Shfryhet Milani, leksion nga Atalanta
Pas Sampdorias, edhe Atalanta bën gjëmën në “San Siro”. Milani, ashtu si Interi, nuk di të fitojë më në fushën e vet duke e kthyer impiantin magjik milanez në një tokë pushtimesh për skuadrat e ashtuquajtura të vogla. Nëse Galiani dhe Alegri tentojnë të fshehin krizën e mosmarrëveshjeve në ekip, atëherë janë rezultatet ato që nuk lejojnë fshehjen e krizës së lojës dhe identitetit të skuadrës, që pas largimeve të shumta të kësaj vere nuk arrin të luajë më si Milan. Pas fitores “gënjeshtare” në Bolonja me një tripletë të Pacinit, ky i fundit fiket përpara tifozerisë së tij dhe u jep shansin bergamaskëve që të fitojnë 1-0 me një gol të Cigarinit në pjesën e dytë. Tani kriza është e thellë në Milano dhe me këtë ritëm, rrezikohet që edhe debutimi në Ligën e Kampioneve kundër Anderlehtit, sërish në “San Siro”, ta shndërrojë në një dramë këtë fillimsezoni kuqezi.
MILAN – ATALANTA 0-1
GOLI: Cigarini 64’
MILAN (4-3-1-2) Abiati; Abate, Açerbi, Bonera, Antonini; Ambrozini (54′ Noçerino), De Jong, Emanuelson (79′ Konstant); Boateng; Pacini, El Sharaui (70′ Krkiç). Trajner: Masimiliano Alegri
ATALANTA (4-4-1-1) Konsilji; Belini, Lukini, Manfredini, Brivio (72′ Ferri); Raimondi, Cigarini (80′ Kacola), Biondini, Moralez; Bonaventura (77′ De Luka); Denis. Trajner: Stefano Kolantuono
KARTONثT Tث VERDHث: El Sharaui 42′, Bonera 57′ / Biondini 59′, Cigarini 80′, Moralez 85′, Raimondi 85′
ARBITثR: Daniele Orsato
Pak ide - Milani nuk është fluid në këtë fillimsezoni dhe loja e tij vazhdon të jetë e turbullt. Trajneri Alegri kërkon presion në zonën kundërshtare dhe që në sekondat e para kuqezinjtë tentojnë të marrin kontrollin e lojës. Tentativa e parë drejt portës u përket vendësve, por Boateng nuk frikëson portierin Konsilji. Milani luan me frikë, ose më saktë është Atalanta ajo që mbulon mirë hapësirat, duke i detyruar nënkampionët që të gabojnë dhe të humbin pasime në dukje të thjeshta. Mirëpo nga gabimet begamaskët nisin të fitojnë metra dhe të kundërsulmojnë rrezikshëm portën e Abiatit. Fillimisht tentativat vijnë nga disa krosime të forta që parakalojnë pasqyrën e portës, por në minutën e 20-të ka drithërima te kuqezinjtë. Açerbi gabon dhe vonon në stopimin e topit në hyrje të zonës dhe Denis përfiton duke goditur, por sfera ndalet në shtyllë. Gjithsesi, bomberi argjentinas ka minutat e ekzaltimit të tij dhe në të 23-ën jep sërish idenë e golit, por topi përplaset rrezikshëm në rrjetën e jashtme. Milani duhet të reagojë dhe ofron disa raste të mira, por fillimisht Pacini me kokë dhe dy herë më pas El Sharaui me dy goditje surprizë nga distanca nuk arrijnë të zhbllokojnë baraspeshën.
Fiton Atalanta - Pjesa e dytë nis si e para, me Milanin që kontrollon takimin, por me ndryshimin që Alegri urdhëron sulmimin e qendrës së zonës dhe këto këshilla ofrojnë rrezikshmëri. Në minutën e 4- t, Ambrozini gjen El Sharauin me një asist të saktë, por numri 92 bllokohet dhe nuk arrin të godasë i vetëm përballë Konsiljit. Sulmuesi kuqezi “gënjen” të gjithë tifozët e tij, kur në 56-ën shpërthen në zonë, driblon një mbrojtës rival, por goditja e tij nga 11 metrat është shumë qendrore dhe portieri i Atalantës e falënderon… Milani e ka rritur ndjeshëm lojën, ndërsa miqtë nga Bergamo nisin të nervozohen, ndonëse në kundërsulm janë gjithmonë të frikshëm dhe për të mbajtur larg rrezikun nevojiten pritjet më të mira të Abiatit. Por ky i fundit nuk ka se çfarë të bëjë në minutën e 64-t, kur Cigarini me një të majtë diagonale nga jashtë zone depoziton topin në rrjetë dhe te Milani ka menjëherë panik. Alegri është i ngrirë, ndërsa gjithë pankina çohet në këmbë e tronditur. Gjithsesi, skuadra mundohet të reagojë, Krkiç zëvendëson El Sharauin dhe rasti i artë vjen shtatë minuta më vonë, kur një gjuajte kros e Abates kalon mes zonës, mirëpo as Pacini dhe as De Jong nuk arrijnë ta devijojnë sadopak topin drejt rrjetës. Një fotokopje e këtij aksioni përsëritet vetëm 60 sekonda më pas, por edhe këtë herë Pacini nuk arrin të prekë gjuajtjenkros të Emanuelsonit. Milani është në vështirësi të mëdha, sepse Atalanta është perfekte në mbrojtje, të paktën në mbulimin e topave të lartë dhe shpërndan lojën në vijën anësore duke fituar sekonda të vlefshme për të ruajtur avantazhin. Gjithsesi zikaltrit kanë edhe mundësinë për t’i dhënë goditjen finale Milanit, kur në minutën e 84-t një kundërsulm i shpejtë kap në befasi Açerbin me shokë, por Raimondi gjen një Abiati super që dërgon në goditje këndi. Minutat kalojnë dhe ndeshjes i vjen fundi, ashtu sikurse u vjen fundi nervave të kuqezinjve për të kërkuar barazimin, duke iu dorëzuar pa kushte Atalantës.
