Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
GJYKIMI I Tث PANDEHURIT Nث MUNGESث, NثN VثSHTRIMIN HISTORIK

E drejta shqiptare në përgjithsi nuk ka ndjekur një rrugë të sajën të zhvillimit por është ndikuar në vazhdimësi nga e drejta e huaj, kjo për shkak të pushtimeve të vazhdueshme nën të cilat është gjendur vendi ynë. Në periudhën e principatave ka pasur një ndikim të fortë të së drejtës bizantine dhe asaj feudale në periudhën e mesjetës.
Gjithashtu një e drejtë tjetër që është zbatuar në disa zona të thella të Shqipërisë si rezultat i terenit të thyer malor, mungesës së aparatit shtetëror dhe nevojës për tu vetëqeverisur është e drejta zakonore ( kanunet ). Kjo e drejtë e ka origjinën e saj të lashtë nga shoqëria fisnore dhe u rigjallërua dukshëm gjatë pushtimit osman .
Me pushtimin turk në Shqipëri filloi të zbatohej e drejta otomane (sheriati) dhe deri në shpalljen e pavarsisë legjislacioni procedural penal i zbatueshëm ka qenë ai otoman, legjislacion i cili u zbatua edhe më pas, por me ndryshime të herëpashershme që iu bënë nga qeveritë shqiptare të pas pavarsisë.
Pas çlirimit u miratuan dy kode procedure, i pari në 1953 dhe pas tij si rezultat i ndryshimit të kushtetutës dhe disa ligjeve të tjera që kishin të bënin me drejtësinë më 1980 hyri në fuqi kodi i ri, i cili vazhdoi të zbatohej edhe pas viteve 90-të me disa ndryshime deri në mars të vitit 1995 kur u miratua kodi aktual i procedurës penale.
Më poshtë do të marrim në analizë disa nga aktet kushtetuese apo ligjore për të parë nëse është njohur dhe se si është trajtuar në periudha të ndryshme instituti i gjykimit në mungesë të të pandehurit në vëndin tonë.



1.1 E drejta Zakonore Shqiptare.

Normat e pashkruara procedurale në Kanunin e Labërisë, në përmbajtie dhe shpesh herë edhe në formë janë thuajse të njëjta me normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit, të Kanunit të Skëndërbeut dhe kanuneve të tjerë gjë që dëshmon për karakterin mbarëshqipëtar të tyre .
Në të drejtën zakonore nuk mund të flitet për një administratë të mirfilltë gjyqësore, gjyqet bëheshin nga pleqtë të cilët zgjidheshin nga palët dhe luanin më shumë rolin e një arbitrazhi. Këto gjykata pleqsh nuk ishin hallka të sistemit gjyqësor të aparatit shtetëror të pushtuesve osman, por organizma të krijuara ad hoc nga palët e interesuara për shqyrtimin dhe gjykimin e çështjeve konkrete .
Mosmarveshjet ndërmjet individëve nuk kishin karakter publik, pra nuk mund të mereshin në shqyrtim ex officio nga kuvendi pa ankimin e palëve. Kanunet nuk shprehen ne lidhje me detyrimin apo te drejtën e të pandehurit (fajësit) për të qenë i pranishëm gjatë gjyqit që bëhej nga pleqtë, por nëse ndodhte që ndonjëra nga palët nuk donte që ti nënshtrohej gjykimit të pleqve, kanuni njeh rastet e ndërhyrjes së ndërmjetësve për të ndikuar mbi ta që ti nënshtrohej gjykimit . Duhet pasur parasysh një veçori të rëndësishme të së drejtës zakonore ku përgjegjësia shpesh binte mbi të zotin e shtëpisë ose nuk ishte individuale, prezenca e fajtorit nuk konsiderohej si e domosdoshme, mjaftonte që gjyqi i pleqve të investohej nga familjarët ose fshati.

1.2 Kodi i Procedurës Penale Otomane i zbatueshëm në Shqipëri

Legjislacioni otoman, veprat penale i ndante ne kontravencione (kundravajtje), delikte dhe krime. Kjo ndarje ishte bazë për të përcaktuar nëse personi mund të gjykohej në mungesë apo jo. Sipas Kodit të Procedurës Penale otomane të vitit 1879, i cili kishte si model Kodin e Napoleonit të vitit 1808 , kudërvajtjet ishin për kompetencë të gjykatave policore të thjeshta ( gjykatave të distrikteve ) si shkallë e fundit. Njoftimet për kundravajtjet bëheshim mbi kërkesën e funksionarit që ushtronte një detyrë publike ose të paditësit personal dhe i njoftoheshin të pandehurit me anë të një ftuesi gjyqësor. Palët kishin të drejtën që të paraqiteshin edhe me dëshirën e tyre pa qenë nevoja për fletëthirrje, por në qoftë se personat e thirur rregullisht nuk paraqiteshin atëherë procedohej me gjykimin në mungesë. Vendimi i dhënë në mungesë mund të kundërshtohej, me anë të një deklarate që bëhej në fund të aktit të njoftimit ose me një akt që duhej dërguar brenda tre ditëve nga komunikimi i vendimit. Kundërshtimi i vendimit sillte si pasojë caktimin e seancës së parë dhe nëse apeluesi nuk paraqitej atëherë kundërshtimi do të konsiderohej nul.
Në rastin e krimeve dhe delikteve, të trajtuara në kapitullin e dytë të kodit “Padia në mungesë dhe çështjet kriminale”, lejohej gjykimi në mungesë vetëm pasi bëheshin njoftimet përkatëse. Në nenin 371 parashikohej se nëse nuk kishte qënë e mundur që të kapej i pandehuri ose nuk paraqitej brenda dhjetë ditëve nga dita që ishte njoftuar në banesën e tij ose pasi ishte kapur por ishte larguar nga burgu, kryetari i gjykatës dhe në mungesë të tij anëtari më i vjetër i gjykatës nxirrte një urdhër në të cilin përcaktonte një afat të ri dhjetë ditor brenda të cilit i pandehuri duhej të paraqitej. Në rast mosparaqitje ai deklarohej “rebel dhe kundraligjeve”.
Deklarimi i mungesës sillte pasoja të caktuara për të pandehurin, kështu:
• Pezullohej nga ushtrimi i të drejtave si qytetar;
• Pasuria e tij sekuestrohej gjatë mungesës;
• Atij i mohohej çdo veprim gjyqësor gjatë kësaj kohe;
• اdo person ishte i detyruar të tregonte se ku fshihej i pandehuri.

Ky urdhër afishohej në portën e banesës së të pandehurit, në portën e prefekturës dhe atë të gjykatës, një kopje e këtij urdhëri i dërgohej dhe autoritetit që do të procedonte me sekuestrimin e pasurive të të pandehurit. Me kalimin e afatit dhjetë ditor procedohej me gjykimin në mungesë të të pandehurit dhe në sekuestrimin e pasurive të tij.
Të pandehurit të deklaruar në mungesë i mohohej e drejta e mbrojtjes, përjashtimisht kur i pandehuri ishte jashtë tokës së shtetit dhe ishte në pamundësi absolute për tu paraqitur, atëherë gjykata u lejonte prindërve apo miqve të të pandehurit të paraqisnin shkaqet dhe të mbronin legjitimitetin e këtyre shkaqeve.Nëse gjykata pranonte se këto shkaqe ishin legjitime, atëherë ajo vendoste pezullimin e gjykimit dhe të sekuestros për një afat që ajo do ta përcaktonte duke marrë parasysh natyrën e shkaqeve penguese dhe largësinë midis vendeve. Nëse nuk kishte shkaqe ose gjykata i konsideronte si jolegjitime, procedohej me gjykimin në mungesë të të pandehurit.
Një shkurtim i vendimit të dhënë në mungesë afishohej brenda tetë ditëve nga dita e shpalljes në portën e banesës së fundit së të dënuarit, në portën e pallatit të prefekturës si dhe në portën e gjykatës. Gjithashtu ky shkurtim vendimi brenda afatit të përmendur, duhej të botohej në gazetën e krahinës ku ka pasur banesën e fundit i dënuari dhe ti dërgohej autoriteti kompetent ku ndodhej pasuria e sekuestruar. Pasuritë e sekuestruara që në momentin e dhënies së vendimit do të konsideroheshin pasuri “absentësh” dhe do të qëndronin nën këtë rregjim deri në parashkrimin e dënimit që ishte 20 vjet. Një pjesë e pasurisë së sekuestruar mund ti lihej gruas, fëmijve, babait dhe nënës së të pandehurit në rast se ishin nevojtarë, këto vendime merreshin nga autoriteti administrativ.
E drejta për të bërë rekurs në gjykatën e diktimit i njihej vetëm Prokurorit të Përgjithshëm dhe paditësit personal.
Kur i pandehuri dorëzohej ose arrestohej para se të ishte parashkruar vendimi i dënimit i dhënë në mungesë, të gjitha veprimet e kryera nga nxierrja e urdhrit për deklarimin e mungesës sipas nenit 371 e deri në atë moment do të konsideroheshin nul de jure. Të pandehurit i lindte e drejta për një proces të ri, i cili do të zhvillohej në rrugët e zakonshme. Nëse personi i gjykuar në mungesë do të rezultonte i pafajshëm gjatë rigjykimit, ai megjithatë do të dënohej për pagimin e shpenzimeve që ishin bërë për gjykimin e tij në mungesë .

1.3 Kushtetuta e 1946 dhe Kodi i Procedurës Penale i 1953.

Kushtetutat apo statutet e ndryshme që kanë qënë në fuqi në Shqipëri në disa raste janë shprehur edhe për gjykimin në mungesë. Statuti Themeltar i Repuplikës Shqiptare (në fuqi deri më 1 shtator 1928) në nenin 101 të tij parashikon se “اdo njeri i pandehun për një krim duhet të ketë një mbrojtës që prej ditës që vete nën akuzim. Në qoftë se ai nuk kujdeset për të marrë mbrojtës atëherë gjykata ia emnon vetiu.” Në statut nuk përmendet pozita e te pandehurit që gjykohet në mungesë . Kushtetuta e Mbretnisë shqiptare (në fuqi deri në prill të vitit 1939) ashtu sikurse Statuti Themeltar nuk ka ndonjë parashikim të veçantë për gjykimin në mungesë .
Pas çlirimit u miratua Kushtetuta e 1946 e cila në nenin 22 të saj ndër të tjera parashikon “ ... Asnjeri nuk mund të dënohet pa u dëgjuar dhe pa u thirur që të mbrohet sipas përshkrimeve të ligjës, përveç se kur vërtetohet ligjërisht mungesa e tij. ....”
Në ndryshim nga kushtetuta, Kodi i Procedurës Penale është i mëvonshëm dhe nxjerrja e tij u bë e mundur vetëm në 1953, ndërkohë zbatohej një urdhëresë mbi disa norma proceduriale. Me ligjin nr. 1650, dt. 30.03.1953 u aprovua nga Kuvendi Popullor i Republikës të Shqipërisë Kodi i Procedurës Penale. Në nenin 231 të këtij kodi parashikohej:
“Gjykimi i çështjes në seancë gjyqësore duhet të bëhet me ndodhjen e të pandehurit. Gjykata mund të gjykojë çështjen në mungesë të të pandehurit vetëm në këto raste:
1) Kur e kërkon vetë i pandehuri dhe gjykata pranon;
2) Kur provohet se i pandehuri i fshihet gjykimit;
Në të gjitha rastet e tjera kur mungon i pandehuri, çështja duhet të shtyhet dhe në këto raste gjykata mund të urdhërojë që i pandehuri të sillet përdhunisht.”
Sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nr.19, dt. 30.03.1957 nuk mund të gjykohej në mungesë i pandehuri që nuk paraqitej në ditën dhe në orën e caktuar për gjykim megjithëse kishte komunikim të rregullt. Në vendimin e saj Gjykata e Lartë arsyeton,
“ ... Mosparaqitja e të pandehurit në gjyq edhe kur rezulton ti jetë njoftuar rregullisht dita e gjykimit, nuk tregon aspak se ai i fshihet gjykimit. Prandaj meqënëse edhe në rastin konkret ka ndodhur e njëjta gjë, gjykata nuk mund ta gjykonte çështjen në mungesë, por mund të përsëriste letër-thirjen të pandehurit ose të urdhëronte sjelljen e tij përdhunisht”.
Ndërkohë që sipas praktikës që ndiqej para hyrjes në fuqi të K.Pr.Penale, gjykoheshin në mungesë edhe të pandehurit që megjithëse kishin njoftim për ditën dhe orën e gjykimit nuk paraqiteshin dhe as lajmëronin gjykatën për ndonjë pengesë të arsyetuar. Në rate të tilla gjykata procedonte në gjykimin e të pandehurit duke dëgjuar provat në mungesë të tij dhe vendimin e marrë në mungesë ja komunikonte të pandehurit .
Me ndryshimet që iu bënë kodit të 53-it me ligjin nr. 2805, dt. 04.12.1958 nenit 231, tashmë neni 233 iu shtua edhe një pikë tjetër. Sipas kësaj pike gjykimi në mungesë do të lejohej edhe kur për krimin për të cilin akuzohej i pandehuri nuk parashikohej nga ligja dënimi me heqie të lirisë. Kur çështja ishte gjykuar në mungesë i pandehuri mund të paraqiste ankim brenda pesë ditëve nga dita që i ishte komunikuar vendimi. Gjykimi në mungesë i të pandehurit, në rastet kur kjo ndalohej nga ligja përbënte shkak për prishjen e vendimit nga gjykata e apelit.
 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit

1.4 Kushtetuta e 1976 dhe Kodi i Procedurës Penale i 1979.

Kushteuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisëe vitit 1976 vazhdon pak a shumë në të njëjtën frymë me kushtetutën e 46-ës, në nenin 56 në një ndër pikat e tij parashikohet “... Asnjeri nuk mund të dënohet pa qenë i pranishëm në gjyq, përveçse kur vërtetohet ligjërisht mungesa e tij. ...”
Pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re me ligjin nr. 6069, dt. 25.12.1979 u miratua nga Kuvendi Popullor edhe Kodi i i Procedurës Penale i cili thuajse zhduk mundësinë e gjykimit në mungesë. Sipas këtij kodi, mosgjetja e të pandehurit përbënte shkak për pezullimin e hetimit dhe të gjykimit. Kurse në bazë të nenit 24 kur i pandehuri, pa arsye të përligjura, nuk paraqitej në hetimin apo në gjykimin e çështjes, urdhërohej sjellja e tij me detyrim. Nga eksperienca e asaj periudhe, nuk ka ndodhur që të pandehurit të procedoheshin në mungesë . Kjo për faktin se në nenin 139 parashikohej se:
“ Shqyrtimi i çështjes në seancë gjyqësore bëhet në praninë e të pandehurit. Mosparaqitja e tij shkakton shtytje të seancës gjyqësore. اështja mund të shqyrtohet në mungesë të të pandehurit vetëm kur vërtetohet se i pandehuri i shmanget shqyrtimit me gjithë masat e marra për kërkimin e tij.”
Ky kod ashtu sikurse dhe kodi i 1953-it e konsiderojnë pjesmarjen e të pandehurit në gjykim, si detyrim dhe jo si një të drejtë. Situata ndryshoi totalisht me hyrjen në fuqi në 1995 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë dhe me Kushtetutën e 1998-ës, ku pjesmarja në gjykim e të pandehurit është një e drejtë e tij dhe jo një detyrim.
Ligji nr.7491 dt.29.04.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese” nuk shprehet në asnjë nen të saj për të drejtën e të pandehurit për të marë pjesë në gjykim apo për ndonjë të drejtë tjetër të të pandehurit. Projekti i kushtetutës që u propozua në 1994 në nenin 29 të tij parashikonte “Askujt nuk mund ti mohohet e drejta për tu dëgjuar në gjyq para se të dënohet”. Sic shihet ky projekt nuk parashikonte përjashtime nga rregulli, në ndryshim nga kushtetuta aktuale e cila në nenin 33/2 parashikon se nga e drejta për tu dëgjur nuk mund të përfitojë personi që i fshihet drejtësisë. Pra gjykimi në mungesë jo gjithmonë është lejuar për më tepër jo në kufij kaq të gjërë sa njihet nga legjislacioni aktual.
KREU 2
VثSHTRIM KRAHASUES

Problemet që kanë të bëjnë me gjykimin në mungesë janë ndjerë që në kohët më antike. Romakët nuk dënonin asnjë të pandehur pa i dhënë më parë të drejtën për tu përballur me akuzuesin dhe për tu kundërpërgjigjur në lidhje me veprën penale të cilën i atribuohej . Njihej fakti që i akuzuari për një krim duhej ti nënshtrohej procesit, por nëse ai brenda afatit prej tre ditësh nuk i nënshtrohej pushtetit dhe autoritetit të pretorëve ose fshihej, kjo përbërbënte një sjellje që barrazohej me një pohim, se ishte ai që e kishte kryer krimin dhe si rezultat i jepej edhe dënimi. Në një shoqëri siç ishte ajo romane, ku vlera që i jepej fjalës ishte shumë e lartë, kjo shihej si një pasojë normale sepse personi mund të përdorte mekanizmat dhe garancitë që ofronte e drejta romane dhe mospërdorimi i tyre nuk mund të nënkuptonte tjetër veçse pranimin e fajit.
Vende të ndryshme kanë pasur dhe kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me institutin e gjykimit në mungesë, kjo në varësi edhe të faktit se cilës famije ligjore i përkasin. Në vendet e common-law gjykimi në mungesë thuajse nuk parashikohet fare, kurse në sistemin civil-law pranohet rallë në bazë të disa rregullave të forta, përjashtim bën Italia e cila është shumë më tolerante se pjesa tjetër ndaj këtij instuti (për rjedhojë edhe Shqipëria, duke qënë se baza për hartimin e Kodit tonë të Procedurës Penale ka qenë Kodi Italian). Më poshtë do të shohim se si trajtohet ky institut në vende të ndryshme.

2.1 ITALIA
Legjislacioni italian është i vetmi që pranon procedimin në mungesë për çdo lloj vepre penale. Në disa vende evropiane ndodh e kundërta, gjykimi në mungesë zbatohet vetëm për disa vepra penale (si përshembul Britania e Madhe), ndërsa në disa vende të tjera ai thuajse nuk pranohet ( si në rastin e legjislacionit gjerman ku mosparaqitja e të pandehurit përbën shkak për pezullimin e gjykimit) . Në Itali pjesmarja e të pandehurit në debat përbën një të drejtë të këtij të fundit. I pandehuri “mund” por jo “duhet” të paraqitet në gjykim, ndërkohë që në vende të tjera ai ka detyrimin të paraqitet.
Legjislacioni italian jo në çdo rast i jep të pandehurit mundësinë e zhvillimit të një gjykimi tjetër gjatë të cilit ai mund të dëgjohet. Vendet e tjera i njohin automatikisht të gjykuarit në mungesë të drejtën e një gjykimi të ri në rast se ai kapet apo mësohet vendndodhja e tij. Në sistemin italian mbrojtja e të drejtave të të pandehurit të gjykuar në mungesë bëhet në rradhë të parë duke siguruar prezencën e një mbrojtësi, të zgjedhur ose të caktuar kryesisht, që përfaqson të pandehurin gjatë gjithë procedimit. Gjithashtu gjykimi në mungesë lejohet vetëm nëse të padehurit i është njoftuar rregullisht fletthirja, në mënyrë që të prezumohet se ai ka pasur njohuri efektive për procedimin ndaj tij dhe nuk duhet të ekzistojnë shkaqe legjitime që nuk e kanë lejuar të pandehurin të paraqitet në gjykim. Garanci të tjera të parashikuara për të gjykuarin në mungesë janë, institutet e “rivendosjes në afat” dhe “rishikimi”.
Pavarësisht nga garancitë e parashikuara, sistemi procedural Italian është dënuar disa herë nga GJEDNJ-ja për shkelje të nenit 6 të Konventës në fushën e gjykimit në mungesë . Sipas Gjykatës Europiane sistemi Italian nuk është i aftë ti ofrojë garanci të mjaftueshme të dënuarit në mungesë, se ai pasi të paraqitet do të rivendoset në afat për të bërë ankim dhe se do ti nënshtrohej një rigjykimi ku do ti jepet mundësia që të marrë pjesë në diskutim dhe të dëgjohet në lidhje me pretendimet e tij. Sistemi ynë procedural penal është thuajse i njëjtë me atë italian dhe këtu nuk bën përjashtim as instituti i gjykimit në mungesë të të pandehurit.

2.2 KOSOVA
Sipas Kodit të Përkohshëm të Procedurës Penale të Kosovës në qoftë se i akuzuari, i cili është njoftuar rregullisht, nuk paraqitet në shqyrtimin gjyqësor dhe nuk e arsyeton mungesën e tij, kryetari i trupit gjykues lëshon urdhërarrestin ose e shtyn shqyrtimin gjyqësor dhe urdhëron që i akuzuari të shoqërohet për seancën e ardhshme. Nëse i pandehuri e arsyeton mungesën e tij atëherë kryetari i trupit gjykues e revokon urdhërarrestin. Nëse konstatohet se i pandehuri i njoftuar rregullisht me dashje i shmanget gjykimit, me qëllim që të sigurohet prezenca e tij, trupi gjykues mund të caktojë masën e paraburgimit ndaj tij edhe nëse nuk ekzistojnë shkaqet për paraburgimin të parashikuara nga nneni 281 i K.Pr.Penale, në këtë rast paraburgimi mund të zgjasë derisa të shpallet akt gjykimi, në më të shumtën e rasteve zgjat një muaj (neni 340).

2.3 FRANCA
Franca e lejon gjykimin në mungesë duke u nisur nga ndarja që u bën veprave penale në delikte dhe krime. Për veprat penale më pak të rënda siç janë deliktet (delits) vendimi mund të shpallet në mungesë (par defàut), por bëhet i ekzekutueshëm vetëm pasi ti jetë njoftuar të pandehurit dhe gjithmon nëse ky nuk bën ankim brenda afateve të parashikuara. Një ankimim i tillë e shuan vendimin e dhënë dhe gjykimi kalon në fazën fillestare. Gjatë këtij rigjykimi ekziston mundësia që të zbatohet edhe parimi reformatiu in pejus.
Në sistemin francez del në pah parimi sipas të cilit askush nuk mund të dënohet pa u dëgjuar më parë nga gjykata e lidhur ngushtë me të drejtën e të pandehurit për tu mbrojtur, për më tepër edhe parimi sipas të cilit i pandehuri ka detyrimin të paraqitet në gjykim. Për disa vepra penale më pak të rrezikshme (që dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet), legjislacioni francez i njeh të pandehurit të drejtën për të kërkuar që të gjykohet në mungesë të tij. Në një rast të tillë nëse gjykata e lejon i pandehuri duhet të përfaqësohet nga mbrojtësi i tij, por kur të konsiderohet e nevojshme mund të urdhërohet paraqitia e tij. I pandehuri i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore mund të pyetet në banesën e tij nga një gjykatës i deleguar posaçërisht, kur lind nevoja për të përshpejtuar procesin.
Edhe për krimet e rënda (crimes), lejohet gjykimi në mungesë para Gjykatës së Asizit. Konsiderohet në mungesë i pandehuri që jo vetëm nuk është paraqitur në gjykim, por edhe personi i cili i shmanget urdhërit për tu paraqitur, që i është njoftuar dy herë, duke u rebeluar ndaj ligjeve. Sistemi francez parashikon se pas paraqitjes së kërkesës për gjykim, të pandehurit i njoftohet data e seancës të paktën dhjetë ditë para datës së caktuar. Njoftimi i bëhet në vendbanimin e tij të fundit që njihet, në bashkinë ku ndodhej vendbanimi i tij i fundit ose në zyrën e Prokurorit të Repubikës pranë Gjykatës së Asizit. Nëse i pandehuri nuk paraqitet ose arrin të largohet pasi është paraqitur, Presidenti i Gjykatës së Asizit, ose në mungesë të tij kryetari i gjykatës ku do të zhvillohet gjykimi ose një magjistrat që e zëvëndëson, nxjerr një urdhër me të cilin i jepet një afat i ri dhjetë ditor për tu paraqitur pas skadimit të të cilit do të shpallet “rebel ndaj ligjeve” apo “contumace”.
Deklarimi i mungesës passjell penalitete të rënda , sekuestim të pasurisë, pezullim të të drejtave civile apo heqie të zotësisë për të bërë padi gjyqsore në mbrojtie të të drejtave të tij. Gjithashtu lind detyrimi për gjithseicilin të tregojë se ku fshihet i pandehuri. Efekti thelbësor që sjell me vete shpallja e mungesës është gjykimi me anë të një procedure speciale të privuar nga garancitë që normalisht shoqërojnë një procedim para Gjykatës së Asizit.
Procesi para Gjykatës së Asizit është krejtësisht simbolik dhe shumë i përmbledhur, sepse mungon juria popullore dhe është një gjykim që bëhet në gjendjen që janë aktet pa pyetje dëshmitarrësh. Për më tepër të pandehurit në mungesë nuk i njihet e drejta për tu përfaqsuar nga një mbrojtës , por të afërmve të tij u njihet e drejta që të justifikojnë paaftësinë e tij të përkohëshme për tu paraqitur në gjykatë. Pra e gjithë procedura nuk ka aspak karakter kondradiktor. Në praktikë thuajse gjithmon ndodh që personi që është në mungesë dënohet, por teorikisht Gjykata e Asizit nuk është e detyruar ta dënojë dhe nëse jemi para një vendimi pafajsie ai prodhon të njëjtat efekte si edhe një vendim pafajsie i dhënë pas një gjykimi kondradiktor.
Vendimi i dhënë në mungesë të të pandehurit vendoset në një gjendje pritshmërie. Kjo situatë ka si zgjidhje paraqitjen apo kapjen e të dënuarit, brenda afatit të parashkrimit të dënimit ( normalisht 20 vjet) që përcakton anullimin prapaveprues të dënimit dhe procesi rinis nga fillimi me të gjitha garancitë e nevojshme.

2.4 PORTUGALIA
Portugalia deri në vitit 1987 parashikonte një sistem gjykimi në mungesë të ngjashëm me gjykimin “par defaut” që aplikohej në sistemin francez. Legjislacioni i ri i miratuar pas 1987-ës pothuajse e eliminoi fare gjykimin në mungesë. Ai lejohej vetëm në raste shumë të veçanta kur i pandehuri është dakort dhe kur është në kushtet e një pamundësie të rëndë dhe të qëndrueshme. Deklarimi i mungesës sjell për të pandehurin një sërë pasojash jashtë gjyqësore (pamundësia për të disponuar për të drejtat e tij, etj...), por gjykimi pezullohet menjëherë pasi deklarohet mungesa. Gjithsesi një sistem i tillë nuk është treguar shumë efektiv, për sa kohë që parashikon një qëndrim në vënd të procedimit. Sistemi i ri portugez ka vlerësuar maksimalisht mbrojtjen personale në kuriz të sistemit të gjykimit në mungesë.

2.5 GJERMANIA
Në Gjermani gjykimi në mungesë nuk lejohet. Nëse i pandehuri nuk paraqitet në gjykim në fillimim të procesit, pa shkak, duhet të shoqërohet para gjykatës dhe gjithashtu nuk i lejohet të pandehurit që të largohet gjatë procesit gjyqësor. Mungesa e të pandehurit çon në pezullimin e gjykimit dhe gjykata mund vetëm të marrë prova të cilat do të përdoren në të ardhmen, një lloj sigurimi prove. Gjithsesi janë parashikuar disa raste përjashtimore në të cilat mund të lejohet gjykimi në mungesë, por vetëm pasi i pandehuri të jetë pyetur në lidhje me akuzat që i atribuohen dhe gjykata nuk e gjykon më si të nevojshme prezencën e tij të mëtejshme. Këto raste përjashtimore janë si më poshtë:
Kur i pandehuri largohet gjatë seancës ose nuk paraqitet në seancë, pa shkak të ligjshëm;
Kur i pandehuri qëllimisht dhe me dashje shkakton paaftësinë e tij për të qëndruar në seancë;
Kur i pandehuri me sjelljen e tij nuk lejon zhvillimin e rregullt të seancës;
Kur kemi disa të pandehur, mund të lejohet mungesa e një të pandehuri;
Kur i pandehuri nuk paraqitet në seancë ndonëse është njoftuar, përfshirë njoftimin që ekziston mundësia e gjykimit në mungesë, nëse parashikohet një dënim i ndryshëm nga ai me burgim;
Kur mungesa e të pandehurit është lejuar mbi kërkesën e tij dhe parashikohet një dënim me burgim deri në 6 muaj.
Në rast se i pandehuri do të gjykohet në mungesë atij i caktohet menjëherë një mbrojtës. Nëse ndodh që i pandehuri të paraqitet duhet të njoftohet për provat e vlefshme të mbledhura në mungesë të tij. Ekziston gjithmon mundësia që procesi të zhvillohet në mungesë kur gjykata arrin në përfundimin se mosparaqitja e të pandehurit përdoret si strategji procedurale me qëllim për të paralizuar vazhdimin e procesit. Vendimi i dhënë në mungesë i nënshtrohet ankimimit me përjashtim të rastit kur i pandehuri nuk paraqitet në gjykim apo lagohet nga seanca pa autorizim.

2.7 USA
E drejte për të qënë i pranishëm rrjedh nga e drejta për një proces të rregullt dhe e drejta për tu njohur me akuzën të sanksionur që me “Bill of Rights” në 1791. Mund të hiqet dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm vetëm me deklaratë të shprehur nga i pandehuri, deklaratë e cila do ti nënshtrohet vlersimit të drejtëpërdrejtë nga ana e gjyqtarit. Pra ekziston një detyrim i shprehur per tu paraqitur, qoftë për të hequr dore nga e drejta për të qënë i pranishëm në seancat pasardhëse.

2.8 ANGLIA
Gjykimi në mungesë nuk është i parashikuar, me përjashtime të vogla në gjykatat e ulta, po gjithmonë bazuar në kritere shumë të forta. Mungesa e të pandehurit përbën shkak për lëshimin e një urdhër arresti me qëllim që i pandehuri të sillet para gjykatës.



