“Intelektualja që braktisi gjithçka për dashurinë”,

“Intelektualja që braktisi gjithçka për dashurinë”, regjimi komunist i nxori në ‘Katër Rrugët e Shijakut’, uria në kampin e Tepelenës për Elena Mërlikën

elen.jpg
Si shtetase italiane vendosi të qëndronte këtu pas arrestimit të bashkëshortit në vitin 1946, me 15 vjet burg, dhe pranoi mundimet që diktatura kishte vendosur për ta. Në vjeshtën e vitit 1947 i dëbuan nga shtëpia në Tiranë, duke i dërguar në vendin Katër Rrugët e Shijakut, ku jetuan në një kasolle, më pas disa të afërm i morën në shtëpinë e tyre në Krujë, por Dega e Brendshme i çoi në qelitë e saj bashkë me familjen e Abaz Kupit, ku jetuan më shumë se një vit.

TEPELENË- Për Elena Mërlikën, siç edhe për të gjithë ata që provuan kampin famëkeq të Tepelenës, është shkruar edhe më parë. Bashkëvuajtësit i kanë ndarë kujtimet e përvojat e tmerrshme. Pas Kurt Kolës, për Elenën ka shkruar edhe i biri, Eugen Mërlika. Prej tij, më shumë se prej kujtdo tjetër, njohim vuajtjet e jetës së saj, mundësinë për të shpëtuar dhe zgjedhjen për të vuajtur.
Si shtetase italiane vendosi të qëndronte këtu pas arrestimit të bashkëshortit në vitin 1946, me 15 vjet burg, dhe pranoi mundimet që diktatura kishte vendosur për ta. Në vjeshtën e vitit 1947 i dëbuan nga shtëpia në Tiranë, duke i dërguar në vendin Katër Rrugët e Shijakut, ku jetuan në një kasolle, më pas disa të afërm i morën në shtëpinë e tyre në Krujë, por Dega e Brendshme i çoi në qelitë e saj bashkë me familjen e Abaz Kupit, ku jetuan më shumë se një vit. Në vitin 1949, siç kujton Eugeni, i nisën sipër një kamioni për në Tepelenë. Elena u nis atje me djalin tre vjeç dhe vjehrrën.
Ajo ishte krahu i punës së familjes së tyre në Tepelenë. “Jeta e atyre që punonin ishte shumë e lodhshme, sepse kishin zëvendësuar mushkat. Njeriu ishte kthyer në mushkë për të mbajtur dru nga mali për t’i sjellë aty; ecnin 2 apo 3 orë rrugë me dru në kurriz. Nganjëherë me rrasa guri…”, thotë Eugen Mërlika, i cili, në atë kohë, e kujton veten pranë së gjyshes, duke pritur mamanë te muri me tela i kampit. Për festa mund të kishte një program të veçantë, siç ishte një natë e Vitit të Ri, kur gratë ishin kthyer nga mali dhe një polic kërkoi tri prej tyre, ndër to dhe Elenën, për të ngarkuar sërish dru për në Tepelenë, në mes të shiut, dhe për t’i prerë sepse familjet e oficerëve kishin mbetur pa dru dhe i donin gati për në sobë.
Nga puna dhe uria në kampin e Tepelenës, Elenën e çuan në Vlorë, ku po ndërtohej burgu i Vlorës. Tashmë, duhej të përjetonte edhe ndarjen nga i biri, edhe pse të gjitha vuajtjet i kishte pranuar, pikërisht për të mos u ndarë prej tij, por shteti e kishte vendosur. Më pas e çuan në Lushnjë, ku u bashkua sërish me të birin. Ndërruan kamp pas kampi në qytetin jugor, nga viti 1954 deri në vitin 1991, kur u liruan nga kampi i fundit, i Grabianit. Elena Gjika rridhte nga një familje arbëreshe. I ati ishte publicisti i mirënjohur Sotir Gjika, drejtor i gazetës “Kuvendi”, që botohej në Romë, mik i Luigj Gurakuqit, Mustafa Mërlikës, Stavro Vinjaut, Gjovalin Kamsit etj..
