Antiamerikanizmi, as i majtë dhe as i djathtë në Ballkan

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
NGA: SHABAN MURATI


51309.jpg

Duket se ende nuk është kuptuar sa duhet se antiamerikanizmi nuk është më ideologji pas rënies së komunizmit, por është një interes politik apo një strategji gjeopolitike e forcave dhe e shteteve, që përplasen me politikën dhe me interesat e SHBA. Akoma më i madh është konfuzioni në dhe për vendet ish-komuniste të Ballkanit, ku element i strukturës ideologjike sunduese ka qenë në të kaluarën antiamerikanizmi, i cili në forma më të buta dhe më të sofistikuara, u transferua edhe në partitë e majta, që në demokraci trashëguan pushtetin e ri nga partitë e mëparshme komuniste. Analiza e vëmendshme e ecurisë, e dinamikës dhe e formave të shfaqjes në vendet ish-komuniste të Ballkanit, evidenton se antiamerikanizmi, ndonëse në forma latente, mbeti një element i jetës politike, por që fitoi veçorinë e re të shtrirjes në të dy polet qendrore të politikës, edhe tek e majta, edhe tek e djathta. E gjithë historia postkomuniste e shteteve ish-komuniste të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, jep prova të mjaftueshme për profilin gjithëpërfshirës të antiamerikanizmit si fenomen politik, me banim edhe tek e majta, edhe tek e djathta. Por, edhe pa hyrë thellë në këtë histori gjejmë edhe në ditët tona në jetën politike të Ballkanit ish-komunist fakte dhe prova tek e majta dhe tek e djathta, të prirjeve antiamerikane, që dalin herë pas here në sipërfaqe.
Kur parlamenti i Bullgarisë, i drejtuar nga mazhoranca e djathtë e partisë GERB, të kryeministrit Bojko Borisov, vendosi më 18 janar ligjin, që ndalon në mënyrë të përhershme eksplorimin dhe nxjerrjen e gazit në zonat shkëmbore, u bë e qartë se ky ishte një hap ligjor, politik dhe energjitik i qeverisë së djathtë bullgare, që drejtohej kundër interesave amerikane në Bullgari dhe në rajon. Kjo ka dy aspekte. Së pari, drejtohej kundër investimit dhe pranisë së një kompanie të fuqishme dhe të mirënjohur amerikane si "Chevron", e cila kishte fituar shtatë muaj më parë tenderin dhe të drejtën për eksplorimin e gazit shkëmbor në zonën verilindore të Bullgarisë. Tenderi për këtë lloj gazi ishte organizuar nga vetë qeveria e djathtë e kryeministrit Bojko Borisov dhe atë e fitoi brenda rregullave kompania amerikane. Se çfarë do të thotë që një qeveri ndërpret veprimtarinë e një kompanie gjigante amerikane, të cilës vetë ajo i ka akorduar tenderin, kjo mund të ndodhe vetëm në rajone, që nuk e kanë qejf rregullin si Ballkani. Pavarësisht se kompania "Chevron" është kompani private, janë të gjitha arsyet që sjellja qeveritare bullgare, e cila në rastin më të butët mund të quhet mungesë korrektësie partneriteti, qeveritare dhe shtetërore, të kuptohet se bie erë antiamerikanizëm. Së dyti, akti i qeverisë së djathtë bullgare drejtohet kundër një strategjie të njohur të SHBA dhe të BE për diversifikimit e burimeve energjetike të vendeve të aleancës atlantike dhe për pakësimin e varësisë nga Rusia. Nxjerrja e gazit shkëmbor me metodën e frakturës hidraulike është ndër më të përdorurat të në SHBA, dhe presidenti Barak Obama para pak kohësh shprehu mbështetjen e qeverisë amerikane për të gjitha format e burimeve energjetike, duke përfshirë edhe atë të gazit shkëmbor.
Ndaj dhe vendimi i papritur i parlamentit dhe i qeverisë së djathtë bullgare nuk kishte si të mos shërbente si një sinjal alarmi perëndimor për politikën e Bullgarisë në fushën energjetike dhe strategjike dhe për lojërat e mbidheshme dhe të nëndheshme, që po luhen në Ballkan, në planin gjeopolitik dhe gjeostrategjik. Eksperti i njohur bullgar, Aleks Aleksijev, ish-këshilltar i qeverisë së djathtë të kryeministrit Filip Dimitrov 18 vjet më parë, dhe që tani jeton në SHBA, deklaronte këto ditë se "ndalimi i gazit shkëmbor nga Bullgaria ka prodhuar më shumë se sa një reagim negativ këtu në Uashington. Duket se Bullgaria me politikën energjetike i shërben më shumë Rusisë dhe kjo gjë vështirë se mund të shkaktojë entuziazëm në Uashington". Lëvizjet diplomatike, që pasuan vendimin e qeverisë dhe të parlamentit bullgar, janë tepër domethënëse. Më 5 shkurt në Sofie shkoi për vizitë sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton, dhe më 9 shkurt në Sofie shkoi i dërguari i posaçëm i SHBA për energjinë Riçard Morningstar. Tema kryesore e bisedimeve amerikano-bullgare ishte energjia, dhe burime diplomatike bëjnë të ditur se një nga çështjet ishte pikërisht ajo e gazit shkëmbor të nxjerrë me metodën e frakturës hidraulike. I dërguari i posaçëm amerikan për energjinë deklaroi në Sofie se çmimi i gazit në SHBA është sa 20 për qind e çmimit të gazit në Bullgari dhe kjo i detyrohet shfrytëzimit të gazit shkëmbor në SHBA, bonuset e të cilit janë të mëdha. Jo rastësisht ai u kujtoi bullgarëve se gazi, që do të nxirrte kompania amerikane, kushton pesë herë më lirë se gazi, që Bullgaria importon nga Rusia. Jo rastësisht edhe Riçard Morningstar, edhe ambasadori amerikan në Sofie, Xhejms Uarlik, i tërhoqën vëmendjen Bullgarisë që vendimi të mos jetë rezultat i emocioneve.