GJYKIMI Nث MUNGESث

Gjykimi në mungesë i të pandehurit, i pranuar nga e drejta jonë, është një zgjedhje midis interesit publik nga njëra anë, pra ndëshkimit të krimit dhe interesit individual nga ana tjetër, që është e drejta e të pandehurit për të qenë i pranishëm dhe për tu dëgjuar gjatë gjykimit. Nga ana e legjislatorit ky konflikt interesash është zgjidhur në favor të interesit publik duke pranuar institutin e gjykimit në mungesë fillimisht me Kodin e Procedurës Penale në 1995 dhe në 1998 u sanksionua edhe me Kushtetutë, por nga ana tjetër janë bërë përpjekje për të siguruar standardet minimum të të drejtave individuale në procesin penal, pa i mohuar të pandehurit një proces të rregullt ligjor. Pra synohet mbrojtja e interesave të të tjerëve por pa mohuar interesat e personit që akuzohet për një vepër penale.
Sanksionimi në kod i procedimit në mungesë është bërë me qëllimin e mirë për të goditur shpejt dhe menjëherë veprat penale dhe për të rritur efektivitetin e luftës kundër kriminalitetit . Nëse nuk do të lejohej gjykimi në mungesë kjo mund edhe të shkaktonte paralizimin e proceseve gjyqësore, duke pasur parasysh pasojat që mund të vijnë si p.sh. në zhdukjen e provave, skadimin e afateve të hetimit ose një keqfunksionim të drejtësisë.
Neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut parashikon të drejtën e çdo personi për një proces të regullt ligjor, me të cilin kuptohet që një proces duhet të sigurojë garancitë minimale të parashikuara nga konventa. Megjithëse nuk përmendet shprehimisht në paragrafin 1 të nenit 6, objekti dhe qëllimi i këtij neni të marrë në tërësi, tregojnë se një person i akuzuar për kryerjen e një vepre penale ka “të drejtë” të marrë pjesë në gjykim. Për më tepër, nënparagrafet c), d) dhe e) të paragrafit 3 i garantojnë “çdo personi të akuzuar për një vepër penale” të drejtën të “mbrohet personalisht” , “të pyesë ose të pyeten dëshmitarët” dhe “të ketë ndihmën falas të një përkthyesi, në qoftë se ai nuk e kupton ose nuk flet gjuhën e përdorur në gjyq” dhe është e vështirë të kuptohet se si ai mund ti ushtrojë këto të drejta pa qenë i pranishëm në proces. Por Gjykata e Strasburgut në çështjen Sejdovic kundër Italisë u shpreh se:
“ Gjykimi në mungesë nuk është në kundërshtim me frymën e nenin 6 të KEDNJ-së me kusht që i pandehuri të jetë njoftuar në mënyrë efektive për procedimin që është nisur ndaj tij ose ai të ketë hequr dorë në mënyrë të shprehur nga e drejta e tij për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit dhe ti sigurohet mundësia e pakufizuar për një proces të ri në prani të tij pasi është paraqitur”.
Siç shihet GjEDNJ nuk kërkon detyrimisht që shtetet të sigurojnë praninë e të pandehurit në gjykim, e kundërta do të çonte në eliminimin e institutit të gjykimit në mungesë, por kërkon që mjetet që ofrohen nga e drejta e brendshme për të pandehurin të gjykuar dhe të dënuar në mungesë, që as nuk ka hequr dorë nga e drejta për të qënë i pranishë gjatë gjykimit dhe as nuk i është fshehur drejtësisë, duhet të jenë efektive .
Siç thamë gjykimi në mungesë gjen rregullim si në Kushtetutë ashtu edhe në Kodin e Procedurës Penale. Në nenin 33 të kushtetutës është parashikuar se “Kushto ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet. Nga kjo e drejtë nuk mund të përfitojë personi që i fshihet drejtësisë.” Në këtë vështrim konstatohet se e drejta e të pandehurit për të qënë i pranishëm në gjykim, nuk është absolute, por përmban në vetvete mundësinë e kufizimit të kësaj të drejte. Kufizimet duhet të jenë në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës, pra nuk duhet të cënojnë thelbin e së drejtës.
Gjithmonë duke iu referuar nenit 33 të Kushtetutës arrijmë në përfundimin se, pjesmarrja dhe prezenca e të pandehurit në gjykim përbën një të drejtë për të dhe jo një detyrim, për rrjedhojë vetëm kur vërtetohet se i pandehuri i fshihet drejtësisë apo nuk dëshiron të shfrytëzojë të drejtën e tij për të qënë i pranishëm gjatë shqyrtimit gjyqësor, ai mund të gjykohet në mungesë. Duke u fshehur apo duke mos u paraqitur i pandehuri humbet të drejtën për tu dëgjuar por jo të drejtën për një proces të rregullt ligjor.
I vetmi rast kur i pandehuri mund të shoqërohet në mënyrë të detyrueshme para gjykatës, kur nuk është paraqitur apo është deklaruar në mungesë, parashikohet nga neni 353 i K.Pr.Penale kur prania e tij është e domosdoshme për marrjen e një prove, por jo për pyetjen e tij.

3.1 Rastet kur lejohet gjykimi në mungesë.

Nisur nga përmbajtia e nenit 352 të K.Pr.Penale, gjykata mund ta gjykojë çështjen në mungesë të të pandehurit kur ai e kërkon ose jep pëlqimin, kur duke qënë i burgosur refuzon të marrë pjesë dhe kur provohet se i pandehuri i fshihet gjykimit. Pra gjykatës nuk i njihet e drejta që ta gjykojë të pandehurin në mungesë nëse ai nuk ka dhënë pëlqimin e tij ( të ketë hequr dorë në mënyrë të qartë dhe të vullnetshme nga e drejta e tij për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit). Për këtë arsye i pandehuri duhet të njoftohet në mënyrë efektive për procedimin e nisur ndaj tij, që ai të vendosë vetë nëse dëshiron apo jo të jetë i pranishëm gjatë gjykimit.Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në Vendim nr.38, datë 08.04.2004 shprehet:
Pjesmarrja e të pandehurit të lirë apo të arrestuar, edhe në seancën e shqyrtimit të ankimit në gjykatën e apelit kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë lidhur me kërkesën e prokurorit për vleftësimin e masës së ndalimit dhe për caktimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg, kur i pandehuri vetë ka shprehur dëshirën për trë marrë pjesë, panvarsisht nga prokura e lëshuar më parë prej tij për t’u përfaqësuar në mungesë të tij nga mbrojtës, është një detyrim ligjor për gjykatën dhe mosrespektimi i këtij detyrimi përbën shkelje të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor”.
Pra nuk është në çmimin e gjykatës nëse i pandehuri duhet apo jo të marrë pjesë gjatë gjykimit, ajo ka detyrimin ta njoftojë të pandehurin për ditën e zhvillimit të gjykimit, është një zgjedhje e këtij të fundit nëse duhet të marrë pjesë apo jo.
Në rastin kur i pandehuri është i burgosur, mbi shtetin rëndon detyrimi pozitiv për ti krijuar të gjitha mundësitë që ai të jetë i pranishëm gjatë gjykimit dhe ta informojnë mbi këtë të drejtë. Kjo duke pasur parasysh se i pandehuri që është i burgosur është në një pozitë më të disfavorshme se i pandehuri i lirë, për pasojë për shtetin lindin detyrime si rezultat i kufizimit të lirisë që i është bërë të pandehurit .
Mungesa e të pandehurit mund të klasifikohet si:
1. E vullnetshme , kur ai i fshihet drejtësisë apo nuk dëshiron të marrë pjesë në gjykim.
2. Jo e vullnetshme, kur i pandehuri nuk paraqitet në gjykim sepse nuk ka pasur dijeni se ndaj tij po zhvillohej një gjykim ose nuk ka mundur të paraqitet në gjykatë sepse ka qënë në pamundësi absolute.

Kodi i Procedurës penale parashikon disa raste kur i pandehuri me vullnetin e tij të lirë nuk përfiton nga e drejta për të qënë i pranishëm në gjykim:
1. Kur i pandehuri kërkon ose jep pëlqimin që gjykimi të zhvillohet në mungesë, ose duke qënë i burgosur refuzon të marrë pjesë, (neni 352/1 i K.Pr.Penale).
2. Kur i pandehuri megjithëse është paraqitur para gjykatës, largohet vullnetarisht nga salla, (neni 352/2 i K.Pr.Penale).
3. Kur provohet se i pandehuri i fshihet drejtësisë, (neni 352/4 i K.Pr.Penale).
4. Kur i pandehuri i lirë apo i para burgosur nuk paraqitet në seancë ndonëse është njoftuar dhe nuk ka patur shkaqe të ligjshme për të mos u paraqitur, (neni 351/1 i K.Pr.Penale ).

Por përveç rasteve kur mungesa është e vullnetshme mund të kemi edhe raste kur ajo mund të shkaktohet nga shkaqe të panvarura nga vullneti i të pandehurit:
1. Kur i pandehuri nuk ka pasur dijeni për procedimin, (nenet 351/2 dhe 427/4 i K.Pr.Penale).
2. Kur i pandehuri edhe pse ka pasur dijeni për procedimin nuk ka mundur të paraqitet për shkaqe ligjore apo ka qenë në pamundësi absolute, (nenet 351/2 dhe 427/4 i K.Pr.Penale).
3. Kur me urdhër të kryetarit të seancës i pandehuri nxiret nga salla, sepse me sjelljen e tij ka penguar zhvillimin e rregullt të seancës, (neni 344/2 i K.Pr.Penale).
3.2 Garancitë që shoqërojnë gjykimit në mungesë.
 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit

Respektimi i të drejtave të garantuara nga neni 6 i Konventës Europiane i të Drejtave të Njeriut bëhet problematik kur i pandehuri është në mungesë, pra kur ai nuk paraqitet në gjykim. I gjithë instituti i gjykimit në mungesë rrotullohet rreth problemit se kur mund të thuhet që i pandehuri është njoftuar në mënyrë efektive për akuzat dhe kur mund të thuhet se ai ka hequr dorë nga e drejta për të marrë pjesë në gjykim, pa pasur frikë se kemi gabuar?
Procedura e gjykimit kur ndodhemi në mungesë të të pandehurit është thuajse e ngjashme me gjykimin e zakonshë por duke pasur parasysh disa specifika karakteristike. Duke mos haruar faktin se i pandehuri që nuk është prezent është në një pozitë më të disfavorshme se ai që është i pranishëm, në Kodin e Procedurës Penale janë parashikuar një sërë garancish me qëllim që të pandehurit që është në mungesë ti garantohet një proces i rregullt ligjor.
Shpesh herë shkak për prishjen e vendimit të një gjykate bëhet mosrespektimi i kërkesave ligjore për deklarimin e mungesës dhe garancitë që e pasojnë .

3.2.1 Heqia dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm në gjykim.

Personi mund të gjykohet në mungesë vetëm nëse ka hequr dorë në mënyrë të shprehur dhe të vullnetshme nga e drejta e tij për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit. Neni 352 i K.Pr.Penale parashikon gjykimin në mungesë të të pandehurit kur ai e kërkon vetë ose refuzon të paraqitet, kur largohet nga salla apo kur u ikën punonjësve të rendit që e shoqërojnë si të paraburgosur si dhe kur i fshihet gjykimit. Kërkesa apo pëlqimi i të pandehurit që gjykimi të vazhdojë në mungesë të tij, duhet të bëhet në seancë ose të dërgohet me shkrim në gjykatë , nëpërmjet mbrojtësit ose postës, por duke e vërtetuar nënshkrimin e tij me një nga mënyrat e parashikuara nga ligji.
Kurse në rastin kur i pandehuri refuzon të paraqitet,kur largohet nga salla apo u ikën punonjësve të rendit, heqia dorë rezulton nga veprimevet konkludente. Fshehja e të pandehurit për t’iu shmangur gjykimit duhet të provohet nga ana e prokurorit, i cili detyrohet të paraqesë dokumenta dhe fakte që vërtetojnë se i pandehuri nuk dëshiron të marrë pjesë në gjykim dhe për këtë arsye fshihet, p.sh. i pandehuri i shpëton një tentative për ta arrestuar nga ana e organeve të policisë.
Njëkohësisht Kodi i Procedurës Penale parashikon edhe gjykimin në mungesë të të pandehurit që nuk paraqitet në gjyq pa pasur shkaqe të ligjshme (neni 351 i K.Pr.Penale), ndonëse janë respektuar të gjitha procedurat ligjore të njoftimit dhe të komunikimit të akteve. Në këtë rast, heqia dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit dhe vullneti i të pandehurit prezumohen nga fakti se ndonëse janë ndërmarë të gjitha veprimet e nevojshme për të njoftuar të pandehurin, ai përsëri nuk paraqitet në gjykim dhe ndërkohë nuk paraqet as shkaqe që të justifikojnë mungesën e tij.
Në të drejtën tonë nuk thuhet se nuk ke të drejtë të marësh pjesë në gjykim apo se nuk ke të drejtë të njihesh me akuzat, por lejohet që nëpërmjet zbatimit, shpesh mekanik të disa procedurave që kanë të bëjnë me njoftimet, të prezumohet se i pandehuri ka marë dijeni në mënyrë efektive gjë që çon në prezumimin se mungesa është e vullnetshme .
Për Gjykatën Europiane nuk janë të mjaftueshme prezumimet dhe “finksionet juridike” për të qënë të sigurtë për një njotim efektiv apo një dorëheqje të shprehur. Në vëndet e tjera prania e të pandehurit është e domosdoshme për tu njohur me akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe është një e drejtë nga e cila thuajse nuk mund të hiqet dorë dhe në ato pak raste që lejohet duhet që heqia dorë të jetë e shprehur dhe të bëhet direkt nga personi në prani të organit procedues në formën që sigurojnë prejardhjen nga i pandehuri të heqies dorë dhe jo të bazuar në prezumime apo finksione.
Ai që ka ndryshuar vendbanimin dhe për këtë nuk ka bërë ndryshimet përkatëse nuk do të vijë kurrë në dijeni për procedimin që është nisur në ngarkim të tij. Ndërkohë që për vendet e tjera dhe për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, njohja efektive e akuzave dhe marrja pjesë në gjykim nuk mund të kalohet me një finksion juridik dhe në rast të një dënimi të dhënë në mungesë duhet të garantohet të paktën mundësia për të pasur një “fresh determination of the merits of the charge” pra një proces të ri në të cilin i dënuari në mungesë të ketë të drejtën të ngrejë pretendime të faktit apo të ligjit në lidhje me akuzat që i atribuohen.

3.2.2 Mungesa e të pandehurit deklarohet me vendim nga ana e gjykatës.

Procedohet me gjykimin në mungesë, vetëm atëherë kur mungesa është deklaruar me vendim të Gjykatës për shkak mosgjetjes, largimit vullnetar, fshehjes së të pandehurit apo mosparaqitjes kur është njoftuar dhe nuk ka pasur shkaqe të ligjshme për të mos u paraqitur. Deklarimi i mungesës bëhet vetëm pasi të jenë konsumuar të gjitha rrugët e mundshme për njoftimin e të pandehurit të parashikuara nga K.Pr.Penale si një garanci që i pandehuri të vijë në dijeni për procedimin që po zhvillohet në ngarkim të tij . E rëndësishme është të theksohet se nuk ka rëndësi se këto njoftime janë bërë një herë gjatë hetimeve, ato duhet të përsëriten gjatë gjykimit nga e para dhe kjo vlen për çdo shkallë të procedimit. Si një element thelbësor i një procesi të rregullt ligjor njoftimet do të trajtohen si një kapitull më vete në këtë punim.

3.2.3 Mungesa e të pandehurit apo e mbrojtësit nuk duhet të jetë shkaktuar nga mosmarrja e njoftimit apo pamundësia absolute për tu paraqitur.

Gjykata në rastin kur i pandehuri nuk paraqitet është e detyruar të hetojë shkaqet e mungesës së tij dhe kur del se njoftimi nuk është bërë, nuk ka qenë i rregullt apo është i dyshimtë urdhëron shtyrjen e seancës dhe përsëritjen e njoftimit (nenet 349 dhe 350/4 i K.Pr.Penale). Gjykata gjithashtu urdhëron shtyrjen ose pezullimin e shqyrtimit gjyqësor edhe në rastin kur del se mungesa e të pandehurit është shkaktuar nga forca madhore apo ndonjë pengesë tjetër që e përjashton nga përgjegjësia (neni 350/1 i K.Pr.Penale).
Ky rregull vlen edhe për mbrojtësin e të pandehurit me përjashtim të rasteve kur i pandehuri mbrohet nga dy mbrojtës dhe pengesa për paraqitje lidhet me njërin prej tyre, kur mbrojtësi i penguar ka caktuar një zëvëndësues ose kur i pandehuri kërkon që të procedohet në mungesë të mbrojtësit të penguar (neni 350/3 i K.Pr.Penale). Mbrojtësit do të konsiderohet se ndodhet në kushtet e pamundësisë absolute edhe kur mungesa e tij vjen si rezultat i grevës së avokatëve . Në rastin e mungesës së mbrojtësit të caktuar kryesisht nuk zbatohen rregullat e mësipërme, por në bazë të nenit 348/2 të K.Pr.Penale kryetari i seancës cakton një mbrojtës tjetër në bazë të nenit 49/5 të K.Pr.Penale dhe seanca shtyhet për aq kohë sa i duhet mbrojtësit që të njihet me dosjen dhe të përgatisë mbrojtjen.
Në bazë të nenit 351/2 të K.Pr.Penale vendimi që deklaron mungesën është i pavlefshëm kur provohet se ajo ka ardhur nga mosmarrja e njoftimit ose nga pamundësia absolute për tu paraqitur. Pra vendimi që deklaron mungesën do të konsiderohet si i paqënë nëse nuk janë respektuar nga gjykata rregullat e parashikuara nga nenet 349, 350/1 dhe 350/4 të K.Pr.Penale. Neni 143 i K.Pr.Penale parashikon rastet kur njoftimi do të konsiderohet i pavlefshëm, ekzistenca e njërit prej këtyre rasteve e bën vendimin e deklarimit të mungesës të pavlefshëm.
Në praktikë ka lindur problemi se si duhet të veprojë gjykata në rastin e një të pandehuri, i cili po gjykohet apo është i dënuar në një vend tjetër dhe ekstradimi apo transferimi i tij për momentin është i pamundur. Nga analiza që bëmë më sipër rrjedhë se gjykata duhet të pezullojë gjykimin deri në momentin që të relizohet transferimi apo ekstradimi duke qenë se ai realisht është në pamundësi absolute për të qenë i pranishëm. Por nëse i pandehuri kërkon që gjykimi të vazhdojë në mungesë të tij (neni 352/1 i K.Pr.Penale) atëherë ai do të përfaqësohet nga mbrojtësi.

3.2.3.1 Terminologjia e përdorur për të indentifikuar rastet që shkaktojnë pamundësinë absolute të të pandehurit për tu paraqitur.

Normat që rregullojnë instituti i gjykimit në mungesë nuk janë të grupuara por janë të shpërndara në pjesë të ndryshme të kodit. Ajo që bie në sy në këto nene është terminologjia e ndryshme e përdorur nga legjislatori për t’iu referuar rasteve që shkaktojnë pamundësisë absolute, brënda të njëjtit institut. Kështu pamundësinë absolute e të pandehurit për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit mund të shkaktohet nga:
1. Forcë madhore apo pengesë tjetër që e përjashton të pandehurin nga përgjegjësia (neni 350/1 i K.Pr.Penale).
2. Shkaqe të ligjshme (neni 351/1 i K.Pr.Penale).
3. Pamundësi absolute për tu paraqitur (neni 351/2 i K.Pr.Penale).
4. Kur i pandehuri nuk ka mundur të marrë pjesë për shkaqe ligjore (neni 427/4 i K.Pr.Penale).
Duke qënë se forca madhore si koncept është më e qartë, lind pyetja nëse në rastet e tjera kemi të bëjmë me koncepte të ndryshme apo bëhet fjalë për të njëjtin koncept por të shprehur në mënyra të ndryshme?
Ndërkohë Kodi i Procedurës Penale italiane në nenet 486/1, 487/1, 487/4 dhe 603/4, që u korrespondojnë neneve të kodit tonë të përmëndura më sipër, pamundësinë absolute e indentifikon në tre raste kur kemi “forcë madhore”, “rast fator” apo “pengesë tjetër e ligjshme”. Terminologjia e përdorur është e njëjtë për të gjitha nenet. Duke u nisur nga kjo arrijmë në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me koncepte të ndryshme, por thjesht janë përdorur terminologji të ndryshme për t’iu referuar të njëtit koncept që është “pengesë tjetër e ligjshme”. Ky koncept është shumë më i gjërë se rasti i forcës madhore dhe për pasojë i jep mundësi më të mëdha gjykatës për të ushtruar diskrecionin e saj.

3.2.4 E drejta e të pandehurit për tu përfaqësuar nga mbrojtësi.

Në të gjitha raste që gjykata vendos se shqyrtimi gjyqësor do të bëhet në mungesë të të pandehurit, ky i fundit do të përfaqësohet nga mbrojtësi i tij dhe nëse nuk ka mbrojtës të zgjedhur, gjykata i cakton një mbrojtës kryesisht . I pandehuri që gjykohet në mungesë nuk humbet të drejtën e tij për një proces të rregullt ligjor dhe një nga elementët më thelbësorë që shoqërojnë një proces të rregullt ligjor është e drejta për të pasur mbrojtës. E drejta e të pandehurit për tu përfaqësuar nga mbrojtësi rezulton nga një sërë nenesh si 351/1, 352, 344 të K.Pr. Penale. Gjykata Kushtetuese në vendim nr.124, datë 27.09.2001 shprehet:
“... Para gjykimit të çështjes në atë gjykatë, kërkuesi ka bërë kërkesë për të marrë pjesë në gjykim dhe, meqënëse nuk u bë e mundur sjellja e tij, gjykimi i çështjes u shty dy herë. Por, në seancën e datës 26.09.2000 avokati i të pandehurit deklaroi para gjykatës se i pandehuri është i sëmurë dhe se ka kërkuar që gjykimi i çështjes të zhvillohet në mungesë të tij. Pavarësisht se kërkesa e të pandehurit nuk ishte hartuar sipas rregullave të Kodit të Procedurës Penale, përderisa deklarimi është bërë në seancë gjyqësore nga vetë avokati i të pandehurit, gjykata është e detyruar ta marrë këtë si të mirëqenë. Po të vepronte ndryshe, ajo do të vinte në dyshim marrëdhëniet e avokatit me të pandehurin që ai mbron dhe do të cënonte të drejtën e mbrojtjes. Sipas nenit 50/1 të Kodit të Procedurës Penale, mbrojtësi ka të drejtat që ligji i njeh të pandehurit, ndërsa sipas paragrafit të tretë të po atij neni, i pandehuri mund të zhvleftësojë me deklarim të hapur veprimin e kryer nga mbrojtësi, por para se të jetë marrë vendimi nga gjykata lidhur me këtë veprim.”
Pas deklarimit të mungesës për të pandehuri nga ana e gjykatës, për mbrojtësin e tij lindin përgjegjësi më të mëdha. Gjatë gjykimit ai do të përfaqësojë të pandehurin që është në mungesë dhe do të zëvëndësojë në ushtrimin e atyre të drejtave që i njihen nga ligji. Pra, mungesa e të akuzuarit në gjykim, në përmbushje të standardeve minimum për një proces të rregullt ligjor, imponon pjesëmarrjen në këtë gjykim të mbrojtësit të caktuar nga familjarët e tij ose kryesisht.

3.2.5 E drejta e të pandehurit për tu paraqitur në çdo kohë.

I pandehuri që është deklaruar në mungesë mund të paraqitet në çdo moment gjatë procesit gjyqësor, për sa kohë që nuk i është dhënë fund hetimit gjyqësor. Pas paraqitjes i pandehuri mund të kërkojë që të kryhen veprime proceduriale tej hetimit gjyqësor të zhvilluar më parë. Gjykata mund të pranojë kërkesën e të pandehurit për prova të tjera kur çmon se marrja e tyre është në dobi të hetimit të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes.
Nëse i pandehuri paraqitet pas shpalljes së vendimit për deklarimin e mungesës, gjykata e revokon atë ( neni 351/3 i K.Pr.Penale). Pasi paraqitet i pandehuri ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet, të jetë i pranishëm gjatë gjykimit, të realizojë vetë mbrojtjen ose t’ia delegojë atë një mbrojtësi të zgjedhur lirisht prej tij. Veprimet e kryera më parë nga gjykata mbeten të vlefshme, por nëse i pandehuri arrin të provojë se njoftimi është bërë me vonesë jo për faj të tij atëherë gjykata mund të urdhërojë marrjen ose kryerjen e veprimeve që i çmon të nevojshme për marrjen e vendimit .

3.2.6 Përsërija e shqyrtimit gjyqësor.

Gjatë gjykimit në Apel, nëse i pandehuri arrin të provojë se nuk ka marrë pjesë në gjykimin në shkallë të parë sepse nuk ka pasur dijeni apo ka pasur shkaqe ligjore, atëherë gjykata vendos të përsërisë shqyrtimin gjyqësor (neni 427/4 i K.Pr.Penale). Në një vendim të sajin Gjykata e Lartë konstaton,
“... nuk rezulton që të jetë bërë njoftim për te gjykuarin A.H. ashtu siç përcakton neni 141 i K.Pr.Penale. Gjithashtu, nuk rezulton që të jetë bërë deklarimi i mungesës së tij konform kërkesave të nenit 141 pika 1 dhe 2 te K.Pr.Penale. Për këtë shkak, i gjykuari A.H., gjatë shqyrtimit të çështjes në Apel, ka kërkuar që të përsëritet shqyrtimi gjyqësor, sipas kërkesave të nenit 427 të K.Pr.Penale, por gjykata e ka rrëzuar këtë kërkesë. .... një kërkesë e tillë është e drejtë dhe ligjore. Në bazë të nenit 427 pika 4 të K.Pr.Penale, Gjykata e Apelit kishte detyrimin ligjor që, në kushtet kur i gjykuari A. H. nuk kishte marrë pjesë në gjykimin në shkallë të parë dhe për shkak te mosrespektimit nga ajo gjykatë të dispozitave procedurale mbi njoftimin e të pandehurit, kjo mospjesëmarrje do të konsiderohet pa dijeninë e të pandehurit, të pranonte kërkesën e të gjykuarit A.H. duke vendosur përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor. Shkelja e kësaj norme procedurale nga Gjykata e Apelit, ka sjellë si pasojë humbjen e së drejtës së ligjshme të të gjykuarit, për një proces të rregullt ligjor. Për këtë shkak, vendimi i Gjykatës së Apelit gjendet i pabazuar ne ligj”.
Pra nëse vërtetohet se i pandehuri nuk ka marrë pjesë në gjykimin që është zhvilluar ndaj tij në shkallë të parë sepse nuk ka marrë dijeni apo për shkaqe ligjore, gjykata e apelit është e detyruar të përsërisë shqyrtimin gjyqësor. Neni 427/4 përdor shprehjen “gjykata vendos” dhe jo “gjykata mund të vendosë”. Në këtë mënyrë i garantohet të pandehurit, që është gjykuar në mungesë në shkallë të parë jo për faj të tij, një shqyrtim i ri i çështjes ku ai ka të drejtën të ngrejë pretendime të faktit apo të ligjit në lidhje me akuzat që i atribuohen.

3.2.7 Garanci të tjera.

Vendimi i marrë nga gjykata ndaj të pandehurit të gjykuar në mungesë duhet ti njoftohet patjetër atij. Sipas nenit 386/2 të K.Pr.Penale, lajmërimi për depozitimin e vendimit në sekretari dhe kopja e tij, i njoftohen të pandehurit që është deklaruar në mungesë. Ky vendimi do ti njoftohet të pandehurit në bazë të rregullave të parashikuara nga nenet 140 dhe 141 të K.Pr.Penale.
Në momentin që pranohet instituti i gjykimit në mungesë nga një sistem, duhet nga ana tjetër të parashikohen mjete efektive që ti garantojnë të pandehurit kur të paraqitet mundësinë rigjykimit të çështjes së tij. I pandehuri që është dënuar në mungesë mund të mos ketë pasur dijeni për vendimin e dhënë ndaj tij apo mund të ketë qënë në pamundësi objektive për të bërë ankim. Në Kodin e Procedurës Penale është parashikuar instituti i rivendosjes në afat që i jep mundësinë të pandehurit që ka humbur afatet, jo për faj të tij, të ushtrojë ankim ndaj vendimit të dhënë në mungesë të tij. Një institut tjetër që mund të vijë në mbrojte të të dënuarit në mungesë është edhe ai i “rishikimit”.
 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit


NJOFTIMET

Procedimi penal është një veprimtari që nënkupton raporte të caktuara midis subjekteve të veçanta që marrin pjesë në një procedim. Harmonizimi i kësaj veprimtarie bëhet i mundur vetëm nëpërmjet përcaktimit të rregullave të komunikimit midis tyre dhe njoftimit të akteve që u bëjnë të ditur subjekteve dhe personave të thirur apo të interesuar për veprimet procedurale që janë kryer apo që do të kryhen .
Në Kodin e Procedurës Penale janë parashikuar rregulla të hollësishme për njoftimin e të pandehurit kur është i burgosur, kur është i lirë, kur nuk gjendet dhe kur ndodhet jashtë shtetit. Njoftimi i të pandehurit lidhur me gjykimin e çështjes në ngarkim të tij është një veprim procedural që ka për qëllim ti japë mundësi atij që të marrë masa që të përfaqësohet në gjykim vetë ose me mbrojtësin e tij. Gjykata i lë të pandehurit kohë të mjaftueshme për të paraqitur pretendimet e tij dhe ti provojë ato me qëllimin që t’i sigurohet një proces i rregullt gjyqësor .

