Dhimitër s. Shuteriqi dhe autoportreti i tij në disa tekste letrare

Love

βeℓℓe â๓e
  • “Zgjuar,
    dua zgjuar përherë
    kujtimi im të agojë
    me dritën që çel”. (Dh. S. Shuteriqi, Dëshirë e fundit, frag. “Poemë e pambaruar”, poezi, 1972, f. 40).
FERIDE PAPLEKA

Dhimit%C3%ABr_Shuteriqi-320x288.gif


Autoportreti që krijon shkrimtari nëpër tekste, mund të konsiderohet si një manifest i pastër alegorik që të fton të rilexosh dhe të kuptosh më mirë veprën e tij. Në këtë mënyrë lexuesi ndeshet me një koncept profetik që ravijëzon gjurmët e vlerave emblematike ku kufijtë e një dysie jetë/vepër shkrihen e ia lënë vendin njëra-tjetrës. Shpesh topos-et e një jete në vepër paraqiten me një qëllim që ka të njëjtin regjistër me vetë tekstet. Nuk mund të flitet me siguri se një autor frymëzohet gjithnjë drejtpërdrejt nga rrethanat e jetës së vet, por dihet se ai mbështetet së pari në realitetin e përvojës së jetuar. Duke shpjeguar tekstet, nisur nga hollësi të veçanta, shkrimtari jep shpeshherë dëshmi kaq të sakta jetësore, sa shqyrtimi i veprës së tij bëhet në një tejdukshmëri të mahnitshme. Nëse imagjinojmë një jetëshkrim, jemi të detyruar të nënshkruajmë një marrëveshje mes pohimeve që mund të gjenden në tërë veprën, të shprehura qartë, pa maskë ose dykuptimësi dhe vështrimit të jetëshkruesit që vjen gjithnjë nga jashtë. Skema e paraqitjes organike të zhvillimit letrar të shkrimtarit, është provë e lidhjes së sinqertë që mban ai me të shkruarit. Rrëfimi që përzien intimen dhe universalen përgjithësisht është shumë i dallueshëm në botën letrare.

Shkrimtari te Dhimitër S. Shuteriqi është një njeri i kohës së vet. Megjithatë nuk duhet harruar se autori sjell një qëndrim të ri në paraqitjen e pjesshme të ngjarjeve jetësore dhe të historicitetit të tij si individ.

Nuk është asnjëherë jashtë logjikës që ky mbetet kushti i parë i kërkesës për të gjetur përligjjen tekst/autor e për t’i vendosur në të njëjtën shkallë vlerësimi. Kështu ne mund ta kundrojmë nga afër lidhjen e tij me tekstin letrar. Përmasa intime e shumë teksteve përfshin dy vështrime: atë vertikal dhe atë horizontal, por vepra kërkon një përgatitje profesionale dhe një përvojë gjithnjë të re leximi. Duke lexuar tekstet e Shuteriqit ne e kuptojmë si vizatohet autoportreti i një krijuesi njëherësh real dhe imagjinar që përshkon veprën si një imazh që shumëfishohet, duke u shndërruar kështu në një instrument novator. Bie fjala, në gusht 1918, në qytetin e tij të lindjes, në Elbasan, ndodh një ngjarje që ai megjithëse është tre vjeç, do ta skalisë në mendje për ta përshkruar shumë vite më vonë te tregimi اështja e fullatave (Vërshimet e vjeshtës, 1984), në të cilin risjell atmosferën e asaj dite të largët, parë me sytë e një fëmije, duke sajuar një histori fantastike: kartolinat e vitit 1915 mbërrijnë dhjetë vjet më vonë në perandoritë e rrëzuara.

E njohim nga kujtimet e tij të shkruara te dorëshkrimi i pabotuar Fletë nga jeta ime, por edhe nga rrëfimet gojore udhëtimin e parë të Shuteriqit, i cili do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë së tij. Atë udhëtim gati romanesk, ai do ta përshkruajë me hollësi në librin me tregime për fëmijë Gurnecka (1957), duke dëshmuar se me atë udhëtim fillon edhe jeta e vërtetë e tij prej fëmije që do të bëhet shkrimtar. Konteksti është i jetuar.

