Gabimet e ambasadorit Borchardt

Gjarperesha

Anëtar i Respektuar
Gabimet e ambasadorit Borchardt

Andrea Stefani

Kushtetuta e Gjermanisë nuk do të lejonte kurrë që Presidenti i Republikës Federale Gjermane të zgjidhej me shumicë të thjeshtë të Parlamentit, sikundër rrezikon të ndodhë në Shqipëri pas ndryshimeve të Kushtetutës. Mesazhi ka vlerë për ambasadorin gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, që u deklarua një ditë më parë në gazetën “Shqip” për ndryshimet e kryera më 21 prill të këtij viti. “Këto ndryshime në Kushtetutë nuk bien në kundërshtim me asnjë parim të demokracisë ose shtetit ligjor”, tha Borchardt”. Më në fund u gjet një ambasador në Tiranë që të flasë troç për këtë problem kaq të debatuar në politikën shqiptare, por që nga i cili, shumë diplomatë e larguan gjuhën si nga një patate e nxehtë. Deri më sot, “ndërkombëtarët” ishin shmangur duke shfaqur rezerva me mungesën e transparencës dhe të debatit publik (a s‘kanë të bëjnë këto me demokracinë?) për këto ndryshime. Disa deklaruan se do t‘i përtypin mirë amendamentet, pastaj do të shprehen. Dhe akoma janë duke i përtypur. Ndërkaq, ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, është i pari që theu arratisjen “diplomatike” prej amendimeve kushtetuese. ثshtë një hap që duhet përshëndetur përballë një heshtjeje sterile të perëndimorëve për një problem kaq superior për nga rëndësia, sikundër është edhe transformimi i dokumentit themelor të një Republike. Por megjithatë, edhe një rast për kritikë sepse, mjerisht, përmbajtja e deklarimeve të ambasadorit Borchard për ndryshimet e Kushtetutës, është krejtësisht e gabuar. Mos ndoshta e kanë keq informuar?

***

Ndryshimet në Kushtetutë, sikundër është denoncuar kohët e fundit nga shumë faktorë të shoqërisë civile dhe politikës, cenojnë rrezikshëm parimin e ndarjes së pushteteve. Mjafton të shqyrtosh vetëm amendimin lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Megjithatë, Borchardt thotë se një gjë e tillë nuk prek “asnjë parim të demokracisë”. Ndoshta ambasadori nuk e di se tashmë Presidenti i Republikës mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë, që në kushtet e Shqipërisë, do të thotë të zgjidhet vetëm me votat e shumicës që ka krijuar qeverinë. Jo rastësisht, në qarqet e shoqërisë civile dhe të politikës, ka një shqetësim të madh se një gjë e tillë do të kërcënonte seriozisht pavarësinë e institucionit të Presidentit të Republikës. Sepse shumica qeverisëse dhe Kryeministri i saj, i kanë të gjitha mundësitë, të që zgjedhin në postin më të lartë të shtetit, një njeri të tyrin. Përse do të nxiteshin të mos e bënin kur një gjë të tillë tashmë (pas amendamenteve) ua lejon edhe Kushtetuta? Por ambasadori Borchardt duhet ndoshta të mësojë se Presidenti i Republikës është në Shqipëri, ashtu si edhe në Gjermani, është simboli i gjallë i unitetit të shtetit dhe ka edhe shumë atribute për balancimin e institucioneve dhe garantimin e Kushtetutës. Presidenti i Republikës në Shqipëri është edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë prandaj nëse nuk qëndron mbi partitë, do të rrezikonte shumë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Amendamentet kushtetuese të çojnë pikërisht drejt një situate ku Presidenti do të jetë jo një njeri i zgjedhur me konsensusin e të gjithë partive parlamentare, por vetëm me votat e shumicës. Do të ketë shumë pak shanse (nëse do të ndodhte do të qe një përjashtim nga rregulli) që ai të dilte në një pozicion mbipartiak. Dhe a nuk cenohet nga të gjitha këto parimi bazë demokratik i ndarjes së pushteteve? Këto janë ca argumente. Po ku janë argumentet e deklarimit të Borchardt se ndryshimet kushtetuese “nuk bien në kundërshtim me asnjë parim të demokracisë”? Ato nuk i gjen askund në intervistën e tij. Ai vetëm deklaron. Kjo nuk është serioze për një diplomat që duhet të qëndrojë mbi palët. Dhe vetëm argumentet e mundëson një gjë të tillë. Deklarimet pa argumente të bëjnë palë.