4.1 Njoftimi dhe pjesmarrja e të pandehurit gjatë gjykimit në shkallë të parë.

Njoftimi i të pandehurit për gjykimin që zhvillohet ndaj tij përbën një detyrim për gjykatën dhe është një ndër elementët thelbësor për një proces të rregullt ligjor. Për këtë arsye një ndër detyrat e gjykatës gjatë veprimeve paraprake është edhe verifikimi i paraqitjes së palëve dhe nëse i pandehuri nuk ka marrë njoftim apo njoftimi është i dyshimtë, urdhërohet përsëritja e njoftimeve (nenet 348, 349 dhe 350/4 të K.Pr.Penale).
Në rast se i pandehuri është i burgosur njoftimi bëhet në vendin e burgimit duke i dorëzuar atij një kopje. Në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për njoftimin e të pandehurit të një çështje tjetër apo atij që është duke vuajtur dënimin me burgim.
Nëse ndodhë që i burgosuri të lirohet për shkak të ndryshimit të masës së sigurimit, ai detyrohet të deklarojë ose të zgjedhë banesën e tij e cila i njoftohet organit procedues. Më tej neni 139/4 shprehet “.. Kur njoftimi në banesën e deklaruar ose të zgjedhur nuk mund të bëhet, atëherë akti i dorëzohet mbrojtësit. “ Neni nuk përcakton se cilat rregulla do të zbatohen për njoftimin e të pandehurit në banesën e deklaruar apo të zgjedhur dhe nëse njoftimi nuk mund të bëhet në atë banesë akti do ti njoftohet direkt mbrojtësit apo fillimisht do të zbatohen rregullat e nenit 141 për njoftimin e të pandehuri që nuk gjindet?
Për të kuptuar më mirë këtë pikë të nenit 139 të K.Pr.Penale do ti referohemi kodit të procedurës italiane. Ky problem rregullohet në nenet 161-164 të këtij kodi. Në nenin 163 parashikohet se njoftimi në banesën e zgjedhur apo të deklaruar do të bëhet, për aq sa është e mundur, duke zbatuar rregullat e parashikuara në nenin 157 të K.Pr.Penale ( që i korrespondon nenit 140 të kodit tonë) dhe nëse njoftimi nuk mund të bëhet përsëri atëher akti i dorëzohet mbrojtësit pa kaluar në procedurat e njoftimit për të pandehurin që nuk gjendet. Njoftimi tek mbrojtësi prezumon se edhe i pandehuri ka marrë dijeni dhe nëse ai nuk paraqitet në gjykim do të arrihet në përfundimin se ai ka hequr dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm në gjykim.
Itala u penalizua nga ana e GJEDNJ-së, për mënyrën se si realizohej ky lloj njoftimi. Sipas Gjykatës fakti që personi është larguar dhe nuk ndodhet në banesën e tij nuk mund të çojë në prezumimin se ai ka dijeni për procedimin, dhe për pasojë ka hequr dorë në mënyrë të shprehur e të vullnetshme nga e drejta e garantuar nga Konventa, heqja dorë duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi.
Rregullat për njoftimin e të pandehurit të lirë parashikohen nga neni 140 i K.Pr.Penale, nëse njoftimi nuk mund të bëhet në bazë të këtij neni atëherë autoriteti procedues urdhëron kërkimin e të pandehurit. Kur kërkimet nuk japin rezulta, nxiret vendimi i mosgjetjes dhe njoftimi bëhet duke i dorëzuar një kopje mbrojtësit.
Fuqia e vendimit me të cilin deklarohet mosgjetja e të pandehurit është e përkohshme. Ky vendim i pushon efektet kur përfundojnë hetimet paraprake apo me dhënien e vendimit nga ana e gjykatës . Duke qënë se nuk është e thënë që mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata të ketë më shumë fat se ftuesi gjyqësor apo Policia Gjyqësore që kanë bërë kërkime, është normale të mendohet se me shpalljen e vendimit të mosgjeties gjykimi të vazhdojë pa dijeninë e të pandehurit. Për këtë arsye “vendimit të mosgjeties” i është dhënë një fuqi e kufizuar në kohë. Kështu nëse vendimi i mosgjetjes është nxjerrë nga prokurori ai do ti pushojë efektet në momentin që do të përfundojnë hetimet paraprake.
Me dërgimin e çështjes në gjykatë, fillon një procedurë e re për njoftimin e të pandehurit. Në fillim njoftimet bëhen në bazë të nenit 140 të K.Pr.Penale, nëse njoftimi nuk mund të bëhet në bazë të rregullave për njoftimin e të pandehurit të lirë atëherë gjykata urdhëron kërkimin sërish të të pandehurit. Kur kërkimet nuk japin rezultat atëherë gjykata nxjerr vendimin e mosgjetjes. Ky vendim do ta humbasë fuqinë e tij, me nxjerrjen e vendimit përfundimtar nga ana e gjykatës. Pra Gjykata e Apelit duhet të përsërisë çdo gjë nga fillimi dhe jo të mjaftohet me veprimet e kryera nga gjykata e shkallës së parë.
Në rastin e të pandehurit që fshihet apo është arratisur njoftimi bëhej pranë mbrojtësit të zgjedhur apo të caktuar kryesisht. (neni 141/3 i K.Pr.Penale). Ndërkohë kodi ynë ka lënë parregulluar disa raste të veçanta si p.sh kur i pandehuri ndodhet i mbyllur në institucione të ndryshme nga burgu apo kur nuk ka zotësi për të vepruar. Pra ka nevojë për plotësime nga ana e legjislatorit.

4.1.1 Pavlefshmëria e akteve si rezultat i mosrespektimit të dispozitave për njoftimin e të pandehurit, pasojat.

Gjykata është e detyruar të njoftojë të pandehurin për datën e gjykimit, por mbetet në dëshirën e tij nëse do të marrë pjesë apo jo dhe askush tjetër nuk mund të disponojë për sa më sipër në vend të tij. Këtë të drejtë i pandehuri e ushtron ose me anë të deklarimit ose me anë të veprimeve që tregojnë se ai nuk do të marrë pjesë në gjykim apo i fshihet procedimit. Para se të arrihet në një përfundim të tillë nga ana e gjykatës duhet që i pandehuri të njoftohet për datën e gjykimit dhe për faktin se çështja po shqyrtohet nga ajo gjykatë gjë që rrjedh nga nenet 132, 139, 140, 141, 142 të K.Pr.Penale.
Në rast se nuk respektohen dispozitat për njoftimin e të pandehurit, kjo do të përbënte shkelje procedurale e cila do ti bënte aktet absolutisht të pavlefshme, neni 128/c i K.Pr.Penale.
Gjykata e lartë jo gjithmon ka mbajtur këtë qëndrim kështu në një vendim të Kolegjit Penal nr.303, datë 11.05.2005 ajo shprehet:
“Megjithatë nuk mund të arrihet në të njëjtin konkluzion kur edhe pse nuk janë zbatuar me përpikmëri dispozitat procedurale për njoftimin e të pandehurit për gjykim, ai vetë ose mbrojtësi i tij marrin pjesë në gjykim. Në këtë rast, çmohet se nuk jemi para pavlefshmërisë së gjykimit, pasi edhe pse nuk është zbatuar si duhet ligji, pjesëmarrja e të pandehurit në gjykim është siguruar. Forma merr vlerë e lidhur me përmbajtjen. Kjo do të thotë që rregullat procedurale kanë si qëllim që nepermjet zbatimit te tyre, të garantohet një e drejtë që, kur kjo e drejtë garantohet edhe pa u zbatuar siç duhet forma, passjell shkelje për gjykaten (e cila duhet t’i vihet në dukje nga gjykata më e lartë), por jo pavlefshmërinë e veprimeve të kryera prej saj”.
Pra gjykata duhet të bëjë kujdes në vlerësimin dhe dallimin e pasojave që sjell pavlefshmëria e njoftimeve nga zhvillimi i rregullt i procesit të gjykimit (neni 130 i K.Pr.Penale). Në rastin kur pavarsisht se njoftimet nuk bëhen sipas kërkesave të ligjit apo janë të pavlefshme në kuptimin e tij, por që nuk sjellin si pasojë mohimin apo shkeljen e së drejtës së mbrojtjes apo të pjesmarrjes në gjykim të të pandehurit ose të mbrojtësit të tij nuk e bëjnë gjykimin e pavlefshëm .

4.1.1.1 Forma e njoftimit.

Një ndër shkaqet që mund të çojë në pavlefshmërinë e njoftimeve është edhe mosrespektimi formës së tyre. GJEDNJ-ja në çështjen Sejdoviç kundër Italisë shprehet:
“.... të njoftosh një person për procedimin penal të nisur në ngarkim të tij përbën një akt juridik të një rëndësie të tillë që duhet tu përgjigjet disa kërkesave formale dhe ligjore të tilla që të jenë të afta për të garantuar një ushtrimin efektiv të të drejtave të të pandehurit ashtu siç parashikohen nga neni 6/3/a i KEDNJ-së. Një dijeni e turbullt dhe jo zyrtare nuk është e mjaftueshme.”
Pra që i pandehuri të konsiderohet se është njoftuar në mënyrë efektive njoftimi duhet të jetë bërë në mënyrat e parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale dhe duhet të jetë i dokumentuar. Në mungesë të një njoftimi zyrtar nuk mund të thuhet se i pandehuri ka hequr dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit.
Por Gjykata nuk përjashton rastin kur disa të dhëna të çojnë në përfundimin se i pandehuri kishte dijeni se ndaj tij ishte nisur një procedim penal dhe se përse akuzohej dhe nuk kishte ndërmënd që të merrtë pjesë në gjykim apo se kishte si qëllim ti fshihej drejtësisë. Një rast i tillë mund të jetë p.sh. kur i pandehuri deklaron publikisht apo me shkrim se nuk ka ndër mënd ti përgjigjet njoftimeve, për të cilat ka marrë dijeni në rrugë jo zyrtare, apo nëse i shmangej një tentative për ta arrestuar etj .

4.2 Njoftimi dhe pjesëmarrja e të pandehurit gjatë gjykimit në Apel.

Në sistemet bashkëkohore të drejtësisë penale, gjykatat e apelit luajnë një rol të rëndësishëm për ndreqjen e gabimeve të mundshme gjyqësore, si dhe kontribuojnë për zhvillimin e jurisprudencës së një vendi. Vendimet e apelit janë mjetet parësore me anë të së cilave, përmes vlerësimit të gabimeve që kanë ndodhur gjatë gjykimit, zhvillohet e drejta penale materiale dhe ajo procedurale .
Urdhërimin për thirrjen dhe njoftimi i të pandehurit, për të marrë pjesë në gjykimin në apel, është një detyrim ligjor dhe jo fakultet për gjykatën ( ashtu si edhe për gjykatën në shkallë të parë), pjesmarja e të pandehurit të lirë apo të arrestuar në gjykim, dëgjimi dhe mbrojtia e tij është një e drejtë kushtetuese.
Një përfundim i tillë, buron nga analiza që u bëhet dispozitave përkatëse që rregullojnë të drejtën e mbrojtjes së të pandehurit në procesin penal, si dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor, të parashikuara në Kushtetutë, në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe në Kodin e Procedurës Penale.
Në praktikën gjyqësore të gjykatave të apelit, pikërisht lidhur me thirrjen dhe njoftimin e të pandehurit në gjykim, efektivisht janë vërejtur qëndrime të ndryshme të kundërligjshme dhe konkretisht :
1. Mosurdhërimin e thirrjes dhe njoftimin e të pandehurit të lirë apo të arrestuar .
2. Njoftimin vetëm të mbrojtësit të të pandehurit .
3. Rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga mbrojtësi, për urdhërimin e thirrjes dhe njoftimin e të pandehurit.
4. Urdhërimin e thirrjes së të pandehurit, por mosrespektimin e kërkesave ligjore për njoftimin e të pandehurit të burgosur.
5. Njoftimi i ankimit të bërë nga prokurori, pranë burgut, ndërkohë që i pandehuri është liruar
Sigurimi të drejtës së pjesëmarrjes dhe dëgjimit të të pandehurit në gjykimin në apel, është një veprim i domodoshëm, jo vetëm në aspektin kushtetues e ligjor, por edhe për faktin se gjykata e apelit në dallim nga Gjykata e Lartë, gjykon edhe si gjykatë fakti.
Gjykata e apelit duhet të tregohet e kujdesshme në bërjen e dallimit midis “njoftimit” të të pandehurit dhe “njoftimit” të mbrojtësit, moment i cili ngatërohet në praktikë. Sikundër edhe u përmend, gjykatat jo rrallë njësojnë pozicionin e mbrojtësit me atë të të pandehurit, duke “barazuara” apo “njësuar” të drejtat dhe detyrimet e këtyre dy subjekteve të procesit penal. Por është i pandehuri, ai i cili përcakton, gjithnjë në kuadër të kërkesave ligjore, kufijtë e të drejtave të mbrojtësit të tij. Edhe nga këndvështrimi i kërkesave të parashikuara në nenin 426 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, nuk mundet kursesi të “barazohet” thirrja e njoftimi i të pandehurit me mbrojtësin e tij. Në këtë dispozitë përcaktohet shprehimisht dhe në mënyrë të qartë ndarja e njërit subjekt nga tjetri:
“Kryetari i Kolegjit të Gjykatës së Apelit urdhëron thirrjen e të pandehurit, paditësit civil dhe të paditurit civil, si dhe të mbrojtësve e të përfaqësuesve të tyre...”.
Praktika ka nxjerrë edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me njoftimin e të pandehurit për gjykimin që zhvillohet në apel të cilat po i trajtojmë më poshtë.

4.2.1 Dallimi midis “njoftimeve” dhe “urdhërimit për thirrje”.

A ekzistojnë dallime ndërmjet “urdhërimit për thirrje” dhe “njoftimit” të të pandehurit, në kuptim të kërkesave të pikës 1 të nenit 426 të Kodit të Procedurës Penale, por edhe më gjerë në dispozitat e tjera proceduriale.
Kolegjet e Bashkuara, në vendimin nr.1, datë 15.02.2001 çmojnë se efektivisht dhe potencialisht ekzistojnë dallime. Ata evidentojnë dy dallime :

Së pari, në parim ligji procedurale penale në dispozita të veçanta, parashikon dhe përcakton disponime të gjykatave me “urdhër” dhe në dispozita të tjera, parashikon dhe rregullon “njoftimet”.

Së dyti, “urdhri” ka të bëjë në esencë me përcaktimin e një veprimi që duhet kryer, kush duhet ta kryejë dhe mjetin me të cilin do të kryhet. Nga ana tjetër “njoftimet” kanë të bëjnë me anën “teknike” se si do të realizohet marrja dijeni për një akt të caktuar, i cili mund të jetë thirrje, vendim, etj.
Po ti referohemi nenit 112/1 të K.Pr.Penale urdhëri është një ndër aktet me të cilin vepron gjykata. Pra urdhri përbën aktin, i cili duhet njoftuar në përputhje me rregullat e parashikuara mga Kodi i Procedurës Penale.
Më tej në të njëjtin vendim Kolegjet shprehen:
“Jo rrallë, gjykatat e apelit e kanë keqkuptuar këtë dispozitë (nenit 426/1 i K.Pr.Penale). Në jo pak raste, ato në fazën e veprimeve paraprake, formulojnë me shkrim urdhrin për thirrjen e të pandehurit të arrestuar apo të lirë, ia adresojnë atë organeve të policisë apo ftuesit përkatës dhe mbeten me kaq . Për këto gjykata, mjafton të evidentohet ky urdhërim në dosjen gjyqësore dhe sipas tyre, gjithçka është bërë në konformitet me kërkesat ligjore, por në këto raste “harrohet” detyrimi tjetër ligjor, që ky urdhërim nuk mund të kuptohet pa realizimin e njoftimit të të pandehurit”.
Kjo lidhje midis urdhërimit të thirrjes dhe njoftimit të të pandehurit, shikohet më qartë në përcaktimet që bëjnë p.sh. nenet 349 dhe 350 të Kodit të Procedurës Penale, ku nxjerrja e urdhërit shoqërohet me njoftimet përkatëse.
Në analizë sa më sipër, konkludohet se nuk mund të kuptohet një ndarrje ndërmjet urdhërimit të thirrjes dhe njoftimi të të pandehurit, sikundër në mënyrë të gabuar perceptohet nga gjykata te veçanta. Në këtë kuadër, gjykatat e apelit duhet të zbatojnë dhe respektojnë kërkesat ligjore që kanë të bëjnë me njoftimin e të pandehurit të lirë apo të arrestuar. Dhe konkretisht këto kërkesa janë të parashikuara në nenet 139 dhe 140 të Kodit të Procedurës Penale.
Të njëjtat rregulla do të zbatohen edhe në rastin e thirjes dhe pjesmarrjes e të pandehurve në rastet e shqyrtimit të ankesave kundër vendimeve për caktimin e masave të sigurimit.

4.2.2 Në bazë të cilit nen do të njoftohet i pandehuri për të cilin është caktuar si masë sigurimi personal “arrest në burg” në mungesë?

Gjykata e Apelit për krime të rënda arsyeton :
“Gjykata nuk çmon se për njoftimin e të pandehurit A.B. duhet të ndiqet procedura e parashikuar nga neni 140 i K.Pr.Penale sepse:
Së pari, ai nuk është më “i pandehur i lirë ”për shkak se është nën masën e sigurimit “arrest në burg ” të paekzekutuar dhe si i tillë me status të njëjtë me të ikurin, të fshehurin, të arratisurin ose të larguarin nga vendi që ruhet (neni 247 pika 4 i K.Pr.Penale);
Së dyti, hapat proceduralë të parashikuar nga neni 140 i K.Pr.Penale në gjashtë pikat e tij kur nuk arrihet njoftimi i të pandehurit janë të barabartë me hapat procedural të bëra nga oficeri i policisë gjyqësore atëherë kur është përpjekur të zbatojë, urdhërimin e ekzekutimit të masës së “arrestit në burg” të konfirmuar nga vendimi i “deklarimit të ikjes”;
Së treti, për shkak se zbatimi i masës së arrestit në burg është permanent, i qëndrueshëm, i vazhdueshëm dhe se fshehja e të pandehurit është e vullnetshme apo e ndërgjegjshme. Vendimi i ikjes së të pandehurit nuk pushon efektin me përfundimin e hetimeve paraprake apo me dhënien e vendimit nga gjykata. Kjo është e kundërt nga gjëndja e mosgjetjes e cila konsiderohet se shkaktohet nga pamundësi objektive të njoftimit/gjetjes së të pandehurit dhe ku i pandehuri objektivisht nuk ka dijeni. Ai nuk fshihet, nuk i shmanget njoftimit status ky i cili pas përfundimit të hetimeve paraprake apo pas dhënies së vendimit nga gjykata e shkallës së parë , pushon efektet dhe për pasojë duhet të rikonfirmohet edhe sepse i pandehuri është në gjendje të lirë dhe pa masë sigurimi;
Së katërti, ndjekja nga gjykata e apelit e hapave proceduralë të parashikuara nga neni 140 i K.Pr.Penale dhe arritja në përfundimin se i pandehuri (i deklaruar i ikur ) nuk gjendet , siç ndodh rëndom, është një shpërdorim i kohës procesore sepse përsëriten të njëjtat procedura që janë në fuqi për zbatimin e urdhërit të arrestit, pra në kundërshtim me ekonominë gjyqësore. Për këtë mjafton të vërehet kjo humbje në gjykimin e shkallës së parë ku nga data 02.11.2004-15.02.2005 është zvarritur gjykimi për tre muaj e gjysëm dhe rezultati është injëjtë me atë të oficerit të Policisë Gjyqësore për të zbatuar urdhërin e arrestit në burg ndaj të pandehurit;
Së pesti, duke i dhënë të drejtë mbrojtësit pa asnjë kufizim që të ushtrojë apel në shkallën më të lartë, në të njëjtën kohë është prezumuar fakti që i pandehuri i mbrojtur prej tij ka dijeni për këtë ankim sepse ai e disponon të drejtën për të ushtruar ankimn dhe për këtë është absurde të pretendohet dhe për më tepër të vendoset se i pandehuri nuk është njoftuar për zhvillimin e gjykimit në apel. Nëse nuk qëndron ky prezumim i dijenisë së të pandehurit atëherë nuk duhet të lejohet as mbrojtësi i këtij të pandehuri të bëjë apel.”

Kolegji penal i Gjykatë së Lartë e ka prishur vendimin e mësipërm dhe ka kthyer aktet për rishqyrtim me argumentin se :
“ ... U arrit në këtë përfundim, pasi gjatë shqyrtimit të akteve të procedimit penal që i përket të gjykuarit në gjykatën e apelit, u konstatua se ndryshe nga urdhërimet e dispozitës 426 të K.Pr.Penale megjithëse në këtë shkallë u zhvilluan 14 seanca gjyqësore, për asnjërën prej tyre nuk është njoftuar i gjykuari për të realizuar të drejtën që i njeh ligji lidhur me pjesmarjen dhe mënyrën e formës së realizimit të mbrojtjes së tij edhe në këtë fazë të procesit penal që u zhvillua kundër tij. ....ky kolegj e gjen në kundërshtim me urdhërimin kategorik që përmban dispozita e përmendur, sipas të cilit urdhërimi i thirjes së të pandehurit, për datën dhe orën e gjykimit në apel është i vetmi veprim paraprak që duhet të kryhet para fillimit të shqyrtimit të çështjes në këtë shkallë gjykimi, veprim ky krejtësisht i pakushtëzuar nga veprimet që detyrohen të kryejnë organet e procedimit penal në fazën e mëparshme të tij dhe rezultatet e tyre, për realizimin e së drejtës së mbrojtjes që i takon të akuzuarit. .....kolegji penal, sjell në vëmendje të gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar faktin se, subjekteve të procedimit pa përjashtuar edhe Gjykatën e Apelit për krimet e rënda nuk u njihet e drejta e vlerësimit të operativitetit apo jo dhe aq më pak e drejta e oportunitetit zbatimit të normave procedurale në përgjithësi dhe për më tepër të atyre që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me krijimin e kushteve efektive për kufizimin e të drejtës së mbrojties të të akuzuarve në një proces penal.”

Gjykata e apelit e barazon të pandehurin ndaj të cilit është caktuar një masë sigurrimi arrest në burg në mungesë, me të pandehurin që është arratisur apo që i fshihet procedimit. Askush nuk na siguron se i pandehuri që është deklaruar “ i ikur” është në dijeni për masën e sigurimit që është marrë ndaj tij. Mungesa e tij mund të vijë edhe nga padijenia. Statusi i të ikurit që i jepet nga gjykata në bazë të nenit 247 të K.Pr.Penale lidhet me masën e sigurimit dhe jo me proçedimin apo me gjykimin. Për këta të fundit do të zbatohen rregullisht procedurat e njoftimit. Mendoj se fakti që masa e sigurimit nuk është zbatuar i pandehuri është akoma i lirë dhe për pasojë fillimisht do të njoftohet në bazë të rregullave për njoftimin e të pandehurit të lirë dhe pastaj me rradhë si person që nuk gjendet.

4.3 Njoftimi dhe pjesëmarrja e të pandehurit në Gjykatën e Lartë

Garancitë kushtetuese për një proces të rregullt ligjor duhet të zbatohen edhe në gjykimin në Gjykatën e Lartë. Sigurisht që mënyra se si aplikohen këto garanci varet nga karakteristikat e procesit në këtë instancë. Respektimi i parimit të barazisë së armëve si dhe ai i mbrojtjes me avokat, janë aspekte të rëndësishme të një procesi të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues. Për pasojë, në funksion të respektimit të këtyre parimeve një rol të veçantë luajnë edhe njoftimi i palës si dhe i avokatit mbrojtës të tij, si për kopjen e rekursit ashtu edhe për ditën e gjykimit.
Për të garantuar një proces penal të drejtë, ka rëndësi themelore që i akuzuari të marrë pjesë dhe të mbrohet në gjykim dhe në rast mosparaqitje të tij, nuk mund të gjykohet pa iu siguruar më parë mbrojtja me avokat. Qëndrimi i kundërt vjen ndesh me nenin 42 të Kushtetutës dhe me kërkesat e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Që e drejta e mbrojtjes me avokat të jetë reale dhe efektive dhe jo vetëm teorike, ushtrimi i saj nuk duhet të pengohet, por përkundrazi, gjykata duhet të marrë të gjitha masat ligjore që në funksion të procesit të drejtë jo vetëm të sigurojë praninë e mbrojtësit në gjykim, por edhe t’i japë atij mundësinë të bëjë mbrojtje reale duke respektuar barazinë e armëve .
Disa herë vendime të Gjykatës së Lartë, që kanë gjykuar në mungesë të pandehurin, janë shfuqizuar nga Gjykata kushtetuese për arsye se:

1. I pandehuri nuk ka pasur dijeni për ditën e gjykimit.
2. Nga shqyrtimi i dosjes gjyqësore nuk rezulton që rekursi i prokurorit t’i jetë komunikuar të pandehurit ose avokatit të tij.
3. Kopja e rekursit të prokurorit nuk i është dorëzuar kërkuesit, por avokatit që kërkuesi kishte caktuar për mbrojtjen e tij në shkallë të parë dhe në apel. Ky avokat, ishte zgjedhur mbi deklarimin në seancë të kërkuesit, që të realizonte mbrojtjen e tij në dy shkallët e para të gjykimit. Ndërkohë nga procesverbali i seancave gjyqësore, si në shkallë të parë ashtu edhe në apel, nuk rezultonte që këtij avokati t’i ishin dhënë tagra përfaqsimi tej këtyre dy shkallëve .
 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit


E DREJTA E ANKIMIT NDAJ VENDIMIT Tث DHثNث Nث MUNGESث

E drejta e ankimit është një mjet procedural në dispozicion të palëve për të realizuar një kontroll mbi vendimin e gjykatës. Ankimi ka dy funksione, nga njëra anë shërben si mjet për rregullimin e gabimeve të mundshme të vendimit të ankimuar dhe nga ana tjetër shërben si mjet kontrolli ndaj punës së gjyqtarit të një shkalle më të ulët .
Instituti procedural i ankimit ka lindur në mesjetë, në periudhën e perandorisë, kur gjyqtarët u bënë pjesë e aparatit shtetëror. Ai bazohej në të drejtën e perandorit për të ndërhyrë në veprimet e nënpunësve të varur prej tij. Vetëm pas Revolucionit Francez u pranua parimi procedural i gjykimit në dy shkallë , bazuar jo në varësinë e gjyqtarit më të ulët tek ai më i lartë, sepse gjyqtarët varen vetëm nga ligji, por në dhënien e vendimeve sa më të mira .
E drejta për të bërë ankim është një e drejtë kushtetuese, ajo parashikohet në nenin 43 të kushtetutës i cili shprehet,
“Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një gjykatë më të lartë, përveç kur në kushtetutë parashikohet ndryshe”.
Ndërkohë e drejta për të bërë ankim sanksionohet edhe nga një sërë aktesh ndërkombëtare të ratifikuara edhe nga vendi ynë. Në nenin 8 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut , si dhe në nenin 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, parashikohet e drejta e rekursit efektiv ndaj vendimit të gjykatës. Kurse në nenin 2 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile e Politike, përcaktohet për shtetet detyrimi që të garantojnë nëpërmjet organeve kompetente gjyqësore, administrative ose legjislative të drejtën e individit për të ushtruar rekurs, si dhe krijimin e mundësive për gjykimin e këtij rekursi. Kjo e drejtë ka gjetur rregullim edhe në pikën 1 të nenit 2 të protokollit nr.7 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut .
Kodi i Procedurës Penale e trajton institutin e ankimeve në titullin tetë të tij. Në kreun e parë të këtij titulli caktohen rregullat e përgjithshme në lidhje me ankimet. Sipas këtij kreu mjetet e ankimit janë tre apeli, rekursi në Gjykatën e Lartë dhe kërkesa për rishkimin e vendimit (neni 407/3 i K.Pr.Penale). Gjithashtu përcaktohen edhe personat që legjitimohen për të bërë ankim, dhe kjo e drejtë i takon vetëm atij që ligji ia njeh shprehimisht. Nëse ligji nuk bën dallim mes palëve atëherë kjo e drejtë i takon seicilës prej tyre.

5.1 Diskutim mbi nenin 410/2 të Kodit të Procedurës Penale.

E drejta e të pandehurit për të bërë ankim rregullohet nga neni 410 i K.Pr.Penale. Në pikën dy të këtij neni përcaktohet mënyra se si do të ushtrohet e drejta e ankimit ndaj një vendimi të dhënë në mungesë të të pandehurit. Neni 410/2 i K.Pr.Penale parashikon “Kundër vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësi mund të bëjë ankim vetëm kur është i pajisur me një akt përfaqësimi të lëshuar në format e parashikuara nga ligji”.
Mënyra jo e qartë se si është formuluar kjo pikë e nenit 410 krijon terren për lindjen e pikpamjeve të ndryshme në lidhje personin e legjitimuar për të bërë ankim ndaj një vendimi të dhënë në mungesë të të pandehurit. Jurisprudenca ka mbajtur qëndrime të ndryshme në lidhje me të drejtën e mbrojtësit për të bërë ankim ndaj vendimit të dhënë në mungesë, kur nuk është i pajisur me prokurë të posaçme nga ana e të pandehurit.
Vetë Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrime të ndryshme, fillimisht ajo unifikoi praktikën duke i dhënë avokatit të caktuar kryesisht apo nga familjarët të drejtën e ankimit edhe kur nuk ishte i pajisur me prokurë të posaçme nga i pandehuri. Ajo argumentonte se:
“Sipas nenit 64 të Kodit Civil caktimi nga gjykata kryesisht e mbrojtësit i jep këtij të fundit të drejtën të përfaqësojë të pandehurin sikur të ishte vetë ky i fundit. Vendimi i marrë nga gjykata është akt i përfaqësimit të lëshuar në format e parashikuara nga ligji, neni 410/2 I K. Pr. Penale dhe neni 64 të Kodit Civil” .
Më vonë, nga ana e Kolegjeve të Bashkuara, ky vendim u quajt si jo i drejtë dhe se praktika gjyqësore duhej të ndryshohej. Ata dolën me një vendim tjetër unifikues ku mbanin qëndrim të kundërt. Kolegjet argumentonin se e drejta për të bërë ankim është një e drejtë ngushtësisht personale, pra një e drejtë e të pandehurit dhe mbrojtësi mund ta ushtronte vetëm nëse ishte i pajisur me prokurë të posaçme në format e parashikuara nga ligji. Pra akti duhej të lëshohej personalisht nga vetë i pandehuri vullneti i të cilit vërtetohet sipas rastit nga noteri apo organi që njeh ligji dhe në të duhet të delegohej shprehimisht e drejta e ankimit ndaj vendimit gjyqësor.
Ky qëndrim i mbajtur nga Gjykata e Lartë hasi në qëndrimin e kundërt të Gjykatës Kushtetuese, e cila mbronte idenë se të drejtën për të bërë ankim ndaj vendimit të dhënë në mungesë e ka edhe mbrojtësi qoftë ky i caktuar kryesisht nga gjykata apo i zgjedhur nga familjarët . Si rezultat i këtyre dy qëndrimeve të ndryshme lindi një konflikt ndërinstitucional që u pasua nga një seri vendimesh dhe me ndërhyrje nga ana e legjislatorit.
Më poshtë do të parashtrojmë disa nga arsyet pro dhe kundër të drejtës së mbojtësit për të bërë ankim ndaj vendimit të dhënë në mungesë edhe pse nuk është i pajisur me prokurë të posaçme nga ana e të pandehurit, arsye të përmëndura nga të dyja gjykatat në vendimet e tyre.

5.1.1 Arsyet pse nuk duhet njohur e drejta e ankimit, ndaj vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësit që nuk është i pajisur me prokurë të posaçme nga i pandehuri.