Elena u diplomua në Universitetin e Napolit me rezultatin 30 me lavdërime. Teza e diplomës së saj u botua nga Akademia Italiane e Shkencave, ndërsa albanologu me famë botërore, prof.Gaetano Petrotta ngulte këmbë ta mbante asistente në katedër. Por ajo do të braktiste gjithçka për hir të dashurisë. U martua me Petrit Mërlikën, djalin e Mustafa Mërlikës, inxhinier i sapodiplomuar në Universitetin e Grenoblit. Siç tregon Mërgim Korça, kur ia arrestuan të shoqin, Elena i kërkoi ndihmë prof.Aleksandër Xhuvanit ta punësonte pranë Bibliotekës Kombëtare, ndërsa ai iu përgjigj: “Në gjithë Ballkanin nuk do të gjeja njeri më të përshtatshëm, por …”.
Ajo ishte e reja e ish-Kryeministrit në qeverinë fashiste, Mustafa Krujës, i cili tashmë jetonte në mërgim, e kaq mjaftonte që emri i saj të fshihej nga lista e çdo pune normale që një grua me nivelin e saj mund të kryente. Pas arrestimit të të shoqit dhe kunatit, e vetme, me të biri e vogël, Eugjenin, u detyrua të linte shtëpinë. Në vitin 1947 i dhanë urdhrin e zhvendosjes në Shijak e më pas në Krujë, ku banuan për pak kohë në qelitë e Degës së Brendshme. Pas dy vitesh do të nisej drejt ferrit, drejt Tepelenës. Ja si e kujton i biri, Eugjeni, atë ditë: “Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njërit nga personalitetet më komplekse e më të afta të kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë simboli më i gjallë e më rrëqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte.
Tepelena, zyrtarisht kampi i dëbimit, në fakt, ai i shfarosjes së njerëzve, pa dyshim konkurronte me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre, por puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme heterogjene shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila”.
PJESË NGA LIBRI “NË SHQIPËRINË BURG” TË KURT KOLËS
Gratë e vajzat i ngarkonin në shpinë si kafshët dhe nëpër udhë dhish, rrëpirave teposhtë, duke u rrëzuar e duke u ngritur, i zbrisnin në xhadenë e makinës! Këto ishin me normë: një metër kub për person! Dhe duhej të ngjiteshe e zbrisje monopatit, për rreth dy kilometra, gjashtë deri në shtatë herë, çfarë i binte të bëje dymbëdhjetë ose katërmbëdhjetë kilometra ngarkuar! Në darkë, rrugën e fundit, gratë, por edhe burrat që kishin prerë gjithë ditën, ngarkoheshin dhe e sillnin barrën në Degën e Punëve të Brendshme, në qytezën e Tepelenës.
Kjo qe e përditshme gjithë verës, ndërsa në vjeshtë e dimër zëvendësohej me plehun e dhive e deleve, që kishin veruar maleve të Kurveleshit. Dega e Punëve të Brendshme kishte parcela të vogla toke, të cilat i punonte me të internuar të moshës mbi 65 vjeç, sepse kjo quhej, sipas tyre, punë e lehtë. Këto ara plehëroheshin me pleh organik, që të internuarit e mblidhnin nëpër stane, mbushnin thasët dhe e ngarkonin në kurriz. Kur vinin në kazermë, gra e burra kundërmonin era pleh, që qelbte gjithë kazermën! Edhe kjo ishte një nga disa eksperimentet që u bënë me ne për të provuar rezistencën ndaj së keqes!
Çdo njeri e kupton rrezikun individual e kolektiv në një ambient si ai ku jetonim ne; mbi pesëqind vetë në një kazermë, ku më shumë se gjysma, pa mundur dot të ndërronte rrobat e trupit apo të lahej, pasi kishin transportuar gjithë ditën pleh, futeshin e flinin në kazermë me të tjerë! Duke punuar gjatë gjithë javës me pleh, edhe pse laheshin ditën e diel, duhma nuk u dilte nga trupi! Gratë e vajzat e internuara për të mos u prekur nga shkopi i ish- barinjve, që tani ishin policë të pushtetit komunist, jo nga dhimbja, por nga turpi e dinjiteti, me ndihmën e njëra- tjetrës bënin normën çdo ditë! Kjo i bënte me plasë policët sa injorantë, aq dhe kriminelë.