***

Ajo që të habit, është fakti se ambasadori gjerman në Tiranë, shpall si demokratike një praktikë që nuk i ngjan fare asaj të ndjekur në vendin e tij për zgjedhjen e Presidentit të Republikës Federale. Përkundrazi, një praktikë si kjo që imponojnë amendamentet kushtetuese në Shqipëri, do të kundërshtohej si antikushtetuese në Gjermani. Dhe ja sepse:

Gjermania është republikë federale dhe Presidenti i kësaj republike zgjidhet jo si në Shqipëri nga Bundestagu (Parlamenti) por, nga Konventa Federale që përbëhet nga 612 anëtarët e Bundestagut, si edhe po aq (612) anëtarë të tjerë të zgjedhur në mënyrë proporcionale në parlamentet e landeve (shteteve). Pra, Presidenti i Republikës zgjidhet nga një Konventë e posaçme e përbërë nga 1224. ثshtë ky organ që mblidhet një herë në 5 vjet posaçërisht për të zgjedhur Presidentin. Dhe mund ta zgjedhë me shumicë të thjeshtë ose edhe me shumicë relative, por në të gjitha rastet, me shumica shumë më të mëdha, shumë më përfaqësuese dhe shumë më pluraliste, se shumica qeverisëse e Parlamentit. Nëse në Gjermani do të bëheshin amendime të Kushtetutës si në Tiranë, atëherë Presidenti i Republikës do të zgjidhej Bundestagu (Parlamenti) dhe jo nga Konventa Federale. Kjo e fundit nuk duhej të ekzistonte më. Por jo vetëm kaq. Presidenti mund të zgjidhej me shumicën e thjeshtë që është e nevojshme për formimin e qeverisë. Populli gjerman, që ka vuajtur diktaturën e ashpër hitleriane, nuk do ta lejonte kurrë një gjë të tillë. Ai nxori mësime nga përvoja e hidhur e Republikës së Vajmarit. Ai e zhveshi Presidentin Federal nga e drejta për të caktuar me veton e tij se kush duhet të jetë Kryeministri. Sepse ishte një atribut që mareshali Hindenburg e keqpërdori duke caktuar Kryeministër (kancelar) Adolf Hitlerin. Por populli gjerman, po ashtu, nuk do të pranonte kurrë që Kryeministri të mund të caktonte se kush do të jetë Presidenti. Sepse do të qe po aq e rrezikshme për demokracinë. Më kot është ngritur Konventa Federale? Por amendimet kushtetuese të 21 prillit, ato për të cilat Burchardt thotë se nuk cenojnë asnjë parim demokratik, bëjnë të mundur pikërisht që të jetë Kryeministri dhe shumica e tij qeverisëse, ajo që do të zgjedhë me siguri Presidentin e ardhshëm. Një rregullim i tillë “kushtetues” ka filluar të kërcënojë që tani pavarësinë e institucionit të Presidentit. Tashmë është e qartë se nëse divergjencat e Presidentit Topi me Kryeministrin dhe shumicën e Berishës lidhur me pavarësinë gjyqësorit thellohen, Topit nuk duhet t‘i mbetet më shpresë të ripërtërijë mandatin e tij presidencial, nëse Berisha mbetet në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Por a mund të quhet rregullim kushtetuese demokratik, një amendim që ardhmërinë e karrierës politike të një Presidenti, e vendos në duart e një shumice hakmarrëse që ai është i detyruar, për hir të misionit kushtetues, edhe ta konfrontojë? Përgjigjja për këtë dhe për shumë paradokse të tjera që burojnë nga amendamentet, si edhe për atë që nuk sheh ndonjë shkelje parimi demokratik në faktin që ndryshimet kushtetuese u bënë shpejt dhe pa debat, i përket ambasadorit Borchardt.

blogushqiptare
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top