Aleksandër Xhuvani: Arsimtari që iu përkushtua gjithë jetës gjuhës shqipe !

braziljania

Anëtar i Nderuar
Aleksandër Xhuvani është personalitet i shquar i gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare. Aleksandër Xhuvani ishte veprimtar i denjë politiko-shoqëror dhe mbante titullin profesor, ndërsa kishte marrë dekoratën "Mësues i Popullit".

I pari në listën e familjes së njohur elbasanase, ai i hapi rrugë pinjollëve të tjerë të shquar, të dalë tashmë nga kjo familje.

Arsimimi

Prof. dr. Aleksandër Xhuvani u lind në Elbasan më 14 mars 1880. Mësimet e para fillore i mori në shkollën greke në qytetin e lindjes. Kishte mësues Tush Pinën, që fshehtas u mësonte nxënësve edhe gjuhën shqipe. Mbaroi gjimnazin grek në Cotil të Maqedonisë dhe studimet e larta i kreu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Athinës në vitet 1902-1906. Që kur ishte nxënës e student nis të shkruajë për gjuhën shqipe.

Në gusht të vitit 1906 shkoi në Napoli dhe u njoh me Luigj Gurakuqin dhe Ismail Qemalin. Me ndihmën e tyre zuri punë në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit. Këtu krahas punës nis veprimtarinë patriotike dhe studimore, shkruante në shtypin e kohës artikuj gjuhësorë, letrarë dhe artistikë, ndonjëherë edhe politikë. Ai njihet mirë me gjuhën arbëreshe.

Pas shpalljes së Kushtetutës së Perandorisë Osmane më 23 korrik 1908, problemi i organizimit të shkollës në gjuhën shqipe doli në plan të parë.

Më 2-9 shtator 1909 u mbajt Kongresi i Elbasanit, i cili vendosi hapjen e shkollës Normale. Prof. Aleksandër Xhuvani u thirr si mësues në këtë shkollë. Në këtë kohë ai iu fut punës për hartimin e tekstit shkollor të gramatikës shqipe.

Shkolla Normale u mbyll pas ekspeditës ndëshkimore të Shefqet Turgut Pashës në verën e vitit 1910. Në këtë kohë, Xhuvani largohet për në Kajro, ku emërohet redaktor i gazetës “Shkreptima”. Gazeta mbyllet në vitin 1911 dhe A.Xhuvani shkon në Aleksandri, ku emërohet si sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”.

Kontributi

Aleksandër Xhuvani u kthye në Atdhe pas shpalljes së Pavarësisë dhe u emërua drejtor i Normales në vitet 1913-1914 dhe 1917-1920. Në vitin 1918 është iniciator i krijimit të shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit”.

Në verën e vitit 1920 ishte kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjës, që mori një sërë masash për organizimin e arsimit kombëtar dhe vendime për përcaktimin e terminologjisë shkollore. Gjatë viteve 1920-1922 punoi në Këshillin e Epërm Arsimor të Ministrisë së Arsimit. Kthehet drejtor i Normales në vitet 1922-1929.

Në vitet e luftës politike të viteve 1921-1924 merr pjesë aktive përkrah forcave demokratike.

Në vitin 1929-1933 shkon sërish në Ministrinë e Arsimit dhe pas vitit 1933 deri në vitin 1938 ai drejton shkollën Normale të Elbasanit. Në këtë vit shkon sërish në Ministrinë e Arsimit, por për ndjenjat patriotike në vitin 1940 u nxor jashtë kuadrit, duke mbetur në dispozicion për një kohë të gjatë.

Më tej kalon në Inspektorinë Qendrore, ku merret me përpilime tekstesh, shqyrtime dhe redaktime.
 
Angazhimi

Familja dhe vetë profesor Aleksandër Xhuvani e pritën me neveri pushtimin fashist. Ai përkrahu Luftën Antifashiste. Njëri nga djemtë, Ptoleme Xhuvani, ra heroikisht si dëshmor në korrik të vitit 1943. Vdekja e djalit e hidhëroi, por nuk e ndali profesorin në lëmin e kërkimeve dhe studimeve në fusha të ndryshme. Menjëherë pas luftës u thirr në Ministrinë e Arsimit, ku nis nga puna për hartimin e teksteve dhe metodologjive të reja. Jo vetëm kaq, por u bë edhe anëtar i Komisionit Iniciator për formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Nga janari i vitit 1947 deri në shtator 1953 punon si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe e të Letërsisë të Institutit të Shkencave. Këtu organizon jetën shkencore dhe dha ndihmesë të madhe në përgatitjen e kuadrove, sidomos në fushën e shkencave filologjike.

