Artan Gjyzel Hasani

CORONAKARMA as tani nuk e kupton, o njeri, as tani qe u trondit nga themelet bota? është karma çfarë po ndodh me ne është vullneti i Saj, i Tij i Zotit që zumë me gurë i Natyrës që dikur e quanim “Mëmë” dhe e vumë poshtë për ta përdhunuar… inçesti ynë i përditshëm që lind monstra… karma për miliardat atomike dhe luftërat e pafund karma për mjekun që vdes në betejë kundër krimit tuaj karma për sheikët dhe naftën që ua zëvëndësoi gjakun karma për turpin e qytetërimit, Dhimbjen e Zezë, Afrikën karma e miliona jeteve që shuhen për një pikë ujë karma për pyje të djegur dhe për miliona katërkëmbësha fqinjët tanë të pafajshëm që nga ty u bënë hi karma për revolverët që zëvëndësuan lodrat karma për fëmijët që nuk kanë më babë e nënë por kane prindër nr.1 e nr.2 karma për ata që shkuan përtej binarëve karma për Sodomat dhe Gomorat moderne karma për idiotët krenarë që ju i shtuat karma për mendjebythëhapurit dhe indiferentët karma për shkencën brilante që nuk zhduk varfërinë por gruas i vë një karuc dhe e bën burrë dhe në gjoksin leshator të koqeprerit mbjell gjinj … karma për egot dhe dëshirat tona të shfrenuara për epshet tona drejt lavdisë, triumfit, parasë karma për duartrokitësit e paguar dhe trushplarët... në mëngjes Abelë, Kainë në muzg ngritëm dolli për delen Dolly pa e kuptuar që ne ishim ajo dhe erdhi një kohë kur Mbinjeriu i laboratorëve pushtoi Galaktikat, mposhti zotat dhe pastaj u tërhoq zvarrë nga një virus I bëtë të gjitha… nga Bir i Natyrës dhe Rob i Zotit u bëtë Skllav i Silikonit dhe Pjellë e Djallit Çfarë iu ka ngelur akoma? Deshët të ishit Zotër mbi Zotin dhe Natyrën mbi Diellin, dhe Shiun, Dheun dhe Ujin Rrufetë dhe Dëborën, Kohën dhe Hapësirën dhe nën sundimin tuaj i gjithë njerëzimi? Ja, u bë vullneti juaj, o mëndjendyrë! Mbi kokat tuaja djallezore Karma vuri Kurorën… dhe ky është veç fillimi…


(nga vellimi poetik "IMORALISTI", 2020) ©Artan Gjyzel Hasani
 
ZHVISHU!

Kështu qënka jeta
ëndrra
gëzime
hidhërime
urojmë për ditëlindje
ngushëllojmë për vdekje
dhe ikim udhës që zvogëlohet
të zbukuruar me dinjitetin superb
mbushur me krenarinë idioteske
madhështinë tonë qesharake veshur deri në fyt
delire përjetësie milingonash të bujshme
dhe kemi mbuluar me sukses
çdo centimetër të vetes
në mënyrë që të mos na njohë askush
të dukemi njësoj
këtej dhe matanë
nga lart e nga poshtë
nga brenda dhe jashtë
se ndryshe si do na buzëqeshin të ngjajshmit tanë?
zhvishu, njeri, zhvishu,
dhe lëri edhe ata të zhvishen
para se të t’i shqyejë maskat
tjetri që brenda teje rritet …
se vërtet dëbora flokët e vet shkul
i hedh mbi shtëpitë dhe rrugët
për të na bërë më të bardhë
por rrezja e diellit që shkrin çdo gjë
e zhvesh qytetin …
në rrugë do shfaqen kafshë të ngordhura
me sytë hapur
dhe jo gjurmë hapash që kurrë s’i bëmë
për të mos vrarë bardhësinë e falur
e të rreme…
zhvishu, njeri, zhvishu,
ndoshta jam qyteti yt
ku ti shëtit pa e ditur…
 