Së pari kur gjatë gjykimit në shkallë të parë i pandehuri gjykohet në mungesë dhe nuk ka mbrojtës atëherë gjykata, për të garantuar të drejtat e të pandehurit brenda procesit penal i cakton një mbrojtës kryesisht, i cili merr të gjitha atributet e të pandehurit që gjykohet në mungesë dhe legjitimohet për bërjen e kërkesave dhe kundërshtimeve që lidhen me atë fazë gjykimi. Me dhënien e vendimit, mbrojtësi përfundon së qëni palë në gjykim e për pasojë nuk gëzon më të drejtat që ligji u njeh palëve në një proces penal. Mbrojtja kryesisht presupozon garantimin e një procedimi dhe gjykimi të drejtë, respektimin e të drejtave dhe lirive të të pandehurit në procesin penal, por kursesi disponimin tërësor mbi të drejtat që ligji i njeh të pandehurit.
Vetëm kur i pandehuri është nën kujdestari, ligji parashikon se kujdestari ka të drejtë të bëjë çdo ankim që i takon të pandehurit (neni 410/1 i K.Pr.Penale).
I përfaqësuari, d.m.th. personi në emër e për llogari të të cilit do të bëhet ankimi, nuk mund të jetë person tjetër veç të pandehurit të gjykuar në mungesë, ndërsa përfaqësues është mbrojtësi i caktuar prej tij. Në rastin kur gjykimi bëhet në mungesë të të pandehurit, sepse ai nuk është paraqitur në gjyq ose i fshihet gjykimit, avokati mbrojtës i caktuar kryesisht nga gjykata, ose ai i zgjedhur nga familjarët e të pandehurit, nuk përfaqëson vullnetin e të pandehurit sepse nuk ka tagër përfaqësimi prej tij.
Pra mbrojtësi sipas këtij qëndrimi kryen vetëm një funksion publik që i është ngarkuar nga gjykata në interes të drejtësisë, për të ndihmuar në mbrojtjen e të drejtave proceduriale të të pandehurit në gjyq dhe për të garantuar një minimum standardi të një procesi të rregullt ligjor
Së dyti aplikimi i së drejtës për të ushtruar ankim ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë nga mbrojtësi i caktuar kryesisht i mohon të pandehurit të drejtën për të ushtruar ankim ose jo ndaj vendimit. Ndërkohë që të pandehurit të gjykuar në mungesë nuk i mohohet e drejta për të bërë ankim ndaj vendimit, ai ka të drejtë mbështetur në nenin 147/2 të K.Pr.Penale të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim, kur vërteton se nuk ka marrë dijeni për vendimin e dhënë dhe mbasi ti jetë njohur kjo e drejtë ai mund të bëjë ankim kundër vendimit sipas rastit në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatën e Lartë.
Megjithëse e drejta për të qenë i pranishëm në gjyq nuk është absolute, kjo e drejtë mund të kufizohet në gjykimin në shkallë të parë, ose në një shkallë tjetër gjykimi, por humbja e plotë dhe e pariparueshme e saj, nuk mund të justifikohet.
I pandehuri në mungesë ndodhet në pozitë më të favorshme në qoftë se vendimi i shkallës së parë merr formë të prerë pa u ankimuar, se sa në qoftë se vendimi do të mund të ankimohej në të gjitha shkallët dhe të lihej në fuqi. Ankimi i vendimit në të gjitha shkallët e gjykimit nga persona të paautorizuar prej vetë të pandehurit do të çonte në një zgjidhje përfundimtare të çështjes dhe në ezaurim të mjeteve mbrojtëse të të pandehurit. Përkundrazi, i pandehuri që është gjykuar në mungesë, me të marrë dijeni për vendimin e dhënë kundër tij, ka të drejtë në çdo kohë të kërkojë rivendosjen në afat të ankimit të tij, duke pasur barrën e provës për të provuar se nuk ka marrë dijeni për vendimin.
Së treti e drejta e ankimit është një e drejtë e karakterit individual dhe kjo del nga analiza që u bëhet neneve kushtetuese dhe procedurale që flasin për ankimin.
Sipas nenit 31 të Kushtetutës, “Gjatë procesit penal kushdo ka të drejtë:
…ç) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij, të komunikojë lirisht dhe privatisht me të…”
Formulimi i dispozitës kushtetuese të mësipërme është i njëjtë me formulimin e nenit 6/3, pika “c”, të Konventës Eurpiane të të Drejtave të Njeriut, sipas të cilit:”…اdo i akuzuar ka të drejtë, ndër të tjera dhe kryesisht:…
...c) Të mbrohet vetë ose të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur prej tij…”
Nga ana tjetër nenit 6 i Kodit të Procedurës Penale parashikon se:
“1. I pandehuri ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e mbrojtësit. Kur nuk ka mjete të mjaftueshme i sigurohet mbrojtja falas me avokat.
2. Mbrojtësi ndihmon të pandehurin që t’i garantohen të drejtat proceduriale dhe t’i ruhem interesat e tij ligjore” (neni 6 i Kodit të Procedurës Penale)".
Sipas nenit 407/4, në të cilin rregullohen “rastet dhe mjetet e ankimit”, “e drejta e ankimit i takon vetëm atij që ligji ia njeh shprehimisht”, kurse sipas nenit 410, në të cilin rregullohet “ankimi i të pandehurit”, “1.I pandehuri mund të bëjë ankim vetë ose nëpërmjet mbrojtësit të tij. Kujdestari i të pandehurit mund të bëjë çdo ankim që i takon të pandehurit. 2. Kundër vendimit të dhënë në mungesë, mbrojtësi mund të bëjë ankim vetëm kur është i pajisur më një akt përfaqësimi të lëshuar nga i pandehuri në format e parashikuara nga ligji”. Po kështu, sipas nenit 422, me titull “E drejta e apelit”, “Prokurori, i pandehuri dhe palët private mund të apelojnë vendimet e gjykatës së shkallës së parë”. Për pasojë, këto dispozita, duke konkretizuar karakterin individual të së drejtës së ankimit, janë në pajtim me Kushtetutën.
E drejta e ankimit ndaj venedimittë dhënë në mungesë është një e drejtë ngushtësisht personale e tij dhe, si e tillë, ajo nuk mund të ushtrohet jashtë vullnetit të tij të lirë, të paraqitur në mënyrë të shprehur dhe në një formë të caktuar të domosdoshme për vlefshmërinë dhe provueshmërinë e aktit . Pra i pandehuri duhet të vendosë nëse duhet t’a ankimojë ose jo vendimin e dënimit të tij të dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Pranimi ose jo i vendimit të dënimit është me rrjedhoja të dukshme për të pandehurin dhe nuk mund të lihet në diskrecionin e mbrojtësit .
Së katërti Në thelb, moslejimi i së drejtës së ankimit të mbrojtësit të caktuar nga gjykata kryesisht ose të caktuar nga të afërmit e të pandehurit, në rastet e gjykimit në mungesë, kur mungon akti i përfaqësimit apo kur ai është i pavlefshëm, nuk i dëmton interesat e tij. Një mbrojtës i tillë, duke mos pasur mundësi të kontaktojë me të pandehurin e të marrë informacion prej tij, e ka shumë të kufizuar mundësinë për të siguruar prova që do ta shfajësonin të pandehurin ose do të lehtësonin pozitën e tij .

5.1.2 Arsyet pse duhet njohur e drejta e ankimit ndaj vendimit të dhënë në mungesë mbrojtësit që nuk është i pajisur me prokurë të posaçme nga i pandehuri.

Së pari caktimi i mbrojtësit në procesin penal në kushtet dhe mënyrat e parashikuara në ligj, përfshirë dhe atë të caktuar kryesisht nga gjykata, nuk ka për qëllim vetëm pjesëmarrjen e tij në një shkallë të gjykimit, por ndjekjen e çështjes nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së ankimit dhe pjesëmarrjes në të, deri në instancën më të lartë gjyqësore, për të mbrojtur plotësisht të drejtat e të pandehurit në një proces të rregullt ligjor. Neni 410/2 i Kodit të Procedurës Penale ka si qëllim të njohë dhe garantojë të drejtën e ankimit ndaj vendimit gjyqësor të dhënë në mungesë të të akuzuarit. Por, kufizimi që mbrojtësi duhet të jetë i pajisur me akt përfaqësimi të lëshuar vetëm nga i pandehuri, kur ky i fundit nuk është i pranishëm, del jashtë qëllimit të ligjit, duke prekur e mohuar të drejtën e ankimit.
E drejta e mbrojtjes me avokat si garanci kushtetuese duhet të jetë efektive. Moslejimi i mbrojtësit për të bërë ankim ndaj vendimit të gjykatës, të dhënë në mungesë të të akuzuarit, e vë njërën palë në pozitë të pabarabartë me palën tjetër. Që kjo e drejtë të jetë jo thjesht teorike, por praktike dhe efektive, ushtrimi i saj nuk duhet bërë duke plotësuar kushte formale e të panevojshme, por kushte të përshtatshme me kërkesat e një gjykimi të drejtë, nisur nga qëllimi i dukshëm për mbrojtjen e të akuzuarit në mungesë. Në të kundërt, përdorimi i kritereve procedurale, duke shkelur parimin e proporcionalitetit dhe të barazisë së palëve, kombinuar edhe me rrezikun imediat të ndëshkimit penal pa u kushtëzuar me zbatimin e parimit të kontradiktoritetit, krijon në vetvete një situatë arbitrariteti që mund të çojë edhe në dënim të padrejtë .
Pra caktimi i mbrojtësit nuk kuptohet vetëm si një garanci gjatë gjykimit në shkallë të parë, por që mbrojtja të konsiderohet efektive duhet që të pandehurit ti njihet e drejta e ankimit.
Së dyti të pranosh që i pandehuri që gjykohet në mungesë mund ta realizojë të drejtën e ankimit nëpërmjet rivendosjes në afat, kur ligji i ka garantuar të drejtën e ankimit nga mbrojtësi i zgjedhur nga të afërmit e tij, do të thotë që në fakt të mohosh të drejtën e mbrojtjes, ta reduktosh procesin gjyqësor vetëm në shkallë të parë, gjë që e bën atë të pa rregullt .
Së treti Gjykata kushtetuese arsyeton se e drejta e ankimit ndaj vendimit të gjykatës nuk është një e drejtë ekskluzive, që i takon vetëm të pandehurit siç është e drejta për të pranuar ose jo veprën penale, për të bërë ose mos bërë deklarime etj. E drejta e ankimit ndaj vendimit të dënimit, si pjesë e së drejtës së mbrojtjes, është në favor të të pandehurit dhe jo në disfavor të tij, prandaj mosushtrimi i saj cënon të drejtat ligjore të të pandehurit .

Pas shfuqizimeve të njëpasnjëshme të vendimeve të Kolegjeve të Bashkuara nga ana e Gjykatës Kushtetues , legjislatori e pa të arsyeshme të ndërhynte për ti dhënë zgjidhje situatës. Me ligjin nr.8813, dt.13.06.2002, “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale” u ndryshua neni 410/2 i K.Pr.Penale ku pas fjalës “lëshuar” u shtuan fjalët “nga i pandehuri”. Ky dryshim konfirmonte qëndrimin e mbajtur nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, por pas një kërkese që u bë në Gjykatën kushtetuese nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ky ndryshim i bërë u konsiderua si antikushtetues dhe u shfuqizua . Në këtë vendim Gjykata Kushtetuese arsyetonte:
“Ky plotësim, i cili në vetvete rezulton të jetë i panevojshëm, sepse pa të ky paragraf është i kuptueshëm dhe i zbatueshëm në lidhje dhe me dispozita të tjera të ligjit, shkel të drejtat e individit për një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet të drejtës për t’u mbrojtur dhe të drejtës për gjykim të çështjes në të gjitha shkallët, të garantuara nga nenet 31/ç e 42 të Kushtetutës dhe nenet 6 e 13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Në këtë mënyrë, cenohet e drejta e ankimit dhe e mbrojtjes për vetë të pandehurin, gjë që vjen në kundërshtim me përmbajtjen e nenit 17 të Kushtetutës, sepse kufizimi prek thelbin e së drejtës dhe tejkalon kufizimet e parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Prekja e thelbit të së drejtës së ankimit dhe mohimi i saj, konsiston në faktin se i gjykuari në mungesë që i fshihet drejtësisë, është në pamundësi të pajisë mbrojtësin me akt përfaqësimi të lëshuar prej tij në format e parashikuara nga ligji, pra efektivisht të mos ushtrojë të drejtën e ankimit.”
Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese e drejta e ankimit ndaj vendimit të dënimit të dhënë në mungesë të të pandehurit i njihet edhe mbrojtësit të caktuar kryesisht apo të zgjedhur nga të afërmit e të pandehurit.
Në praktikë vërehen ende raste sporadike që nuk pranojnë ankimin që bëhet nga mbrojtësi i caktuar kryesisht apo i zgjedhur nga familjarët . Gykata e Tiranës në një vendim të sajin me objekt “kërkesë për rivendosje në afat për të bërë ankim”, pranon kërkesën ndonëse apeli ishte ezauruar tashmë nga mbrojtësi i caktuar kryesisht , duke mos i njohur këtij të fundit të drejtën për të bërë apel .

5.1.2.1 Një argument tjetër në favor të qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ankimi i bërë nga mbrojtësi shuan për të pandehurin, i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë, mundësinë që të rivendoset në afat për të bërë ankim në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale. Duke pasur parasysh afatin e shkutër brenda të cilit duhet të paraqitet ankimi, normalisht lind dyshimi se mbrojtësi panvarsisht nga mardhënia e besimit mes tij dhe palës, mund të mos kontaktojë me të pandehurin të gjykuar në mungesë .
Pra do të kishim një ankim me efekte prekluzive për të drejtën e të pandehurit për të kërkuar rivendosjen në afat dhe ndërkohë vetë i pandehuri mund të mos ketë komunikuar asnjëherë me mbrojtësin e tij. Ndërsa kushtëzimi i së drejtës së ankimit nga ana e mbrojtësit, vetëm pasi të pajisej me një prokurë të posaçme nga ana e të pandehurit, prezumon se i pandehuri pasi ka bërë një vlerësim paraprak ka vendosur të autorizojë mbrojtësin për të bërë ankim panvarsisht nga efekti prekluziv, për të cilin folëm më sipër.
Por ndërkohë ekziston edhe ana tjetër e medaljes, rivendosja në afat e të pandehurit të gjykuar në mungesë lejohet vetëm kur janë kushtet dhe në këtë moment mund të kenë ardhur pasoja shumë të rënda për të pandehurin siç janë kalimi i afateve dhe shuarja e së drejtës për të bërë ankim. Pra instituti i rivendosjes në afat na del si një garanci më pak efektive se garancia që na vjen nga e drejta e mbrojtësit për të bërë ankim në mënyrë autonome ndaj vendimit të dhënë në mungesë të të pandehurit.

5.2 Pasojat që solli në praktikë vendimi nr.15, datë 17.04.2003 i Gjykatës Kushtetuese

Si rezultat i shfuqizimit të bërë nga Gjykata Kushtetuese në praktikë lindën disa probleme, që kishin të bënin me vendimet që ishin dhënë pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe para hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilët nuk ishin ankimuar ose edhe nëse ishin ankimuar , ankimi nuk ishte pranuar me argumentin se mbrojtësi nuk mund të ankimojë vendimin nëse nuk është i pajisur me prokurë të posaçme, vendime për të cilat afatet e ankimit ishin shuar.
Së pari, a do të fillonte një afat i ri për ankimimin e këtyre vendimeve, që në momentin e hyrjes në fuqi të vendimit te Gjykatës Kushtetuese ?
Ndryshimi që ju bë nenit 410/2 të K.Pr.Penale nuk lejonte mbrojtësin të bënte ankim, por nuk ndikonte mbi afatet e ankimit. Pra afate e ankimit kanë ecur normalisht dhe për pasojë janë shuar pa u bërë ankim nga i pandehuri apo nga mbrojtësi i cili nuk ishte i pajisur me prokurë të posaçme prej tij. Si përfudim mbrojtësi nuk mund të ushtrojë drejtë përdrejtë ankimin sepse afatet brenda të cilit duhet të ishte bërë ky ankim janë shuar.

Së dyti, a duhej që mbrojtësi ti drejtohej fillimisht institutit të rivendosjes në afat (neni 147/1 i K.Pr.Penale ), dhe vetëm pas kësaj të bënte ankim?
Afati për të bërë ankim nuk është respektuar nga ana e mbrojtësit jo për faj të tij, por sepse si rezultat i ndryshimeve që iu bënë nenit 410/2 të K.Pr.Penale atij iu mohua kjo e drejtë për sa kohë nuk kishte prokurë të posaçme nga i pandehuri. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shfuqizoi si te papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare në nenin 410/2 te K.Pr.Penal të fjalëve "nga i pandehuri “, vendimi që hyri në fuqi ditën e botimit ne fletoren zyrtare më datë 24.04.2003. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, pengesa u zhduk dhe në bazë të nenit 147/1 të K.Pr.Penale ai mund të kërkonte të rivendosej në afat, brenda dhjetë ditëve nga zhdukja e shkakut pengues.
Pra mbrojtësi duhej detyrimisht të kërkonte të rivendosej në afat dhe pastaj të bënte ankim .

Së treti, ku do të përfshihet kjo lloj pengese në bazë të nenit 147/1 të K.Pr.penale, tek forca madhore apo tek rasti fator?
Kufizimi i të drejtës për të bërë ankim për mbrojtësin u vendos me ligj, por ky kufizim u konsiderua si jo kushtetues dhe u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Kjo lloj pengese duke iu referuar nenit147/1 të K.Pr.Penale dhe nga përkufizimet e dhëna për rastin fator dhe forcën madhore në faqen 46 të këtij punimi nuk mund të përfshihet në mënyrë të kënaqshme në asnjërin prej përjashtimeve.
Por Gjykata e Lartë duke mos dashur të penalizojë pa të drejtë një mbrojtës i cili jo për faj të tij ka humbur afatin për të bërë ankim, duke bërë një interpretim zgjerues të dispozitës dhe duke e përfshirë rastin në fjalë tek forca madhore .

Së katërti, a do pranohet se mbrojtësi i caktuar kryesisht nga gjykata e shkallës së parë vazhdon ta ruajë pozitën e tij procedurale, pra a gëzon zotësi proceduriale për të bërë ankim?
Mbrojtësi i caktuar kryesisht ka humbur afatin për të bërë ankim jo për faj të tij. Për sa kohë neni 147/1 i garanton të drejtën se nëse ai ka humbur afatin jo për faj të tij, (neni nuk bën dallime mes mbrojtësi të zgjedhur apo atij të caktuar kryesisht ), mund të kërkojë të rivendoset në afat për të bërë ankim. Gjithashtu nga mënyra se si është formuluar neni 147/1 arrijmë në përfundimin se kjo e drejtë e tij ecën në mënyrë të panvarur nga e drejta e të pandehurit.


 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit

RIVENDOSJA Nث AFAT

Kodi i Procedurës Penale ka parashikuar se vendimet dhe urdhërat e gjykatës mund të ankimohen, por brenda një afati të caktuar, jashtë të cilit nuk mund të përdoren mjetet e ankimit. Pra shuhet një e drejtë si rezultat i mosveprimit të titullarit. Shkaqet që mund të çojnë në humbjen e afatit jo gjithmonë varen nga poseduesi i së drejtës, prandaj legjislatori në nenin 147 të K.Pr.Penale parashikon mundësine e rivendosjes në afat të së drejtës për të bërë ankim, pra afati i humbur i rikthehet subjektit nga gjykata.
Rastet e rivendosjes në afat janë taksative:
• Prokurori, i pandehuri, palët private dhe mbrojtësit rivendosen në afatin e caktuar kur provojnë se nuk kanë patur mundësi ta respektojnë afatin për shkak të rastit fator ose të forcës madhore (neni 147/1 i K.Pr.Penale).
• Në qoftë se është dhënë vendimi në mungesë, i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin (neni 147/2 i K.Pr.Penale).

6.1 Rivendosja në afat për të bërë ankim në rastet kur afati është humbur për shkak të rasti fator apo forcës madhore.

Sipas nenit 147/1 të K.Pr.Penale pamundësia për të respektuar afatin duhet të jetë absolute dhe të ketë ardhur për shkak të rastit fator ose forcës madhore. Sipas doktrinës me rast fator do të kuptojmë, një ngjarje që nuk është parashikuar dhe as nuk mund të parashikohej nga subjekti dhe që të ketë ndërhyrë para fillimit, gjatë ose pas mbarimit të veprimtarisë të caktuar nga subjekti për përmbushjen e aktit. Ndërsa me forcë madhore do të kuptojmë atë energji rastësore, natyrore, njerëzore apo mbinjerëzore ndaj së cilës subjekti nuk mundej të kundërvepronte dhe që çoi dëm çdo veprim të tij për të përmbushur aktin brenda afatit të përcaktuar . Gjithsesi ekziston një pjesë e doktrinës e cila mendon se kemi të bëjmë me të njëjtin koncept por të shprehur në mënyra të ndryshme dhe shprehja që i përfshin është “jo për faj të personit”.
Subjektet që legjitimohen të paraqesin kërkesë për rivendosje në afat në bazë të nenit 147/1 të K.Pr.Penale, janë prokurori, i pandehuri, palët private dhe mbrojtësit. Vlen të sqarohet se e drejta e mbrojtësit për të kërkuar rivendosjen në afat vlen si për aktet që janë kompetencë ekskluzive e tyre edhe për aktet e palës së mbrojtur prej tij, qoftë edhe aktet për realizimin e të cilave është kompetente edhe pala e mbrojtur. Mbrojtësit i lind detyrimi të provojë jo vetëm pamundësinë e tij për të respektuar afatin, por edhe pamundësinë për të njoftuar palën e mbrojtur prej tij. Kufizimi i vënë nga neni 147/3, se rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për çdo shkallë të procedimit, funksionon në mënyrë të panvarur për mbrojtësin dhe për palën e mbrojtur prej tij duke qënë se janë subjekte të legjitimuara në mënyrë të panvarur nga njëri tjetri.
Në këto raste duhet të provohet pamundësia për të respektuar afatin dhe brenda dhjetë ditëve nga dita që ka pushuar shkaku që përbënte rasti fator apo forcë madhore duhet të paraqitet kërkesa për rivendosjen në afat. Pra nëse rregulli është se e drejta e ankimit shuhet nëse kalojnë afatet, përjashtimi nga rregulli indentifikohet me rastin fator apo me forcën madhore. Lind pyetja nëse këto dy përjashtime janë të mjaftueshme, pra a mbulojnë të gjitha ato raste kur subjekti jo për faj të tij i ndodhur në pamundësi absolute nuk arrin të respektojë afatin . Mendoj se dy përjashtimet janë shumë kufizuese duke e zvogëluar dukshëm hapsirën e gjykatës për të vlerësuar nëse subjekti ka të drejtë të rivendoset në afat apo jo.
Nga mënyra se si është formuluar neni arrihet në përfundimin se nëse subjekti humbet afatin për një shkak të ndryshëm nga rasti fator apo nga forca madhore edhe pse jo për faj të tij nuk mund të rivendoset në afat nga gjykata. Pra dispozita kufizon në mënyrë të padrejtë të drejtat e subjekteve dhe duhet të bëhet objekt ndryshimesh nga ana e legjislatorit.

6.2 Rivendosja në afat e të pandehurit të gjykuar në mungesë.

Duhet të vëmë në dukje faktin se sistemi ynë ashtu si edhe ai Italian janë ndër të paktat sisteme që mbajnë një qëndrim neutral ndaj gjykimit në mungesë, ku mosparaqitja e të pandehurit në gjykim vjen si rezultat e një zgjedhje të lirë dhe të ndërgjegjshme nga ana e tij. Mungesa nuk çon në sanksione procedurale, por për më tepër janë parashikuar një sërë garancish, të paktën teorikisht, për të bërë të mundur që i pandehuri të vijë në dijeni të procedimit që ka filluar ndaj tij duke parashikuar disa përpjekje për njoftimin e tij që duhet të ndërmerren nga organi procedues para se të shpallë mungesën.
Në vendet e tjera gjykimi në mungesë i të pandehurit nuk shihet me sy të mirë, kjo për një arsye thelbësore, që shoqëron në mënyrë të paevitueshme institutin e gjykimit në mungesë që ka të bëjë me faktin se sa të sigurtë jemi ne, se i pandehuri ka hequr dorë në mënyrë të ndërgjegjshme nga e drejta për të qënë i pranishëm apo se ai nuk është paraqitur thjesht se nuk ka pasur dijeni për faktin se ndaj tij ka nisur një procedim, gjë që do të çonte në shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së. Në vendet e tjera Europiane ky problem evitohet duke i paraprirë. Ata e dekurajojnë dhe nuk e parashikojnë thuajse fare gjykimin në mungesë ose e pranojnë vetëm për disa raste sporadike.
Në Shqipëri ky problem kontrollohet në mënyrë pasvepruese, që do të thotë se procesi në ngarkim të të pandehurit në mungesë lejohet dhe është në tërësi i barabartë me procesin që zhvillohet ndaj të pandehurit që është i pranishëm. I pandehuri në mungesë do të përfaqësohet nga një mbrojtës i caktuar kryesisht nga organi procedues ose i zgjedhur prej tij, kur mungesa është e vullnetshme. Por nëse vërtetohet se mungesa ka ardhur jo për faj të të pandehurit, ai ka të drejtë të ushtrojë ankim ndaj vendimit të dhënë në mungesë të tij, duke kërkuar më parë që të rivendoset në afat, kur ai ka ardhur në dijeni të vendimit që është dhënë ndaj tij, pasi janë ezauruar afatet për të bërë ankim.
Pra të pandehurit të deklaruar në mungesë në bazë të nenit 351 të K.Pr.Penale nuk i mohohet e drejta për të ankimuar një vendim të dhënë në mungesë të tij, por kjo do të realizohet me anë të një mjeti tjetër të parashikuar nga ligji. Ai ka të drejtë që në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim, kur vërteton se nuk ka marrë dijeni për vendimin e dhënë dhe pasi të jetë njohur me të ai mund të bëjë ankim kundër vendimit sipas rastit, në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatën e Lartë. Pra të pandehurit i rikrijohet mundësia për të bërë ankim edhe atëherë kur nuk ka pasur parregullsi me njoftimet .
Kështu i pandehuri i gjykuar dhe i dënuar në mungesë që rishfaqet (vullnetarisht apo sepse kapet) rivihet në afat për të bërë ankim me përjashtim të rastit kur “ ai megjithëse ka marrë dijeni në mënyrë efektive për procedimin ka hequr dorë vullnetarisht nga e drejta e tij për tu paraqitur”. Duhet të sqarojmë faktin se termat “ ka marrë dijeni në mënyrë efektive” dhe “heqie dorë vullnetarish nga e drejta për tu paraqitur” janë tauologjikë. Nëse dikush panvarsisht se ka marrë dijeni në mënyrë efektive për procedimin në ngarkim të tij dhe nuk paraqitet kjo lë të kuptohet se ai ka hequr dorë nga e drejta e tij për të qënë i pranishëm.

6.2.1 A mund të kërkohet rivendosje në afat të së drejtës së ankimit ndaj vendimit për njohjen e një vendimi penal të huaj?

Gjykata e Lartë në vendimin e saj unifikues shprehet se në një rast të tillë referimi në nenin 147/2 të K.Pr.Penale është i gabuar, kjo dispozitë përdoret vetëm kur i pandehuri arrin të provojë se nuk ka marrë dijeni për vendimin që është dhënë në mungesë të tij. Pra në këtë rast kemi të bëjmë me rivendosje në afat për të bërë ankim ndaj një vendimi themeli i cili ndryshon nga vendimet e njohjes.
Ajo argumenton se gjykimi i konvertimit dhe i njohjes së vendimit penal të huaj, nga natyra e tij dhe rrethanat objektive në të cilat zhvillohet, nuk mund të ketë praninë e të dënuarit që u ka kërkuar autoriteteve te huaja kompetente të transferohet në Shqipëri. I dënuari që është duke vuajtur dënimin me burgim në një shtet të huaj objektivisht nuk mund të paraqitet në gjykaten shqiptare, por ai ka të drejtë dhe ka mundësi që, në momentin kur u drejtohet autoriteteve të huaja për të nisur procedurën e transferimit, të autorizojë një mbrojtës të tij që ta përfaqësojë në gjykatën shqiptare. Në qoftë se në fillim të gjykimit të konvertimit, gjykata shqiptare konstaton se mbrojtësi i caktuar nga i dënuari nuk është paraqitur pa shkaqe të arsyeshme, ose ai nuk ka autorizuar ndonjë mbrojtës, atëherë gjykata është e detyruar t`i caktojë një të tillë kryesisht. Vendimi i konvertimit mund te ankimohet nga palët në Apel .
Pra fakti që i dënuari nuk mund të jetë prezent gjatë këtij gjykimi nuk i jep atij të drejtën të paraqesë kërkesë në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale për rivendosje në afat. Kolegjet e Bashkuara japin si zgjidhje në vendimin unifikues se nëse i dënuari nuk është dakort me vendimin e konvertuar, atëherë ai nuk mund të sillet në Shqipëri në kundërshtim me dëshirën e tij, pra autoritetet e huaja do të ishin të detyruara të mos ndërmernin asnjë procedurë për transferimin derisa ai të apelonte vendimin dhe vendimi i apelit të merrte formë të prerë.
Lind pyetja se sa efektive është kjo zgjidhja, duke pasur parasysh që një i dënuar për më tepër në një vend të huaj ka vështërsi që të kontaktoj me një avokat në vendin e tij të origjinës në mënyrë që të sigurojë të drejtën e tij për tu mbrojtur dhe për tu përfaqsuar në gjykim. Në rastin në fjalë do ishte më komode për të pandehurin që të kërkonte rivendosjen në afat në bazë të nenit 147/1 të K.Pr.Penale nëse faktin që ai ndodhej i burgosur në një vend tjetër mund ta konsideronim si forcë madhore. Realisht mundësitë e të pandehurit për të bërë ankim ndaj vendimit të njohjes janë objektivisht shumë të kufizuara.

6.2.2 Kërkesat ligjore që kushtëzojnë rivendosjen në afat.

I pandehuri mund të rivendoset në afat nga ana e gjykatës në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale vetëm nëse plotësohen kushtet e sanksionuara në këtë nen. Nëse mungon qoftë edhe njëri prej tyre atëherë i pandehuri humbet të drejtën për tu rivendosur në afat. Në praktikë nuk ka një qëndrim të unifikuar në lidhje me kriteret që merren në konsideratë për të pranuar apo për të rëzuar kërkesën e rivendosjes në afat.
Disa raste praktike:
Në disa raste Gjykata duke luajtuar një rol aktiv, i ka hyrë kryesisht hetimit gjyqësor dhe në momentin që ka konstatuar se vendimi i dënimit nuk i është komunikuar kërkuesit e ka rivendosur në afat atë pa qënë nevoja që ai të paraqiste prova të tjera .
Në disa vendime të Gjykatës së Tiranës ndodh që shkaqet për të cila është rivënë në afat i pandehuri nuk janë ato të parashikuara nga neni 147 i K.Pr.Penale, si p.sh. fshehja ndaj gjykimit apo hetimit , apo thjesht fakti që i pandehuri është gjykuar në mungesë dhe vendimi i dënimit është shpallur në mungesë ka shërbyer si argument për gjykatën për të rivendosur në afat kërkuesin .
Por ka pasur edhe raste kur gjykata ka refuzuar të rivendosë në afat të dënuarin mbi bazën e një argumentimi jo në përputhje me kërkesat e parashikuara nga neni 147, kështu në një rast ajo arsyeton “... provohet që, në gjykatën e shkallës së parë dhe të apelit, gjykimi i çështjes është bërë në mungesë të të pandehurit M.S. pasi ai i është fshehur hetimit e gjykimit, por atij i janë garantuar të drejtat procedurale duke i caktuar avokat si dhe duke njoftuar rregullisht familjarët për gjykimet në të dyja shkallët e gjykimit të cilat kanë marrë dijeni për vendimin dhe janë zbatuar kërkesat e neneve 140 e 141 te K.Pr.Penale për njoftimin e akteve.”
Më tej, në vendimin e gjykatës së apelit arsyetohet se si avokati i të pandehurit dhe familjarët e tij i kishin mundësitë për të ushtruar rekurs.
Kërkesa per rivendojen ne afat, nuk ka te beje me caktimin kryesisht te mbrojtesit dhe as me marrjen dijeni nga familjaret, por është një e drejtë që i përket vetëm të pandehurit të cilit i takon bara e provës për të vërtetuar mospasjen dijeni për vendimin dhe askush nuk mund ta zëvëndësojë atë, pranimi i të kundërtës do të ishte jo vetëm në kundërshtim me sa parashikon neni 147/2 i K.Pr.Penale por edhe në kundërshtim me interesat e të pandehurit po të pranohej apriori i mirëqënë fakti se ai kishte dijeni për një vendim kur ai realisht nuk kishte dijeni për të .
Më poshtë duke pasur parasysh nenin 147 të K.Pr.Penale, jurisprudencën si dhe kodin e procedurës italiane (të para ndryshimeve)i cili është më i qartë në këtë pikë po paraqesim disa nga kërkesat ligjore që kushtëzojnë të drejtën e rivendosjes në afat të të pandehurit .