“S’na mungojnë ambiciet, por paratë…”
Adriano Galiani nuk është aspak i lumtur nga humbja e radhës, e dyta në tri ndeshje në kampionat, por në të njëjtën kohë administratori kuqezi është edhe realist dhe vazhdon të mbrojë me forcë strategjinë e klubit. “Nuk është e vërtetë që te Milani mungojnë ambiciet, por paratë mbase sivjet po. Kemi marrë një vendim për të zeruar borxhin tonë dhe rezultati ka qenë fantastik, ndonëse me disa sakrifica. Gjithsesi presidenti, menaxherët financiarë dhe trajneri e kanë aprovuar këtë linjë tonën, prandaj shumë shpejt do rikthehemi të jemi ajo skuadër e fortë që dominonte kudo në botë. Sa duhet të presin tifozët? Nuk ka lidhje me kohën, por me punën që duhet të bëjnë futbollistët tanë. Kemi ndryshuar shumë, por shumë shpejt jam i bindur se të gjithë të rinjtë që kanë mbërritur te Milani sivjet do mbështeten te stimujt e tyre gjigandë për të shpërthyer dhe për t’u kthyer te fitoret. Strategji alla italiane? Pse jo, porta dhe mbrojtja janë italiane, sepse të mos harrojmë që jemi nënkampionë Evrope”.
Alegri s’ka frikë nga shkarkimi: Kam një pikë më shumë se vjet
Milani, apo Atalanta, dje i kanë prishur një përvjetor personal trajnerit Masimiliano Alegri, atë të 150 ndeshjeve në Serinë A. Një arritje të tillë tekniku kuqezi duhet ta festojë me një humbje, e cila ka vënë në alarm jo vetëm skuadrën dhe krerët e klubit, por edhe tifozët që i janë përgjigjur me indiferencë skuadrës së sivjetshme, duke shënuar vetëm 23 mijë e 618 abonime, rekordi më negativ i epokës “Berluskoni”. Pastaj, duke u ndaluar tek rezultatet, media italiane menjëherë ka vënë nën presion Alegrin, i cili duket se nuk ka frikë nga një shkarkim i mundshëm, por pret reagim nga lojtarët të martën në Champions. “Të humbësh dy ndeshje në shtëpi në tri javët e para të kampionatit, natyrisht që nuk është diçka me të cilën mund të krenohem. Duhet të punojmë e të reflektojmë. Fatmirësisht të martën kemi ndeshjen e parë në Champions, një mundësi e shpejtë për të rimarrë veten pas një humbjeje të tillë. Duhet të largojmë frikën nga vetja, te Milani nuk ka vend për lojtarë që luajnë nën presion. Të rinjtë që janë, kërkojnë më shumë hapësirë në media, por ndërkohë janë ata që duhet të djegin kohët dhe të bëhen shpejt pjesë e mekanizmave që kërkoj unë dhe një klub si Milani. Po vuajmë dhe kjo është diçka që duket, – vazhdon Alegri. – Jemi në vështirësi, por më shumë sesa tekniko-fizike, ajo është psikologjike, megjithatë jam i bindur se shpejt do dalim prej saj. Frikë nga ndonjë shkarkim i mundshëm? Unë jam realist dhe nëse në futboll flitet me shifra, pra me fitore dhe pikë, atëherë statistikat e mia thonë që kundrejt sezonit të kaluar, sivjet kam një pikë më shumë në renditje. Skuadrat e mia historikisht kanë kërkuar pak kohë që të ndizen, por pasi e bëjmë këtë, arrijmë ta vëmë në shënjestër objektivin tonë. E vërteta është se skuadra ka ndryshuar shumë, por tani e tutje dua të shoh kurajë në fushë”, – përfundoi trajneri i Milanit.
/JETON STAMOLLA