Arti shkëmbor në Shqipëri

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Gjatë dyzetë viteve (1966-2006) të kërkimeve në tërë territorin e Shqipërisë, kam mundur të zbuloj dhe të grumbulloj të dhëna e dokumentacion grafik e fotografik të bollshëm për pikturën e Lepenicës (Vlorë), të Rubikut, të Reçit (Dibër), të Xibrit (Mat), të Bovillës (Tiranë) dhe Trenit (Korçë). Gjithashtu kam grumbulluar të dhëna edhe për pikturën e Vlashnjës që ndodhet në afërsi të Prizrenit (Kosovë), të cilat së toku më japin mundësinë të bëj disa vlerësime e përgjithësime. Pikturat dhe gdhendjet shkëmbore ruajnë kujtimet e shoqërive prehistorike, ashtu si katedralet dhe muzetë arkeologjikë ruajnë dëshmitë për shoqëritë urbane. Arti prehistorik na ndihmon të kuptojmë evolucionin e shoqërisë njerëzore, na dëshmon për mitet e lashta, për besimet, për veprimtaritë parësore në jetën e banorëve të lashtë, për veçoritë individuale të kuptimit e perceptimit të botës reale e imagjinare, të mendjes dhe të ndjenjave të krijuesve të këtyre veprave.
Piktura e Lepenicës
Piktura e Lepenicës gjendet në një strehë shkëmbi në malin e fshatit Lepenicë (Vlorë) me një lartësi prej 800 m mbi nivelin e detit. Ajo përbëhet nga 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta, të pikturuara me vija të gjera, me bojë minerale në ngjyrë kafe.
Piktura e Vlashnjës
Në perëndim të qytetit të Prizrenit, 4 km larg fshatit Vlashnjë, aty ku Drini i Bardhë bashkohet me lumin e Prizrenit, lartësohet një masiv shkëmbor, në faqen e të cilit është bërë piktura e Vlashnjës. Piktura përbëhet nga 11 rrathë në formë spirale dhe një dre, të pikturuar me bojë të kuqe.
Piktura e Rubikut
Piktura e Rubikut gjendet 3.5 km në veri-perëndim të qytetit të Rubikut, në periferi të fshatit Bulqizë e Epërme. Piktura është realizuar në strehën e një shkëmbi që ka pozicion dominues mbi të gjithë luginën. Me bojë të bardhë janë pikturuar disa rrathë me shumë rreze të kombinuara me figura antropomorfe.
Vizatimi i Reçit
Vizatimi shkëmbor i Reçit gjendet në afërsi të luginës së Drinit të Zi, në masivin shkëmbor të Gjur-Reçit. Vizatimi është bërë në faqen vertikale të shkëmbit me teknikën e inçizimit. Motivi kryesor është ai rrathëve me shumë rreze, me madhësi të ndryshme. Ka edhe figura antropomorfe e motive të tjera më të thjeshta.
Vizatimi i Xibrit
Vizatimi shkëmbor i Xibrit gjendet pranë fshatit homonim të rrethit të Matit, i njohur nga vendasit “Shpella e Shkruar”. Ai është realizuar në faqen vertikale të shkëmbit, në një sipërfaqe të madhe (40m x 1.80m). Edhe në Xibër motivi kryesor është ai i rrathëve me shumë rreze, me madhësi të ndryshme. Rrathët janë bërë me vija të thelluara në shkëmb dhe janë vendosur në 3-4 grupe bashkë.
Piktura e Bovillës
Piktura e Bovillës gjendet 15 km në veri të Tiranës, në afërsi të fshatit Babru, në kanionin e bukur që formon lumi i Bovillës. Në faqen vertikale të një masivi shkëmbor, që zotëron gjithë kanionin, në një sipërfaqe prej 11 m gjatësi e 5.30 m lartësi janë vizatuar me bojë të bardhë 14 figura, të përbëra nga rrathë me shumë rreze dhe kryqe të thjeshtë.
Piktura e Trenit
Piktura e Trenit gjendet buzë liqenit të Prespës së Vogël, e bërë në faqen e shkëmbit të Spilesë (që njihet nga vendasit me emrin “Shpella e shkruar”. Ajo paraqet një skenë gjuetie ku katër kalorës me qentë e tyre ndjekin një dre. Figurat janë paraqitur në siluetë, të bëra me bojë të bardhë.
Pa u ndalur në përshkrimin e hollësishëm të pikturës të Lepenicës, të Rubikut, të Vlashnjes, i vizatimit të Reçit, të Xibrit, si dhe i pikturës së Bovillës e pikturës së Trenit, mund të nxjerrim disa përfundimeve për të gjitha veprat e artit shkëmbor të zbuluara në Shqipëri e më gjerë.
Vendi ku janë bërë këto vepra ka një pozicion dominues mbi gjithë territorin dhe në shumicën e rasteve në lartësi të konsiderueshme nga niveli i detit. Tipik është pozicioni i strehës së Lepenicës, i shkëmbit të Xibrit, të Trenit, të Bovillës etj. Midis masiveve shkëmbore ka një zgjedhje që ka ardhur si rezultat i njohjes shumë të mirë të formacioneve shkëmbore. Pikturat janë bërë në shkëmbinj që i takojnë formacioneve të tercialit që kanë një fortësi të qëndrueshme nga agjentët atmosferikë dhe formojnë faqe të lëmuara, siç është shkëmbi i Spilesë (Tren), shkëmbi i Xibrit, i Reçit, i Bovillës etj.