6.2.2.1 Afatet duhet të jenë të kthyeshëm.

Kërkesa për rivendosje në afat mund të pranohet vetëm nëse afati që këkohet të rivendoset duhet të jetë i kthyeshëm. Në rastin e rivendosjes në afat, afate të kthyeshme janë ato afate që janë shuar. Por që kjo të ndodhë duhet të vërtetohet fillimisht fakti që ai ka filluar të ecë, por që për shkak të mosveprimit nga ana e titullarit është shuar . Kështu sipas nenit 415/2 të K.Pr.Penale afati dhjetë ditor për të bërë ankim fillon të ecë nga dita e nesërme e shpalljes ose e njoftimit të vendimit.
Neni 386/2 i K.Pr.Penale parashikon “Lajmërimi për depozitimin dhe kopja e vendimit i njoftohet të pandehurit që është deklaruar në mungesë”. Afati për të bërë ankim fillon të ecë vetëm pasi të pandehurit që është dënuar në mungesë ti njoftohet vendimi i dënimit .
Mbas gjykimit të çështjes në mungesë, vendimi i gjykatës së shkallës së parë i njoftohet të pandehurit konform kërkesave të nenit 140,141, të K.Pr.Penale. Lajmërimi i depozitimit të vendimit afishohet në banesën e të pandehurit, qendrën e punës, ju komunikohet fqinjëve ose të afërmëve të tij, ndërsa në rastin e të pandehurit që i fshihet ndjekjes penale ligji parashikon njoftimin e tij nëpërmjet dorëzimit të aktit mbrojtësit të tij dhe kur nuk ka të tillë mbrojtësit të caktuar kryesisht.
Kryerja e të gjithave kërkesave ligjore në lidhje me njoftimin e të pandehurit që procedohet dhe gjykohet në mungesë, presupozon se i pandehuri ka marrë njoftim për çështjen penale që ka në ngarkim apo për vendimin e gjykatës lidhur me të. Duke u konsideruar ligjërisht i njoftuar për vendimin e dhënë në mungesë të pandehurit i fillon edhe përllogaritja e afateve të ushtrimit të së drejtës së ankimit ndaj vendimit të dhënë në mungesë të tij, nga dita e njoftimit. Kalimi i afateve pa ushtruar të drejtën e ankimit, i jep vendimit formë të prerë, i cili në rastin e mungesës ankimohet vetëm në kushte të caktuara ligjore.
Por çndodh nëse njoftimi për vendimin e dënimit nuk i është njoftuar të pandehurit të gjykuar në mungesë ose kur njoftimet kanë qënë të pavlefshme. Për pasojë i pandehuri nuk ka marrë kurrë dijeni për vendimin e dhënë ndaj tij dhe kjo jo për faj të tij? Në një rast të tillë afati për të bërë ankim nuk ka filluar kurrë të ecë dhe për pasojë edhe vendimi nuk është i formës së prerë. Duke qënë se vendimi nuk ka marrë formë të prerë, do të thotë se nuk është as i ekzekutueshëm.
Pyetja që lind, ka të bëjë me faktin se si duhet të veprojë i pandehuri në një rast të tillë? A duhet ai të kërkojë rivendosjen në afat të së drejtës për të bërë ankim, apo mund të bëjë direkt ankim pa pasur nevojë për tu rivendosur në afat, duke ditur se afati dhjetë ditor brenda të cilit ai duhet të bënte ankimin ka filluar të ecë vetëm në momentin në të cilin i është njoftuar vendimi.
Po ti referohemi Kodit të Procedurës Penale Italiane që siç thamë ka shërbyer si bazë për kodin tonë, shohim se sipas nenit 670 të Kodit të Procedurës Penale italiane, kur gjykatësi që meret me shqyrtimin e kërkesave që kanë të bëjnë me ekzekutimin e vendimeve penale vëren se vendimi mungon apo nuk është bërë i ekzekutueshëm (sepse nuk i është njoftuar të pandehurit ), me vendim vendos pezullimin e ekzekutimit të vendimit dhe rinovimin e njoftimit që nuk është realizuar në mënyrë të vlefshme. Me bërjen e njoftimit fillon të ecë edhe afati brenda të cilit duhet të paraqitet ankimi. Pra i pandehuri i cili nuk është njoftuar për vendimin e marrë ndaj tij nuk është i detyruar ti drejtohet institutit të rivendosjes në afat.
Panvarsisht se neni 147/2 nuk e shpreh në mënyrë të qartë, por kuptohet se rivendosja në afat e së drejtës së ankimit mund të bëhet vetëm në ato raste kur megjithëse janë ndërmarë të gjitha veprimet e nevojshme për njoftimin e vendimit në bazë të 386/2, i pandehuri, jo për faj të tij, përsëri nuk ka marrë dijeni për vendimin e dënimit që është dhënë në mungesë të tij
Mendoj se do të ishte e padrejtë që i pandehuri i cili nuk ka marrë dijeni kurrë për vendimin e dënimit që është dhënë ndaj tij të penalizohej , për shkak se nuk janë kryer veprimet e nevojshme procedurale për njoftimin e vendimit në bazë të nenit 386/2 të K.Pr.Penale nga ana e administratës gjyqësore. Pra neni 147 nuk vlen në rastin kur njoftimi nuk është bërë apo është i pavlefshëm, në këtë rast mund të bëhet ankimi drejtëpërsëdrejti pa pasur nevojë për tu rivendosur në afat.

6.2.2.2 Legjitimimi. Cilët janë personat e legjitimiuar për të paraqitur kërkesën për rivendosje në afat.

Në praktikë para vitit 2002 binte në sy mbajtja e qëndrimeve të ndryshme në lidhje me personin që legjitimohej për të paraqitur kërkesën për rivendosje në afat në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale, për këtë arsye Gjykata e Lartë doli me një vendim unifikues në mënyrë që të bënte njësimin e praktikës . Ky vendim doli në periudhën që ekzistonte konflikti ndërinstitucional mes Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese në lidhje me nenin 410/2 të K.Pr.Penale. Gjykata e lartë mbante të njëjtin qëndrim në të dyja raste, duke i konsideruar si të drejtën e ankimit edhe atë të rivendosjes në afat si të drejta ngushtësisht personale të të pandehurit. Gjykata Kushtetuese nuk mbështeti qëndrimin në lidhje me të drejtën e ankimit, ndërkohë që nuk ka kundërshtuar qëndrimin e mbajtur në lidhje me faktin se kush ka të drejtë të paraqesë kërkesë për rivendosje në afat në lidhje me nenin 147/2 të K.Pr.Penale.
Neni 147/2 i K.Pr.Penale parashikon që “Në qoftë se është dhënë një vendim në mungesë, i pandehuri mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kur provon se nuk ka marrë dijeni për vendimin”. Ndërsa sipas paragrafit 3 të po kësaj dispozite, “Kërkesa për rivendosjen në afat paraqitet brenda 10 ditëve … nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për aktin”.
Nga shqyrtimi i dy paragrafëve të mësipërm rezulton se mbi të pandehurin rëndon bara e provës në dy drejtime:
Ai duhet të provojë se nuk ka marrë dijeni për vendimin.
Gjithashtu ai duhet të provojë momentin se kur ka marrë dijeni efektivisht për vendimin.
Praktikisht ky moment “i marrjes dijeni efektivisht” mund të përcaktohet vetëm nga i pandehuri pasi është ky ai ndaj të cilit ka një vendim gjyqësor që duhet ekzekutuar, por që mund të ankohet në qoftë se vendimi nuk dihej prej këtij të fundit. Ndërkohë, në dispozitën e mësipërme, përdoret shprehja “kur provon”, duke ju referuar personalisht të pandehurit. Pra vetë i pandehuri ka barën e provës për të provuar se nuk ka marrë dijeni për vendimin e dhënë në mungesë të tij dhe se për këtë vendim ka marrë dijeni në një moment të caktuar. Këtë të drejtë ai mund t`ia delegojë me vullnetin e tij të lirë një mbrojtësi të caktuar prej tij nëpërmjet një akti përfaqësimi të lëshuar e të vërtetuar në formën e parashikuar në ligj.
Gjykata e Lartë në vendimin e saj unifikues nr. 2, datë 14.10.2002, ndër të tjera arsyeton:
“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një ekskluzivitet të të pandehurit, i cili mund të ushtrojë vetë të drejtën për të kërkuar rivendosjen në afatin e ankimit, ose nëpërmjet të autorizuarve posaçërisht prej tij. Duke qënë se ligji kërkon që i pandehuri të provojë mospasjen dijeni për vendimin, askush tjetër nuk mund ta zëvëndësojë atë për të njëjtin shkak, përfshi këtu edhe familjarët. Pranimi i të kundërtës nuk do ishte vetëm në kundërshtim me sa parashikon neni 147/2, por do të ishte sa allogjik aq edhe në kundërshtim me interesat e vetë të pandehurit. Në qoftë se do te pranohej e kundërta do te krijohej situata që të pranohej apriori i mirqënë fakti që i pandehuri të ishte në dijeni të një vendimi, kur nuk e dinte realisht atë. Ndërkohë duke u konsumuar e drejta që parashikon neni 147/2 i K.Pr.Penale nga mbrojtësi i caktuar kryesisht, ose familjarët e tij, do t`i mohohej padrejtësisht e drejta vetë të pandehurit për të kërkuar rivendosjen në afat të ankimit. Sipas nenit 147/3 te K.Pr.Penale, “ … Rivendosja ne afat nuk lejohet më shumë se një herë për sejcilën palë per çdo shkallë të procedimit”.
Neni 147/2 i K.Pr.Penale është parashikuar si një garanci për të pandehurin të gjykuar në mungesë, që kur ai të paraqitet, pra të vijë në dijeni për vendimin e marrë ndaj tij të ketë mjetet e përshtatshme juridike që çështja e tij të shqyrtohet edhe një herë.
Në rast se kërkesa për rivendosje në afat është bërë nga një avokat i pajisur me prokurë nga familjarët nuk do të konsiderohet si subjekt i legjitimuar dhe kërkesa do të rëzohet, por kjo nuk i heq të drejtën të pandehurit që në të ardhmen të kërkojë vetë ose nëpërmjet një avokati të pajisur me prokurë, rivendosjen në afat për të bërë ankim kudër vendimit të dhënë në mungesë të tij .
Nga një sërë vendimesh të Gjykatës së Lartë është konsoliduar praktika gjyqësore se subjekti që mund të kërkojë rivendosjen në afat për të bërë ankim kundër vendimit të dhënë në mungesë është vetëm i pandehuri. Gjykata e Lartë në bazë të neneve 438 e 440 të Kodit të Procedurës Penale ka konkluduar dhe orjentuar rrethet gjyqësore se e drejta për të kërkuar apo jo rivendosjen në afat për të bërë ankim është një e drejtë ngushtësisht personale e të pandehurit madhor. Këtë të drejtë i pandehuri mund ta delegojë me vullnetin e tij të lirë një mbrojtësi të caktuar prej tij nëpërmjet aktit të përfaqësimit të lëshuar e vërtetuar në formën e kërkuar nga ligji .
Megjithatë, edhe sikur të pranohej e kundërta, d.m.th. që mbrojtësi i caktuar kryesisht apo nga familjarët e të pandehurit, të ketë të drejtë të bëjë kërkesë për rivendosje në afat të ankimit (apelit apo rekursit) dhe mandej të bëjë ankimin kundër vendimit në emër e për llogari të të pandehurit, përsëri lind një problem që duhet sqaruar. Në rastin konkret, personi që ka bërë kërkesën për rivendosje në afat të ankimit dhe që më vonë ka bërë rekursin në Gjykatën e Lartë, a e ka marrë proceduralisht cilësinë e mbrojtësit të caktuar kryesisht nga organi procedues, gjykata, apo te caktuar nga te afërmit e të pandehurit ? Në asnjërin prej rasteve të përmëndura mbrojtësi nuk gëzon një pozitë procedurale të njohur nga Kodi i Procedurës Penale.
Në rastin e parë kur flasim për mbrojtësin e caktuar kryesisht, cilësia i tij si i tillë konfirmohet dhe pranohet nga organi procedues, prokuroria apo gjykata, gjatë hetimit paraprak apo gjatë gjykimit të çështjes dhe jo në rrugë ekstra procedurale.
Për sa kohë legjislatori në bazë të nenit 410/2 të K.Pr.Penale i ka njohur të drejtën këtij mbrojtësi që të paraqesë ankim ndonëse nuk është i pajisur me prokurë të posaçme, atëherë i vetmi rast kur ai mund të kërkojë që të rivendoset në afat është kur për shkak të rastit fator apo forcës madhore ka humbur afatin për të bërë ankim, në bazë të nenit 147/1. Pra për sa kohë mbrojtësi, i cili jo për faj të tij ka humbur një afat, mund të kërkojë të rivendoset në afat në bazë të 147/1, nuk mundet kursesi që të kërkojë të drejtën e tij për tu rivendosur në afat në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale. Nëse ai ka humbur afatin për të bërë ankim jo për shkak të forcës madhore apo të rastit fator, por për faj të tij atëherë ai nuk gëzon më pozitën proceduriale të mbrojtësit dhe misioni i tij quhet i përfunduar.
Në rastin e dytë të mbrojtësit të zgjedhur nga familjarët lind pyetja nëse jemi para njërit prej atyre rasteve kur familjarëve ju njihet e drejta që i zgjedhin një mbrojtës të pandehurit. Thamë më sipër se i pandehuri mund të rivendoset në afat vetëm nëse arrin të provojë se nuk ka marrë dijeni për vendimin, pra jemi para atyre rasteve kur mungesa është e pavullnetshme. Ndërkohë që familjarët në bazë të nenit 48/3 kanë të drejtë ti zgjedhin një mbrojtës të pandehurit vetëm nëse ai është i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar me burgim. Me sa shohim të tre rastet e përmendura janë të tilla që lejojnë që i pandehuri të gjykohet në mungesë vetëm nëse ai refuzon të paraqitet, pra jemi para mungesës së vullnetshme (nenet 351/1 dhe 352/1 të K.Pr.Penale). Pra si përfundim mund të themi se neni 147/2 nuk është ndër ato raste që familjarët mund ti zgjedhin një mbrojtës të pandehurit.

6.2.2.3 I pandehuri nuk duhet të ketë marrë dijeni për vendimin e dënimit.

I pandehuri i gjykuar në mungesë mund të rivendoset në afat vetëm kur arrin të provojë që nuk ka marrë dijeni për vendimin e dhënë ndaj tij, pra bara e provës bie mbi të pandehurin. Sipas GJEDNJ-së pikërisht kjo barrë prove që rëndon mbi të pandehurin i cili paraqet kërkesën për tu rivendosur në afat përbën një “pengesë ligjore” të tepërt ndaj të drejtës së të pandehurit për një proces të ri në praninë e tij, e drejtë që i garantohet në mënyrë eksplicite nga ana e nenit 6 të Konventës .
Gjykata në vendimin e saj “Sejdovic kundër Italisë” jo vetëm rikonfirmoi parimet për të pandehurin të gjykuar në mungesë , por edhe shënoi një fushë të re të konstatimit të shkeljeve nga ana e gjykatës që ka të bëjë me shkeljet e bëra nga shtetet si rezultat i mungesës së strukturës në sistemin e tyre procedural penal. Gjykata Europiane konstatoi shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së për faktin se i dënuari nuk kishte mundësinë që të arrinte një rihapje të procedimit penal, për tu gjykuar sërish në respekt të së drejtës për tu mbrojtur mbi bazueshmërinë e akuzave të formuluara kundër tij.
Nga leximi i nenit 147/2 i K.Pr.Penale lind pyetja nëse i pandehuri duhet të vërtetojë vetëm se nuk ka marrë dijeni për vendimin apo edhe për procedimin? Po në rast se vërtetohet se i pandehuri ka pasur dijeni për procedimin por nuk është njoftuar asnjëherë në mënyrë efektive për vendimin, mund të kërkojë ai që të rivendoset në afat? Pra a mund të favorizohet personi i cili me dashje nuk tregon interes ndaj procesit që zhvillohet ndaj tij duke e lejuar që të rivendoset në afat për të bërë ankim? Nëse pranojmë se i pandehuri do të rivendoset në afat vetëm nëse arrin të provojë se nuk ka pasur dijeni për vendimin pa i hyrë faktit nëse ka pasur apo jo dijeni për procedimin, atëherë nuk do të arrijmë të bëjmë dallimin midis atij që vërtetë nuk ka pasur dijeni për procesin e zhvilluar ndaj tij dhe personit i cili ka krijuar një padijeni artificiale.
Nëse do të përfshinim brenda 147/2 të K.Pr.Penale edhe dijeninë për procedimin do na lindte një problem tjetër, lidhur me faktin se cilat janë ato akte që do të konsiderohen se kanë vënë në dijeni në mënyrë efektive për procedimin e nisur ndaj tij.
Po ti referohemi nenit 147/3 të K.Pr.Penale i cil shprehet “ Kërkesa për rivendosje në afat paraqitet brenda dhjetë ditëve........ nga dita që ka marrë dijeni efektivisht për aktin.” Legjislatori përdor termin “akt” për të treguar “vendimin” e përmëndur në nenin 147/2 të K.Pr.Penale. Pra i pandehuri brenda dhjetë ditëve nga dita kur ka marrë dijeni për aktin ( vendimin e dënimit në mungesë ) mund të paraqesë kërkesën për rivendosje në afat. Duket se kodi ynë e lidh marrjen dijeni vetëm me vendimin dhe jo me procedimin.
Kodi italian pas ndryshimeve që iu bënë në 2005 parashikon të dyja si marrjen dijeni për vendimin ashtu edhe për procedimin, nëse vërtetohet se i pandehuri ka marrë dijeni për procedimin nuk është më e nevojshme që të shqyrtohet nëse ka marrë apo jo dijeni për vendimin përfundimtar. Doktrina është treguar skeptike në lidhje me këtë ndryshim duke ngritur pyetjen se mos vallë kështu rëndohej pozita e të pandehurit, ndërkohë që ndryshimet u bënë pikërisht për të kundërtën , pra për t’i siguruar atij një mundësi më efektive për tu rivendosur në afat.

6.2.2.4 Mungesa e dijenisë për ekzistencën e vendimit të mos ketë ardhur për faj të të pandehurit.

Neni 147 i K.Pr.Penale nuk përmend si kusht për tu rivendosur në afat, që padijenia të mos ketë ardhur për faj të të pandehurit. Lind pyetja nëse ky rast do të përfshihet tek ato shkaqe që kushtëzojnë të drejtën e të pandehurit për tu rivendosur në afat? Një i pandehur i cili me dashje i është shmangur marrjes dijeni për vendimin e dënimit të dhënë në mungesë ndaj tij, nuk mund të pretendojë se nuk ka ardhur në dijeni të vendimit nga pikpamja formale kur ndërkohë me veprime konkludente ka treguar se ai ka dijeni për gjykimin, si p.sh. ka zgjedhur mbrojtës, apo ka paraqitur rekurs .
Ky kusht gjen aplikim edhe në disa vendime për rivendosje në afat të shkallës së parë, kështu në një vendim kërkohet “I dënuari duhet të provojë se nuk ka marrë dijeni për vendimin dhe se nuk i është shmangur vullnetarisht dijenisë së vendimit të dhënë ”. Sipas praktikës të krijuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Medenica kundër Zvicrës, i pandehuri humbet të drejtën e tij për një proces të ri nëse vërtetohet se ai i është fshehur gjykimit. Pra një pandehur për të cilin provohet se me vullnetin e tij të lirë iu është shmangur njoftimeve të bëra nga organi procedues, nuk mund të rivendoset në afat.

6.2.2.5 E drejta e ankimit nuk duhet të jetë ezauruar nga mbrojtësi.

Kërkesa e të pandehurit për tu rivendosur në afat mund të pranohet nga ana e Gjykatës vetëm nëse e drejta e ankimit nuk është ezauruar më parë nga ana e mbrojtësit të caktuar kryesisht apo të zgjedhur nga familjarët. Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.15, datë 17.04.2003 i njohu përfundimisht mbrojtësit të drejtën e ankimit ndaj vendimit të dhënë në mungesë edhe pse nuk është i pajisur me prokurë të posaçme nga ana e të pandehurit.
Gjykata e Lartë kishte mendimin se nëse mbrojtësit i njihej e drejta e ankimit, atëherë pa të drejtë i mohohej e drejta e ankimit të pandehurit. Në një moment të dytë kur i pandehuri të shfaqej, ai nuk mund të kërkonte të rivendosej në afat për të bërë ankim sepse ankimi ishte ezauruar nga mbrojtësi.
Por vendi ynë nuk është i vetmi që u përball me një problem të tillë. Italia, kodi i së cilës ka shërbyer si bazë për kodin tonë, pati të njëjtin diskutim në lidhje me të drejtën e mbrojtësit për të bërë ankim kur nuk ka prokurë të posaçme, shumë vite më parë se ky diskutim të lindte në vëndin tonë. Në Kodin italian të procedurës penale siç ishte në origjinë në nenin 571/3 që i korrespondon nenit 410/2 të kodit tonë, parashikohej se mbrojtësi mund të bënte ankim vetëm nëse ishte i pajisur me prokure të posaçme nga ana e të pandehurit. Ky parashikim u bë pikërisht duke dashur të mbrohej e drejta e të pandehurit për të bërë vetë ankim pasi të rivendosej në afat në bazë të nenit 175 ( neni 147 i kodit tonë), pra prokura shërbente si garanci që e drejta e ankimit nuk do të ezaurohej nga mbrojtësi pa marrë më parë pëlqimin e të pandehurit.
Nëse ankimi do të bëhej nga një mbrojtës i rastësishëm që ishte caktuar për të përfaqësuar të pandehurin që ishte në mungesë, atij do ti shuhej e drejta për të bërë vetë ankim . Gjykata e Kasacionit dhe ajo Kushtetuese në Itali, mbajtën të njëjtin qëndrim në këtë pikë, ato pranonin të drejtën e mbrojtësit për të bërë ankim ndaj vendimit të dhënë në mungese edhe pse nuk ishte i pajisur me prokurë të posaçme, sepse në të kudërt me shuarjen e afateve askush nuk garantonte se i pandehuri do të rivendosej në afat dhe pasojat mund të ishin edhe më të dëmshme për të pandehurin. Ky qëndrim u pasua edhe me ndryshime legjislative më 16.12.1999 që shfuqizuan pjesën e dytë të nenit 571/3 të Kodit të Procedurës Penale Italiane dhe ndërkohë me të njëjtin ligj u ndryshua edhe neni 175 duke shtuar si kusht për tu rivendosur në afat që ankimi të mos ishte bërë nga mbrojtësi.
Por pikërisht për këtë arsye sistemi procedural penal Italian u penalizua nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut , me argumentin se, të pandehurit që ishte gjykuar në mungesë por që ishte shfaqur më vonë, nuk i sigurohej një mjet efektiv që ai të kishte mundësi të rigjykohej. Sipas Gjykatës neni 175 nuk garantonte në një masë të kënaqshme të drejtën e të pandehurit, që jo për faj të tij nuk kishte marrë dijeni për vendimin dhe për pasojë nuk kishte hequr dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm, se kërkesat e tij do të rimereshin në shqyrtim.
Kjo detyroi legjislatorin italian që në 2005 të bënte disa ndryshime të rëndësishme në institutin e rivendosjes në afat. Një nga ndryshimet më thelbësore të nenit 175 ishte shfuqizimi i shprehjes “ me kusht që ankimi të mos jetë bërë nga mbrojtësi” duke lejuar kështu rivendosjen në afat edhe kur ankimi është bërë në mënyrë të panvarur nga ana e mbrojtësit. Pra ndonëse ankimi mund te jetë ezauruar nga mbrojtësi kjo nuk i heq të drejtën të pandehurit, që është dënuar në mungesë jo për faj të tij por sepse nuk ka marrë dijeni për procedimin e nisur ndaj tij, të riparaqesë ankimin në momentin që vjen në dijeni të vendimit që është dhënë ndaj tij.
Me ndryshimin që i është bërë nenit 175/2 ku e drejta e të pandehurit për tu rivendosur në afat nuk kushtëzohet më nga fakti nëse mbrojtësi ka bërë apo jo ankim, mundet që gjykimi në Apel apo edhe në Gjykatën e Kasacionit të përsëriten, pavarësisht se janë ezauruar një herë mbi iniciativën e mbrojtësit të të pandehurit
Lind pyetja se nëse kjo zgjidhje e gjetur nga ana e legjislatorit italian, për të plotësuar kërkesat e GJEDNJ-së, është e duhura. Ky ndryshim vërtet që zgjidh një problem por ndërkohë krijon dy probleme të reja, në radhë të parë cili do të jetë raporti midis dy vendimeve, pra cili do të jetë fati i vendimit të parë dhe në radhë të dytë nuk është se favorizon ekonominë gjyqësore .
Neni 147/2 i Kodit tonë nuk parashikon si kusht që ankimi të mos jetë ushtruar nga mbrojtësi, por duke u nisur nga parimi se e drejta e ankimit ndaj një vendimi nuk mund të ushtrohet më shumë se një herë, dhe iterpretimit të deritanishëm që i është bërë nga doktrina dhe nga jurisprudenca ky është një ndër kushtet që duhet të plotësohen që i pandehuri të rivendoset në afat, në të kundërt do të cënohej siguria juridike.
Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, nëse Shqipëria do të shkonte para kësaj gjykate për çështjen që parashtruam më sipër do të ishin shumë të pakta mundësitë që të mos penalizohej. Pra në një të ardhme jo shumë të largët edhe legjislatori ynë do të detyrohet të bëjë ndryshime duke gjetur një sistem më efektiv që plotëson kërkesat e Konventës. Ndoshta një zgjidhje do të ishte edhe pezullimi deri në paraqitjen e të pandehurit, ashtu siç bën pjesa më e madhe e Europës.

6.2.2.5.1اndodh nëse ndaj vendimit kanë ushtruar ankim bashkëtëpandehurit e tjerë, a do ti njihet e drejta të pandehurit, që është gjykuar në mungesë , të kërkojë rivendosjen në afat të së drejtës për të bërë ankim?

Në një rast të tillë lind pyetja nëse një vendim që është shqyrtuar një herë në tërësi nga Gjykata e Apelit a mund të rishqyrtohet po prej kësaj gjykate edhe pse nuk jemi para përjashtimit të parashikuar nga neni 34 i Kushtetutës. Praktika është e paqartë në këtë pikë, Gjykata e Lartë nuk ka dalë me një vendim unifikues prandaj edhe qëndrimet janë të ndryshme.
Sipas nenit 425/1 të K.Pr.Penale, “Gjykata e apelit e shqyrton çështjen në tërësi dhe nuk kufizohet vetëm me shkaqet e paraqitura në ankim. Ajo shqyrton edhe pjesën që u takon bashkëtëpandehurve që nuk kanë bërë ankim brenda kufijve që referojnë shkaqet e ngritura në ankim.” Ankimi i bërë vlen edhe për të pandehurit e tjerë kur nuk është i bazuar vetëm në motive personale.
Duke mbajtur parasysh përmbajtjen e ligjit, në çdo rast të paraqitjes së ankimit nga disa dhe jo të gjithë bashkëtëpandehurit, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, gjykatat e apelit duhet te vlerësojne nëse ankimet e paraqitura janë vetëm për motive personale ose jo dhe mbi këtë bazë të përcaktojne kufijtë e shqyrtimit të çështjes, pra nëse do të shqyrtojë ose jo edhe pjesën e bashketëpandehurve të tjerë që nuk kanë bërë ankim. Në rast se shqyrton edhe pjesën e të pandehurit që nuk ka bërë ankim gjykata e apelit duhet t`u përmbahet shkaqeve të ankimit të bashkëtëpandehurve.
Sipas kësaj pikëpamje gjykata që do të shqyrtojë kërkesën e rivendosjes në afat duhet të shikojë edhe shkaqet për të cilat është ankimuar çështja, nëse ato janë personale dhe lidhen vetëm me të bashkëpandehurin që ka bërë ankimin atëherë duhet të lejohet rivendosja në afat e së drejtës për të bërë ankim ndaj vendimit të dënimit të dhënë në mungesë sepse çështja e tij rezulton e pashqyrtuar për sa kohë nuk ka bërë ankim mbrojtësi dhe ankimi i bërë nga i bashkëpandehuri ishte i bazuar në motive personale.
Në praktikë ndodh që gjykata të rivendosë në afat të dënuarin edhe pse mjetet e ankimit janë ezauruar tashmë nga bashkëtëpandehurit e tjerë, pa i hyrë shkaqeve për të cilat është ankimuar çështja.
Ndërkohë që ekziston edhe një qëndrim tjetër, i cili ecën mbi bazën e prezumimit se:
“.... Gjykata e Apelit në momentin që ka shqyrtuar çështjen për të bashkëtëpandehurit e tjerë ka verifikuar edhe njoftimet që i janë bërë të pandehurit që është në mungesë në lidhje me ankimin e paraqitur dhe për ditën e gjykimit. Ky është një detyrim për Gjykatën e Apelit që rrjedh nga neni 426/1 dhe 414 i K.Pr.Penale. Mënyra se sa janë zbatuar këta nene nga Gjykata e apelit nuk mund të jetë objekt shqyrtimi i Gjykatës së Shkallës së Parë duke qënë se është një gjykatë e një shkalle më të ulët. Në rast se Gjykata e rrethit gjyqësor do të rivendoste në afat kërkuesin për të ushtruar ankim, në mënyrë indirekte do të verifikonte dhe të bënte të pavlefshme njoftimin e kryer nga Gjykata e Apelit, të drejtë të cilën ligji nuk ia njeh gjykatës së rrethit gjyqësor” .
Pra sipas kësaj pikpamje, për sa kohë që çështja është shqyrtuar si nga Gjykata e apelit dhe nga Gjykata e Lartë, prezumohet që seicili prej këtyre vendimeve i është njoftuar të pandehurit duke ju dhënë mundësia që të ndërhyjë apo të paraqesë rekurs dhe Gjykata e Shkallës së Parë nuk mund të ushtrojë kontroll mbi aktet e një gjykate më të lartë.
Mendoj se ky qëndrim është jo tërësisht i drejtë, duke pasur parasysh se rivendosja në afat ka të bëjë pikërisht me ato raste kur ndonëse njoftimet janë bërë në rregull, i pandehuri nuk ka ardhur në dijeni të vendimit që është dhënë në mungesë të tij. Pikpamja që një gjykatë e një shkalle më të ulët nuk mund të hyjë e të vlerësojë aktet e një gjykate të një shkalle më të lartë për të vendosur nëse ankimi i shqyrtuar ka qënë i bazuar në motive personale apo jo, nuk është shumë e qëndrueshme. Në një rast të tillë gjykata e shkallës së parë nuk i hyn shqyrtimit të akteve themelore por thjesht verifikon shkaqet për të cilat është bërë ankimi.
Zgjidhja e dhënë nga ana e Kolegjit Penal, për një problem i cili nuk është rregulluar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga dispozitat e kodit, na bën të nxjerrim përfundimin se Kodi ka nevojë për plotësime në këtë aspekt. Në mënyrë që të pandehurit të gjykuar dhe dënuar në mungesë të mos i mohohet e drejta e një rigjykimi kur ai të paraqitet, mund të kufizohet e drejta e gjykatës së apelit për të shqyrtuar vetëm pjesën që ka të bëjë me subjektin që ka bërë ankim.

