Jashtë kornizave blu

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Jashtë kornizave blu

Imageثshtë fabrikuar për të qenë tejet serioz e gjithmonë i kollarisur. Në formatin e duhur për postet e rëndësishme politike. Ku qejfet e bashkëmoshatarëve të tij, veshjet ekstravagante, modelet trendy të flokëve, dëfrimet e shfrenuara… duken si sjellje të huaja. Që edhe tek Gerti Bogdani po shkojnë drejt zhdukjes. Por duket se diçka po e ruan me fanatizëm prej pasioneve të dikurshme…

Zefina Hasani

Po të bësh një llogaritje të shpejtë të të gjitha angazhimeve dhe eksperiencave që Gerti Bogdani ka kaluar deri më sot, numri rezulton të jetë më i lartë se shifra që do të mund të quhej normale për 28 vitet e jetës së tij.

Ka qenë president i qeverisë në shkollën e mesme teknologjike “Harry Fultz”, themelues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë (ASAN), ambasador shkolle dhe asistent i pedagogëve të ndryshëm nga njëri vit në tjetrin gjatë studimeve në Amerikë, pedagog në Universitetin e New York-ut në Tiranës, anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave në PD, Zëdhënës në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transporteve, Kryetar i Njësisë Bashkiake nr. 10 në kryeqytet, Zëdhënës i Partisë Demokratike…



Kaq do të mjaftonin, edhe nëse nuk do ta njihnim fare, për ta konturuar menjëherë si një njeri që mbi çështjet e tij të vogla vendos gjithmonë çështjet e mëdha të vendit, si një djalosh gjithmonë të kollarisur e tejet serioz. Shfaqjet e tij publike në ekranet televizive a faqet politike të gazetave për fushata e konferenca partiake për shtyp dëshmojnë çdo herë e më shumë këtë lloj profili, me të cilin edhe ai vetë duket se është kryekëput dakord. Ndoshta sepse kështu (ose afërsisht kështu) ka synuar të jetë, që prej kohëve kur filloi ta kishte të qartë se çfarë donte të bëhej kur të rritej. Sigurisht që atëherë nuk mund ta merrte dot me mend se do të bëhej në moshë kaq të re kryetar i një njësie bashkiake apo dhe zëdhënës i një partie të madhe, ama se rezultatet e larta e medaljet e arta në shkollë dhe iniciativat rinore të kryesuara prej tij do t’ia hapnin udhët drejt një karriere brilante, këtë nuk e vinte kurrë në dyshim. Gertit i bie të ketë gabuar thjesht në kohë me llogaritjet e tij duke mos e parashikuar dot se pikërisht në vitin që do të mbërrinte në Tiranë do të krijohej një KOP që do ta hidhte pak më parë nga ç’e kishte menduar në rrugën që fati duket se ia kishte përcaktuar që në fillim: në atë të politikës. Ndaj dhe nuk iu desh shumë mund e kohë që të përfshihej në ngjarjet e mëdha që i ndodhën njëherazi sa hap e mbyll sytë. Ishte fabrikuar për të qenë i tillë, me formatin e duhur, ku qejfet e zakonshme të bashkëmoshatarëve të tij, veshjet ekstravagante, modelet trendy të flokëve, dëfrimet e shfrenuara e të tjera e të tjera gjëra si këto, duken si sjellje të huaja. Ndaj dhe tek Gerti janë sjellje që po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt zhdukjes.