Ngaqë e kanë futur në një arkëz, që të mos rrëzohet, se është i vogël, djali ngrihet paksa dhe herë pas here sodit hapësirën e pafund që hapet përpara syve të tij të habitur. Tërë rrugëtimi gjallon me tringëllima e zëra:

“Bëhej kështu një muzikë këmborësh, cicërimash e përrenjsh që rrjedhin ëmbël, muzikë që vetëm ai që e ka dëgjuar mund ta marrë me mend mirë. Të gjitha më kanë mbetur në kujtesë si gjëra të çuditshme” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 9).

Pranë fshatit Përrenjas, në një rrugë më të shtruar e më të gjerë, shfaqet së largu “e përmbibukur” fusha e Domosdovës. Ja si e përshkruan pena e shkrimtarit:

“Ata që s’e kanë parë atë fushë, të mos e lënë pa e parë, se është një nga më të bukurat e Shqipërisë. ثshtë një pllajë e madhe, rrethuar prej malesh të larta, herë të gjelbëruara, herë të përhirta dhe shkëmbore. Nëpër fushë, – ara misri, grurore, shelgjishta të gjata, rrjedhin ose burojnë të padukshme, ujëra të kristalta. Rrëzë maleve, zbardhojnë shtëpitë e kaq fshatrave” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 14).

Shkrimtari e lehtëson detyrën e lexuesit, sepse rrëfimtari bëhet shkrimtari që ndryshon herë pas here rolin e tij në një skenë të hapur. Në këtë pikëpamje bota është një konceptim i qenësishëm i ligjërimit dhe kjo shpjegon arsyen përse nëpërmjet teksteve letrare, lexuesi ëndërron një hapësirë përherë e më domethënëse.

kopertina-Shuteriqi-I-219x320.gif


Vazhdojmë me rrëfimin letrar të Shuteriqit: ndërsa dielli e ka ndritur krejt horizontin, udhëtarit të vogël ia tërheq vëmendjen një tufë dallëndyshesh që ndalen mbi telat e telefonit. Disa dallëndyshe bien të lodhura dhe ai trishtohet. Karvanari në të vërtetë i sjell Dhimitrit tri dallëndyshe për ta qetësuar, dy prej të cilave ai i ndihmon të ndërmarrin sërish fluturimin. Dallëndyshja e fundit e provon, por s’mundet. اfarë nuk bën djalthi për ta ndihmuar edhe atë; e lëmon me mollëzat e gishtave të trëndafiltë, e puth, e ngre hopa me krahëzit e vet në ajri, por zogu i gjorë s’ka forca. Më së fundi, ai shkëputet i dëshpëruar nga doçkat e djalit, fluturon tutje, pastaj “lëshohet vrik poshtë” e përplaset në tokë pa jetë. I vogli mbulon sytë me duar dhe shqipton duke qarë:” Bobo, dallëndyshja!”:

“Shpesh kam menduar më pas te ajo dallëndyshe dhe mendoj edhe sot me trishtim. Ne ishim nisur për një udhë të gjatë, si dhe zogjtë. Merreni me mend sikur edhe ndonjëri nga ne të kishte mbetur udhës, ashtu si mbeti ajo dallëndyshe fatzezë” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 14).

Në kujtimet e disa shkrimtarëve tregohet sesi fillojnë ata të shkruajnë në një qetësi absolute, të rrethuar me personazhe që kërkojnë jetën në vepër. Ka edhe Shuteriqi një tregim të bukur, një bashkëbisedim fantastik me gurneckën e parë. Në të vërtetë jeta e një autori gjendet në një “rifigurim” të pandërprerë, thotë Paul Ricœur, një kritik i shquar francez. Ky rifigurim mbetet përherë motor i brendshëm në veprën letrare. Ja si e transpozon Shuteriqi në letërsi edhe udhëtimin e dytë. Tani është në makinë me të atin, kuptohet disi më i madh dhe që nga makina pamja e qytetit të Pogradecit, me ujërat që rrëzëllejnë nga dielli, duket ndryshe:
“S’ka gjë më të bukur sesa të shohësh Pogradecin dhe liqenin e tij nga qafa e Plloçës. Dikur, qyteti nuk shtrihej akoma buzë liqenit, si shtrihet sot. Pogradeci ishte një qytet i vogël, shumë i përmbledhur. Shtëpitë e tij sa mezi nxirrnin çatitë e kuqe përmes plepave dhe gështenjave. Liqeni shtrihej si një det i kaltëruar, i rrethuar me male të larta. Skaji, mezi i shquhej atje tej nga Veriu, nga Ohri dhe Struga” (Gurnecka, në librin Gurnecka”, f. 18).

