Intervista e Albin Kurtit dhënë gazetës Lajm

dr.Dugi

Anëtar i ri
1. Nuk u paraqitët as në seancën e dhjetë. Ne e dimë qëndrimin e juaj se nuk do të paraqiteni në seancë vullnetarisht, veç nëse aty iu dërgon me forcë policia. A po fshiheni nga policia z. Kurti?

Nuk po fshihem por po vazhdoj me aktivitetet e Lëvizjes që i kam marrur përsipër. Si zakonisht qarkulloj nëpër tërë Kosovën meqë jam përgjegjës në Sekretariatin e VETثVENDOSJE!-s për qendrat e Lëvizjes. Mirëpo, natyrisht që nuk e ndihmoj apo lehtësoj arrestimin tim p.sh. duke zhvilluar takim në ndonjërën nga tarracat e lokaleve të rrugës Luan Haradinaj, njërën anë të së cilës e zënë ndërtesat e policisë dhe burgut.

2. Z. Kurti keni thënë se do të shkonit nëse gjykatësit janë të Republikës së Kosovës. A do të shkonit vetë në gjykim nëse gjykatësit do të ishin shqiptarë?

Nuk është problemi te përkatësia kombëtare e gjykatësve në panel. Problemi është te fakti që këto gjykata tash janë gjykata të EULEX-it mu ashtu sikurse që ishin gjykata të UNMIK-ut para se EULEX-i të zbarkonte në Kosovë. E dimë që UNMIK-u i kishte katër shtylla dhe shtylla e parë e tij ishin policia dhe departamenti i drejtësisë. Kjo shtyllë tash është EULEX-i. Edhe ata njësoj si UNMIK-u, në njërën anë, janë mbi ligjin të cilin e zbatojnë mbi neve vendasit duke pasur imunitet prej tij, ndërkaq, në anën tjetër, kanë fuqi ekzekutive mbi institucionet e Kosovës përfshirë këtu gjyqësinë. Sërish, njësoj sikurse UNMIK-u, edhe EULEX-i nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe njëkohësisht nuk i jep kurrfarë llogarie as qytetarëve dhe as institucioneve të Kosovës. Në këtë situatë nuk është e mundur gjyqësia e pavarur dhe e panashme që është parakusht për gjykime të drejta. Kjo është arsyeja pse unë nuk i përgjigjem thirrjeve të gjykatës. Do t’i përgjigjesha një gjykate të Republikës së Kosovës por atëherë kur nuk do ta kishim EULEX-in në Kosovë që me vetë qenien e tij e pamundëson gjyqësinë e drejtë. Për më keq, jo vetëm qenia por edhe funksionimi i EULEX-it është vazhdimësi e UNMIK-ut: nuk i cenojnë fare kriminelët serbë të luftës, nuk i prekin strukturat e Serbisë, bashkëpunojnë me strukturat e Serbisë në veri, nuk e luftojnë seriozisht korrupsionin, dhe në vend që të merren me policët rumunë të UNMIK-ut që vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn si dhe plagosën 80 demonstrues të tjerë duarthatë, më persekutojnë mua.

3. Prokurorët dhe gjykatësit shqiptarë vazhdojnë të jenë pjesë e këtij procesi pavarësisht thirrjes suaj për ta bojkotuar atë. اfarë qëndrimi keni ju për këtë?

Ali Rexha dhe Fëllanza Kadiu po bëjnë gabim duke u shfaqur aty në seancat e Ferdinando de Mongeotit. Ai po i përdor ata për ta zbutur mungesën e legjitimitetit të këtij procesi persekutues. Ata nuk kanë ndikim në këtë proces përveçse me praninë e tyre. De Monguetit dhe EULEX-it nuk i nevojitet as më shumë e as më pak se kaq. Ata duan shërbëtorë vendës për ta legjitimuar një padrejtësi të regjimit ndërkombëtar. Lëvizja VETثVENDOSJE! angazhohet pikërisht që Ali Rexha dhe Fëllanza Kadiu të bëhen me të vërtetë prokuror e gjykatës në Kosovë dhe jo të mbesin kështu shërbëtorë të EULEX-it. Por, për këtë qëllim duhet që Kosovën e pavarur ta bëjmë sovrane. Ali Rexha dhe Fëllanza Kadiu duhet të më ndihmojnë mua në mënyrë që unë ta kem më lehtë për t’i ndihmuar ata. Siç u kam thënë në një letër të mëhershme publike që ua kam dërguar, ata duhet të gjykojnë drejt, d.m.th. të mos shkojnë në gjykim.

4. Ka mundësi që një avokat ndërkombëtar në të ardhmen të jetë avokat juaji. A është paradoksale, ta zëmë, që një ish-gjykatës i UNMIK-ut t’iu mbrojë juve?