Shkëmbinjtë e zgjedhur për realizimin e pikturave shkëmbore gjenden në afërsi të vendbanimeve, në një distancë, që mund të shkohet në rastet ceremoniale, p.sh: Shkëmbi i Spilesë është gjysmë km larg vendbanimit të Trenit, piktura e Vlashnjes gjendet 1,5 km larg vendbanimit, piktura e Lepenicës është disa kilometra nga shpella e Velçës. Të para në shpërndarjen gjeografike, çdonjëri nga realizimet e artit shkëmbor i takonte një zone të caktuar. Piktura e Lepenicës gjendet në Shqipërinë Jugperëndimore, piktura e Trenit në Shqipërinë Juglindore, piktura e Bovillës në Shqipërinë e Mesme, piktura e Rubikut në Shqipërinë e brendshme Veriperëndimore, incizimi i Xibrit në Shqipërinë e brendshme Qendrore, incizimi i Reçit në Shqipërinë Verilindore dhe piktura e Vlashnjes pak kilometra jashtë kufirit verilindor të Shqipërisë.

Për të kuptuar e interpretuar më mirë dhe për të datuar artin shkëmbor të vendit tonë, na vijnë në ndihmë elementet e përbashkëta që vihen re, janë të pranishme edhe në artin shkëmbor të vendeve të tjera. Gjeografikisht më afër është piktura e Lipcit, (në Mal të Zi) po jo vetëm kaq. Afërsitë konsistojnë në zgjedhjen e vendit (shkëmbit) për pikturim, në paraqitjen e figurave në siluetë (dreri), në praninë e figurave gjeometrike etj., dhe në realizimin me të njëjtën bojë të bardhë.
 
Më në veri të Bosnjës Perëndimore është piktura e Zlijebit, gjithashtu e konceptuar e realizuar me të njëjtët parametra. ثshtë bërë në faqen e një shkëmbi ku shkohet me vështirësi e që ka në përmbajtje figura të njëjta antropomorfe si Lepenica të kombinuara me ideograme dhe të bëra me bojë të bardhë. Në territorin tjetër të Ballkanit (për aq sa e njohim) figurat antropomorfe të Lepenicës e Rubikut kanë analogji vetëm me figurat antropomorfe të Tsoga-rit në Maqedoninë greke. Me vlerë të veçantë janë padyshim ngjashmëritë me artin shkëmbor të Valcamonica në Italinë e Veriut, ku gjatë epokës së neolitit, eneolitit, bronzit e hekurit, lindi u zhvillua e lulëzoi një art shkëmbor i përfaqësuar nga dhjetëra e mijëra motive e figura të thjeshta e të kompozuara, me skena nga më të ndryshmet. Dhe në këtë shumësi ideogramesh e piktogramesh të artit të Valcamonica, gjejnë simotrat e tyre motivet e figurat e artit tonë shkëmbor si figurat antropomorfe, figurat gjeometrike, përdorimi i simbolit të pikës, kryqi me krahë të barabartë, rrethi me shumë rreze, motivi i spirales dhe figura zoomorfe si dreri dhe kali. Tërësia e këtyre ngjashmërive është shprehje e koncepteve mistiko-religjipoze të përbashkëta, dëshmi e stadit të njëjtë të zhvillimit shoqëror.

Piktura e Lepenicës, e Rubikut, e Bovillës, e Trenit, e Vlashnjes, incizimi i Reçit e i Xibrit si edhe piktura e Lipcit dhe ajo e Zhlijebit karakterizohen nga një tog elementesh të përbashkëta, janë vepra të artit shkëmbor të bëra në kufirin kohor nga mijëvjeçari i katërt në mijëvjeçarin e parë p.e.re. Në vështrimin gjeografik të kohës antike, ato i takojnë territorit të Ilirisë së Jugut .