Me Tushemishtin Simonin, të atin e Shuteriqit, e lidhnin shumë kujtime. Aty ai kishte edhe një vëllam, i cili vjen në Pogradec i mallëngjyer së tepërmi dhe i merr me qerre. Shkrimtari i ardhshëm vështron me kureshtje dy qetë e mëdhenj që tërheqin qerren ngadalë, duke ecur buzë liqenit me ujëra ngjyrë “gushëpëllumbi”. Rrugës për në shtëpi, ai dëgjon disa herë shprehjen që përsëriste vëllami i Simonit: “Kjo Shqipëri e mjerë e me fat të zi” e që e shoqëronte me një psherëtimë të thellë. Pastaj vëllamët flasin për varrin e Petrit. Petri ishte kushëri i Simonit, mësues që kishte vdekur atje, i ri, më 1905 (ai e shkruante shqipen me alfabetin e Todrit). Ja si e rikrijon Shuteriqi në një tregim, rrëfimin e vëllamit të Simonit për vdekjen e mësuesit, kur e kishin prurë nga Ohri, ku e patën çuar “ta shihnin” në doktor:

“Ishte natë, – tregonte ai, – natë pa hënë. Po ishte një natë e kthjellët. Qielli kishte çelur tërë yjtë. Liqeni s’kishte asnjë valë. Ujët ishte mavi i errët. Ishte i frikshëm uji atë natë.

[…] Mësuesi nuk i mbylli sytë gjithë udhës. Ai kishte dy sy të zes e të mëdhenj që tani i dukeshin edhe më të mëdhenj në fytyrën e tharë, petë. Nata ishte e ftohtë akull, po, kur e kur, mbi ballin e të sëmurit ndritnin bula djerse. Ai nuk ngopej së shikuari qiellin e yllëzuar, malet, që diçka dalloheshin nga e majta, gjemixhinjtë, që vozitnin pa fjalë.

[…]

Mbylli sytë dhe ashtu u shua dhe pushoi së jetuari, midis Shën-Naumit e Tushemishtit” (Një varr në Tushemisht, në librin Gurnecka , f. 37-38).

Krijimtaria e tij skalitet në një histori të dyfishtë: vetjake dhe universale. Jeta e brendshme e shkrimtarit dhe vepra e tij përgjithësisht janë një duo që formon një harmoni të përsosur, një metaforë shpirtërore. Këtë e shohim qartë edhe te këto vargje poetike.

“Dhe bashkë murmurojmë nën hënë;/ nëpër rrapishta dhe shelgjishta frushullore;/ lahet ndër ujëra hëna argjendore” (Shkumbinit, poemë, 1959, Vepra letrare 1, f. 199).

Fjala është për lumin Shkumbin valërrëmbyer, me të cilin autori ndien një lidhje të përjetshme. Në tekste të tilla ekziston një lëndë e prekshme, që përkthen raportin e tij me botën që na rrethon. Themelore, pra, është autentikja që përputhet me përvojën historike, e cila përkon edhe me përvojën ndjenjësore. Për shembull, në fëmijërinë e Shuteriqit është zhvilluar një lëvizje antizogiste në Dukagjin. Antizogistët e Dukagjinit i internojnë në Elbasan. Jemi në vitin 1925 dhe djali 10-vjeçar shikon për herë të parë njerëz që zgjatin dorën për lëmoshë. Një familje, dy pleq dhe e bija, që kishin rënë edhe në gjak, jetonin në një ahur përballë shtëpisë së Shuteriqëve. Vajzën e tyre ata e marrin ca kohë në shtëpi, se u vinte keq. U bënte ndonjë punë të vogël dhe e paguanin që të mbante pleqtë e saj me bukë. Një natë, ajo tregoi sesi i qenë vrarë tre vëllezërit, njëri pas tjetrit nga plumbi i hakmarrjes. E mbetur fillikat me prindërit, ajo e kishte vrarë me duart e veta gjakësin e vëllait të fundit. Dhimitri e dëgjon këtë ngjarje dhe e ngulit në mendje. Vajza ishte shumë punëtore dhe e bukur. Shumë vjet më vonë, pena e tij prej shkrimtari do ta përshkruajë kështu portretin e saj:

“ Prendja ishte e bukur, me një bukuri të egër. Gati leshverdhë, po sytë korb të zinj. Oh! اfarë sysh të qeshur dhe krenarë! Edhe vetullat e saj, të verdha ishin. Tipare të tilla s’kam hasur ndonjëherë në bregdetin e jugut. Ja, për hundën e saj mund të thoshe se ishte si qiri. Buzët e fryra dhe mollëzat pak të mëdha e të dala, i kishte flakë të kuqe. E shoh akoma tek ecën dhe dëgjoj çapin e rëndë që i troket nëpër shkallët e shtëpisë sonë, Fyelli i Marsiasit, 1963, f. 162).

shuteriqiثshtë e vërtetë që në tekstet letrare Shuteriqi end në filigranë një autoportret. Ai është pasardhës i një familjeje intelektuale dhe patriote të Elbasanit. Kjo prejardhje i ka dhënë atij një formim të dyfishtë: fisnikërinë shpirtërore dhe fjalën, të cilat i shohim qartë mes të tjerash edhe në këtë fakt që ai e shndërron në tregim. Afër shkollës së fëmijërisë ishte një mulli (sepse në Elbasan, si vend i ullinjve, ngado kishte mullinj vaji) dhe ai ndalet shpesh aty.

Përshëndet si shkollar që është, por edhe kënaqet kur mullisi me zë të ngjirur i përgjigjet: “Mirë se erdhe. Qofsh bekuar, çun i dajës” (Bisedë, mars 1995). Djali mbase përfytyron gjyshin, për të cilin i tregonin se kishte qenë mullis vaji. Vështron me kureshtje fytyrën e mullisit plak” me rrudha të thella si brazda”. Gjatë dimrit, shpesh herë, ai vjen nga shtëpia me një pite të ngrohtë në dorë, që mullisi t’ia regjë në vaj. Ndonjëherë hyn brenda dhe vëzhgon “gurët e mëdhenj, argatët, mengenenë, trarët ku vareshin pezhishkat, dritën e pakët dhe ngjyrën e errët të atij vendi, që i dukej se lëshonte grahma vjetërsire” (Fletë nga jeta ime, tekst i pabotuar. Arkivi familjar). Një ditë në pushim ai shkon në shtëpi dhe ia lë për pak kohë çantën e librave mullisit, por kur kthehet i duket sikur është pas derës së klasës duke dëgjuar mësim. Ai e përshkruan kështu këtë episod:

“Futa këmbën në mulli. اuni (argati i ri) ishte ulur pranë dajë Monit, me librin të kthyer nga drita e derës dhe, mu në rrëzë të veshit, i lexonte ustait të vet me britma vargjet e Naimit. Dajë Moni i kishte ngulur sytë e ëmbël diku në errësirën e fshehtë dhe cigarja e tij, si një xhixhëllonjë, ndizej e shuhej në kënd të buzës, nën strehun e mustaqes. Te gjuri ai shtrëngonte çantën time të hapur” (Malli i shqipes, në librin Fyelli i Marsiasit, 1963, f. 186).

Kur është kohë e mirë Dhimitrit shkollar i rreh zemra fort, sepse do t’i jepet mundësia të shëtisë nëpër Elbasan. Në ullishtë kishte vende të ngrohta, qysh në mes të shkurtit, dhe fëmijë e të rritur do t’i shihje t’u gëzoheshin rrezeve të diellit, luleve të para dhe zogjve. Sa herë është ulur ai duke soditur i magjepsur një lëndinë me lule dhe bar!

“Cili nga ju ka parë fushë mali me bathra? Një fushë e tillë është pranë Elbasanit, mbi disa shkëmbinj të fshatit Baltës. Me mijëra dhe mijëra lule majë një kërcelli të gjatë, kthejnë nga dielli një si karafil të bardhë, me zemrën të verdhë. Të duket se kundërmon natyra gjithë. Fryn një fllad i parfumuar, i cili vjen që tutje, përtej malesh e detesh. Atëherë thua me vete: sa e bukur është kjo botë!” (Lulet dhe patëllxhanët, në librin Tregime të zgjedhura për fëmijë, 1975, f. 62).