Kosova është bërë një vend ku paradoksalisht janë kombinuar tirania dhe anarkia. Ose ndoshta jo vetëm këto. Ndoshta është kombinuar gjithçka përveç demokracisë. Prandaj, ata nuk zgjedhin mjete për synimet e tyre. Kosova është pre e arbitraritetit në çdo aspekt të jetës. Këta mund të shkojnë edhe aq larg saqë të caktojnë mbrojtës që të lufton si asnjë prokuror. Besoj që EULEX-i nga ato mijëra lëndë të trashëguara nga UNMIK-u u ngut që ta marrë lëndën kundër meje për ta rifilluar gjykimin sa më parë, dhe këtë ta bëjë nga pozita e Prokurorisë Speciale, pikërisht në mënyrë që atë lëndë të mos e marrin vendorët të cilëve ai nuk u beson ani se ka nevojë e qejf që t’i përdor si shërbëtorë.

5. Z. Kurti disa ditë më parë policia ka tentuar t’iu arrestojë juve në varrimin e atdhetarit Ali Aliu ku pati të lënduar si nga ana e aktivistëve të Lëvizjes e po ashtu nga policia. Si e komentoni ju këtë intervenim të policisë?

Trysnia e vazhdueshme e EULEX-it mbi policinë e Kosovës që të më arrestojë mua ka bërë që përkundër shumicës së pavullnetshme të policisë për të më arrestuar të krijohet një task force me pjesëtarë të njësisë speciale të cilët kishin humbur mendjen dhe arsyen. Ka mundësi edhe që intervenimi policor te varrezat e qytetit u bë nga dikush që deshi të fitojë poena te EULEX-i. Aty nuk pati policë të lënduar. Njëri polic siç e kanë parë disa aktivistë dhe vetë kolegët e tij i ka lënduar gishtat meqë kolegu i tij ia ka mbyllur para kohe derën e furgonit policor. Po ashtu, as nga makina jonë nuk është lënduar askush sepse nuk ka qenë e mundur të lëndohet askush: aktivistët ia kanë hapur rrugën makinës sonë dhe ne kemi kaluar. Ata janë zemëruar meqë makina jonë ishte e dyta në radhë dhe ata e kanë ndalur makinën e parë duke menduar që una jam aty. Natyrisht, ne kaluam. Të mos harrojmë që sa herë që policia i rreh e i lëndon aktivistët e qytetarët menjëherë aty mbijnë edhe ca policë kinse të lënduar. Edhe më 10 shkurt 2007, pasi që ishin vrarë 2, ishin plagosur 80 dhe ishin burgosur 15 demonstrues, policia i lajmëroi edhe disa policë të lënduar në mënyrë që të amortizohet sadopak krimi i asaj dite. Këso fabrikimesh bëhen edhe për t’ua rënduar akuzat mandej aktivistëve të arrestuar.

6. Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe drejtori i Policisë Behar Selimi në një farë mënyre iu ka ardhur “keq” për këtë intervenim dhe kanë urdhëruar hetime të brendshme. Si iu duken juve këto “keqardhje” të Rexhepit dhe Selimit?

Nuk kam parë aq keqardhje te deklaratat e Bajram Rexhepit. Megjithatë, persekutimi ndaj meje dirigjohet nga instanca më të larta sesa këta të dy. Në veçanti, ky persekutim u intensifikua pasi që Kuvendi i Kosovës nuk nxori kurrfarë deklarate pas seancës parlamentare të 8 prillit dhe sidomos pasi që kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi i EULEX-it, Yves de Kermaboni, vizituan Prokuroroinë Speciale disa ditë para intervenimit të policisë te varrezat. Në krejt këtë çështje nuk duhet harruar edhe një emër: Emin Beqiri. Ai është drejtor për operacione të policisë në regjionin e Prishtinës dhe me 27 prill për RTV21 ka deklaruar që te varrezat mbi policinë kishte edhe ‘sulm me sende të forta’. Kjo është një shpifje e paskrupullt. Mbase nuk është e rastësishme që këtij Emin Beqirit i përmendet emri në CD-në e Nazim Bllacës si pjesëtar i ShIK-ut. Pikërisht ai ka pasur motiv për një ekspeditë të tillë policore te varrezat kundër aktivistëve të Lëvizjes dhe qytetarëve, në mënyrë që t’ia zbus ca zemrën EULEX-it i cili e ka dosjen për të.

7. Policët rumunë të EULEX-it janë zënë duke kontrabanduar raki dhe cigare. Një koment në lidhje me këtë?

Të qenit e tyre mbi ligjin, imuniteti që gëzojnë bashkë me familjet e tyre, ua bën krimin shumë joshës. Sigurisht që kanë ndikuar edhe tre faktorë të tjerë. Së pari, ata e dinë që kolegë të tyre kanë vrarë demonstrues paqësor në Kosovë dhe janë kthyer me gjithë pushkët e tyre në Rumani ku janë dekoruar. Kur ia kanë mbathur ata që kanë vrarë, pse të mos mendojnë këta me kontrabandë që mund t’ia mbathin? Së dyti, Rumania nuk e njeh Kosovën dhe mban një qëndrim të theksuar proserb. Ka shumë gjasa që rumunët e EULEX-it të mos kenë fare respekt për Kosovën dhe popullin e saj. Dhe, së treti, këta e kanë ditur që Kosova i ka shumë të pambrojtur kufijtë e saj. E kanë nënvlerësuar faktin që kufiri mund të mos ruhet nga kjo anë porse kjo nuk vlen edhe për anën tjetër.