Deri në vitin 1957 ishte anëtar i Presidiumit të këtij instituti. Në vitin 1953 zhvillohet Konferenca e Ortografisë, e cila kodifikoi drejtshkrimin e shqipes.

Në vitin 1954 nën kujdesin e profesor Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”.

Që më 1945 ai zgjidhet përfaqësues i popullit në Asamblenë Kushtetuese dhe më pas deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit Popullor.

Për disa vjet me radhë zgjidhet edhe si nënkryetar i Kuvendit Popullor.

Vdiq më 23 nëntor 1961.

Aleksandër Xhuvani, figurë poliedrike

Aleksandër Xhuvani nuk ishte thjesht studiues i një fushe të caktuar. Ai u shqua edhe në realitete të tjera shkencore. Veç gjuhësisë dhe letërsisë ai shkëlqeu edhe në pedagogji, psikologji, histori, tekstologji, memorialistikë. Në të gjithë këto shkenca ai njihet si themeluesi i parë shkencor. Disa nga librat mësimore të profesor Xhuvanit përmenden, "Libri i Gjuhës dhe Gramatikës 1919-1920”, “Njohuritë e para të Sintaksës Shqipe" për shkollat e larta të fillores, "Sintaksa Shqip" për shkollat e mesme botuar më 1931, "Fillimet e Pedagogjisë" për shkollat normale dhe mësuesit e filloreve 1933.

Bashkë me K. Cikon hartoi “Fillimet e Stilistikës” dhe të letërsisë së përgjithshme. Ai përshtati “Historinë e Letërsisë Greke” për kurset e larta të liceut për vitin 1941, përpiloi Antologjinë e klasës së tretë të shkollave të mesme, më 1946 botoi biografi letrare, artikuj për vepra të autorëve arbëreshë si Rondinella, Gavril Dara i Riu. Ai kreu analiza të hollësishme, përktheu dhe përshtati krijime letrare si Jeta e Pirros etj. Këtu duhen përmendur edhe dhjetëra artikuj në shtypin e kohës.

Fushë tjetër e rëndësishme ka qenë gjuhësia. Ai studioi dhe lëvroi Gjuhën Shqipe i frymëzuar nga rilindësit. Punoi për pasurimin dhe ngritjen lart të kësaj gjuhe, e aktualizoi atë, e praktikoi dhe e kulturoi shqipen e sotme.

Në këtë drejtim, Xhuvani la një sërë studimesh, tekste, monografi, artikuj shkrime dhe recensione me vlerë.

Vepra gjuhësore e prof. Xhuvanit shquhet për qartësinë dhe vlerën shkencore. Ai shkëlqeu në gramatikë, leksikologji, leksikografi, studim historik i shqipes në sintaksë etj. Xhuvani i kushtoi kujdes bashkë me اabein, fjalëformimeve të reja të shqipes. Ai është një leksikograf i talentuar i shqipes.

Me një përkujdesjeje të veçantë realizoi ribotimin kritik të fjalorit Shqip-Greqisht të Kostandin Kristoforidhit, duke e bërë atë më të kuptueshëm dhe të lexueshëm për lexuesin. Studimi historik i shqipes, studimet etimologjike dhe gramatika historike mbajnë firmën e profesor Xhuvanit.
 
Tituj dhe grada shkencore

Profesor

Doktor i shkencave

Mësues i Popullit

Urdhrin e Flamurit

Urdhrin e Lirisë

Etj.

Kleriku që i shërbeu idesë së hapjes të sa më shumë shkollave

Visarion Xhuvani me Fan Nolin shpallën

pavarësinë e Kishës Autoqefale shqiptare

Visarion Xhuvani, pinjoll tjetër i kësaj familje të njohur, lindi në lagjen "Kala" të qytetit të Elbasanit dhe shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në moshë të re ai shkoi në Athinë, ku vazhdoi studimet në shkollën e mesme fetare “Rizarios” në Athinë. Po në Athinë mbaroi universitetin për Teologji, ku u diplomua me gradën fetare të klerikut.

Visarioni shërbeu si murg i thjeshtë në Sofje nga viti 1919 deri në vitin 1923 dhe më vonë si episkop në اetin. Më 1923 u caktua zyrtarisht nga Patriakana si peshkop në Shqipëri, kur kishte shërbyer si prift në qytetin e lindjes dhe kishte marrë pjesë në Kongresin e Lushnjës. Noli e kishte përcaktuar ndër peshkopët më energjikë që ka patur Shqipëria. Visarion Xhuvani ishte i pari që organizoi kishën shqiptare dhe bëri shumë për shqiptarizimin e saj. Pavarësia e Kishës Autoqefale është fryt i punës së Fan Nolit e Visarion Xhuvanit.