Mësymja do të fillonte që prej ditës kur do t’i duhej të linte shkumësin dhe dërrasën e zezë në Universitetin e New York-ut, ku jepte informatikë, për t’u futur në politikë. Nëse deri në këtë kohë mundej të vishte shapka me gisht apo ndonjë t-shirt të shkarravitur gjatë ndonjë prej shëtitjeve të fundjavave pasdite në Tiranë, më pas as që mund të bëhej fjalë. Kjo s’do të thotë se gardërobën e tij e kanë pushtuar vetëm kostumet serioze e kollaret (të cilat në fakt i ka preferuar që në shkollë të mesme). Ka plot dhe veshje sportive, por të tipit: atlete, bluza me jakë me tre kopsa (por jo pa kopsa) njëngjyrëshe e pa lajle-lule, pantallona të shkurtra (por jo më lart se gjuri) dhe kapela. “ا’është e vërteta, kur dal për shopping, tundohem jo pak herë nga t-shirtet me figura të çuditshme dhe shpesh i blej duke e ditur se do ta vesh ndonjëherë në të rrallë ose fare”. Ashtu si dhe shapkat me gisht, të cilat mund t’ia lejojë vetes vetëm në plazh ose në ndonjë orë të vonë të natës, kur është i sigurt se s’e sheh njeri. “E ndiej sigurisht këtë lloj kushtëzimi, ndaj përpiqem që të paktën pjesën më të madhe të xhaketave t’i kem më shumë sportive sesa klasike, që të mund t’i vesh me xhinse. Gjithsesi, po të bëj një llogaritje, prapë më rezulton se janë klasiket më të shumta në numër”. Ndërsa kanë filluar t’i pëlqejnë shumë dhe butonat e t’i përdorë për t’u prezantuar si një zotëri i vërtetë në takimet e rëndësishme, të cilat e kanë magjepsur e ia kanë gllabëruar gjithë kohën, aq sa bashkë me qejfet e veshjet e moshës nga gardëroba, po i zhduken pak e nga pak dhe pasionet e kahershme. Ai për pikturën, për shembull. “Në dhomën time kam një dosje të tërë me pikturat e mia, të cilat i kam bërë që kur isha i vogël e deri në vitet kur studioja në Amerikë. Janë kryesisht imazhe koncertesh të grupeve e këngëtarëve që kisha idhuj dikur, si dhe natyra të qeta. Të vetmin portret që më doli i saktë (ai i Skënderbeut) ma mbajtën në bibliotekën e shkollës Harry Fultz”. Ai mund të ketë qenë ndoshta dhe krijimi i fundit. Që prej viteve të shkollës së mesme, s’ka gjetur më kohë për pikturën. “E mendoj shpesh të ulem, por s’jam bërë mbarë të blej bojërat. Ndoshta vetëm kështu do të mund t’ia rifilloj duke shpresuar se jam ende në gjendje të krijoj”. Gjë që vështirë se mund të ndodhë në këto kohë që pritet të jenë edhe më të ngarkuara politikisht, prej fushatës elektorale. Aq më pak do të ketë shanse të merret me koleksionin me gati 13 mijë pulla, të cilin e ka krijuar që kur ishte i vogël, por që s’po mundet ta pasurojë më ashtu siç duhet. “Të paktën nuk e kam humbur vëmendjen ndaj tyre. Në lëvizjet e shpeshta që bëj nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, gjej dhe blej pulla të vjetra shqiptare dhe i fus në një sirtar në dhomën time. Por ato janë bërë aq lëmsh tani sa do të më duhet shumë kohë t’i rregulloj”. Por kohë të lirë nuk ka me shumicë. Ndaj ai është mësuar ta menaxhojë si të mundet, herë për ndonjë udhëtim jashtë Tiranës (të cilat dikur i bënte shumë shpesh, ndërsa tani gjithnjë e më në të rrallë) e herë për ndonjë dalje me miqtë e tij. “Udhëtimet për qejf, në kohën kur isha në Ministri, u zëvendësuan me lëvizjet e shpeshta e brenda ditës në rrugën Tiranë-Kukës e në shumë e shumë rrugë të tjera në ndërtim. Ndërsa më vonë pasuan udhëtimet në zona të ndryshme për punët e partisë”. E sa për miqtë, i vjen keq teksa e pohon se koha po ngushtohet pa kursim. Ato të pakta orë të lira që i mbeten në Tiranë, i ruan me shumë fanatizëm për të vetmin pasion që vazhdon të jetë shpëtimi i vetëm prej punëve të mëdha politike.



Imageثshtë fjala për basketbollin, sportin që e ka ushtruar që fëmijë dhe e ka vijuar rregullisht në gjithë vitet e mëpastajme. Kryesisht gjatë studimeve tek “Harry Fultz” kur ishte dhe pjesë e ekipit të shkollës. Ndërsa në kohën e studimeve në Amerikë e vitin e parë të mësimdhënies në Tiranë, loja do të reduktohej vetëm për orët e lira për t’u çliruar nga stresi i akumuluar prej leksioneve, provimeve apo dhe punës së tejzgjatur.

