, kishte paravendosur numrin e fituesve. Këtë vit janë përzgjedhur vetëm pesë, nga nëntë që kishte gjatë edicionit të shkuar.



Korrieri
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top