NJE POEME E LODHSHME PER ÇKA MBETI

e gjatë shumë kjo udhë e jetës së shkurtër
ndërprerë nga ëndrra në ëndërr
këputur nga zgjime mediokre
banale si rutina

më lodhi rrugëtimi i lehtë drejt të nesërmes
i rremë si leximi i fatit në krahët e fluturës
dhe besova se ashtu ishte e shkruar
por ligjet e natyrës mbarojnë aty ku fillon dashuria
në peshoren e saj përmbysen të gjitha balancat e jetës

aty një njeri i vetëm
rëndon më shumë se miliona të tjerë
dhe nga të gjithë gurët që mbajtem mbi shpinë
më i rëndi ishte guri i vetes
kur të tjerët i deshëm
herë shumë
herë pak
por kurrë sa duhej…

fryn erë brenda meje këtë natë
edhe pse i kam mbyllur dritaret e qiellit
por këto më vinë ndërmend
kur mëndjen dua të humbas
pa e vrarë për asgjë të mirë që ndoshta ka mbetur
kthinave të padukshme ku shpirti rreh si zemër
dhe i mbytur nga përgjigjet e pyetjeve që s’u bënë kurrë
zhytur në gjërat që dot s’i bëra
përpiqem të notoj anash vetes
pa e prekur…

(nga vellimi poetik "IMORALISTI“, 2020)
©artangjyzelhasani
 
BARDHA E KALTER

Mbaje në gjoks tani se ia lehtëson ikjen, tha infermierja,
dhe unë të shtrëngova fort në gjoksin tim, nënë…
dy herë ta kisha parë aq afër fytyrën, gojën, sytë
veç kur si foshnjë më jepje gji
dhe në çastet kur po jepje shpirt….
nuk e di sa të mbajta ashtu shtrënguar
aq gjatë sa një jetë e tërë
aq shumë sa vdekja humbi kuptimin
vdiqa çdo çast në gjoksin tënd atë ditë
për të më ringjallur hij’ e mortjes mijëra herë…
më vështroje në sy sikur më kërkoje të falur
që nuk po të dilte shpirti lehtë…
më buzëqeshje sikur më thoje ja edhe pak
edhe pak bir,
edhe pak e do të shkoj atje…
nuk ishte e zezë mortja jote, nënë,
si dheu kur bëhet varr…
është e bardhë në të kaltër
çka mbetet kur një ëngjëll ikën lart...
kam kaq mall të jem pranë teje
nga dritare e avioneve gjithnjë e kërkoj
por nuk gjej dot shpirtin tënd
dhe kuptoj që ka ikur më lart…
ishte qiell brenda një reje…
 
ÇATI FLUTURUESE ESHTE DASHURIA…

…por kur jemi të pastrehë nuk e dimë...
ngrejmë muret mbrojtëse dhe dritaret
derën me çelës të lumtur,
bravën lozonjare,
e quajmë shtëpi
dhe fillojmë të banojmë në të
duke kujtuar se është përgjithnjë e jona
e fortë ndaj dimrit,
shiut,
tërmetit,
stuhisë
deri kur një ditë të bukur me diell
fëmija brenda nesh
e fshin shkujdesur nga vizatimi i tij...
 