Piktura e Trenit është vepër e banorëve të vendbanimit të Trenit, i cili gjatë mijëvjeçarit të dytë e mijëvjeçarit të parë p.e.re. ka pasur një jetë intensive. Piktura e Trenit ashtu si edhe veprat e tjera të artit shkëmbor janë krijime të popullsive me jetëgjatësi banimi d.m.th. të popullsive autoktone(në kuptimin relativ). Rrjedhimisht piktura e Rubikut, e Bovillës, e Vlashnjës, si edhe incizimi i Reçit e i Xibrit, që u krijuan në territorin e Ballkanit Perëndimor, janë vepra të popullsisë paleoilire, protoilire a të një substrati etnokulturor më të hershëm, të po atij territori ku në epokën historike jetonin ilirët e jugut.
Arti shkëmbor transmeton mesazhet e brezave të krijuar si grumbullim e përgjithësim i gjërave, i fenomeneve, i veprimtarive që janë përsëritur me mijëra herë e nga shumë breza. Artisti anonim i ka shprehur ato në mënyra artistike në piktura a forma më të thjeshta si piktograme, ideograme etj. Kështu në një formë apo në një tjetër me figurat antropomorfe, me rrathët me shumë rreze, me spiralet, me figurat e çrregullta gjeometrike, me pikat e thjeshta, me vijat etj., njeriu prehistorik ka përgjithësuar një aspekt të veprimtarisë jetësore, mistiko-religjioze, rrjedhimisht atë që nuk ka mundur, ditur ta “shkruaj” e ka shprehur me figura, me rrathë, me vija, pra me simbole, të bëra me bojë apo të incizuara.

Arti shkëmbor i epokës neolitike e pas neolitike ndryshon tërësisht nga arti i epokës paleolitike. Në epokën gjeologjike të holocenit (10.000 vjet më parë) vendin e figurave reale e pikturave “gjeniale” të Laskout (Francë) e zunë vizatimet abstrakte e skematike. Këto ndryshime filluan të duken qysh në periudhën e kulturës azilien, ku vendin e pikturave e zunë vizatime të thjeshta skematike, të cilat shumë studiues tentuan t’i interpretonin si shenja të shkrimit. Dhe sa më afër kohës së re aq më qartë duket perëndimi i artit të mrekullueshëm realist i paleolitit. Në shumë vende filluan të shihen shenjat e artit të ri të epokës së neolitit. Arti i ri shkëmbor zhvillimin e tij e njohu gjatë epokës së neolitit të vonë, epokës së bronzit dhe asaj të hekurit të hershëm. Ai ishte një art i ri që kishte “gjuhën” e vet artistike të piktogrameve, ideogrameve, gjuhën e figurave gjeometrike, të simboleve universale siç ishte p.sh. rrethi , kryqi e spiralia për diellin, apo figura skematike antropomorfe e figurat e çrregullta me shumë ndarje e pika në mes.

Midis studiuesve të artit shkëmbor ka pikëpamje e mendime nga më të ndryshmet në leximin dhe zbërthimin e mesazheve që ato transmentojnë nga thellësia e mijëvjeçarëve. Studiuesit kanë diskutuar shumë edhe për shkaqet e ndryshimit të madh d.m.th., kalimit nga “arti plastik i njerëzve të epokës së akullnajave (paleolitit), në artin ideoplastik të epokës së holocenit (neolitit e vazhdim)”.

Shkaku i vërtetë e themelor duhet kërkuar në rrënjët e ndryshimit të botëkuptimit e njerëzve, gjë që ishte e lidhur me kalimin nga ekonomia e gjuetisë e mbledhjes së produkteve të gatshme, në lindjen e bujqësisë e të blegtorisë. Vërtetësinë e këtij shkaku e provon fakti që ata popuj që mbetën në stadin e paleolitit d.m.th. të ekonomisë së gjuetisë e mbledhjes së produkteve, vazhduan të njëjtin art. Në përfundim të “udhëtimit tonë” nga Lepenica në Vlashnjë, në Rubik, në Reç, në Xibër, në Bovillë e në Tren, ju kemi njohur me një nga veprimtaritë më të spikatura të qytetërimit prehistorik, me veprat monumentale a përmendoret e pre e protohistorisë që gjenden në territorin e Shqipërisë. Ato, me gjuhën e njësuar të piktogrameve e ideogrameve, bartin një mesazh të madh që na çon në përfundimin se: Sa shumë gjëra të përbashkëta kishte midis njerëzve; Sa shumë gjëra të përbashkëta do të ketë në të ardhmen njerëzimi. TO
 
Titulli: Arti shkëmbor në Shqipëri

Piktura e Trenit

image1.jpg
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top