Shuteriqi e kaloi një pjesë të madhe të fëmijërinë e të rinisë së parë në Elbasan dhe Korçë dhe ka ndërtuar në mënyrë pak a shumë të pavullnetshme një mikrohistori për jetën e tij në këto dy qytete. Gjatë këtyre viteve fantazia e tij u ushqye me ngjarjet e kohës që kërkonte ndryshime. Shumë hollësi marrin një vlerë të vërtetë rrëfimtarie dhe mund të pohojmë me plot gojën se ato transformohen në motive qendrore në poetikën e tij shkrimore.

Të marrim rastin e kthimit në atdhe nga Franca e studimeve universitare për të luftuar fashizmin. Një mëngjes ai gjendet në Portin e Durrësit. Por nuk ndodh si para gjashtë vjetësh, kur niset dhe gjendet me zemrën të gëzuar një mëngjes në Bari të Italisë. Atij shumë gjëra tani i duken ndryshe. Shqipëria ishte e pushtuar:

“Durrësi ishte bërë i zhurmshëm. Tamam si Italia. Kudo flitej italisht. Në një pjesë të trotuarit, në bulevardin kryesor ishte vendosur një orkestër gati për të filluar. Nga çdo anë dëgjoheshin këngë italiane. Sa eca disa metra, filloi një këngë italisht për pranverën. Bulevardi kryesor nxinte nga këmishëzinjtë” (Bisedë, qershor 1995).

Në bulevardin me një emër të ri e të urryer” Mussolini”, ai sheh me sy pushtimin e vërtetë dhe merr rrugën menjëherë për Tiranë. Duke udhëtuar, vështron tokat djerrë dhe ferrat anës rrugës, që janë ashtu si katër vjet më parë. Edhe rruga për në Elbasan është ashtu si e ka lënë herën e fundit. Thuajse e braktisur. Pa asnjë ndryshim. Sa hyn në Elbasan atij i shtohet ankthi. Ai qytet i dashur, trualli që ishte vendlindja e tij, i duket si diçka e stisur.

“Porta e Kalasë m’u duk fare e ulët. Më tej edhe xhamisë sikur ia kishin rrëzuar minarenë. Kurse shtëpitë e rrugicës sonë më ngjanë të vogla e me çati aq të ulëta, sa mund t’i prekja me dorë” (Bisedë, qershor 1995).

Ai vështron i pikëlluar peizazhin rreth e qark dhe hyn në oborr. I do lulet, por sesi i ngjasojnë tani! Pa ngjyrë. Edhe shtëpinë e gjen ashtu si e pati lënë. Mbretëron një qetësi e pakuptueshme. Telegrami i tij as që kishte vajtur dhe as që erdhi ndonjëherë.

Ai hyn në dhomën e zjarrit. Nuk u beson syve. Një kusi rri mbi kamje. “Moma e vë xhezven” në prush për të bërë kafen. Djalit të zhytur në mendime të zymta” si ajo bloza që kishte nxirë petavrat”, i hyjnë të dridhurat dhe e sheh veten tek afrohet te vatra. ثshtë korrik, bën vapë, por ai sepse ndien të ftohtë. Duke pirë kafe, kërkon edhe një “gastall” raki, që e kthen dhe e mbush prapë. “Moma” ia hedh sytë disi e trembur, se “mos është bërë pijanik”, ai që nuk kishte pirë kurrë. Por djalin e ka vrarë e vërteta e hidhur e vendit të tij. Mes monologut të heshtur ravijëzohet pyetja:

“Si do të jetë e ardhmja ime në një atdhe të pushtuar? !” (Fletë nga jeta ime, tekst i pabotuar. Arkivi familjar).

Kur kalojnë disa ditë, ai bën lidhjen me Partinë Komuniste përmes Ptoleme Xhuvanit. Ptolemeu sapo ka dalë nga burgu. Në shtator ai nis jetën ilegale. Sigurisht, jeta ilegale e Shuteriqit si e shumë të tjerëve ka mbetur një histori e pashkruar, por djalëria shqiptare iu gjend mëmëdheut në ditën e tij më të vështirë. Bisha nazifashiste po i vë zjarrin botës, prandaj duhet ndalur dora e saj. Ndjenja e luftës për liri i ka rrënjët thellë në ndërgjegjen kolektive të njerëzve. Ndaj një natë qershori kur kthehet nga puna në terren dhe në qytet është shpallur shtetrrethimi, ai pret muzgun dhe arratiset për të dalë partizan në mal. Kapërcen nëpër errësirë nga kopshti në kopsht dhe mbërrin në periferi të qytetit. Ai djaloshi që vjeshtën e vitit ’36, duke udhëtuar për në Francë, i kishte premtuar vetes se gjallë a vdekur do të kthehej në Shqipëri, ja ku ishte tani gati për të vdekur për një çështje të madhe.