6.2.2.6 Rivendosja në afat nuk lejohet më shumë se një herë për secilën palë dhe për secilën shkallë.

Në bazë të nenit 147/3 të K.Pr.Penale rivendosja në afat nuk mund të lejohet më shumë se një herë për secilën palë, për çdo shkallë procedimi. Pra nëse personi është rivendosur një herë në afat për të paraqitur p.sh. apel dhe nuk e ka shfytëzuar këtë mundësi, ai nuk mund të rivendoset sërish në afat dhe kërkesa e tij në një rastë të tillë do të rrëzohej .
Llogjika në këtë rast është e thjeshtë, sepse personi që është rivendosur një herë në afat ka marrë dijeni për vendimin që është dhënë ndaj tij dhe nuk mund të pretendojë se nuk ka marrë dijeni në mënyrë efektive për vendimin që është dhënë në mungesë të tij. Nëse do të pranonim të kundërtën atëherë do të kishim kërkesa për rivendosje në afat pa fund dhe cënim të sigurisë juridike. Gjithashtu nuk njihet e drejta që të kërkohet të rivendoset në afat, e drejta për të kërkuar rivendosjen në afat.

6.2.3 Afati ligjor brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa.

Në nenin 147/3 të K.Pr.Penale theksohet se, kërkesa për rivendosje në afat nga personi për të cilin është dhënë vendimi në mungesë, duhet të paraqitet brenda dhjetë ditëve nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për aktin.
Afati dhjetë ditor, brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa për rivendosje në afat nuk duket edhe aq efektive, duke pasur parasysh se të pandehurit i kërkohet që të përgatisë një mbrojtje brenda dhjetë ditëve dhe për më tepër për një vendim për të cilin nuk kishte as dijeni. Duhet mbajtur parasysh edhe fakti se i pandehuri i cili shfaqet në një moment të mëvonshëm nuk ka as ndihmën e një avokati të caktuar kryesisht duke qënë se çështja e tij është mbyllur. Thamë se instituti i rivendosjes në afat është bërë objekt ndryshimesh thelbësore në itali. Këto ndryshime prekën edhe afatin dhjetë ditor që parashikohej njësoj si në kodin tonë . Afati i ri tashmë është prej 30 ditësh që sigurisht i
 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit

garanton të pandehurit garanci më të mëdha për të realizuar një mbrojtje efektive dhe të kënaqshme për kërkesat e konventës.

6.2.3.1 A është i mjaftueshëm afati dhjetë ditor për personin që pritet të ekstradohet.

Mënyra se si është formuluar neni 147/3 i K.Pr.Penale nga pikpamja praktike është thuajse e pamundur që një person që është arrestuar në një vend tjetër për një vendim që është dhënë në mungesë të tij në Shqipëri dhe që pret të ekstradohet, të sigurojë një mbrojtës, ta pajisë me prokurë dhe të përgatisë një mbrojtje të mjaftueshme brenda afatit dhjetë ditor të parashikuar nga kjo pikë e nenit. Sipas Gjykatës Europiane afati dhjetë ditor është shumë i shkurtër për të arritur objektivin e përgatitjes së një mbrojtje të mirë. Nuk mohohet fakti se afati vetëm dhjetë ditor është realisht i pamjaftueshëm për të pandehurin që është brenda vendi dhe jo më për atë që pritet të ekstradohet.
Para ndryshimeve kodi italian ashtu sikurse edhe kodi ynë nuk bënte dallimin mes të pandehurit të lirë apo të burgosur brenda italisë dhe atij që ishte arrestuar jashtë shtetit dhe që pritej të ekstradohej. Me bërjen e ndryshimeve u bë edhe dallimi midis këtyre dy subjekteve. Afati tashmë 30 ditor për të paraqitur kërkesën për rivendosje në afat nuk fillon të ecë në të njëjtën kohë për të dyja subjektet. Në rastin e personit që pritet të ekstradohet afati fillon të ecë nga momenti i dorëzimit të të pandehurit duke i siguruar një garanci vërtet të nevojshme për kushtet në të cilat ndodhet një i pandehur i cili është i burgosur në një vend tjetër dhe që pret të ekstradohet.
Mbi bazën e argumenteve që u përmendën më sipër është mëse e nevojshme ndërhyrja e legjislatorit për të rregulluar këto probleme, në mënyrë që të arrihen sa më shumë të jetë e mundur standartet e kërkuara prej Gjykatës së Strasburgut.

6.2.3.2 Cili do të konsiderohet momenti i marrjes dijeni efektivisht për vendimin e dhënë ndaj të pandehurit?

Kërkuesi duhet të provojë momentin e marrjes dijeni efektivisht për vendimin e dhënë në mungesë të tij, pra bara e provës i takon atij. Në praktikë ka pasur raste kur gjykata nuk ka qënë e qartë se mbi çfakte do të provojë i pandehuri momentin e marrjes dijeni të vendimit.
Në një rast është konstatuar se i pandehuri në prokurën me të cilën ka autorizuar mbrojtësin për të bërë kërkesën për rivendosje në afat ka deklaruar edhe momentin në të cilin ka marrë dijeni efektivisht për vendimin e dënimit dhe kjo është konsideruar si një provë e mjaftueshme për Gjykatën e cila ka lejuar rivendosjen në afat të të pandehurit. Në një rast tjetër, pretendimi i mbrojtësit për të konsideruar si provë deklarimin e bërë në prokurën e posaçme nuk është pranuar nga gjykata duke argumentuar se:
“ ... deklarimet e kërkuesit para noterit nuk përbëjnë provë me të cilën provohet momenti i marrjes dijeni efektivisht për vendimin, por duhen prova në bazë të K.Pr.Penale për të provuar këtë deklarim apo pretendim.”
Jurisprudenca është treguar formaliste në lidhje me momentin e marrjes dijeni për vendimin e dënimit . Kështu ajo pranon se do të konsiderohet se i dënuari ka marrë dijeni efektivisht për vendimin e dënimit në momentin që është njohur me vetë aktin dhe ka firmosur për marrjen e tij . Pra atij duhet ti jepet kopja e vendimit kundrejt një konfirmimi nga ana e tij.
Kështu del e qartë se nuk mund të vihet një shenjë barazie midis marrjes dijeni dhe njoftimit të vendimit, nuk mund të konsiderohet e barazvlefshme me njoftimin e vendimit të gjykatës:
1. Momentin p.sh. që është njohur me vendimin e ekstradimit, edhe pse i janë sqaruar shkaqet se përse po ekstradohet.
2. Apo njohja me urdhërin e prokurorit për ekzekutimin e vendimit .

6.2.4 Gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat.

Neni 147/4 i K.Pr.Penaleparashikon “Për kërkesën vendos organi që procedon në kohën e paraqitjes së saj.” Siç shihet dispozita nuk është shumë e qartë, ajo nuk sqaron se çfarë do të kuptojmë me “organi që procedon në kohën e paraqitjes së saj”.
Sipas vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, në kuptim të nenit 147/4 të K.Pr.Penale, kërkesa për rivendosje në afat për të bërë ankim bëhet në gjykatën që ka dhënë vendimin dhe si e tillë duhet kuptuar përgjithsisht gjykata e shkallës së parë (gjykata e rrethit gjyqësor përkatës). Kështu gjykata argumenton se:
“ Një përfundim i tillë rezulton nga përmbajtja e pikave 5 e 6 të nenit 147 të K.Pr.Penale. Sipas pikës 5, “Vendimi që lejon rivendosjen në afat për bërjen e ankimit mund të ankimohet vetëm bashkë me vendimin përfundimtar”. Ndërsa sipas pikës 6, “Kundër vendimit që refuzon kërkesën për rivendosje në afat mund të bëhet ankim në gjykatën e Apelit”. Duke interpretuar në tërësi e në lidhje me njëra tjetrën këto dy pika arrihet në përfundimin se ankimi i veçantë lejohet vetëm kur gjykata e shkallës së parë refuzon rivendosjen në afat të ankimit (sipas rastit, respektivisht, të apelit apo të rekursit).
Dispozita e mësipërme parashikon në mënyrë të shprehur (eksplicite) se ankimi bëhet në gjykatën e Apelit. ....Si përfundim, pavarësisht nëse cështja është shqyrtuar në themel apo jo edhe nga gjykata e Apelit, kompetente për të shqyrtuar kërkesën për rivendosjen e afatit të ankimit është gjykata e shkallës së parë. Gjykata e Apelit dhe, pas saj, Gjykata e Lartë, shqyrtojnë vetëm ankimet kundër vendimeve respektive”.
Ekziston e dhe një mendim pakice sipas të cilit, në cdo rast, kompetente për të shqyrtuar kërkesën për rivendosjen në afat të ankimit kundër një vendimi gjyqësor është ajo gjykatë që ka dhënë vendimin që kërkohet të ankimohet. Në qoftë se do të kërkohet të rivendoset e drejta e ushtrimit te apelit kundër një vendimi të gjykatës së shkallës së parë, atëherë kompetente për të shqyrtuar kërkesën është kjo gjykatë që ka dhënë vendimin. Në qoftë se, si në rastin në shqyrtim, do të kërkohet të rivendoset e drejta e ushtrimit të rekursit kundër vendimit të gjykatës së Apelit, atëherë i takon kësaj gjykate të marrë në shqyrtim këtë kërkes.
Doktrina dhe jurisprudenca Italiane është e prerë në këtë pikë, sipas saj kompetente për shqyrtimin e kërkesës është gjykata që do të shqyrtojë apelin ose rekursin sipas rastit, kjo vjen dhe nga fakti se Kodi i procedurës Italiane është më i qartë në këtë pikë . Pra si mendimi i shumicës edhe ai i pakicës në vendimin unifikues nuk përputhen me qëndrimin e doktrinës dhe jurisprudencës italjane, në lidhje me organin që do të konsiderohet si kompetent për marrjen në shqyrtim të kërkesës për rivendosje në afat.
Si përfundim për sakohë që ky problem është zgjidhur me vendim unifikues, kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat do të konsiderohet gjykata e shkallës së parë.

6.2.4.1 Numri i gjyqtarve për shqyrtimin e kërkesës

Kodi i Procedurës nuk shprehet në lidhje me numrin e gjyqtarve të nevojshëm për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat. Sipas Gjykatës së Lartë , për sa kohë që nuk ka rregullim të posaçëm, duhet të nisemi nga rregulli i përgjithshëm, kështu nëse gjykimi i ceshtjes per akuzen që i atribuohet të pandehurit në të dy gjykatat e faktit është bërë me trupa gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, ateherë a mund të pranohet që kërkesa për rivendosjen në afat të ankimit kundër vendimeve të dhëna te shqyrtohet nga një gjyqtar i vetëm. Një gjë e tillë do të ishte e pranueshme në qoftë se Kodi i Procedures Penale do ta parashikonte atë në mënyrë të shprehur. Një parashikim të tillë nuk e hasim. Për më tepër, edhe ndryshimi i nenit 13 te K.Pr.Penale me ligjin nr.8813, date 13.6.2002, mbështet mënyrën e arsyetmit si më sipër. Dispozita në fjalë parashikon në mënyrë taksative rastet kur cështjet gjykohen me një gjyqtar të vetëm dhe në këto raste nuk përfshihet rasti në fjalë.

6.2.5 Ankimimi ndaj vendimit që lejon apo refuzon rivendosjen në afat .

Neni 147 i K.Pr.Penale në pikat 5 dhe 6 të tij parashikon rrugët e ankimimit ndaj vendimit të rivendosjes në afat. Në rastin kur kërkesa për rivendosje në afat nuk pranohet atëherë lind e drejta për të bërë ankim në gjykatën e apelit gjithmonë nëse pranojmë faktin se kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat është gjykata e shkallës së parë. Në këtë pikë nuk lindin probleme pasi sqarohet momenti i gjykatës kompetente.
Praktika ka hasur probleme me zbatimin dhe iterpretimin e pikës 5 të këtij neni e cila parashikon se “ Vendimi që lejon rivendosjen në afat për bërjen e ankimit mund të ankimohet vetëm bashkë me vendimin përfundimtar”. Gjykata e Lartë në vendimin e saj unifikues nr.2, datë, 14.10.2002 në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, në përpjekje për të arsyetuar se përse gjykata e shkallës së parë është kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat, i bën një interpretim të përgjithshëm edhe kësaj pike. Në një pjesë të vendimit ajo shprehet:
“Kuptohet se ankimi sipas nenit 147, pika 6, bëhet fillimisht në Apel e mandej në rast refuzimi, përsëritet në gjykatën e lartë. Në rast se Gjykata e Apelit pranon kërkesën për rivendosje në afat të ankimit, atëherë i lind e drejta prokurorit që të kundërshtojë në Gjykatën e Lartë, rivendosjen në afat së bashku me vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit”
Pra vendimi që lejon rivendosjen në afat të ankimit mund të ankimohet vetëm bashkë me vendimin përfundimtar. Kjo do të thotë se kur pranohet kërkesa për rivendosje në afat çështja do të gjykohet detyrimisht nga gjykata e Apelit. Palët që nuk janë dakort me vendimin e gjykatës që ka rivendosur në afat të drejtën e ankimit mund t’a ankimojnë atë vetëm së bashku me vendimin përfundimtar që do të jepet nga Gjykata e Apelit.
Por çndodh në rastin kur kërkohet rivendosja në afat e së drejtës për të bërë rekurs ndaj vendimit të gjykatës së apelit të dhënë në mungesë të të pandehurit, nëse kjo kërkesë pranohet. Si do të veprohet në këtë rast me të drejtën e ankimit ndaj vendimit të rivendosjes në afat të rekursit? Lind pyetja se ku mund ta ankimojë prokurori këtë vendim duke qënë se ai mund të ankimohet bashkë me vendimin përfundimtar dhe në këtë rast vendimi përfundimtar është ai i Gjykatës së Lartë.
Gjykata Kushtetues mban një qëndrim të kundërt me vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, në vendimin nr.21, datë, 24.07.2006 ajo argumenton:
“Përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor të rekursit, prokurori ka parashtruar një kërkesë paraprake, që lidhet me ligjshmërinë e vendimit që kishte rivendosur në afat të drejtën e të pandehurin për ushtrimin e rekursit. ...
... Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke pranuar kërkesën paraprake të prokurorit, ka përfshirë në shqyrtim materialet e çështjes gjyqësore të rivendosjes në afat të të pandehurit, ndonëse ato i përkisnin një çështje tjetër gjyqësore, shqyrtimi i të cilës kishte përfunduar dhe vendimi përkatës kishte marrë formë të prerë, sepse prokurori nuk ushtroi ndaj tij rekurs, siç përcaktohet në nenin 147, paragrafi 5 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo dispozitë procedurale është specifike, sepse ndryshe nga rregulli i përgjithshëm për ankimimin e vendimeve, parashikon shprehimisht: “Vendimi që lejon rivendosjen në afat për bërjen e ankimit mund të ankimohet vetëm bashkë me vendimin përfundimtar”. Në këto rrethana, prokurori, nëse nuk ishte dakord me vendimin e rivendosjes në afat të të pandehurit, duhej ta ankimonte atë përpara se të merrej në shqyrtim rekursi i kërkuesit ndaj vendimit përfundimtar. Ai nuk mund të ezauronte ankimin e tij nëpërmjet kërkesës paraprake.”
Pra sipas Gjykatës Kushtetuese prokurori nëse nuk është dakort me vendimin e rivendosjen në afat duhet ta ankimojë atë përpara se të merret në shqyrtim rekursi. Në mënyrë të tërthortë Gjykata Kushtetuese lë pa fuqi nenin neni 147/5 të K.Pr.Penale duke pranuar të drejtën e palës tjetër për të bërë ankim të drejtpërdrejtë ndaj vendimit që lejon rivendosjen në afat, pra e ka shfuqizuar atë. Por a njihet e drejta Gjykatës Kushtetuese që të bëjë shfuqizime të tërthorta domethënë duke e evituar zbatimin e saj në mëyrë të heshtur. Mendoj se në një rast të tillë Gjykata kushtetuese duhet të ishte shprehur në mënyrë qartë në lidhje me këtë pikë të nenit 147 duke mbajtur edhe qëndrimin përkatës. Në këtë mënyrë problemi do të sqarohej edhe për situata të ngjashme në të ardhmen, ndërsa një zgjidhje e tillë nuk shmang situatat analoge.
Ndërkohë po ti referohemi vendimit të Gjykatës së Lartë, vendimi i rivendosjes në afat mund të ankimohet vetëm bashkë me vendimin përfundimtar dhe në rastin në fjalë vendim përfundimtar është ai i Gjykatës së Lartë, por duke qënë se vendimi i Gjykatës së Lartë është shkalla e fundit dhe nuk mund të ankimohet do të kishim si pasojë që vendimi i rivendosjes në afat të së drejtës së rekursit do ti shpëtonte kontrollit të një shkalle të dytë.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i ka hyrë kryesisht kontrollit të vendimit të rivendosjes në afat ndonëse ai nuk është objekt shqyrtimi, në bazë të nenit 434 te K.Pr.Penale sipas te cilit:
"Gjykata e Lartë shqyrton çështjen brenda kufijve të shkaqeve të ngritura. Por per çështjet ligjore, që duhet të shihen kryesisht nga gjykata në çdo gjendje e shkalle te procesit, te cilat nuk janë parë, Gjykata e Lartë ka te drejtë të vendosë".
Por dispozita (Neni 147/5 i K.Pr.Penale) ka kufizuar të drejtën e palës tjetër për të bërë ankim të drejtëpërdrejtë ndaj vendimit të rivendosjes në afat pikërisht për ti ardhur në ndihmë të pandehurit që jo për faj të tij është dënuar në mungesë, që gjykata të investohet detyrimisht për shqyrtimin e ankimit të rivendosur në afat. Pra investimi për gjykatën e lartë është i detyrueshëm dhe ajo nuk mund të shqyrtojë vendimin e rivendosjes në afat ndërkohë që nuk ka shqyrtuar rekursin e rivendosur në afat.

6.2.6 Instituti i rivendosjes në afat, sa efektiv është?

Ashtu siç e kemi përmëndur edhe më sipër Gjykata e Strasburgut në çështjen Sejdovic kundër Italisë u shpreh se:
“ Gjykimi në mungesë nuk është në kundërshtim me frymën e nenin 6 të KEDNJ-së me kusht që i pandehuri të jetë njoftuar në mënyrë efektive për procedimin që është nisur ndaj tij ose ai të ketë hequr dorë në mënyrë të shprehur nga e drejta e tij për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit dhe ti sigurohet mundësia e pakufizuar për një proces të ri në prani të tij pasi është paraqitur”.
Sistemi ynë ka parashikuar institutin e rivendosjes në afat si mjetin që do ti sigurojë të pandehurit të drejtën e një procesi të ri.
Lind pyetja, nëse është garantuar në mënyrë të kënaqshme e drejta e të pandehurit për të pasur një gjykim të ri. Mbi këtë pikë dyshimet janë të forta mbi të gjitha po të kemi parasysh faktin se instituti i rivendosjes në afat nuk siguron atë që Gjykata e quan “fresh determination of the charge”, por jep mundësin për të bërë ankim. Mënyra se si është ndërtuar instituti i rivendosjes në afat, nuk mund të indentifikohet si një mjet që i garanton të pandehurit të dënuar në mungesë që në mometin që do të shfaqet do ti sigurohet e drejta për një proces të ri në ngarkim të tij ku ai ka të drejtë të paraqesë pretendimet e tij dhe të dëgjohet. Si pasojë i pandehuri privohet nga një prej shkallëve të gjykimit dhe nga të gjithë garancitë që e shoqërojnë. Gjithashtu kërkesa do të merret në shqyrtim nga gjykata, gjë që nuk jep siguri se vendimi do të jetë në favor të të pandehurit, i cili jo për faj të tij është gjykuar dhe dënuar në mungesë.
Për Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut instituti i rivendosjes në afat nuk kënaq kërkesat e Konventës dhe del si një mjet jo dhe aq efektiv . Kështu kur rivendoset në afat e drejta për të bërë rekurs, duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti do të thotë se faktet e çështjes nuk do të rimeren në shqyrtim dhe i pandehuri nuk mund të shprehet për to, pra nuk do të dëgjohet.
Përveç sa më sipër vendimi mund të ankimohet nga të pandehur të tjerë të pranishëm që akuzohen në bashkëpunim me të pandehurin në mungesë ose nga palë të tjera në proces si prokurori etj., mbi ankimin e të cilit në bazë të nenit 425 pika 2/a,b,c e K.Pr.Penale edhe mund të rëndohet pozita e të pandehurit në mungesë dhe pasi të kalohen të gjitha shkallët e gjykimit duke u shqyrtuar çështja në tërësi vendimi të marrë formën e prerë edhe për të pandehurin në mungesë . Kështu i pandehuri humbet edhe mundësinë për tu rivendosur në afat.
Afati brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa për rivendosje në afat është konsideruar nga Gjykata e Strasburgut se i krijon të pandehurit vështirsi të tilla objektive që cënojnë edhe vetë aksesueshmërinë e institutit të rivendosjes në afat.
I njëjti qëndrim është mbajtur nga kjo gjykatë edhe në lidhje me barën e provës që rëndon mbi të pandehurin në momenti që bën kërkesën për rivendosje në afat për të provuar se nuk ka marrë dijeni për vendimin. Legjislatori italian me ndryshimet e 2005-ës ja kaloi barrën e provës gjykatës. Tanimë detyrimi për të provuar se vënia në dijeni, njoftimi ka qënë efektiv bie mbi gjykatën pra në rastin e një vendimi të dhënë në mungesë e gjitha nis mbi prezumimin se i dënuari nuk ka pasur dijeni. Gjithsesi bara e provës për të vërtetuar momentin e marrjes dijeni për vendimin rëndon mbi të pandehurin.
Pra po ti referohemi praktikës së Gjykatës së Strasburgut “rivendosja në afat” si institut nga mënyra se si është ndërtuar dhe formuluar nuk plotëson kërkesat e Konventës.
6.2.7 Pasojat e rivendosjes në afat.

Neni 148 i K.Pr.penale rregullon efktet e rivendosjes në afat. Ai ka këtë formulim,
1. Gjykata që ka vendosur rivendosjen në afat, me kërkesën e palës dhe për aq sa është e mundur, urdhëron përsëritjen e veprimeve në të cilat pala kishte të
të drejtë të merte pjesë.
2. Kur rivendosja në afat bëhet nga Gjykata e Lartë, përsëritja e
veprimeve vendoset nga gjykata që është kompetente për shqyrtimin në themel.”
Nga mënyra se si është formuluar ky nen , nxjerr jo pak probleme. Pika e parë e këtij neni parashikon se gjykata që ka vendosur rivendosjen në afat, urdhëron përsëritjen e veprimeve. Duke rikujtuar qëndrimin që mbajtëm më sipër se kompetente për shqyrtimin e kërkesë për rivendosje në afat është gjykata e shkallës së parë, gjindemi para një situate jo shumë të qartë. Kemi një gjykatë të një shkalle më të ulët e cila sipas rastit “urdhëron” një gjykatë Apeli apo Gjykatën e Lartë që të përsërisë veprimet në të cilat pala kishte të drejtë të merte pjesë. Dispozita ka kuptim po ti referohemi qëndrimit të mbajtur nga kodi italian që kërkesa për rivendosje në afat do të shqyrtohet nga gjykata që është kompetente për shqyrtimin e themelit, pra nëse kërkohet rivendosja në afat e apelit kompetente për shqyrtimin e kërkesës është gjykata e apelit dhe nëse kërkohet rivendosja në afat e së drejtës së rekursit, atëherë kompetente për shqyrtimin e kërkesës do të konsiderohet Gjykata e Lartë.
Jo më shumë e qartë është pika e dytë e këtij neni. Kush do të konsiderohet “gjykatë kompetente për shqyrtimin në themel”, gjykata ku janë kryer veprimet në të cilat pala kishte të drejtë të merrte pjesë apo gjykata që mer në shqyrtim ankimin e rivendosur në afat?

6.2.7.1 A mundet gjykata që të urdhërojë pezullimin e ekzekutimit të dënimit kur pranon kërkesën për rivendosje në afat?

Kërkesa për rivendosje në afat paraqitet ndaj një vendimi i cili ka marë formë të prerë si rezultat i kalimit të afateve brenda të cilave duhej të ishte bërë ankimi. Kështu në bazë të nenit 461/1 të K.Pr.Penale ai është i ekzekutueshëm dhe i pandehuri i cili arrestohet në bazë të këtij vendimi të dhënë në mungesë të tij. Në momentin që paraqet kërkesën për rivendosjen në afat nuk i sigurohet asnjë mjet ligjor në bazë të të cilit të kërkojë edhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit, sepse në asnjë pikë të kodit tonë nuk parashikohet një e drejtë e tillë ndryshe nga kodi i procedurës italiane. Neni 175 i Kodit të procedurës italiane, që i korrespondon nenit 147 të kodit tonë, në pikën e shtatë të tij parashikon “Gjykata kur pranon kërkesën për rivendosje në afat për të bërë ankim, nëse është rasti, urdhëron lirimin e të pandehurit që ndodhet i burgosur ........”. Neni 147 i kodit tonë nuk e përfshin këtë parashikim duke krijuar kështu një boshllëk ligjor.
Po ti referohemi nenit 417/1 i K.Pr.Penale, shohim se në rastin e kërkesës për rishikim lejohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit. Gjithashtu në këtë nen parashikohet se ekzekutimi i vendimit të ankimuar pezullohet deri në përfundimin e gjykimit nga gjykata e Apelit. Pra nëse e drejta e të pandehurit për të bërë ankim do të rivendoset në afat, vetëm pasi çështja në merret në shqyrtim nga Gjykata e Apelit do të vendoset pezullimi i ekzekutimit të vendimit, ndërkohë nga momenti në të cilin është rivënë në afat deri në momentin që do të merret në shqyrtim ankimi i tij ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg.
Mendoj se është e nevojshme një ndërhyrje nga ana e legjislatorit për të rregulluar dhe plotësuar këtë boshllëk ligjor, për ti dhënë të pandehurit të paktën një mundësi që të paraqesë një kërkesë për pezullimin e ekzekutimit të vendimit në rast se pranohet kërkesa për rivendosje në afat, gjithmonë duke i dhënë mundësi gjykatës që të jetë aktive në vlerësimin e kushteve për pranimin e një kërkese të tillë.
Në praktikë haset edhe ndonjë rast kur gjykata që vendos për kërkesën e rivendosjes në afat vendos edhe për pezullimin e ekzekutimit të vendimit. Kështu në një vendim të Gjykatës së Tiranës nr.759, datë 25.04.2007 argumentohet “Rivendosja në afat e së drejtës së ankimit sjell për pasojë pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, sepse bazuar në Nenin 417/1 të K.Pr.Penale, ekzekutimi i vendimit të ankimuar pezullohet deri në përfundim të gjykimit në Gjykatën e Apelit, si dhe për faktin se nga momenti që të pandehurit i njihet e drejta e ankimit, nuk kemi më një vendim të formës së prerë (neni 462/1 i K.Pr.Penale), gjithashtu ne rastin konkret për të pandehurin nuk është caktuar masa e sigurimit “ Arrest ne burg “ e cila do të lejonte mbajtjen e tij në burg me një vendim të formës së prerë”.
Pra, në momentin që i pandehuri rivendoset në afat vendimi nuk është më i formës së prerë dhe në bazë të nenit 462/1 të K.Pr.Penale ai nuk është më i ekzekutueshëm. Kështu me një interpretim të tërthortë mund të urdhërohet edhe pezullimi i ekzekutimit të dënimit. Lind nevoja që të parashikohet nga legjislatori një bazë ligjore që ti japë të drejtë prokurorit që merret me ekzekutimin e vendimeve, në rastin kur konstaton se vendimi nuk i është njoftuar të pandehurit apo njoftimet janë të pavlefshme, ti kërkojë gjykatës që të urdhërojë njoftimin e vendimit.

6.2.8 Raste praktike.

6.2.8.1 Rast praktik.

I pandehuri L.M. është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në bazë të neneve 114/a/1,2,3 dhe në aplikim të nenit 55 është dënuar me 12 vjet burgim. Mbi apelin e mbrojtësit të caktuar kryesisht për të pandehurin Gjykata e Apelit Tiranë vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Gjykata e Lartë mbi bazën e rekursit të të pandehurit L.M. vendosi mospranimin e rekursit.
I dënuari L.M. bëri kërkesë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për tu rivendosur në afat për të bërë ankim ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë, por kërkesa ju rrëzua si e pabazuar në prova dhe në ligj. Mbi ankimin e të dënuarit Gjykata e Apelit, bazuar në nenin 147/2 të K.Pr.Penale ka ndryshuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke rivendosur në afat të drejtën e kërkuesit për të bërë ankim kundër vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me argumentin se gjykimi në shkallë të parë dhe në Apel ishte bërë në mungesë pa patur ai dijeni, si dhe nuk provohet që ti jetë komunikuar vendimi.
Gjatë gjykimit në Apel, përpara fillimit të shqyrtimit gjyqësor nga ana e prokurorisë u kërkua të vendosej mospranimi i ankimit të paraqitur në bazë të nenit 420, pika 1, gërma “b” të Kodit të Procedurës Penale, me argumentin se procedurat e zhvilluara ndaj të gjykuarit janë të rregullta dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është i paankimueshëm pasi ai ka kaluar të gjitha shkallët e gjykimit.
Gjykata e apelit argumenton se është në pamundësi ligjore për të shqyrtuar apelin e paraqitur nga L.M. sepse:
1. I gjykuari L.M. ka paraqitur apel kundër një vendimi të gjykatës së shkallës së parë, që është shqyrtuar më parë nga ana e Gjykatës së apelit Tiranë mbi apelin e mbrojtësit të caktuar kryesisht për të. Nga ana e të gjykuarit është paraqitur rekursi në Gjykatën e Lartë, rekurs i cili është shqyrtuar rregullisht nga kjo gjykatë.

