Eustathi i Durrësit

Moikom Zeqo



Fati është plot të papritura.

Është si lëvizja në pika të ndryshme të horizontit të erërave, që nuk i dimë si krijohen dhe si shpërbëhen.

Kjo e vërtetë nuk e shqetësonte aspak metropolitin e Durrësit, Eustathin, një burrë të hijshëm 47-vjeçar, i cili rrinte në katedralen e Shën Astit, në qytetin bregdetar, dhe po shfletonte disa dorëshkrime që ishin pjesë e një traktati që ai po shkruante për konceptet kryesore të fesë së krishterë, në kundërshtim me shumë teologji, që sipas Eustathit ishin thjesht deformime, qoftë nga padituria, qoftë nga qëllimet e mbrapshta.

Eustathi,figure historike e padyshimte, bënte një jetë të përkorë dhe asketike.

Nuk e njihte luksin, i refuzonte me butësi privilegjet, vetëkuptohet dhe lavdinë.

Megjithatë në thellësi të vetes ishte përherë i shqetësuar. Po ndodhnin ndryshime dhe lëvizje të koncepteve mbi doktrinën e krishterë, që përplaseshin me ndërgjegjien e tij diturake.



Para tre ditësh kishte ardhur tek ai Duka i Madh, Kontostefani, që perandori Manuel Komneni e kishte emëruar admiral të flotës perëndimore të Bizantit, me qendër në Durrës.

Duka Andronik qe një burrë i fuqishëm, me një trup të madh, inteligjent dhe tolerant.

Duka e njihte shumë mirë Eustathin, e vlerësonte për dijet e pakufijshme që kishte metropoliti, jo vetëm për librat e shenjtë, por edhe për artet, retorikën, astronominë dhe muzikën.

Ai nuk kishte takuar kurrë një njeri si Eustathi, që kishte koncentruar në qënien e tij kaq shumë kultura, që dinte shumë gjuhë dhe që tregohej kaq modest dhe i thjeshtë.

Duka Andronik, pasi u përshëndet me metropolitin Eustaf, pasi tha formulat e domosdoshme dhe ekzotike të mirësjelljes, i tregoi se kishte marrë një urdhër nga perandori Manuel, që t’a organizonte flotën bizantine, për një ekspeditë kundër Egjiptit.

Kjo ekspeditë qe e rëndësishme për të rivendosur pushtetin e lëkundur të perandorisë pikërisht në Aleksandri si dhe në një qytet në verilindje të quajtur Tamiathi.

Në këtë qytet rebelët qenë forcuar, i kishin vrarë përfaqësuesit e perandorit dhe kishin shpallur njërin prej tyre me titullin Perandor i Egjiptit.

Rebelët kishin mohuar dhe fenë e krishterë dhe kishin kërkuar të ktheheshin në kultin e lashtë egjiptian të nderimit të Rasës, hyut të Diellit.



Duka admiral, që sapo qe kthyer nga një ekspeditë e suksesshme në Siçili, do të nisej për në Egjipt duke kërkuar të njëjtin sukses.

Duka Andronik e pyeti Eustathin sesi ka mundësi që të kishte njerez në këtë botë të mohonin fenë e Shpëtimtarit dhe të riktheheshin tek kultet e rreme.

Eustathi u përgjigj se natyra njerëzore është plot kontradikta, nëse tek njerëzit bindjet janë të cekëta dhe siparfaqësore, qofshin dhe kur këto janë absolutisht të drejta dhe të vërteta, ndodh që të ridalin nga thellësitë e kujtesës praktika hyjnizuese, që koha i ka vërtetuar se kanë qenë të dëmshme dhe të verbërta.



Prandaj, – shtoi Eustathi, – duhet që bindjet të rrënjosen thellë tek qëniet njerëzore, për të shmangur gabimet e lashta të traditës.

Pastaj Eustathi i tha në intimitet mikut të tij autoritar, Dukës admiral, se atë e shqetësonte prej kohësh edhe situata e doktrinës së krishterë, të të vërtetatve të mëdha ungjillore, që manipuloheshin dhe deformoheshin pikërisht nga kishtarët, duke krijuar një kaos dhe një gjendje gërryese në vetë substancën e doktrinës së krishterë.



Për Eustathin ishte tepër e rrezikshme kur debatet e pafundme teologjike shiheshin në mënyrë monopolizuese nga pushtetarët e lartë laikë të perandorisë.

Eustathi nuk kishte guxim ti tregonte Andronikut mendimin e tij të fshehtë, që Jezu Krishti qëndron mbi të gjithë perandorët dhe patrikët e mëdhenj, të cilët kaq shpesh monopolizonin interpretime të sforcuara dhe dhunuese.

\

Biseda zgjati gjatë dhe qe tërësisht miqësore.

Siç ndodh gjithmonë, kjo bisedë nuk u regjistrua nga askush.



Mbas tre ditësh Duka Andronik u nis me anijet luftarake drejt Egjiptit.

Para nisjes, Eustathi kryesoi meshën e bekimit të flotës bizantine në katedrale.





Eustathi u kthye përsëri tek dorëshkrimet e tij.