Kështu vazhdon të bëjë edhe sot e kësaj dite. “Mundohem të shkoj dy herë në javë, të hënë dhe të enjte, në Pallatin e Sportit, ku bëhemi tok me një grup miqsh”. Përpiqet të bashkohet me ata edhe për të parë ndonjë ndeshje në stadium, gjë që njëherë e një kohë e bënte me qejf të madh, gjithmonë edhe kur kishte ndeshje jo shumë të rëndësishme. “Ndërsa tani arrij të shkoj vetëm kur luan kombëtarja dhe më vjen keq për këtë”. Po aq sa i vjen keq edhe pse ka humbur sërish kohën e leximit. “Gjatë viteve të shkollës isha i detyruar të lexoja vetëm librat mësimorë. Iu riktheva leximit të librave artistikë këtu në Tiranë para se të hyja në fushatë për minibashkinë. Pastaj, gjatë fushatës, s’mund të bëhej më fjalë as për lexim, as për basketboll e për asgjë tjetër. I vetmi luks që mund t’i lejoja vetes në këto kohë ishte një kafe e qetë në mëngjes, në shtëpi bashkë me prindërit e mi, ritual i cili, që prej atëherë, vazhdon të ruhet edhe sot e kësaj dite”. Kurse leximit, gjithsesi, nuk i është kthyer dot më. Ama ka gjetur një mënyrë tjetër meditimi, që i ha më pak kohë. “Shkoj, bashkë me të dashurën time Edlirën, në një kishë protestante sa herë që mund të shkëputem nga zyra. E kjo ndodh të paktën një herë në javë. Nuk besoj tek institucionet fetare, por kam besim tek Zoti dhe komunitetin aty e shoh si një mundësi për të rifreskuar këtë besim”. Këndon, lexon Biblën e diskuton gjatë bashkë me ta, i shkëputur për pak momente nga gjithë realiteti që e rrethon, për t’iu rikthyer sërish sapo të kapërcejë pragun e derës së asaj kishe. Ku jeta vazhdon të gëlojë me të njëjtat ritme e zhurmë, ashtu si Gerti është mësuar tashmë ta jetojë. Madje dhe i gatshëm për të përballuar edhe më shumë se kaq. Jo më kot e ka përgatitur veten që në vogëli për të qenë veçse kështu.



Boks



Gjithnjë shembullor

Në gjithë vitet e shkollës, që prej klasës së parë e deri në vitin e pestë, në kuadratet e regjistrave, karshi emrit të tij nuk është shënuar asnjëherë asnjë mungesë pa arsye. Dhe asnjëherë asnjë notë poshtë 10-s. Në kujtesën e tij (e sigurisht dhe në regjistër) është regjistruar vetëm një 9 në përfundim të një semestri të parë në lëndën e letërsisë, që gjithsesi nuk ndikoi në notën përfundimtare 10. E shkak për këtë ishte bërë një 7 e marrë pa të drejtë (sipas gjykimit të tij) në hartim. Më pas, rezultatet mbeteshin absolute. Deri dhe në universitet në New York, ku pohon se ka marrë medaljen e artë. Pra, një nxënës vërtet shembullor, i dhënë kryekëput pas mësimeve. Por këtë të fundit Gerti e kundërshton duke të dhënë plot argumente se ka qenë po kaq i dhënë dhe pas organizimit dhe prezantimit të spektakleve në vitet e shkollës së mesme e pas muzikës metal.



Në kuzhinë

Gatimi vazhdon të mbetet një pasion, të cilin nuk e ushtron dot asnjëherë aq shumë e aq herë sa do të donte në të vërtetë. Kur ishte student në Amerikë, nuk e linin studimet të harxhonte shumë orë për të gatuar, gjithsesi atje mësoi shumë receta të reja që i zbatonte në dhomë, bashkë me shokët, zakonisht kur kishin ndonjë ditëlindje apo festë çfarëdo. Ndërsa tani mund të futet në kuzhinë kur gjen kohën e lirë, por dhe momentin e duhur për të sajuar ndonjë gjë interesante. “Zakonisht, për Vitin e Ri, bashkë me tim vëlla, ndihmojmë mamin jo vetëm për pazarin, por dhe për të gatuar gjërat që ne na pëlqejnë më shumë. Specialiteti im janë salcat e ndryshme. Veç tyre, mund të bëj dhe shumë gjëra të tjera, përveç gjellëve tradicionale. Dimri më tundon më shumë të përfshihem në gatim dhe ia dal vërtet të bëj gjëra të mira”.



I sapofejuar

Ka që prej katër vjetësh një lidhje tashmë publike me Edlirën, ish-shoqen e shkollës së mesme, me të cilën u rigjet pas përfundimit të studimeve të larta. Komentet e shumta mediatike, që i kanë shoqëruar në daljet e tyre të shpeshta, i kanë shpallur si të fejuar. ثshtë publikuar aq shpesh nëpër kronikat rozë një fakt i tillë, sa mori shumë shpejt përmasat e të vërtetës, por në fakt vetëm pak ditë më parë Edlira ka marrë një dhuratë pak më të veçantë nga të tjerat: një unazë që bën realitet gjithçka kishin parashikuar mediat. Kështu i bie që vetëm tani Gerti të jetë bërë vërtet (siç kanë shkruar gazetat) kunati i Arbrit të “Big Brother”-it. Përveç impenjimeve profesionale gjatë të cilave atyre u pëlqen ta mbështesin njëri-tjetrin, edhe në atë pak kohë të lirë që kanë, Gerti dhe Edlira janë gjithmonë bashkë, sidomos në udhëtimet që, po aq sa Gerti, i ka për zemër dhe mikja e tij.





Revista One
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top