2. Gjykata e apelit e ka gjykuar më parë çështjen penale kundër të gjykuarit, ndërkohë që nuk ka ndonjë vendim të Gjykatës së Lartë që të ketë prishur atë vendim të Gjykatës së Apelit dhe të ketë urdhëruar rigjykimin e çështjes, përkundrazi nga ana e gjykatës së lartë është vendosur mospranimi i rekursit të paraqitur nga i gjykuari

Pra i gjykuari nëpërmjet mbrojtësit të caktuar kryesisht e ka realizuar një herë të drejtën e tij për një ankim efektiv kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë në përputhje kjo me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me nenin 8 të Dlekaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, me nenin 13 të konventës Europian të të Drejtave të Njeriut si dhe me nenin 2 të Paktit ndërkombëtar për të drejtat Civile dhe Politike
Gjithashtu Gjykata e Apelit ka pengesë kushtetuese të shqyrtojë përsëri çështjen penale kundër të gjykuarit, qoftë edhe mbi kërkesën e tij për sa kohë nuk është vendosur rigjykimi i çështjes nga një gjykatë më e larte në bazë të nenit 34 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

6.2.8.2 اështja Somogy v Italisë

Në këtë rast një qytetar hungarez, Tamas Somogy akuzohej për trafik armësh. Gjykata njoftoi të padehurin për seancën paraprake me anë të një letre rekomande në adresën e tij në Hungari, lajmërimi i marrjes u kthye i firmosur nga i pandehuri. z.Somogy nuk u paraqit në asnjë nga seancat dhe u gjykua në mungesë i mbrojtur nga një avokat i caktuar kryesisht, ai u dënua me tetë vjet burgim. Pasi u arrestua në Austri ai u ekstradua në Itali për ekzekutimin e vendimit penal.
I dënuari bëri kërkesë për rivendosje në afat duke pretenduar se ai nuk kishte dijeni për procedimin e nisur ndaj tij dhe kundërshtonte autenticitetin e firmës që i atribuohej atij duke kërkuar që të kryhej një ekspertim grafik, ekspertim i cili nuk u krye nga autoritetet italiane. Kërkuesi paraqiste gjithashtu edhe disa gabime në lidhje me adresën në të cilën duhet të ishte bërë njoftimi. Pavarsisht nga sa më sipër asnjë nga shkallët e gjyqësorit italian nuk pranuan kërkesën e kërkuesit, duke argumentuar se pretendimet e tij për padijeni të njoftimit nuk ishin të bazuara dhe e konsideruan të mjaftueshme për kërkesat e legjislacionit italian praninë e një firme formale që prezumohej si e kërkuesit.
Z.Somogy paraqiti kërkesën e tij para Gjykatës së Strasburgut më 5 mars 2001 duke pretenduar se dënimi i tij në mungesë binte në kundërshtim me parimin për një proces të rregullt ligjor të sanksionuar në nenin 6 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Autoritetet italiane pretendonin se kërkuesi kishte hequr dorë vullnetarisht nga e drejta e tij për ë qënë i pranishëm gjatë gjykimit, duke u nisur nga fakti se edhe pse ishte njoftuar në mënyrë të rregullt nëpërmjet një letre rekomande, nuk ishte paraqitur dhe nuk ishte shqetësuar të zgjidhte një përfaqsues ligjor.
Gjykata e Strasburgut nuk i konsideroi të pa baza pretendimet e të pandehurit duke u nisur që nga diferenca e dukshme ndërmjet firmave të bëra nga kërkuesi dhe asaj që figuronte në lajmërimin e marrjes së letrës rekomande dhe dallimit midis emrit të firmuesit “Thamas” dhe emrit të kërkuesit “Tamas”. Këta elementë, thelbësorë për çështjen sipas Gjykatës, nuk ishin marrë në konsideratë nga gjyqsori italian. Pra asnjë kontrroll nuk u bë për të përcaktuar, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se heqia dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm ishte rezultat e vullnetit të të pandehurit.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, përsa i përket pretendimit të qeverisë italiane se kërkuesi gjithsesi ka pasur dijeni për procedimin në ngarkim të tij sepse është njoftuar për faktin nga një gazetar gjatë një interviste, kujton se:
“... të njoftosh dikë për procedimin e nisur ndaj tij, përbën një akt juridik të një rëndësie të tillë, që duhet tu përgjigjet disa kërkesave formale dhe substanciale të tilla që të garantojnë ushtrimin efektiv të të drejtave të të pandehurit, prandaj një dijeni e vagët nuk është e mjaftueshme”.
Ndërkohë ajo që është konfirmuar vazhdimisht nga jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut ishte se, heqja dorë prej të drejtave të garantuara nga Konventa duhet të bëhet gjithmon në mënyrë të qartë. Në rastin e z.Somogy nuk dilte që ai me sjelljen e tij të kishte shfaqur vullnetin për të hequr dorë nga e drejta për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit, për më tepër ai tentoi të provonte se nuk kishte pasur dijeni për procedimin që ishte zhvilluar në ngarkim të tij.
Pavarsisht se kishte dyshime të shumta, se kërkuesi mund të kishte shfrytëzuar disa gabime të autoriteteve italiane për të evituar ndalimin e tij, Gjykata vendosi, për të parën herë në fushën e gjykimit në mungesë, se kishte shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së për moszbatim nga ana e autoriteteve kombëtare të detyrimit për tu siguruar se i pandehuri ishte njoftuar për akuzat dhe të kryenin verifikimet e nevojshme për dyshime edhe pjesërisht të vagëta.

Konkluzione.

Rëndësia e çështjes Somogy qëndron në futjen e një elementi të ri në interpretimin e nenit 6 të KEDNJ-së, pra një garanci tjetër procedurale që sjell detyrimin pozitiv për të ndërhyrë nga ana e autoriteteve kombëtare, kjo në thelb nënkuptonte një hetim efektiv për të verifikuar shkeljet e mundshme të neneve të konventës.
Të drejtat dhe garancitë të parashikuara nga neni 6 krijojnë një baraspeshim kompleks në procedurën penale (përmëndim këtu pavarsinë dhe paanësinë e gjykatës, ndihma e dhënë nga një mbrojtës ose përkthyes, të drejtën për të qenë i pranishëm në gjykim), ato mund të shkelen jo vetëm në mënyrë të drejtëpërdrejtë por edhe tërthorazi në rast se autoritetet nuk kanë verifikuar në mënyrë të kujdesshme nëse i pandehuri ka pasur akses efektiv në ushtrimin e këtyre të drejtave dhe garancive.

6.2.8.3 اështja Sejdovic kundër Italisë

Vendimi Sejdovic i datës 10.11.2004 konfirmoi edhe një herë se sistemi italian procedural penal nuk ishte konform parimeve të Konventës, pra kishim të bënim me një difekt strukturor .
Në shtator të 1992 z.S. u godit për vdekje me armë zjarri në një kamp nomadësh në Romë dhe sipas disa dëshmitarëve okularë fajtor ishte z. Ismet Sejdovic, shtetas i Ish Republikës Jugosllave i cili nuk u arrit të kapej pas ndodhjes së faktit. Masa e sigurimit arrest me burg e marrë ndaj tij nga gjyqtari i hetimeve paraprake nuk u ekzekutua dhe pasi u deklarua ikja e tij iu caktua një mbrojtës kryesisht dhe të gjjitha njoftimet u bënë pranë tij. Gjykim u zhvillua në mungesë dhe përfundoi me dënimin e të pandehurit me 21 vjet dhe 8 muaj burgim. Avokati nuk e apeloi vendimin i cili u bë përfundimtar më 22.03.1997. Si rezultat i lëshimit të një urdhër arresti ndërkombtar z. Sejdovic u arrestua në Gjermani, por ekstradimi u refuzua nga autoritetet gjermane sepse sistemi italian i rihapjes së gjykimit nuk garantonte një mundësi efektive për të pandehurin se do të arrinte të rihapte procesin në ngarkim të tij .
Kështu z. Sejdovic paraqiti kërkesën e tij para Gjykatës së Strasburgut më 2 mars të vitit 2000 duke pretenduar se kishte shkelje të nenit 6 të konventës , sepse ishte dënuar në mungesë dhe nuk i ishte dhënë mundësia për të marrë pjesë në gjykim dhe për tu mbrojtur personalisht para autoriteteve italiane.
Gjykata nuk e pranoi kërkesën e qeverisë italiane për mosezaurim të mjeteve të brendshme, ajo jo vetëm që nuk e konsideroi kërkesën si të pa bazuar por nxorri prej saj çështje të rëndësishme të faktit dhe të së drejtës. Gjykata me vendimin e datës 12.10.2004 konstatoi se kishte shkelje të nenit 6, menjëherë më pas qeveria italiane kërkoi që çështja të shqyrtohej nga Dhoma e Madhe.
Qeveria italiane pretendoi se kërkuesi ende nuk kishte ezauruar mjetet e brendshme, sepse ai mund të shfrytëzonte nenin 175 të K.Pr.Penale italiane për të kërkuar rivendosjen në afat për të paraqitur ankim ndaj vendimit të marrë në mungesë.
Gjykata kujton se rregulli i ezaurimi paraprak i mjeteve të brendshme, kërkon ekzistencën e mjeteve të tilla që mund të konsiderohen efektive dhe të aksesueshme shumë më tepër se shkelja për të cilën është bërë kërkesa para Gjykatës së Strasburgut.
Ndërsa neni 175 parashikon se i dënuari në mungesë mund të rivendoset në afat vetëm nëse arrin të provojë se nuk ka pasur dijeni për procedimin e nisur ndaj tij dhe se nuk u është shmangur me dashje njoftimeve. Në lidhje me pikën e fundit autoritetet italiane shpjegonin se fakti që z.Sejdovic nuk ishte gjetur pas kryejes së krimit, prezumohej se ai me dashje po i shmangej drejtësisë, duke mbajtur parasysh edhe faktin se për vrasjen kishte edhe dëshmitar okular. Pra qeveria pretendonte se ikja, fshehja përbënte një sjellje të papërputhshme me vullnetin për të qënë i pranishëm në gjykim dhe për këtë arsye nuk duhej të merrte rëndësi mbizotëruese njoftimi i akuzës.
Gjykata nuk e pranoi këtë argumentim të qeverisë duke konstatuar mungesën e provave, qoftë indirekte, që të tregonin se i pandehuri kishte pasur dijeni për procedimin dhe kjo nuk mund të konkludohet nga ikja e tij nga vendi i zakonshëm i banimit.
Pra nuk mund të spekulohet mbi arsyet që e çuan të pandehurin që të braktiste vëndin e tij të banimit dhe të shkonte në Gjermani. Gjyqtarët duke cituar një vendim të më parshëm kujtuan se të njoftosh dikë për procedimin e nisur ndaj tij, përbën një akt juridik të një rëndësie të tillë, që duhet tu përgjigjet disa kërkesave formale dhe substanciale të tilla që të garantojnë ushtrimin efektiv të të drejtave të të pandehurit, prandaj një dijeni e vagët nuk është e mjaftueshme.
Gjatë verifikimit të rrugëve të brendshme, Gjykata pranoi se shancet e kërkuesit për të provuar para gjyqtarit italian se mosmarrja dijeni në mënyrë efektive të vendimit të dënimit nuk kishte ardhur për faj të tij apo se me dashje u ishte shmangur njoftimeve të akteve të procedimit. E gjitha kjo vinte në dyshim serioz jo vetëm efikasitetin e mjeteve të brendshme që përmendte qeveria Italiane, por edhe fakti se sa të aksesueshme ishin ato për kërkuesin.

Kërkesa për rivendosje në afat që parashikonte legjislacioni italian ishte thuajse e pa aksesueshme për kërkuesin për disa arsye:
• Asgjë nuk të linte të mendoje se ai ishte njoftuar për një mjet të tillë dhe për afatin e shkurtër (dhjetë ditë) brenda të cilit duhet të ushtrohej.
• Ai ishte i arrestuar në Gjermani dhe ishte shumë e vështirë që ai të kontaktonte me një avokat italian për tu informur për procedurat në një kohë aq të ngushtë.
• Jo më pak të rrëndësishme në këtë rast janë dhe pozita sociale, kulturore dhe ekonomike e kërkuesit dhe mbi të gjitha vështirsitë gjuhësore në një vend të huaj.
Të gjithë këta elementë e çuan gjykatën në marrjen e një vendimi, që e shkarkonte kërkuesin nga detyrimi për të ezauruar rrugët e brendshme .

Por jo vetëm pengesat që ekzistojnë për të shfrytëzuar një mjet të tillë përbëjnë shkelje të parimit për një proces të rregullt ligjor. Një i dënuar në mungesë për të cilin nuk mund të thuhet se në mënyrë të qartë dhe të vullnetshme ka hequr dorë nga e drejta e tij për të marrë pjesë në gjykim duhet që në çdo rast në mënyrë të menjëhershme dhe të pakushtëzuar ti njihet e drejta e një procesi të ri për akuzat që i janë atribuar. Ndërkohë që neni 175 nga mënyra se si është formuluar i njeh të dënuarit në mungesë, thjesht një mundësi për të paraqitur një kërkesë , që varet plotësisht nga fakti se sa i aftë do të jetë i dënuari që të provojë se nuk ka pasur dijeni për procedimin dhe se nuk ju është shmangur me dashje njoftimeve. Një ndërtim i tillë i nenit 175 sipas Gjykatës nuk përmbush kërkesat e nenit 6 të Konventës.
Dhoma e madhe në vendimin e saj i qëndroi vendimit të mëparshëm të Gjykatës, por gjithashtu u shpreh se kur konstatohen shkelje që kanë të bëjnë me një difekt strukturor të sistemit të brendshëm, lind nevoja që të merren masa në nivel kombëtar.

Konkluzione

Rëndësia e veçantë e këtij vendimi qëndron në pasojat juridike dhe praktike me të cilat e veshi Gjykata e Strasburgut , pasoja që prekën jo vetëm situatën idividuale të z. Sejdovic por gjithë sistemin italian në fushën e gjykimit në mungesë.
Sipas Gjykatës qeveria jo vetëm duhet të dëmshpërblejë të dënuarit në kuadër të një dëmshpërblimi të drejtë por duhet mbi të gjitha të eliminojë çdo pengesë ligjore që mund të bënte të pamundur rifillimin e ecjes së afateve për të paraqitur apel apo rigjykimin ex nuovo , nëpërmjet ndërmarrjes së masave të tilla që të rregullojnë këtë difekt strukturor të sistemit dhe të parashikojnë procedurat e nevojshmë për realizimin efektiv të të drejtave të parashikuara nga neni 6 i Konventës.
Si përfundim kushti i parashikuar në nenin 175 të K.Pr.Penale italiane, që i dënuari duhet të provojë se nuk iu është shmangur me dashje njofimeve të bëra për aktet e procedimit, nuk duhet të zbatohet ndaj atyre që janë dënuar në mungesë edhe pse kurrë nuk kanë hequr dorë në mënyrë të qartë nga e drejta e tyre për të qënë të pranishëm në gjykim sepse asnjëherë nuk janë njoftuar zyrtarisht për procedimin e nisur ndaj tyre.


 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit


POZITA PROCEDURIALE E MBROJTثSIT Tث Tث PANDEHURIT GJATث
GJYKIMIT Nث MUNGESث

Roli i mbrojtësit në një procedim penal ka ardhur duke u rritur vazhdimisht duke u shndëruar në një element të domosdoshëm të tij. I tillë ka qënë roli i mbrojtësit në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore, por pozita e tij ndryshoi rënjësisht me vendosjen e sistemit socialist të tipit sovjetik, gjatë të cilit roli i mbrojtësit u bë gati i padobishëm . Në 1980 me hyrjen në fuqi të Kodit të ri të Procedurës Penale e drejta për tu mbrojtur me avokat u mohua plotësisht. Instituti i avokatisë në Shqipëri u rivendos vetëm pas viteve 1990 .
E drejta për tu përfaqësuar nga mbrojtësi është një garanci që e shoqëron detyrimisht në çdo shkallë të pandehurin, kështu GjEDNJ në vendimin e saj për çështjen “Lala kundër Hollandës” shprehet: “Për t’u konsideruar i drejtë procesi gjyqësor penal, është me rëndësi vendimtare që të akuzuarit t’i sigurohet mbrojtje efektive jo vetëm në shkallë të parë, por edhe në apel, bile me përparësi për këtë të fundit”.
E drejta e të pandehurit për të pasur mbrojtës garantohet nga Kushtetuta neni 31/ç i cili parashikon se gjithkush ka të drejtën të ketë ndihmën e një mbrojtësi. Gjithashtu edhe Konventa Europiane e të Nrejtave të Njeriut, në nenin 6/3/c ka pak a shumë të njëjtin formulim si neni 31/ç i Kushtetutës.

7.1 Pozita proceduriale të mbrojtësit të të pandehurit në mungesë.

E drejta për tu mbrojtur është pjesë themelore e së drejtës për një proces të rregullt ligjor në një procedim penal dhe shërben ndër të tjera, për të siguruar respektimin e parimit të barazisë së armëve. Parimi i barazisë së armëve do të thotë që të gjitha palëve në një proces u duhet dhënë mundësi efektive për të paraqitur çështjet e tyre në të tilla kushte që të mos i vendosin në një disavantazh të dukshëm në krahasim me kundërshtarët e tyre. Në një sistem gjyqësor i cili funksionon siç duhet dhe është i balancuar, aktorët e ndryshëm në të, vëzhgojnë dhe ruajnë njëri tjetrin me shumë kujdes, duke bërë të mundur kështu një kundërveprim të shpejtë ndaj çfarëdolloj tendence për keqadministrim të drejtësisë, qoftë kjo e qëllimshme apo jo. Përsa i përket parimit të barazisë së armëve, duhet theksuar se ndërsa në mjaft çështje civile palët ndodhen pak a shumë në të njëjtën situatë, kjo gjë ndodh shumë rallë në çështjet penale ku individi përballet me pushtetin e aparatit shtetëror, pozitë edhe më pak e favorshme është ajo e personit që gjykohet në mungesë.
Mossigurimi i pjesëmarrjes në gjykim të të pandehurit, në çdo rast, por dhe atëherë kur ky i fundit i fshihet drejtësisë, nuk mund të përligjë zhvillimin e procesit kundër tij pa pjesëmarrjen dhe dëgjimin e mbrojtësit. Parimi i kontradiktoritetit dhe i barazisë së armëve në gjykimin penal, kërkon që argumentet e mbrojtjes të paraqiten dhe të dëgjohen njëlloj si ato të prokurorit. Ky parim nënkupton që secilës palë, duhet t’i ofrohen mundësi të arsyeshme për të paraqitur pretendimet për çështjen, në kushte të tilla që të mos e venë në disavantazh me palën tjetër.
Gjykata Europiane e të drejtave të njeriut ka penalizuar disa herë Francën, pikërisht për faktin se kur gjykohet çështja në mungesë nga gjykata e Asizit nuk lejohet që i pandehuri të përfaqësohet nga një mbrojtës. Në çështjen Krombach kundër Francës ajo rithekson se një i pandehur i cili zgjedh që të mos jetë i pranishëm në gjykim, edhe kur i fshihet drejtësisë, duhet të përfaqësohet nga mbrojtësi i tij. Gjykata nuk mohon faktin që një shtet mund të marrë masa për të dekurajuar mungesën e të pandehurit , por nuk duhet që masat të jenë të tilla që ti mohojnë të pandehurit të drejtën e tij për tu përfaqësuar nga mbrojtësi.
Sipas nenit 50/1 të K.Pr.Penale mbrojtësi gëzon po ato të drejta që ligji ia njeh edhe të pandehurit, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për të drejta që ligji ia rezervon ekskluzivisht këtij të fundit. Në një rast të tillë mbrojtësi mund të veprojë vetëm nëse pajiset me një prokurë të posaçme nga ana e të pandehurit, gjithmonë nëse kjo lejohet nga ligji .
Lind pyetja nëse ekskluziviteti për ushtrimin e të drejtave nga i pandehuri duhet të jetë i shprehur qartë apo mund të nxirret edhe nga vetë natyra e aktit? Sipas doktrinës këtu do të përfshihen, përveç atyre të parashikuara shprehimisht me ligj, të gjitha ato akte, veprime, situata apo institute të cilat do të çonin në një zvogëlim të pakthyeshëm të të drejtave të të pandehurit. Pavarsisht se mbrojtësit mund të ushtrojë të drejtat që i i njihen të pandehuri, ky i fundit me deklarim të shprehur mund të zhvleftësojë veprimet e kryera nga mbrojtësi gjithmon para se të jetë marrë një vendim nga gjykata lidhur me këtë veprim.
Mbrojtësit të caktuar kryesisht apo nga familjarët i njihet e drejta të bëjë ankim ndaj vendimit të dënimit të dhënë në mungesë edhe pse nuk është i pajisur me prokurë të posaçme nga ana e të pandehurit, por nuk i njihet e drejta të bëjë kërkesë për rivendosje në afat në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale. E drejta për të kërkuar rivendosjen në afat në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale është konsideruar si një e drejtë ngushtësisht personale e të pandehurit. mrojtësi mund ta ushtrojë këtë të drejtë të të pandehurit vetëm nëse është i pajisur me prokurë të posaçme
Përsa i përket formës së prokurës me të cilën duhet të jetë i pajisur mbrojtësi për të bërë kërkesë për rivendosje në afat të ankimit ndaj vendimit të dhënë në mungesë, gjersa Kodi i Procedurës Penale nuk jep zgjidhje konkrete, atëhere duhet të kemi parasysh kërkesat e dispozitave të ligjeve të tjera që e parashikojnë atë. ثshtë e domosdoshme, që, për efekt të vlefshmërisë së tij, akti i përfaqësimit të jetë në formë shkresore, por, që të sigurojë vërtetësi për përmbajtjen e saj dhe për personin e të përfaqësuarit d.m.th. për efekt provueshmërinë, ajo duhet të jetë në formë noteriale ose e vërtetuar, sipas rastit, nga një autoritet tjetër i njohur me ligj. Akti i përfaqësimit nuk mund të jetë ndryshe e nuk mund të mos plotësojë elementet bazë të një prokure.

7.2 Mbrojtësit e caktuar kryesisht nga organi procedues.

I pandehuri mund të sigurojë përfaqsimin nga një mbrojtës në dy rrugë, duke e zgjedhur vetë ose mund të caktohet kryesisht nga organi procedues. Siç thamë e drejta për të pasur mbrojtës është një ndër elementët thelbësorë të një procesi të rregullt ligjor.
Në çështjen Artiko kundër Italisë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut hodhi poshtë tezën e qeverisë italiane sipas së cilës thjesht caktimi i një mbrojtësi kryesisht i përgjigjej kërkesave të Konventës. Ajo ishte e mendimit se detyrimi që u përket shteteve anëtare nuk mund të kufizohet thjesht në caktimin e një avokati kryesisht sepse ky mund të vdesë, të sëmuret rëndë, të mos mund të ofrojë përfaqësimin për një kohë të gjatë ose thjesht të heqë dorë prej tij. Gjykata thekson se neni 6/3 (c) bën fjalë për “ndihmë” dhe jo thjesht për “caktimin” e një avokati në mbrojtje të personave të akuzuar, pra duhet të sigurohet një mbrojtje dhe ndihmë efektive.Sipas Gjyakatës Konventa nuk është krijuar për të garantuar të drejta teorike dhe iluzive, por të drejta praktike dhe efektive, dhe vetëm caktimi i mbrojtësit nuk e siguron efektivitetin e shërbimit që ai duhet të ofrojë.
Gjithsesi duhet të pranojmë që asnjë mekanizëm ligjor, qoftë edhe më i miri, nuk mund të garantojë që mbrojtësi i caktuar kryesisht do të punojë mirë, cilësia e punës varet nga një sërë faktorësh .
Në qoftë se një i pandehur gjykohet në mungesë dhe gjatë një gjykimi të tillë nuk i caktohet një avokat mbrojtës, atëhere procesi nuk mund të quhet i rregullt sepse, edhe në aspektin thjesht formal, nuk mund të sigurohet kontradiktorialiteti dhe një minimum i nevojshëm i “barazisë së armëve” ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, ose, i thënë ndryshe, një balancë e arsyeshme ndërmjet interesit publik të gjykimit të krimit e të ndëshkimit të fajtorit, nga njëra anë, dhe interesit privat të garantimit të të drejtave proceduriale të të pandehurit në gjykimin që zhvillohet në mungesë të tij, nga ana tjetër. Misioni si më sipër i mbrojtësit mbaron me përfundimin që ka dhënë gjykata e shkallës së parë për të pandehurin

7.3 Mbrojtësi i zgjedhur nga familjarët e të pandehurit.

Neni 48/3 i K.Pr.Penale parashikon edhe një garanci më shumë që i pandehuri të realizojë të drejtën e tij për të pasur një mbrojtës, kështu nëse një person është i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar me burgim, për sa kohë ai nuk ka zgjedhur vetë një mbrojtës, kjo zgjedhje mund të bëhet edhe nga një i afërm i tij. Lind pyetja se përse është parashikuar edhe kjo mundësi e tretë për të pandehurin dhe në cilat raste do të zbatohet?
Nisur nga fakti se Kodi ynë i Procedurës Penale ka si bazë kodin italjan të procedurës dhe neni 48/3 është indentik me nenin 96/3të kodit italian do i referohemi relacionit që parapriu Kodin e ri italian të procedurës penale më 1988. Sipas këtij relacioni:
“Në caktimin e këtij rregulli janë marrë në konsideratë vështirësitë objektive në të cilat mund të gjindet personi të cilit i është kufizuar liria për të zgjedhur një mbrojtës, për më tepër në rastin e kufizimit të menjëhershëm të lirisë.”
Duke qënë i tillë qëllimi i vetë normës atëherë rjedhimisht ajo nuk mund të zbatohet veç se në rastet e parashikuara në mënyrë taksative, pra kur personit i është që kufizuar liria dhe nuk mund të zbatohet në asnjë rast tjetër si p.sh. në rastin e një personi i cili i fshihet gjykimit . Si përfundim mund të themi se edhe kur i pandehuri gjykohet në mungesë nëse nuk është i ndaluar, i arrestuar apo i dënuar nuk mund ti zgjidhe një mbrojtës nga ana e familjarëve.
Jurispudenca dhe doktrina shqiptare thuajse nuk i ka kushtuar rëndësi këtij problemi, por e ka konsideruar si diçka të qartë edhe pas debatit të madh që u bë mes Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese mbi të drejtën e mbrojtësit për të ankimuar vendimin e dënimit të dhënë në mungesë, në asnjë rast nuk u diskutua problemi nëse familjarët e të pandehurit që ishte në mungesë kishin apo jo të drejtë të zgjidhnin mbrojtës. Duke parë disa pasazhe të ndryshme të vendimeve të Gjykatës së Lartë dhë asaj Kushtetuese, ndonëse në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, del edhe qëndrimi i tyre ndaj këtij problemi. Kështu ata shprehen :
“Parë në këtë këndvështrimin kushtetues, mendojmë se në rastet kur në gjykimin në shkallë të parë, është proceduar në mungesë të të pandehurit (akuzuarit), as mbrojtësi i zgjedhur nga familjarët e tij, në aplikim të nenit 48/3 të Kodit të Procedurës Penale dhe as mbrojtësi i caktuar nga organi procedues në aplikim të nenit 49/1 të po këtij Kodi (me përjashtim të kujdestarit të të miturit), nuk legjitimohen të apelojnë vendimin e dhënë në mungesë të tij.”
“ Kurse, në nenin 48 të Kodit të Procedurës Penale, përcaktohet se zgjedhja e mbrojtësit për personin e ndaluar, të arrestuar ose të dënuar me burgim, mund të bëhet nga një i afërm i tij me deklarim para organit procedues, ose me akt të dhënë mbrojtësit ose të dërguar atij rekomande.Gjykata Kushtetuese çmon se akti i përfaqësimit është bërë sipas kërkesave të ligjit në bazë të neneve 48 dhe 410/2 të Kodit të Procedurës Penale. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, kanë interpretuar gabim ligjin, duke shkelur një të drejtë themelore të qytetarëve dhe njëkohësisht, kanë zhvilluar një proces të parregullt gjyqësor.”
"Sipas vendimit të Gjykates Kushtetuese, për çështjet që gjykohen në mungesë të të pandehurit, siç është çështja konkrete, avokati i caktuar kryesisht ose nga familjarët e tij në bazë të neneve 48 e 49 të K.Pr.P., ka të drejtë të ankimojë ose rekursojë vendimin e marrë dhe gjykata të cilës i drejtohet ankimi apo rekursi është e detyruar ta shqyrtojë çështjen në themel, nëse nuk ka pengesa të tjera ligjore.”
“Lidhur me të drejtën për të qenë i pranishëm dhe për t’u dëgjuar në gjykim, megjithëse kjo e drejtë mund të kufizohet, në kontekst të garantimit të një procesi të rregullt ligjor, i akuzuari në mungesë, duhet të ndihmohet nga një mbrojtës i zgjedhur nga familjarët e tij ose i caktuar nga organi procedues.”
Pra jurisprudenca shqiptare nuk u mohon familjarëve të të pandehurit që gjykohet në mungesëtë të drejtën për të zgjedhur mbrojtës edhe pse nuk është ndër rastet e parshikuara nga neni 48/3 i K.Pr.Penale.
 