Ai u përqëndrua tek problemet teorike të doktrinës së krishterë, duke vënë në dukje pa mllef dhe pa urrejtje, idetë që ai i quante të pavërteta.

Në të vërtetë ai nuk qe i vetëm në këto mendime.

Ai kishte shkëmbyer letra me personalitete që e çmonin dhe që ai i çmonte si psh. me metropolitin Teopolit të Antiokisë së Madhe, me Mihalin e Selanikut, peshkop me një fuqi të madhe oratorike, me Nikofor Vasilaqin në Konstandinopojë, që popullarizonte letrat e Shën Palit në të gjitha tribunat evangjelike të kishave dhe me dijetarin historian, Sotir Pantevienin, murg i vetmuar në një manastir në Bosfor.



Të gjithë këta burra të mësuar dhe kurajozë e quanin, për hir të apostullit Shën Pavli, veten si pavlikanë.

Edhe Eustathi i takonte kësaj rryme, madje ishte më i shquari mes tyre.

Dihet se Shën Pavli (Paulus) ishte organizatori gjenial i kishës së organizuar të krishterë.



Në vitet 80-125, jetoi Markioni nga Sinopa, i cili është quajtur si dhe teologi i parë biblik që mbështeste idenë se tërë teologjia e krishterë bazohet në një botëkuptim dialektik të gjërave hyjnore, që duheshin ruajtur të pastra.

Apostulli Pavl Natarsa u persekutua nga perandori romak, Neron.

Kur letrat e tij janë ndër faqet më gjeniale që mund të jenë shkruar ndonjëherë nga njeriu.

Në shek. VI-të spikati Kostandini nga qyteti Mananall, në pjesën e sipërme veriore të lumti Eufrat, i cili komentonte veprat e shkruara nga Pavli i Samosatit, që kishte qënë në shek. III-të Ipeshkv i Antiokisë.

Ndjekësit e mësimeve të tij u quajtën paulianë, ose pavlikanë.

Por kjo lëvizje u konsiderua heretike dhe ndodhi një persekutim që filloi në Armeni, në Siri, në Thraki dhe në Azinë e Vogël.

Në qytetin Tefri, në Azinë e Vogël, u krijua shteti i pavarur pavlian, që adhuronte vetëm kishën pavliane. Perandori i Bizantit, Vasili I-rë, dërgoi në vitin 869 misionarin e tij Pjetër Sicilianin, për të zgjidhur jo me forcën e armëve por me diplomaci dhe paqe konfliktin me paulianët. Por qe e pamundur. Befas me doktrinën pavliane u bashkua dhe qyteti Nikea. Atëherë në 872 u organizua një masakër ndaj tërë pasuesve pavlianë.

Për 2-3 shekuj u duk se kjo herezi kisjhte marrë fund përgjithmonë.

Por në shek. XII-të pavlianët u ringjallën përsëri.



Një prej tyre qe vetë Eustathi i Durrësit, i cili kishte arritur të bënte komentin më të drejtë të idevë të Markionit nga Sinopa, që e kishin harruar dhe mallkuar të gjithë.

Eustathi i Durrësit u bind se midis Testamentit të Vjetër dhe Testametnit të Ri ka dallime të pakapërcyeshme.

Për të qe artificiale ngjizja dhe bashkimi i traditave fetare hebraike shumëshekullore me revolucionin fetar të Jezu Krishtit. Kështu që duhej besuar vetëm Testamenti i Ri dhe nuk duhej të ngatërrohej, sepse mund të humbte ana autentike e tij.

Çdo dyalizëm konceptual midis dy traditave do të ishte problemorë dhe me pasoja.



I vetmi njeri i madh që e kuptoi këtë gjë ishte apostulli Pavl, që krijoi doktrinën e teologjisë së krishterë.

Pavlistët besonin tek ky konceptim, duke bërë skualifikime të kujdesshme për apostujt e tjerë.

Pavlistët respektonin apostullin Pavl, por nuk tregonin të njëjtin kujdes për apostujt e tjerë, madje as për vetë Shën Marinë, madje nuk praktikonin as pagëzimin dhe as kungimin seopse besonin vetëm tek thëniet e regjistruara të Jezu Krishtit dhe tek kuptimi i tyre nga Pavli.



Me një fjalë ata kërkonin t’a kthenin krishtërimin në origjinën e tij, në kohërat fillestare.

Ata nuk besonin tek ikonat e pikturuara, as tek numri i pafund i shenjtorëve, që krijonte një panteon të ngashëm me atë të paganëve.



Eustathi i Durrësit besonte me ndershmëri se kthimi tek e thjeshta, tek nismëtarja, mund të ishte një mundësi e ruajtjes së vetë doktrinës së krishterë.



Ai u morr shumë gjatë me argumentimin e hollësishëm dhe përfundimtar të kësaj ideje.

Ai e dinte se kishte shumë klerikë të lartë, pranë perandorit, që e urrenin për vdekje për këtë gjë.

Eustathi nuk mendonte fare për jetën e tij tokësore.

Atij i interesonte vetëm e vërteta ngulmuese dhe e panjollosur.