POEMA E RËNIES
1
nuk i pamë gjethet kur ranë
ishim shumë të zënë
po flisnim për degët e thyera
2
se ne kurrë s’kemi kohë
të shohim gjërat ndërsa bien
gjethet në vjeshtë
a veten në dashuri
s’kishim parë më parë as shiun
kur iu këput një pikë fatlume
që s’ra përdhe, por mbi gjethen lagej
ai tingull delikat që pothuajse s’ndjehej
ishte valsi i gjethes para se të përbaltej...
3
nuk duam të jemi dëshmitarë okularë rrëzimesh
por konsumatorë shembullorë kortezhesh,
oratorë mëshirëplotë varrimesh
preferojmë të rënët kur fundin kanë prekur
kjo është zeja jonë ogurzezë
e ne jemi vërtet të mirë në të
absolutisht të mrekullueshëm
në artin e hipokrizisë së domosdoshme
për të bërë të ndjehet mirë një i vdekur...
4
por kur s’vdes dot a s’mund ta vrasin
njeriu bie në dashuri
e kjo do të thotë qe ajo aty poshtë tij qënka
duke pritur që ai të bjerë
si dheu për shiun
trotuari për gjethet
si rrezen e mengjesit kuverta e yjeve
tapeti jeshil i dhomës akoma të boshatisur
që pas pak rrëmujë do të bëhet
nga lodrat prej ëndrrash të të dyve...
5
në galerinë e dhimbjes sonë
ku vizitorët janë të tjerë
portreti i pritjes është malli
i vizatuar jo me penel,
por me brinjë nga një kraharor kali
që kurrë nuk di të na shpjerë...
6
mungesë peshe e atij që kujtuam se ishim
boshi që na mbjell në gjoks hija
pastaj gjithnjë vjen trishtimi
aq i hidhur kur vjen si buzëqeshje
madhështor rrëzimi kur bëhet rënie
e ti udhën teposhtë merr
vjedh frymë zbrazëtia, por gjurmë nuk lë
i verbër si tymi edhe ajri nganjëherë...
7
por tani ia dimë sekretin rrëzimit
dhe rënies së gjethes
sepse më parë kemi qenë shi
para se të bëheshim gjethe
shumë kohë para se të bëheshim një
kur dy ishim dhe rrëzoheshim te njëri-tjetri
ashtu…pa bujë…pa dëshmitarë…
si brenda vetes…
©artangjyzelhasani
 
VDEKJA MERR VEÇ TE VDEKURIT…

…jo të vrarët
nuk e di nëse ka mbetur akoma
ndonjë luftëtar i gjallë dhe trim
por lufta civile brenda meje vazhdon
jam vrarë mijëra herë një jetë të tërë
dhe po aq herë kam vrarë
fytyrën time kishin gjithnjë të rënët
dhe ata që dukeshin fitimtarë
viktimë dhe xhelat i një lufte pa shkak
të betejave që prisnin në radhë
si gra që pa kushte donin t’i jepeshin
një burri që dorëzohej duke dhënë…
i zija pritë vetes sime më të ndyrë
dhe më të bukurës nga të gjitha fytyrat
por gjithnjë vrisja veten time më të mirë
dhe hijen e saj të shëmtuar nga pasqyrat
i kapur rob nga vese të mrekullueshme
dorëzoja në morg virtytet e mia të vrara
dhe nuk ishte aksident, as vrasje nga pakujdesia
duhej ecur, që të mos vdisja duhej të ecja
udhë e vetme kjo luftë e padukshme brenda vetes
në mungesë të një armiku,
në mungesë të një tjetri
e vetmja zgjidhje kur nuk ke çfarë të zgjedhësh
mes veteve dhe Vetes
ndryshe nuk arrin dot kurrë atje
dhe që të arrish vërtet
duhet ecur vetëm….
dhe dal nga puseta e luftës sime civile
në rrugën tuaj te gjere e te madhe
hap atë kapakun e rëndë metalik
shtyj trupin lart
dhe gjëndem atje mes jush
mes atyre dhe këtyre
që nuk dinë asgjë për heshtjen time
por njohin veç të qeshurën e tyre...
ruajuni nga njeriu i heshtur, njerëz,
sidomos dhe veçanërisht mëngjeseve
çdo njeri i heshtur është një luftëtar
që e ka vrarë netëve mijëra herë veten e tij
dhe nuk do të të kursente…
(nga vellimi poetik "IDIOTICUS", 2022)
©artangjyzelhasani
 
FRIKE E DASHURA IME

do të bëjmë dashuri
ambientalisht të shëndetshme
pa ndotur jetën e të tjerëve
me lumturinë tonë të gjelbër
dhe nuk do të harrojmë se e nesërmja
u përket atyre trimave
për të cilët frika nuk është një armike e egër
një tirani që i tjetërson
por një mike e mençur që i mbron
herë nga vetja
herë nga të tjerët
zakonisht kur vjen
por më shumë kur shkon…
diçka që të kujton hutimin e degës
kur mbi të vjen e qëndron një zog
dhe fëshfërimën qortuese të gjetheve
pasi ai është larguar…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasan
 