8. اka mendoni për aksionin që policia e EULEX-i ka ndërrmarë në Ministrinë e Transportit dhe në pronat e familjes Limaj?

Ishte ky demonstrim i pastër i forcës me premtimin që është uverturë e demonstrimit të drejtësisë. Duke mos e njoftuar fare Qeverinë dhe as Kryetarin Sejdiu, EULEX-i tregoi se është qeveri mbi Qeverinë e Kosovës. Nuk jam optimist që EULEX-i do ta luftojë korrupsionin në Kosovë për dy arsye kryesore. Së pari, ata sundimin e ligjit e vënë në funksion të stabilitetit politik dhe jo të drejtësisë. اdo herë kur flasin për ligjin nuk flasin për të drejtat e qytetarëve dhe drejtësinë për qytetarët por për stabilitetin dhe sigurinë. EULEX-i e definon veten si operacion për menaxhimin e krizave, që do të thotë se ata na kanë definuar si krizë dhe jo si vend normal, dhe se preokupimi i tyre është pengimi i shpërthimit të krizës e jo eliminimi i saj. Së dyti, EULEX-i nuk do që ta kuptojë se para se të jenë problem politikanët e korruptuar, problemi themelor në Kosovë janë politikat e korruptuara. Si në aspektin politik kur bëhen pazare me Serbinë dhe mbillet kultura e servilizmit ndaj burokratëve ndërkombëtarë, po ashtu edhe në atë ekonomik kur shitet më lirë se badihava pasuria e Kosovës dhe kapacitetet e saj zhvillimore.

9. A pritet që Lëvizja VETثVENDOSJE! të merr pjesë në zgjedhje vitin e ardhshëm?

Nuk mund të jap një përgjigje për këtë çështje pa përfunduar debati që po e zhvillojmë në të gjitha qendrat dhe në të gjitha instancat e VETثVENDOSJE!-s. Peshimi i të gjitha argumenteve dhe arsyetimeve lidhur me përparësitë dhe mangësitë, dobitë e dëmet, merr bukur shumë kohë. Duam t’i japim kohë demokracisë së brendshme.

10. Zgjedhjet mbahen sipas Kushtetutës që bazohet në pakon e Ahtisarit që ju e kundërshtoni?

Po, kjo Kushtetutë e ka në zemër të saj Planin e Ahtisaarit i cili edhe i rri sipër. Kosova jo vetëm që nuk mund të përparojë por as të operojë tamam me këtë Kushtetutë. Ardhmëria e Kosovës me këtë Kushtetutë do t’i ngjajë shumë më tepër Bosnjes sesa një shteti normal e demokratik që dëshiron të integrohet në BE. Ndryshimet në Kosovë duhet të jenë rrënjësore e jo kozmetike. Qëllimet dhe synimet e Lëvizjes sonë mbesin po ato. Gjithashtu edhe koncepti. Ajo që po diskutojmë janë metodat në kuadër të strategjisë përfshirë këtu edhe pengesat nga më të ndryshmet që mund të na shfaqen.

11. Janë paralajmëruar bisedime mes Kosovës dhe Serbisë. Një qëndrim juaji në lidhje me këtë dhe cilat do jenë hapat e VETثVENDOSJE!-s?

Shpallja e pavarësisë së Kosovës ia solli Kosovës një pavarësi formale e nominale. Meqë kjo shpallje nuk u parapri prej të drejtës për vetëvendosje për popullin e Kosovës, ajo nuk u pasua me sovranitetin për Kosovën. Dy vjet e ca më vonë Kosova vazhdon të mos jetë sovrane dhe të mos ketë integritet territorial. Në mungesë të sovranitetit, pavarësisë gjithnjë e më shumë po i rrjedh edhe formaliteti. Erdhën 6 Pikëshi i Ban Ki-moonit dhe protokolli EULEX-Serbi për bashkëpunim policor. Në politikë, sikurse në jetë, ose ecën para, ose prapa. Status quo-ja është regress meqë të tjerët ecin përpara. Tash, po i përgatisin bisedimet e reja me Serbinë për koncesione të reja ndaj saj. Lëvizja jonë do të mobilizohet me potencialin e kuadrin e saj, në tubime, aksione protestuese e demonstrata, për kundërshtimin e këtyre bisedimeve që janë edhe të padrejta edhe të dëmshme. Parulla jonë e parë JO NEGOCIATA – VETثVENDOSJE! do të jetë gjithmonë aktuale përderisa nuk realizohet vetëvendosja për Kosovën.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top