Kronikani i famshëm Niketa Honiati, i lindur në 1150, në Honeta të Azisë së Vogël, në veprën e tij të jetës “Tregim Kronikash”, prej 21 librash, trajton ngjarjet historike të viteve 1118-1206 të Bizantit.



Ai flet edhe për herezinë e pavlikanëve në provincën e Durrësit dhe fare shkurt edhe për Eustathin.



Ai e quan Eustathin “një nga burrat më të lavdishëm, nga më të mirët e të diturve të kohës”.

Ai tregon gjëmën që i ndodhi Eustathit dhe të gjithë të tjerëve që mendonin se ai, se me urdhër të perandorit “u hodhën jashtë kishës dhe u dëbuan nga çdo shërbim i shenjtë dhe u internuan”.



Kështu Eustathi u syrgjynos në një qytet te vogël që nuk i dihet emri, në veri të Afrikës, mbasi u mallkua publikisht.

Pastaj emri i Eustathit u mbulua nga heshtja.



Ky sinops ka qenë në qendër të vëmendjes time sepse ngrinte një problem të madh: atë të lirisë së mendimit që bie ndesh me kualifikimet zyrtare, me dënimin e pamëshirshëm.

Eustathi qe një personazh ndoshta naiv, por absolutisht i sinqertë.

Ai arsyetonte duke hulumtuar.

Ai kërkonte të vërtetën sipas pikëpamjes së tij në një kohë kur e dinte fare mirë se kërkimi i tij nuk pranohej nga të tjerët.

Pra, ai besonte tek një e vërtetë që e rrezikonte.

Fare mirë mund të bënte një kompromis, të përshtatej.

Aq më tepër që ai qe pjesë e një grupi dijetarësh të kishës, që nuk mund të krahasoheshin fare nga pikëpamja intelektuale me nivelin e kishtarëve zyrtarë të perandorisë.

Si ka mundësi që njerëz më të paditur dhe më të pakulturuar se Eustathi të kishin fuqi për t’a mohuar dhe për t’a shkatërruar atë?

Si ka mundësi që mediokriteti i shumicës të jetë përherë fitimtar?

Si ka mundësi që njerëzit që thonin se i kushtoheshin Jezu Krishtit të kishin frikë nga debati i lirë?

Si ka mundësi të dogmatizohej gjithçka?

Pse duhet të ketë një monopol të së vërtetës?

A nuk ishin hebrenjtë që nuk e pranuan Jezu Krishtin?

A nuk janë talmudistët që thanë se Jezu Krishti nuk ishte Mesia?

Ata asnjëherë nuk e njohën Jezu Krishtin si Mesia, ata e dënuan Jezu Krishtin.

A nuk ishte dhe vetë apostullui Pavl në fillim një njeri i doktrinuar që i persekutonte pasuesit e Krishtit, por më pas, gjatë udhëtimit në Damask, përjetoi një zbulesë hyjnore, ndryshoi dhe përmbysi gjithçka dhe u bë njohësi më i fuqishëm i kumtit mesianik të krishtit të madh dhe të papërsëritshëm?



Në thelb Eustathi i Durrësit kërkonte një liri të të menduarit, qoftë dhe brenda një doktrine të modifikuar.

Ndoshta vetë Eustathi e absolutizonte të vërtetën e tij.

Duke kërkuar të vërtetën kundër gabimit, ai arrinte ndoshta përsëri tek gabimi.

Nga pikëpamja e proçesit të njohjes kjo është një gjë që ndodh vazhdimisht.

Nga pikëpamja etike, Eustathi qe një mendimtar i guximshëm dhe kurajoz.



Sot nuk mund të themi sesi përfundoi Eustathi i Durrësit, apo se ç’ndodhi me dorëshkimet e tij?

Por një gjë është e qartë dhe e pamohueshme; ndaj tij u përdor dhuna shtetërore e një perandorie të tërë.

Pikërisht dhuna në mendim është ajo që më ka shqetësuar në këtë sinops.

Nuk më interesojnë shumë marrëzitë teologjike, por fati i trishtuar dhe tragjiki Eustathit të Durrësit më ka lënë një shije të hidhur dhe më ka lënduar përherë.

Eustathi është një hero i përmbysur, që besonte tek një dialektikë mendore, por që e pësoi me jetën e tij.

Qoftë dhe si heretik, xhesti i Eustathit të Durrësit ka kuptimshmëri.

Kjo shëmbëlltyrë intelektuale gati ka humbur në kohërat moderne.

Mungesa e kundërvënies së ideve krijon një plogështi. Konformizmi prodhon një myk helmues në mendje duke bërë që njerëzit t’i pranojnë në ndërgjegjiet e tyre imazhet, fjalët dhe informacionet e gatshme dhe të fabrikuara.

Shpresoj që ky sinops e tejkalon kuriozitetin, i bën qesharake anatemat.

Eustathi i Durrësit është një motiv që mundtë ringjallet, jo aq për të saktësuar idetë e tij por për të treguar një vullnet të lirë, për shkak të kërcënimit vdekshëm edhe nga kohërat e sotme.
Dita
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top