“Vendi ku u mblodhëm ishte shtëpia e Sulë Paprit, pranë stacionit të sotëm të trenit. Ishim rreth njëzet ilegalë e që andej në mesnatë hodhëm Shkumbinin dhe dolëm në mal. Italianët nuk na diktuan as kur kaluam lumin. Mëngjesi na gjeti në malësitë e Shpatit. Fashistët nuk zunë asnjë nga ata që kërkonin. Atë natë tërë qyteti u tregua solidar me ilegalët. Populli e quajti lagjen Kala “Stalingrad” (Bisedë, qershor 1995).

Fillimisht ata ndalen në Trepsanisht (Dokë Trepsanishti, personazh i njërit prej tregimeve të tij, prej atij vendi është), një fshat në hyrje të krahinës në një shtëpi që ishte” krejt e zezë, plot tym e blozë. Atje të gjithë zunë morra. Kishte morra pafund”, thoshte Shuteriqi.

Episodet e veçanta të luftës partizane do të gjejnë mishërimin e tyre më pas në tekstet e tij letrare, me natyrshmëri dhe me vërtetësi. Kudo ndodhin histori të vogla, të cilat ai nuk i harronte. Një natë që e kalojnë në Golik të Mokrës, partizanët që do të formojnë batalionin e Bërzeshtës përgatiten për betejë. Në mëngjes herët mbërrijnë në Fushën e Pojskës, buzë liqenit të Pogradecit.

“Reshit اollaku bën planin konkret të betejës, duke vizatuar në dhé në një vend të sheshtë. ثshtë agimi i 16 korrikut 1943” (Bisedë, qershor 1995).

Në këtë datë zhvillohet Beteja e Pojskës. Dhimitri mbetet gjallë mes asaj kasaphane të madhe. Me një grup shokësh ai niset për të shkuar në Manastirec, ashtu si ishte vendosur që përpara betejës.

“Duke ecur, plasi një vaj pranë një are me misër. Bombat kishin vrarë një nuse të re. Me sa duket ajo kishte qenë në arë duke prashitur apo duke ujitur dhe pushonte duke i dhënë gji fëmijës, se një foshnjë qante fort pranë sisës së nxjerrë, ndërsa ajo dergjej e shtrirë për tokë me gojën plot gjak. Ishte një grua e bukur me bishtaleca. Një fëmijë tjetër dhe një grua e moshuar zunë t’i fërkonin ballin, por nusja mbaroi në duart e tyre. Britmat e grave që nxitonin drejt saj ishin ngjethëse” (Bisedë, qershor 1995).

“Si e gjallë, Esmazeza, Esma !” (Natë lufte mbi Shkumbin, vepra 5, f.273).

Ata dërrmohen fare shpirtërisht. Në një pllajë të Golikut, në fshatin Rodokal, një burrë prashit në një kopsht pranë një shtëpie:

“Mezi i dallohen lëvizjet që bën duke çukitur dheun, për të ndarë ujët nëpër lehe dhe duke i dëgjuar dheut shushuritjen e etjes që ai shuan” (Natë lufte mbi Shkumbin, vepra 5, f.273).

Burri u afrohet partizanëve dhe i pyet me ankth: “U vra?” Ai e ka dëgjuar oshtimën e betejës dhe fjalën e ka me siguri për Reshitin. Reshiti kishte luftuar në ato anë. Burri e quante “Reshiti shpirtndrituri” (Bisedë, qershor 1995).

Në Manastirec Dhimitri bleu dy palë opinga, një palë për vete dhe një palë për Ptolemeun, shokun e tij të ngushtë që nuk i veshi dot. Pas pak ai e mësoi të vërtetën e pabesueshme. Beteja kishte qenë një nga humbjet më të mëdha të ushtrisë partizane. Dihej tradhtia e Ballit Kombëtar, por nuk besohej se do të shkonte deri aty. U vra gati i gjithë shtabi i dy batalioneve, duke filluar me komandantin trim të Batalionit të Mokrës, Reshit اollakun e duke vazhduar me trimat e tjerë Siri Kodra dhe Spiro Gjiknuri, njëri zëvendëskomandant dhe tjetri zëvendëskomisar i batalionit të Dumresë, Ptoleme Xhuvani, shok i tij, Isuf Leka e Petrit Blloshmi e të tjerë. Itinerari mortor ishte i gjatë.