DAFINAT E HUMBJES

kalorës pa kuaj jemi sot
troku imagjinar drejt lavdisë
nuk na bëri dot të lumtur
nga të gjitha dafinat
që vetes ia vumë mbi kokë
mbeti veç ajo e dashurisë së humbur…
jemi këmbësorë të rëndomtë
që plazheve plot rërë të kujtesës
me atë pajisjen metalkërkuese në dorë
kërkojnë diçka që vezullon
me shpresë se ndriçimi i saj
do t’ua përmirësojë shikimin…
por ne jemi mësuar të kalërojmë
përndryshe nuk mund të jemi të qetë
shalojmë veten dhe
kërkojmë dashurinë e humbur
dhe kur e gjejmë
kemi humbur vetë…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani
 
SHINING
trenat kanë ikur pa kthim
por shinat aty janë akoma
ndryshk i artë tej përtej trupit tim
zbukurimi i vetëm që më la koha
kur rëra brenda qelqit mbaroi
dhe dora kishte ngrirë…
dikur të bujshme këto shina
sot dëshmojnë histori pa emër
dhe u tregojnë udhëtarëve të vonuar
dhe atyre që mbërritën herët
se për të arritur në mendje
duhet kaluar më parë në zemër
dhe vetëm në kohën e duhur…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani
 
JAP ME QIRA VARRIN TIM TE THELLE…

…për ty që të rri ngushtë shpirti
dhe e cektë jeta
në vilën llamburitëse ku banon trupi yt
dhe ëndrrat e vrara nga zgjime të vrullshme
në gjumin e dikujt që nuk duhet të flinte…
jap me qira varrin tim
errësirë e garantuar
vetmi e suksesshme
qetësi olimpike
me çmim shumë të lirë
diku në dalje të parajsës
muaji i parë falas…
pagesat e tjera pas vdekjes
dhe nëse gjithçka shkon bukur e mirë
dhe ndahesh me këtë jetë si dy miq të vjetër
që janë takuar më shumë nga sa duhet
ka edhe një ofertë speciale të ferrit
mund ta ndajmë varrin tim sëbashku
por duhet të paguash më shumë
sepse njëri nga ne të dy
do të duhet të durojë bukurinë e tjetrit
dhe ai nuk do të jem unë
por pasqyrat e pathyera që solle me vete
këto mobilje të tepërta kujtimesh
në këtë vdekje të ëmbël
të butë e të padëmshme
si vështrimi yt i fundit atje lart
këtu poshtë mbi fytyrën time…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani
 
TE PAKTEN…
e bëmë dikur gabimin klasik
të dashnorëve të pamundur
që strehë dot kurrë s’ndërtuan
nuk pamë udhën tonë që shkonte përpara
por në sy njëri tjetrin më shumë se ç’duhej
dhe u rrëzuam…
a mund të bënim ndryshe vallë?
do të arrinim me sukses në fund të udhës
si dy bashkëudhëtarë të panjohur
dhe do të kishim strehën tonë të ngrohtë
skenën ku do të aktronim të lumtur
do të humbnim çastet duke numëruar orët
kotësia e pashmangshme e njërit
do të duartrokiste vetminë e tjetrit
në shtëpitë ku mungon gëzimi
pasqyrat janë spektatorët…
por më mirë kështu
njëri tjetrit i bëmë vend edhe kur s’kishte
dhe nuk do të vdesim si dy të panjohur
për mirë a për keq
dy të çmendur që rezultuan të arsyeshëm
kaosi harmonik i njërit
me paranojën e tjetrit mbarsur
të pangjashëm me askënd…
pra në djall udha e sigurtë për të dy
streha e ngrohtë dhe skena e lumtur
të paktën jemi dashur
edhe kur udhëhumbur
u pamë më shumë se ç’duhej në sy…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top