Po kush i printe karvanit të gjatë të grave e vajzave të internuara, të ngarkuara në shpinë me dru dhe pleh? Gjithmonë në krye ishte universitarja Elena Mërlika. Sikur të guxonte ta kish parë veten në ëndërr, të ngarkuar me dru e pleh, ndërkohë që ishte në auditorët e universitetit, apo mësuese gjimnazi, me thonj do të vetëmbytej! Ndërsa sot, për të lartësuar personalitetin e saj dhe emrin e madh të Mustafa Mërlikës, ajo printe karvanin pa e ulur shpinën e ngarkuar, me trupin fidan të drejtë e kokën lart!

Pas saj, me të njëjtin qëndrim e dinjitet, ecnin bijat e Princit të Mirditës, Gjon Markagjoni: Marta e Bardha Gjonmarkaj, të ndjekura në rresht nga Liria, bija e Muharrem Bajraktarit, Vera, bija e Hysni Demës, Ana, bija e Fiqiri Dines, Hyrie Kupi, vajza e Abaz Kupit, Lajde e Klora Miraka, mbesat e Kol Bib Mirakës dhe plot vajza e gra të familjeve të mëdha nacionaliste. Elena Mërlika ishte intelektualja, në diplomën e së cilës ishte shkruar në brinjë hipotenuze me germa në ngjyrë ari, vetëm një fjalë: “Brillantamente” ( Shkëlqyeshëm).
Vajzat që u përmendën dhe shumë të tjera kishin mbaruar gjimnazin, shkallën më të lartë të arsimit në Shqipëri. Ardhja e komunizmit u preu mundësinë e shkollimit të mëtejshëm, i futi në kampet e internimit, duke ua kufizuar çdo të drejtë për të jetuar, deri edhe më njerëzoren, të drejtën e martesës! Dhe kush i “qeveriste” këto gra e vajza të shkolluara? Komandanti i kampit, toger me grada për merita “lufte”, pa një ditë shkollë, veç me një kurs gjashtëmujor analfabetizmi…
*** Tepelena është vend malor, me dimër të ftohtë dhe borë. Urdhri ishte të shkoje në banjat e kampit për urinim, i madh e i vogël, sado ftohtë të ishte. Prenë Tarçukja, një plakë nga Puka, sikurse disa të tjerë, urinonin në kusia teneqeje natën dhe të nesërmen, fshehurazi, shkonin e i derdhnin në kanalet e ujërave të zeza te banjat. Për fatin e saj të keq, e pa polici dhe e ndaloi. E urdhëroi plakën të hiqte opingat dhe çorapet, duke e lënë zbathur në dëborë! Kusinë me urinë ia vari në qafë!
Pas këtij veprimi, i ra bilbilit të dilnin njerëzit përjashta. Ishte ende pa zbardhur mirë dhe Prena dukej si një hije në mes të dëborës. Teksa afroheshin dhe panë plakën, që dridhej e tëra nga të ftohtit, zbathur në dëborë e me kovën e urinës në qafë, Liza Tuci, vajzë burrëreshë mirditore, me disa gra e vajza të tjera që e ndoqën pas, iu turr polic Selfos me furkën e leshit për ta çarë në kokë. Por, shkurtabiqi u tregua më i shpejtë dhe i shpëtoi furkave të grave trimëresha, të cilat e morën plakën dhe e futën në kazermë. Ngjarja u konsiderua nga komanda provokim.
“Hiena”, komandanti i kampit, u fut brenda me të gjitha forcat e policisë që kishte kampi për të arrestuar grupin e grave, të cilat shpëtuan plakën pukjane, Prenë Tarçukën. Gra e vajza u armatosën me furka leshi e dru të shkurtër dhe zunë dyert e kazermave. Nuk lejuan asnjë burrë të përzihej në këtë çështje. Policët nuk guxuan të futeshin brenda. “Hiena” e pa punën pisk, zmbrapsi policët dhe kërkoi një përfaqësi grash për të biseduar. Të shkojnë ato gra që punojnë më fort,- tha nënë Mrika, gruaja e Princit të Mirditës, Gjon Markagjonit.