Nuk është vështirë për të zbërthyer se emocioni i qeverisë së djathtë bullgare për gazin, në këtë rast kishte ngjyrë antiamerikane. Për më tepër, e gjithë ajo që ndodhi me fushatën dhe me kthesën kundër kompanisë amerikane, kishte një nxitje të qartë nga llobi rus dhe nga forcat proruse në Bullgari. Vetë ministri bullgar i ekonomisë dhe i energjisë, Trajço Trajkov, u detyrua të pranojë në media se protestat e ambientalistëve bullgarë kundër licencës së kompanisë amerikane, ishin të financuara nga kompania "Gazprom" e Rusisë.
Kjo evidenton një element tepër të rëndësishëm dhe aktual të zhvillimeve në jetën politike dhe shoqërore të vendeve ish-komuniste. اështja e gazit ka të bëjë me përplasje interesash mes orientimit properëndimor dhe orientimit prorus, të cilat ka aktualisht energjinë si një nga fushat kryesore të përplasjes. Nga ana tjetër, kjo evidenton nevojën e hulumtimit të dukurisë së re të karakterit dhe të burimeve të sponsorizimit të veprimtarive dhe të fushatave të zhurmshme ambientaliste në vendet ish-komuniste. Sepse organizimi i shoqatave dhe i protestave ambientaliste kundër kompanisë amerikane nuk është fenomen vetëm bullgar. Atë e shohim pothuajse në të gjitha vendet ish-komuniste, ku shoqata dhe grupe ambientaliste kanë një prirje të lexueshme kundër pranisë dhe investimeve të kompanive perëndimore. Kjo bëhet më e lexueshme kur konstaton se grupe dhe shoqata ambientaliste, pasi bëhen të zhurmshëm, bëhen të pasur dhe pas kësaj transformohen në ambicie, forca dhe parti politike.
Zhvillimet bullgare janë interesante për të analizuar më saktë dhe më drejt atë, që po ndodh në vendet ish-komuniste të Ballkanit, ku ka një lojë bizantine të qeverive dhe të partive të djathta për të pretenduar monopolin e proamerikanizmit. Antiamerikanizmi në këto vende nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por është produkt i filozofisë dhe i genit psikomental politik të udhëheqësve ish-komunistë të Ballkanit. Nuk është i majtë apo i djathtë, sepse klasa politike në vendet ish-komuniste të Ballkanit është e dalë nga e njëjta shkollë politike e nomenklaturës së dikurshme komuniste. Nuk është i majtë apo i djathtë, sepse regjimet në vendet ish-komuniste të Ballkanit karakterizohen nga prirje dhe politika autokratike, të cilat, qofshin me etiketa të majta, qofshin me etiketa të djathta, janë të papërputhshme me vlerat dhe standardet demokratike amerikane, e si të tilla nuk mund të kenë prirje tjetër, veçse antiamerikanizmin. Nuk është as i majtë dhe as i djathtë, sepse në vendet ish-komuniste të Ballkanit klima natyrale është korrupsioni i lartë qeveritar dhe korrupsioni nuk ka prirje demokratike apo perëndimore, por priret ndaj ryshfeteve dhe të pasurimit të shpejtë, të cilat i ka më të lehta t'i sigurojë në mentalitetet dhe në praktikat lindore, që nga Rusia e deri tek Kina. Një regjim autokrat dhe i korruptuar nuk mundet kurrë të jetë proamerikan i vërtetë. Nuk është i majtë apo i djathtë, sepse në vendet ish-komuniste të Ballkanit ka një prani dhe llob të fortë të Rusisë, të trashëguara që nga koha kur këto shtete ishin satelite të Moskës në kohën e kampit komunist sovjetik. ثshtë naive të mendohet se meqë ka kaluar shumë kohë nga ajo e kampit sovjetik, Rusia ka pushuar veprimtaritë ndërhyrëse dhe subversive në vendet ish-komuniste të Ballkanit. Ajo që ndodhi me shoqatat dhe grupet ambientaliste në Bullgari është sinjifikative për të treguar format dhe mjetet se si Rusia ndërhyn dhe përdor financime të mëdha për të organizuar dhe ndikuar opinionin publik dhe politikën në favor të interesave të saj.
Të njohësh Ballkanin dhe vendet ish-komuniste të Ballkanit do të thotë të kuptosh se antiamerikanizmi këtu nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por është në mentalitetin e trashëguar komunist, autokratik dhe antidemokratik të udhëheqjeve në këto vende. Anëtarësimi në NATO dhe në BE nuk i ka zhbërë këto mentalitete, por i ka bërë më të kamufluara, si dhe ka shtuar edhe më shumë ethet dhe ambicien e Rusisë për të krijuar turbullira dhe për të devijuar sa më shumë këto shtete ballkanike nga Perëndimi, nga SHBA dhe nga Europa.//Balkanweb.com
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 57.1%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 0 0.0%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 3 42.9%
Back
Top