Pas një jave, më 23 korrik, si kundërpërgjigje e asaj kasaphane, krijohet batalioni Qukës-Bërzeshtë me komandant Lutfi Lekën, zv.komandant Hysen Blloshmin dhe me komisar Dhimitër S. Shuteriqin. Me frymëzimin e hidhur të betejës së humbur, poeti hedh në bllok vargjet e para të poemës elegjiake” O Ptoleme!”, një krijim tronditës me një stil modern, të drejtpërdrejtë:

“ا’të jenë, o Ptoleme?/ ا’të jenë, o gur, o bush, o dhé? / ا’të jenë o Piskupat, / o gjol, o dritë, o Mal i Thatë? / ا’të jenë këta të ngratë? / Gjakbamë? Bukëshkalë? / Gojëprishë? Nderprishë? /Qorr e sakat? / Apo shqiptarë barbarë?”

Poemën “O Ptoleme!”, që e mbaroi në mal pjesë-pjesë, Shuteriqi e botoi fillimisht te gazeta “Shkumbini”, në Elbasan, më 16 janar 1945, pastaj te revista “Bota e re”, nr.1, korrik 1945. Si libër e radhiti dhe e shtypi vetë në shtypshkronjën “Saide” të Elbasanit, më 23 shtator 1945.

Copëzat e rastësishme të jetës së shkrimtarit, të shpërndara aty këtu nëpër tekste, formojnë një roman biografik që ndërtohet pa dashur nëpërmjet episodeve kyçe të jetës së tij. Në këtë mënyrë, liria për të qëmtuar ngjarje për projektin e një portreti të madh, nisur nga një autoportret i vogël, është e natyrshme. Vërtetësia lejon të dëgjohen ninullat e një përkushtimi të pastër letrar. Shkrimtari ngre një mit, jehona e të cilit ndërfutet në një shumësi formash që parathonë vijat e pakthyeshme të së ardhmes së tij letrare. Kjo shenjë gjendet në të gjithë veprën e Shuteriqit:

“Gjithë jetën kam shkruar duke kërkuar diçka. Idetë më vinin me shumicë. Kështu dita-ditës u formësuan veprat e mia, sidomos ato studimore, që mbase ndonjë prej tyre do t’u vlente studiuesve të rinj. Kam jetuar gjithnjë me shqetësimin për të punuar. Tani mund të them se ka një lloj organizimi të brendshëm në veprën time. Proza ka qenë si një moment çlodhjeje. Merrja frymë kur më mbyste shkenca”. (Bisedë, shtator 1999).

Ai do ta ruajë përjetësisht Elbasanin si gjë të shtrenjtë në kujtimet e tij nostalgjike:

“Elbasani kishte për mua një tërheqje të madhe, ashtu si ndodh me atë që bie në dashuri” (Bisedë, korrik 2001).

Episodet e jetës të shpërndara në vepër, bisedat dhe copërat e kujtimeve historike, ushtrojnë magjinë dhe pushtetin në një mënyrë të atillë që asnjë dokument tjetër nuk mund t’i zëvendësojë. Ato na ndihmojnë ta pasurojmë edhe më imazhin tonë për shkrimtarin Dhimitër S. Shuteriqi, për të cilin ngjitja tek e vërteta, varet jo nga forma e saj, por nga mënyra sesi e vështron ai objektin.

Në të vërtetë historia e jetës së Shuteriqit vjen përmes mendimit që bën një sintezë të vazhdueshme me mendimin e lexuesit. Kujtimet historike janë ngurrosur në një kujtesë letrare që do të ndërtojë të ardhmen historike të jetës së tij dhe do të formojë disa shtylla argumentesh të fuqishme për të interpretuar materialisht veprën që ka lënë. Ajo është një dialektikë e qëndrueshme që shmang transformimet artificiale dhe ndihmon të hyjmë tek e vërteta e tij krijuese.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top