Xhuvani ishte me kulturë të gjithanshëm dhe zotëronte greqishten e vjetër e të re, anglishten, gjermanishten, italishten, rumanishten dhe serbokroatishten.

Ai botoi një revistë fetare dhe përktheu Mesharin, Jetën e Shën Gjon Vladimirit.

Me ndihmesën e tij u ngrit busti i Kristoforidhit.

Visarion Xhuvani u arrestua nga komunistët kur shërbente si episkop në qytetin e Vlorës në vitin ‘46. Ai luftoi për vendosjen e gjuhës letrare dhe ishte i mendimit që këtë vend ta zinte elbasanishtja. I shërbeu idesë për ngritjen e sa më shumë shkollave shqipe.

Familja Popa, personat që bënë historinë e kësaj familje

Mjekët që në breza i shërbyen Elbasanit e qytetarëve të tij

Kolë Popa, një nga përfaqësuesit e kësaj familje në Elbasan, është një ndër personalitetet më të spikatura në shkencat natyrore, e veçanërisht në ato kimike e farmaceutike të vendit, që sa më tepër kalojnë vitet, aq më i vlerësuar mbetet.

Ai lindi në Elbasan më 5 gusht 1913 në lagjen "Kala". I ati i tij, Simon Popa (1875-1968) mjek i dëgjuar, i diplomuar në Athinë të Greqisë, pasi punoi për një farë kohe në spitalin francez të Stambollit, u kthye në vendlindjen e tij dhe u emërua mjek i bashkisë. Simon Popa njihej prej vitesh si mjek, mik dhe këshilltar në familjen e nderuar të Aqif Pashë Elbasanit (Biçakçiu). Në zgjedhjet parlamentar të vitit 1925 u zgjodh anëtar i Dhomës së Deputetëve.

E ëma e Kolës, Maria Jorgaqi, ishte mbesë e Lef Nosit. Ajo meditonte gjatë para tyre dhe gjente sadopak ngushëllim për fatkeqësitë jo të rralla që i ndodhën gjatë jetës familjare.

Familja Popa

Herë pas here biseda në këtë rreth familjar nxitej më tej. Kultura e gjithanshme e djemve të kësaj familje, sidomos prania e studentit për teologji, kushëririt të tyre Theofan Popa (1914-1985), i bënte diskutimet e kësaj natyre sa kurajoze e aq interesante, thuajse fjalët dilnin nga goja e një peskopi, ndonëse vetë fanatizmin e dogmën fetare nuk e përkrahnin.

Kremtimi i Krishtlindjeve dhe Pashkëve në këtë familje si në gjithë familjet ortodokse të Kalasë, ishte një ngjarje e shënuar, ajo shërbente për një lidhje e harmoni jo vetëm midis tyre, por dhe me familjet myslimane. Pas daljes nga kisha fillonin vizitat nëpër familjet e krishtera.

E më pas në rrjedhë të kohës debatohej më gjatë për probleme të tjera kulturore, shkencore, politike etj. Afria e kësaj familje dhe e këtij mjedisi me kishën e, veçanërisht me klerikë të veçantë si Papa Petri e me klerikë të tjerë pa përjashtuar dhe ata myslimanë, tregonin jo vetëm kulturën, intelektin e tolerancën në përgjithësi, por dhe atë fetare në veçanti, sidomos të Kolës, një njohës i mirë edhe i Kuranit të Shenjtë, i cili e vlerësonte. Veçohej në këtë mjedis i ati i Kolës, doktor Simoni, që tregohej indiferent, thuajse nuk besonte, i dhënë vetëm drejt zanatit të mjekut.

Të tre djemtë e shkolluar të kësaj familje shprehnin jo fanatizëm kristian për një besim pa zbukurime e rregullime, pa ndërhyrë e përndjekur mendimin e të tjerëve e instiktet themelore fetare të tyre, pavarësisht nga niveli kulturor i shtresës shoqërore që të ishin.
 
Biblioteka dhe diskutimet

Në bibliotekën e tyre të pasur, krahas të tjerash kujtojnë të rinjtë e asaj kohe, si Vasil Santo, Aleksandra Shuteriqi, Bardhul e Margarita Papa, Frederik e Stiliano Nosi, Agim e Ylli Papa etj., vizitorë të përhershëm të saj nuk mungonin asaj kohe dhe literatura filozofike, në gjuhën gjermane, italiane, franceze etj., vepra nga F.Niçe, Shopenhauri, Ernest Renan, Benedikt Spinoza, Kanti, Hegeli etj.