Dhe përfaqësia e grave qe: Elena Mërlika, Bardhe Gjonmarku, Hyri Kupi, Xhina Miraka dhe Nina Destanisha, pesë femra dinjitare, që u paraqitën në komandën e kampit për të bërë me dije kërkesat e të internuarave, të cilat do t’i paraqiste Elena Mërlika, e mbështetur njëzëri nga katër të tjerat. “Hiena”, komandanti i kampit, i priti në sallën e mbledhjeve, ku ishte thirrur gjithë ekipi i policisë për t’u bërë presion që të pranonin ato çfarë do të kërkonte ai. – Sot, në kamp, është tentuar një akt terrorist nga ana e disa të internuarave. Por, efektivi i Policisë, i planifikuar për t’u vrarë, u tregua i mençur dhe e shmangu aktin, prej të cilit do të rridhnin pasoja të rënda.
Kërkova një takim me një përfaqësi që ta mbyllim pa ndëshkime ekstreme. Ndaj e tërhoqa Policinë të mos përplaset me gratë dhe që ta mbyllim, siç u shpreha, ju kërkoj juve ta sillni paqësisht të dënuarën Liza Tuci, për të cilën u jap garanci se nuk do ta prek askush me dorë, veç do të marrë një dënim disiplinor njëzet ditë me izolim biruce,- e mbylli “Hiena” kërkesën e butë si masë, por tepër fyese për zonjat, të cilave ua kërkonte. Pritej fjala e përfaqësisë. – Zoti komandant,ia nisi Elena Mërlika, – ligjet, edhe kur të dënon gjykata, të garantojnë disa të drejta, që mbrohen me rigorozitet.
Po ne, që nuk jemi gjykuar për asnjë faj e nuk na ka dënuar gjykata, pse po përdoremi si kafshë pune?! Madje, akoma më keq se kafshët, me punë të rënda, pa orar, pa ushqimin e duhur, në rrethana shtrënguese e me kërbaçin e policit mbas shpine! Me punë të detyruar të dënon gjykata. Ne përdoremi për punë, madje nga më të rëndat, në shkelje të ligjit dhe dikush do të duhet të përgjigjet për këtë padrejtësi. Vërtet kemi ardhur me kërkesën tuaj, por jo për të zbatuar atë që kërkoni ju.
Kemi marrë ca porosi, të cilat do t’ua themi sot, për t’i pasur në mendje këtej e tutje… – Nuk ju kam thirrur të jepni këshilla si të sillemi ne, por për të zbatuar urdhrat që ne ju japim!- ia preu “Hiena” Elenës. – Zoti komandant, bëni durim sa të them atë që na kanë ngarkuar bashkëvuajtëset tona, pastaj ju vazhdoni me mënyrat tuaja,- foli Elena me qetësinë që e karakterizonte. – Hajde pra, fol të dëgjojmë mençuritë tuaja,- foli “Hiena” me tallje. – Jemi porositur t’iu themi se keni bërë me ne lloj- lloj provash gjenocidi, e torturuar të pafajshëm, ashtu sikundër ne jemi! E keqja ka shkuar në ekstrem të saj, ndaj ne jemi betuar dhe zotuar për të mbrojtur dinjitetin e secilit prej nesh, deri në vdekje! Nuk kemi armë, por me thonj do ta mbysim çdo kriminel, që do të guxojë të prekë cilindo…! – Mjaft! Pusho! Fashiste! Se nuk është kryeministër vjehrri yt Mustafa Kruja që na bën kërcënime, por është Enver Hoxha, që i përzuri një herë e përgjithmonë tradhtarët! Dilni shpejt, mos t’ua shoh surratin!- klithi “Hiena” me zhargonin komunist.
Por mesazhi ishte marrë dhe ai po pëlciste nga inati pse e lejoi të flasë dhe të deklarojë në sy të gjithë policëve, poshtërsitë që kishin bërë. Që të nesërmen, me fonogram, ia raportoi fjalë për fjalë ministrit të Brendshëm, ato që tha Elena Mërlika, duke e paraqitur si ultimatum dhe kërkoi udhëzime veprimi. Mehmet Shehu dërgoi me urgjencë “Diabolikun”, Niqif Andoni, me udhëzime të veçanta. Informacioni i dhënë nga komanda dhe emri i Elena Mërlikës kishin oshtirë fort në veshët e ministrit, ndaj kish dërguar menjëherë koordinatorin, i cili as hyri në kamp, as kontaktoi njeri nga të internuarit, veçse, duke ndjekur sjelljen e Policisë në ditët në vijim, konstatoje lehtë ndryshimin rrënjësor, jo vetëm me ata që punonin, por edhe në shërbimin e brendshëm.
Marrë nga Panorama
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top