Titulli: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit


KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME


Në përfundim të këtij punimi po paraqesim disa konkluzione si dhe disa rekomandime të përgjithshme në lidhje me problematikën e konstatuar.
1. Gjykimi në mungesë përbën një përjashtim nga rregulli, duke qënë se procesi normalisht duhet të zhvillohet në prani të të pandehurit. Në disa vënde të kontinentit gjykimi në mungesë parashikohet vetëm në disa raste dhe ndaj të pandehurit mund të ndërmeren sanksione për të dekurajuar këtë mungesë. Tek ne, i pandehuri i cili është në mungesë jo vetëm që nuk penalizohet, por gjykimi i tij plus garancive që shoqëron gjykimin i zakonshëm për të pandehurin parashikohen edhe një sërë garancish të tjera, sepse personi që është në mungesë ndodhet në një pozitë më pak të favorshme duke qënë se ai nuk është prezent për të realizuar mbrojtjen e tij. I pandehuri mund të gjykohet në mungesë vetëm kur ka hequr dorë në mënyrë të qartë dhe të vullnetshme nga e drejta e tij për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit. Prania e të pandehurit gjatë gjykimit përbën një të drejtë për të dhe jo një detyrim. Mbi organin procedues rëndon detyrimi që ti krijojë të pandehurit kushte që ai të realizojë të drejtën e tij për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit.
Heqja dorë për të qënë i pranishëm gjatë gjykimit mund të bëhet me deklarim para gjykatës ose t’i dërgohet me shkrim asaj. Mungesa e vullnetshme e të pandehurit mund të rezultojë edhe prej veprimeve konkludente si p.sh. kur vërtetohet se i pandehuri i fshihet gjykimt (kjo duhet të provohet nga prokurori), kur arratiset apo largohet nga salla e gjyqit etj. Gjithsesi të pandehuri i njihet e drejta që të paraqitet në çdo kohë gjatë gjykimit.
2.Kur gjykata konstaton mungesën e të pandehuri ajo është e detyruar të verifikojë shkaqet e mungesës. Nëse vërtetohet se mungesa ka ardhur jo për faj të të pandehurit por për shkaqe të tjera të panvarura nga vullneti i tij, atëherë gjykata duhet të shtyjë apo të pezullojë gjykimin dhe të përsërisë njoftimin. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe për mbrojtësin. Kur gjykimi zhvillohet në mungesë të të pandehurit dhe më vonë del se mungesa e tij ka qënë e pavullnetshme, sepse ai nuk ka marrë njoftim apo se ka qenë në pamundësi absolute për tu paraqitur, vendimi që deklaron mungesën është i pavlefshëm. Do të konsiderohet se është në pamundësi absolute për tu paraqitur edhe i pandehuri që po gjykohet apo po vuan një dënim në një vënd tjetër. Nëse ai kërkon që të jetë i pranishëm gjatë gjykimit gjykata është e detyruar të pezullojë shqyrtimin e çështjes derisa të realizohet transferimi apo ekstradimi i tij.
3. Tek ne nëse realizohen të gjitha procedurat e parashikuara për njoftimin e të pandehurit, qoftë edhe në mënyrë mekanike, prezumohet se i pandehuri ka marrë dijeni për procedimin e nisur ndaj tij. Nga një prezumim rrjedh një prezumim tjetër, nëse i pandehuri i cili prezumohet se është njoftuar në mënyrë efektive nuk paraqitet në gjykim prezumohet se mungesa e tij është e vullnetshem. Pra lind nevoja e perfeksionimit të sistemit të njoftimeve në mënyrë që të mos krijohen hapësira për prezumime që çojnë pa të drejtë në gjykimin e një të pandehuri në mungesë të tij duke i mohuar të drejtën për të qënë i pranishëm gjatë shqyrtimit të çështjes në ngarkim të tij.
4. Vendimi që jepet në mungesë të të pandehurit duhet ti njoftohet atij në bazë të rregullave për njoftimet. Ai ka të drejtë ta ankimojë atë dhe nëse në apel vërtetohet se i pandehuri nuk ka marrë pjesë në gjykimin që është zhvilluar në shkallë të parë sepse nuk ka pasur dijeni apo sepse ka pasur shkaqe ligjore, atëherë gjykata e është e detyruar të përsërisë shqyrtimin gjyqësor.
5. E drejta e ankimit është një e drejtë kushtetuese, e garantuar edhe nga akte të tjera ndërkombëtare si një mjet domosdoshëm në një shtet të së drejtës duke i njohur të pandehurit mundësinë e një opinioni të dytë në lidhje me çështjen në ngarkim të tij. Në rastin e një vendimi të dhënë në mungesë të të pandehurit e drejta e ankimit ndaj këtij vendimi përveç të pandehurit i njihet edhe mbrojtësit të tij, të zgjedhur nga familjarët apo të caktuar kryesisht nga gjykata, ndonëse nuk është i pajisur me prokurë të posaçme prej këtij të fundit.
Duke njohur të drejtën e mbrojtësit për të bërë ankim, shuajmë të drejtën e të pandehurit për të bërë kerkesë që të rivendoset në afat e drejta e tij për të bërë ankim. Sepse ankimi i ezauruar një herë nuk mund të riparaqitet. Në këtë mënyrë të pandehurit i mohohet pa të drejtë mundësia që çështja të shqyrtohet në prani të tij. Nuk realizohet ajo që GJEDNJ-ja e quan “fresh determination of the merits of the charge” pra një proces të ri në të cilin i dënuari në mungesë të ketë të drejtën të ngrejë pretendime të faktit apo të ligjit në lidhje me akuzat që i atribuohen.
Mendoj se është mëse e nevojshme ndërhyrja e legjislatorit për të rregulluar këtë difekt ligjor. Ai duhet të parashikojë një mjet ligjor të aftë që ti lejojë të pandehurit, i cili jo për faj të tij është gjykuar dhe dënuar në mungesë , një gjykim të ri fakti pasi ai të paraqitet.
6. I pandehuri duhet të njoftohet për procedimin e nisur ndaj tij. Njoftimi duhet tu përgjigjet disa kërkesave formale dhe ligjore që të garantohet në mënyrë sa më efektive ushtrimi i të drejtave dhe garancive të parashikuara në favor të të pandehurit. Një i pandehur mund të heqë dorë nga e drejta e tij për të qënë i pranishëm vetëm pasi është njoftuar në mënyrë efektive për procedimin e nisur në ngarkim të tij.
Pavlefshmëria e njoftimeve çon në pavlefshmëri të procesit, me përjashtim të atyre rasteve kur ndonëse njoftimet janë të pavlefshme i pandehuri e ka realizuar të drejtën e tij, pra nuk është cënuar nga pavlefshmëria e njoftimeve.
Rregullat për njoftimin e të pandehurit janë të vlefshme edhe për në Gjykatën e Lartë, por ato do të zbatohen duke pasur parasysh karakteristikat e veçanta të gjykimit në këtë instancë por pa shkelur të drejtën e të pandehurit për një proces të rregullt ligjor.
7. Gjykata e Apelit disponon për thirrjen e të pandehurit me anë të “urdhërit për thirrje” i cili i njoftohet të pandehurit në bazë të rregullave për njoftimin. Pjesmarrja e të pandehurit në apel është një e drejtë kushtetuese që nuk mund ti mohohet. Edhe në rastin kur objekt shqyrtimi nga Gjykata e Apelit janë ankimet ndaj caktimit të masave të sigurimit, njoftimi i të pandehurit përbën një detyrim për gjykatën. Gjithashtu duhet të bëhet dallimi midis njoftimit të të pandehurit dhe mbrojtësit. Nuk mund të njësohet pozicioni i mbrojtësit me atë të të pandehurit.
Gjykata e Apelit edhe në rastin e të pandehurit i cili gjykohet nën masën e sigurimit arrest me burg por që është në mungesë është e detyruar të përsërisë njoftimet nga fillimi dhe nuk mund të mjaftohet me njoftimin e mbrojtësit të caktuar kryesisht në momentin që është deklaruar ikja e tij. Vendimi i ikjes nuk ka të njëjtën vlerë si vendimi i mosgjetjes. Nëse i pari lidhet me masën e sigurimit i dyti ka të bëjë me procedimin dhe ka efekt të kufizuar pikërisht me qëllimin që të përsëritet në çdo shkallë të procedimit në përpjekje që kërkimet të përsëriten vazhdimisht.
8. Në rastin kur subjekti ka humbur afatin për të bërë ankim për shkak të “forcës madhore” apo të “rastit fator”, mund të rivendoset në afat nga gjykata për të bërë ankim. Neni 147/1 i K.Pr.Penale është tepër kufizues, sepse parashikon vetëm dy raste kur mund të lejohet rivendosja në afat, duke lënë jashtë pa të drejtë të gjitha ato raste kur mosrespektimi i afatit vjen jo për faj të subjektit, por që nuk përbëjnë as forcë madhore dhe as rast fator.
9. Rivendosja në afat e të pandehurit që është dënuar në mungesë përbën një nga garancitë që shoqëron institutin e gjykimit në mungesë. I pandehuri i cili arrin të provojë se nuk ka marë dijeni për vendimin në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale mund të kërkojë të rivendoset në afat e drejta e tij për të bërë ankim. Ky nen duhet të shërbejë si garanci për të pandehurin të gjykuar në mungesë që në momentin kur shfaqet, çështja në ngarkim të tij do të shyrtohet nga një gjykatë e re fakti, por rezulton se instituti i rivendosjes në afat nuk është dhe aq efektiv. Në lidhje me këtë institut teorikisht dhe praktikisht ekzistojnë disa probleme.
I pandehuri nuk mund të pretendojë të rivendoset në afat për të bërë ankim ndaj një vendimi njohje në bazë të nenit 147/2, për arsyen se gjykimi i njohjes nuk është një gjykim themeli dhe duke pasur parasysh kushtet është llogjike që i pandehuri nuk mund të marrë pjesë. Në një rast të tillë dy janë rrugëzgjidhjet për të pandehurin ose të zgjedhë një mbrojtës dhe ta autorizojë që të bëjë ankim osenë momentin e transferimit mund të kërkojë që të rivendoset në afa e drejta e tij e ankimit në bazë të nenit 147/1 dhe kursesi në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale.
Një i padehur mund të rivendoset në afat vetëm nëse afati është i kthyeshëm. Afate të kthyeshme do të quhen ato afate që janë shuar për shkak të mosveprimit të titullarit. Në rastin kur i pandehuri nuk ka marrë dijeni për vendimin e dënimit për shkak se vendimi nuk i është njoftuar apo sepse njoftimet kanë qënë të pavlefshme, nënkupton se afati dhjetë ditor brenda të cilit ai duhet të kishte bërë ankim nuk ka filluar kurrë të ecë dhe për pasojë nuk është shuar si afat. Në një rast të tillë i pandehuri nuk ka nevojë të bëjë kërkesë për tu rivendosur në afat po mjafton të paraqesë ankim brenda dhjetë ditëve nga dita që ka marrë dijeni efektivisht për vendimin. Një vendim i tillë, që nuk është njoftuar në bazë të nenit 386/2 të K.Pr.Penale apo kur njoftimet kanë qënë të pavlefshme , nuk është as i ekzekutueshëm sepse nuk ka marrë formë të prerë.
Të drejtën për të kërkuar rivendosjen në afat në bazë të nenit 147/2 të K.Pr.Penale e ka vetëm i pandehuri pra është një e drejtë ngushtësisht personale e tij dhe mbojtësi duhet të jetë i pajisur me prokurë të posaçme që të legjitimohet. E drejta e mbrojtësit për të kërkuar rivendosjen në afat rregullohet na neni 147/1 i K.Pr.Penale.
Mbi të pandehuri rëndon bara e provës në dy drejtime. Në radhë të parë ai duhet të provojë se nuk ka pasur dijeni për vendimin dhe së dyti duhet të vërtetojë momentin kur ka marrë dijeni efektivisht për vendimin. Nga Gjykata e Strasburgut kjo barë prove është konsideruar si pengesë ligjore që e vë të pandehuri para vështirsive objektive për të realizuar të drejtën e tij për tu rivendosur në afat prandaj italia e cila u penalizua nga Gjykata kaloi barrën e provës nga i pandehuri tek gjykata në rastin e parë. I pandehuri në bazë të formulimit të nenit 147/2/3 të K.Pr.Penale duhet të provojë vetëm faktin se nuk ka pasur dijeni për vendimin përfundimtar dhe jo për procedimin. Kur i pandehuri me dashje i është shmangur marrjes dijeni për vendimin e dënimit nuk mund të pretendojë se nuk ka marrë dijeni për vendimin.
Normalisht që i pandehuri të rivendoset në afat e drejta e ankimit nuk duhet të jetë ezauruar nga ana e mbrojtësit në bazë të nenit 410/2 të K.Pr.Penale. Ankimi i bërë nga mbrojtësi i shuan të drejtën të pandehurit për të bërë anikm. Kur ndaj vendimit është bërë ankim nga bashkëtëpandehurit e tjerë , atëherë gjykata që shqyrton kërkesën për rivendosjen do të verifikojë shkaqet për të cilat është bërë ankimi. Nëse ankimi është bërë për motive personale, kjo do të thotë se çështja të pandehurit që këkon të rivendoset në afat nuk është shqyrtuar nga gjykata. Në një rast të tillë duhet të lejohet rivendosja në afat.
Kërkesa për rivendosje në afat nuk mund të paraqitet më shumë se një herë përsecilën palë dhe për secilën shkallë procedimi. Ajo duhet të paraqitet brenda 10 ditëve nga dita kur i pandehuri ka marrë dijeni efektivisht për venimin. Afati 10 ditor është konsideruar nga Gjykata e Strasburgut si shumë i shkurtër dhe për pasoj jo efektiv në garantimin e mundësisë për të përgatitur një mbrojtje të mirë. Italia e ka ritur këtë afat nga 10 e ka bërë 30 ditë dhe në rasti e personit që arrestohet në një vend tjetër afati 30 ditor fillon të ecë në momentin që bëhet dorëzimi i tij. Kondi ynë nuk bën një diferencim të tillë edhe pse kuptohet se personi i cili arrestohet jashtë shtetit ndodhet në vështirsi më të mëdha se ai që ndodhet brenda në zgjedhjen e një mbrojtësi dhe në përgatitjen e një mbrojtje efektive. Kjo na çon në përfundimin se ndryshimet janë mëse të domosdoshme.
Kompetente për shqyrtimin e kërkesë së rivendosjes në afat është gjykata e shkallës së parë, sipas vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë. Numri i gjyqtarve që do të marrë në shqyrtim kërkesën do të jetë i njëjtë me numrin e gjyqtarëve që kanë shqyrtuar çështjen në themel. Kjo duke u nisur nga rregullat e përgjithshme për sa kohë nuk kemi rregulla të posaçme. Ndaj vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i drejtëpërdrejtë vetëm nëse kërkesa nuk pranohet. Nëse kërkesa nuk pranohet neni 147/5 i K.Pr.Penale lejon ankimin vetëm bashkë me vendimin përfundimtar duke dashur të mbrojë të pandehurin që rivendoset në afat duke i garantuar të paktën një shkallë gjykimi. Nëse kemi rivendosje në afat të së drejtës së rekursit Gjykata e Lartë ka detyrimin ta marrë në shqyrtim detyrimisht çështjen
A është garantuar në mënyrë të kënaqshme e drejta e të pandehurit për të pasur një gjykim të ri. Mbi këtë pikë dyshimet janë të forta mbi të gjitha po të kemi parasysh faktin se instituti i rivendosjes në afat nuk siguron atë që Gjykata e Strasburgut e quan “fresh determination of the charge”, por jep mundësin për të bërë ankim. Mënyra se si është ndërtuar instituti i rivendosjes në afat, nuk mund të indentifikohet si një mjet që i garanton të pandehurit të dënuar në mungesë që në mometin që do të shfaqet di ti sigurohet e drejta për një proces të ri në ngarkim të tij ku ai ka të drejtë të paraqesë pretendimet e tij dhe të dëgjohet. Si pasojë i pandehuri privohet nga një prej shkallëve të gjykimit dhe nga të gjithë garancitë që e shoqërojnë. Gjithashtu kërkesa do të merret në shqyrtim nga gjykata, gjë që nuk jep siguri se vendimi do të jetë në favor të të pandehurit, i cili jo për faj të tij është gjykuar dhe dënuar në mungesë. Kkur rivendoset në afat e drejta për të bërë rekurs, duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti do të thotë se faktet e çështjes nuk do të rimeren në shqyrtim dhe i pandehuri nuk mund të shprehet për to, pra nuk do të dëgjohet.
Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut është e detyrueshme për palët që janë pjesë e konventës, pra edhe për ne. Në një rast të tillë lind nevoja për ndryshime thelbësore në institutin e rivendosjes në afat në mënyrë që të evitohet edhe ndonjë penalizim i mundshëm i Shqipërisë prej kësaj gjykate.
10. Së fundi mbrojtësi, si një subjet thelbësor në gjykimin në mungesë, në mënyrë që të garantohet një proces i rregullt ligjor duke respektuar parimin e barazisë së armëve Mossigurimi i pjesëmarrjes në gjykim të të pandehurit, në çdo rast, por dhe atëherë kur ky i fundit i fshihet drejtësisë, nuk mund të përligjë zhvillimin e procesit kundër tij pa pjesëmarrjen dhe dëgjimin e mbrojtësit..mbrojtësi mund të zgjidhet nga familjarët vetëmnë rastet e parahikuara nga neni 48/3, jashtë këtyre rasteve familjarëve nuk ju njihet kjo e drejtë edhe pse i pandehuri është në mungesë.

Rekomandime për ndryshime të mundshme në Kodin e Procedurës Penale.

1. Neni 139/4 nuk sqaron se si do të bëhet njoftimi në banesën e deklaruar apo të zgjedhur nga i pandehuri. Nuk kuptohet nëse do të kryhen të gjitha procedurat e njoftimit në bazë të neneve 140 dhe 141 të K.Pr.Penale.
2. Nuk parashikohen rregulla për njoftimin e një personi i cili ndodhet i izoluar në një vend të ndryshëm nga burgu apo për njoftimin e personit që nuk ka zotësi për të vepruar. Mendoj se ky është një boshllëk ligjor që duhet plotësuar.
3. Neni 147/1 i K.Pr.Penale parashikon vetëm dy raste kur subjekti mund të rivendoset në afat, mendoj se një parashikim i tillë është shumë kufizues dhe duhet ndryshuar duke krijuar më shumë mundësi për rivendosjë në afat, subjektit që jo për faj të tij ka humbur afatin për të bërë ankim.
4. Neni 147/2 i K.Pr.Penale nuk është në përputhje me kërkesat e GJEDNJ-së. Sipas kësaj gjykate bara e provës që rëndon mbi të pandehurin përbën një pengesë ligjore objektive dhe pengon realizimin e të drejtave të garantuara nga konventa. Pra duhet të ndryshohet detyrimi i të pandehurit për të provuar se nuk ka pasur dijeni për vendimin dhe të gjindet një zgjidhje tjetër që të mos rëndojë të pandehurin.
5. Neni 147/3 i K.Pr.Penale parashikon afatin 10 ditor brenda të cilit duhet të bëhet kërkesa për rivendosje në afat. Mendoj se një afat i tillë është shumë i shkurtër po të kemi parasysh se i kërkohet një personi që brenda 10 ditëve të përgatisë një mbrojtje efektive për një vendim për të cilin nuk kisht as dijeni. Një ndryshim tjetër i nevojshëm ka të bëjë me dallimin mes të pandehurit që ndodhet brenda vendit dhe atij që është arrestuar jashtë dhe që pret të ekstradohet. Në Itali pas ndryshimeve të vitit 2005 përveç zgjatjes së afatit në 30 ditë, u diferencua edhe momenti në të cilin do të fillonte të ecte ky afat dhe për të padehurin që pritej të transferohej afati do të fillojë të ecë në momentin që u dorëzohet autoriteteve. Mendoj se kjo nuk do ishte një zgjidhje e keqe edhe për vendin tonë.
6. Neni 148/1 i K.Pr.Penale me interpretimin që u bë nga Gjykata e lartë nenit 147/4 të K.Pr.Penale, ku u pranua që kompetente për shqyrtimin e kërkesës për rivendosje në afat do të konsiderohet gjykata e shkallës së parë, bëhet pothuajse i pazbatueshëm. Për këtë arsye qoftë me ndërhyrje nga ana e legjislatorit apo me iterpretim nga Gjykata e Lartë duhet ti jepet një zgjidhje ngërçit të krijuar.
7. Nenet 350/1, 351/1 dhe 427/4 të K.Pr.Penale përdorin terminologji të ndryshme për të indentifikuar pamundësinë absolute të të pandehurit për tu paraqitur në gjykim dhe ka nevojë të unifikohet në mënyrë që të evitohen keqinterpretimet.
8. Në kod nuk i njihet të pandehurit asnjë mjet ligjor që bashkë me kërkesën për rivendosje në afat të kërkojë që të pezullohet edhe ekzekutimi i vendimit të dënimit mendoj se ky është një rast që duhet rregulluar dhe të plotësohet boshllëku ligjor.




BIBLIOGRAFIA

LEGJISLACIONI
1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, shpallur me dekret të Presidentit të Republikës nr. 2260, dt. 28.11.1998.
2. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, ratifikuar me ligjin nr. 7692 dt. 31.03.1993.
3. Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, ratifikuar me ligjin nr.7510, dt.08.08.1991.
4. Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ratifikuar me ligjin nr.8137, dt. 31.07.1996.
5. Kodi i Procedurës Penale i Repuplikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.7905, dt. 21.03.1995, botim i Qëndrës së Publikimeve Zyrtare.
6. Ligji “Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale” nr.8813, dt.13.06.2002.
7. Statuti Themeltar I Repuplikës së Shipërisë, miratuar nga Asamblea Kushtetuese më 07.03.1925.
8. Kushtetuta e Mbretnisë Shqiptare, miratuar nga Asambleja Kushtetuese më 01.12.1928 .
9. Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, miratuar me dekretin nr.24 të Presidiumit të Asamblesë Kushtetuese më dt. 15.03.1946.
10. Kushteuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, miratuar nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë më dt. 28.12.1976.
11. Ligji nr.7491 dt.29.04.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese”
12. Kodi i Procedurës Penale i Republikës Popullore të Shqipërisë, miratuar nga Kuvendi Popullor me ligjin nr. 1650, dt. 30.03.1953.
13. Kodi i Procedurës Penale i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, miratuar nga Kuvendi Popullor me ligjin nr. 6069, dt. 25.12.1979.
14. Ligji “ Për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale të Republikës Popullore të Shqipërisë” nr.2805, dt. 04.12.1958.
15. Kodi i Procedurës Penale Otomane i zbatueshëm për Shqipërinë, i vitit 1879.
16. Il Nuovo Codice di Procedura Penale e le Leggi Complementari, a cura di Piermaria CORSO. Quindicesima edizione, 2007. Casa Editrice La Tribuna.

LITERATURA
1. Halim Islami, Artan Hoxha, Ilir Panda “ Komentar i Procedurës Penale”, botime “MORAVA”, 2003.
2. Halim Islami, “Demokratizimi i legjislacionit penal”, shtëpia botuese “LUARASI”, Tiranë 2000.
3. Ylvi Myrtja, “Gjykimi në mungesë”, Trajtime Juridike, 2001.
4. Fredi Paskali, “Gjykimi në mungesë i të pandehurit”, Tribuna Juridike, nr.30 2001.
5. Prof. Dr. Ismet Elezi, “E drejta zakonore e Labërisë”, botime “TOENA”, Tiranë 2002.
6. Xhemal Meçi, “Kanuni i Lekë Dukagjinit, Në Variantin e Mirditës”, shtëpia botuese “GEER”, 2002.
7. Revista juridike “Drejtësia Popullore”, nr.4, viti 1957.
8. Revista juridike “Drejtësia Popullore”, nr.3, viti 1951.
9. OSCE, Mari-Ann Roos LL.M, “Analizë e sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri, raport i programit për zhvillimin e një gjykimi të drejtë”, shtëpia botuese “PEGI” 2006.
10. OSCE, Maya Goldstein-Bolocan, “Analiza e procedimeve të çështjeve penale në Republikën e Shqipërisë”, Shtypi nga “albPAPER” 2007.
11. Dr. Ejup Sahiti, “E drejta e procedurës penale”, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë 2005.
12. “Historia e shtetit dhe e së drejtës”, pjesa I, shtëpia botuese “LUARASI” 1997.
13. “Historia e shtetit dhe e së drejtës”, pjesa II, shtëpia botuese “LUARASI” 1997.
14. Ledi Bianku, “Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut”, shtëpia botuese “EDLORA” 2005.
15. “Për një rend publik Europian”, vendime të zgjedhura të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, vëllimi I, Tiranë 2001.
16. Franco Cordero, “Procedura Penale”, Terca Edizione, GIUFFRE 1995.
17. “Codice di Procedura Penale”, commentato da Franco Cordero, Seconda Edizione, UTET 1992.
18. “Commento al nuovo Codice di Procedura Penale”, coordinato da Mario Chivaria, UTET, 1992.
19. Digesto delle discipline penalistiche”, volume III CONCU-DIN, “Contumacia nel diritto processuale penale”, Anielo Nappi, UTET 1995.
20. “Digesto delle discipline penalistiche”, volume VI GIURI-INFRE, “Contumacia nel diritto processuale penale”, Anielo Nappi, UTET 1995.
21. D.Siracusano, A. Galati, G. Tranchina, E. Zappalà, “ Diritto Processuale Penale”, volume primo, Seconda Edizione, GIUFRE editore 1996.
22. D.Siracusano, A. Galati, G. Tranchina, E. Zappalà, “ Diritto Processuale Penale”, volume secondo, Seconda Edizione, GIUFRE editore 1996.
23. Stephanos STAVROS, “ The guarantees for accused person under article 6 of The European Convention on Human Rights” , (an analysis of the application of the convetion and a comparison ëith other instruments), MARTINUS NIJHOFF PUBLISHER 1996.
24. Gaston Stefani, Georges Levasseur, Bernard Bouloc, “ Procédure Pénale”, 16e édition, DALLOZ, 1996.
25. Jean-Claude Soyer, “Droit Penal et Procédure Pénale” 13e édition, L.G.D.J, 1997.
26. Black’s Law Dictionary, sixth edition, ثST publishing 1990.

JURISPRUDENCA

VENDIME Tث GJYKATثS KUSHTETUESE
1. Vendim nr.31, datë 14.07.1998
2. Vendim nr. 17, datë 17.04.2000
3. Vendim nr. 20, datë 18.04.2000
4. Vendim nr. 33, datë 24.05.2000
5. Vendim nr. 48, datë 28.07.2000
6. Vendim nr. 3, datë 29.01.2001
7. Vendim nr. 5, datë 07.02.2001
8. Vendim nr. 9, datë 22.02.2001
9. Vendim nr. 17, datë 09.03.2001
10. Vendim nr. 17, datë 04.04.2001
11. Vendim nr. 23, datë 23.04.2001
12. Vendim nr. 53, datë 27.06.2001
13. Vendim nr.124, datë 27.09.2001
14. Vendim nr. 5, datë 17.02.2003
15. Vendim nr. 15, datë 17.04.2003
16. Vendim nr. 21, datë 20.09.2005
17. Vendim nr. 24, datë 26.10.2005
18. Vendim nr. 21, datë 24.07.2006

VENDIME Tث GJYKATثS EUROPIANE Tث Tث DREJTAVE Tث NJERIUT
1. Vendim nr. 89 seria A , datë 12.02.1985 Colozza v Italisë
2. Vendim nr. 208-B ser. A,datë 28.08.1991 F.C.B. v Italisë
3. Vendim nr. 20491/92, datë 2001 Medenica v Zvicrës
4. Vendim nr. 14405/05, datë 21.12.2006 Zunic v Italisë
5. Vendim nr. 42191/02, datë 19.06.2005 R.R. v Italisë
6. Vendim nr. 56581/00, datë 10.11.2004 Sejdovic v Italisë
7. Vendim nr. 56581/00, datë 01.03.2006 Sejdovic v Italisë
(vendim i Dhomës së Madhe)
8. Vendim nr. 67972/01, datë 12.05.2004 Smogyi v Italisë
9. Vendim nr. 277 , datë 23.11.1993 Poitrimol v Francës
10. Vendim nr. 6694/74, datë 13.05.1980 Artico v Italisë
11. Vendim nr. 30900/02, datë 30.09.2003 Jones v Anglisë
12. Vendim nr. 29731/96, datë 03.02.2001 Krombach v Francës
13. Vendim nr. 71555/01, datë 2001 Einhorn v Francës
14. Vendim nr. 50489/99, datë 04.12.2001 Ivarazzo v Italisë

VENDIME Tث KOLEGJEVE Tث BASHKUARA Tث GJYKATثS Sث LARTث
1. Vendim nr. 30, datë 28.01.1999 (unifikues)
2. Vendim nr. 47, datë 28.01.1999 (unifikues)
3. Vendim nr. 354, datë 28.07.1999
4. Vendim nr. 386, datë 29.07.1999 (unifikues)
5. Vendim nr. 371, datë 27.10.2000(unifikues)
6. Vendim nr. 1, datë 15.02.2001(unifikues)
7. Vendim nr. 2, datë 19.04.2001(unifikues)
8. Vendim nr. 2, datë 14.10.2002(unifikues)
9. Vendim nr. 5, datë 10.10.2002 (unifikues)

VENDIME Tث KOLEGJIT PENAL Tث GJYKATثS Sث LARTث

1. Vendim nr.650, datë 06.11.2002
2. Vendim nr. 47, datë 22.01.2003
3. Vendim nr. 66, datë 16.06.2003
4. Vendim nr.387, datë 09.07.2003
5. Vendim nr. 519, datë 08.10.2003
6. Vendim nr. 38, datë 08.04.2004
7. Vendim nr.195, datë 21.04.2004
8. Vendim nr.663, datë 22.12.2004
9. Vendim nr.663, datë 22.12.2004
10. Vendim nr.146, datë 16.03.2005
11. Vendim nr.306, datë 11.05.2005
12. Vendim nr.303, datë 11.05.2005
13. Vendim nr.532, datë 06.07.2005
14. Vendim nr.575, datë 20.07.2005
15. Vendim nr.152, datë 29.03.2006
16. Vendim nr.225, datë 19.04.2006
17. Vendim nr.351, datë 31.05.2006
18. Vendim nr.410, datë 18.04.2007
19. Vendim nr.412, datë 18.04.2007
20. Vendim nr.424, datë 25.04.2007
21. Vendim nr. 61, datë 06.02.2008

VENDIME Tث GJYKATث Sث APELIT TIRANث
1. Vendim nr.891, datë 20.12.2005
2. Vendim nr.687, datë 22.02.2005.
3. Vendim nr.969, datë 24.12.2007
4. Vendim nr. 36, datë 26.05.2006 krimet e rënda

VENDIME Tث GJYKATثS Sث SHKALLثS Sث PARث TIRANث
1. Vendim nr. 80, datë 17.02.2005
2. Vendim nr. 460, datë 24.02.2005
3. Vendim nr. 460, datë 09.06.2005
4. Vendim nr. 20, datë 18.01.2006
5. Vendim nr. 106, datë 24.01.2006
6. Vendim nr. 347, datë 21.02.2006
7. Vendim nr. 639, datë 18.04.2006
8. Vendim nr. 1129, datë 18.05.2006
9. Vendim nr. 931, datë 01.06.2006
10. Vendim nr. 1605, datë 26.09.2006
11. Vendim nr. 80, datë 26.02.2007
12. Vendim nr. 349, datë 15.02.2007
13. Vendim nr. 447, datë 06.03.2007
14. Vendim nr. 425, datë 21.06.2007
15. Vendim nr. 311, datë 22.10.2007
16. Vendim nr. 491, datë 21.03.2008
 
Pe: Gjykimi i te pandehurit ne mungese,e drejta e rivendosjes ne afat te ankimit

nuk eshte trjajtuar rivendosja ne afet per ceshtjet civile
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top