Kjo literaturë e pasur e mbartur kryesisht nga Kola e Hipokrati, kohë më vonë nuk u gjend më në këtë bibliotekë, sikur i përpiu dheu.

Një pyetje që iu bë Kolës nga një i afërt, vite më vonë, për fatin e këtyre librave, mbeti pa përgjigje. Edhe vëllai Vasili, i ardhur shumë vite më pas për t’u çmallur, u çudit e u pezmatua për këto zhdukje pa lënë gjurmë të kësaj pasurie të paçmuar, bile nuk gjeti as pikturat, e as partitura të kompozitorëve, sidomos atyre gjerman e italian që edhe vetë Kola i kishte shumë për zemër e që i interpretonte.

Takime e biseda të natyrave të ndryshme ishin karakteristike në disa familje intelektuale të lagjes, sidomos pasditeve e mbrëmjeve. Diskutimet në to përqendroheshin në tema nga më të ndryshmet, duke u drejtuar me një farë sqime nga ata që kishin studiuar jashtë. Për një takim të tillë kujtonte doktor Kolë Papajani (thënë nga i ati Foti) ish zhvilluar në shtëpinë e Lef Nosit me praninë edhe të Fan Nolit, krahas disa intelektualëve elbasanas, në drejtim të emancipimit shoqëror e të pavarësisë të kishës ortodokse.

Për probleme të arsimit e të gjuhës mblidheshin herë pas here në shtëpinë e Foto Papajanit, A.Xhuvani, S.Shuteriqi, M.Papajani. Ndërsa në familjet Paparisto e Shuteriqi diskutohej edhe për art e kulturë, kurse shquheshin familjet Buda e Popa për diskutimet në filozofi, shkencë e histori.

Ishin pikërisht këto takime në kohë, premisa të një emancipimi të pritshëm me protagonistë si pjesa më vitale e realitetit elbasanas. Në disa në këto diskutime kanë marrë pjesë edhe personalitete të huaja si p.sh., Edith Durham, Margaret Hazllek etj.

Pinjollët Popa

Më vonë gjatë trazirave të Luftës Dytë Botërore, diskutimet, debatet e gjithçka u zëvendësuan me ato ideologjike propagandistike, duke filluar hendekun e çarjet e para midis familjeve e individëve, drejt luftës së klasave.

Familja fisnike e Simon dhe Marie Popës shquhej në lagje si më mikpritëse jo vetëm për të afërmit, por dhe për të tjerët. Kishin miq të shumtë në fshatra si në Funar, Shpat, Labinot, Qukës, Bërzeshtë, të cilët i mirëprisnin.

Pushimet verore i kalonin jo vetëm në rrethinat e Elbasanit si Shelcan, Funar, Shijon, Labinot etj., por deri në Strugë, Ohër, Shën Naun e Itali.

Këta prindër të shquar e fisnikë sakrifikuan gjithçka për shkollimin e fëmijëve të tyre, sidomos të djemve në përëndim.

Hipokrati shkollën e mesme dhe studimet e larta i kreu në Freystad, pranohet pa konkurs në universitetin e Vjenës për filozofi ekonomike, të cilin e mbaron më 1933. Kthehet në Elbasan me shumë libra e i diplomuar shkëlqyeshëm, por për fat të keq i sëmurë. Ishte i talentuar në pikturë e në të gjente ngushëllimin për shëndetin e lig.

Vasili diplomohet për mjekësi në Bolonja, Itali më 1941. "Nuk kthehet në atdhe, por shkon për specializim të mëtejshëm në SHBA. Mbas specializimit pranon ofertat e atjeshme, punësohet e sistemohet përgjithmonë në klinikat e Nju-Jorkut. Pasion tjetër pas profesionit të mjekut kishte dhe muzikën, sidomos atë klasike, luante mirë në piano e në violinë. Frekuentonte shpesh dhe kazinotë e lojërave, sidomos në Itali, që në një farë masë shqetësonte dhe familjen në Elbasan për shpenzimet ekonomike.

Ndërsa tri vajzat e tyre, Sina, Efemia dhe Aspasia vazhduan Institutin femëror "Nana Mbretneshë" dhe mbetën deri në fund të emancipuara, pavarësisht nga problemet e hallet që i shoqëruan gjatë jetës.

Pinjollët e familjes Popa

Petraq Popa (1878-1957)

mjek patolog

Simon Popa (1875-1968)

mjek patalog

Kolë Popa (1913 – 1993)

kimisti dhe profesor

Theofan Popa (1914-1985)

Teolog e studiues arti

Ylli Popa lindi në 1930

Mjek kardiolog

Revista Letrare Zeri YT!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top