Migjeni, shumë i madh për qeveritarë të vegjël

Do te doja qe sot te mund te postoja aktivitete dhe perkujtim e nderim per 100-vjetorin e nje prej poeteve me te medhenj te kombit shqiptar por ne mungese te ketyre ky artikull shtjellon me se miri varferine kulturore te vendit tone :(.
Sidoqofte, edhe pse ata atje lart dhe ata qe duhet te perkujtojne figura te tilla nuk e meritojne Migjenin ne te thjeshtet, pikerisht nje si une qe e ka adhuruar qe ne femijeri jemi krenare per trashegimine qe ai na la, akoma me krenare jemi ne 100-vjetorin e lindjes se tij.

Preç Zogaj/shekulli

Nesër mbushet plot një shekull nga dita e lindjes së poetit dhe prozatorit të madh shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla ( Migjeni). Vepra e tij, modeste në volum- Migjeni vdiq shumë i ri, pa i mbushur njëzet e shtatë vjeç- është mjaft e njohur për lexuesin e gjerë shqiptar. Kjo edhe falë vendit të merituar që i është dhënë kësaj vepre në tekstet e shkollore dhe falë parapëlqimit të aktorëve të çdo brezi për ta lexuar në publik apo në media. Migjeni, një poet elitar, është njëkohësisht ndër më popullorët që kemi. Ky mund të jetë shpërblimi posmortum i fatit për ketë fëmijë të muzave, që jetoi dhe vdiq pothuajse pa u venë re, i vetëdijshëm për dhuntitë e rralla që kishte, të cilat i shkriu bujarisht deri në frymën e fundit, kur shkroi fjalët “nuk flitet ma”, mbi të cilat u këput pa jetë dora e tij prej mjeshtri.

Nuk ka qenë e nevojshme, megjithatë, t’i imponohet kulturës në forma ekstraletrare. Lavdia e Migjenit ka qenë, është dhe do të jetë cilësia e lartë e krijimtarisë së tij. Për të është shkruar kurdoherë me superlative nga penat me të mira të letërsisë dhe kritikës. Edhe këtë vit, më saktë këto ditë, me sa dimë, përveç disa veprimtarive të posaçme për nder të njëqindvjetorit të tij, do të shohin dritën e botimit dy libra të rinj për Migjenin nga dy autorë të shquar të botës akademike- universitare dhe letrare, nga Alfred Uçi dhe Nasho Jorgaqi.

Por në këtë njëqind vjetor të poetit qeveria dhe Ministria e Kulturës nuk e shpallën vitin dymijë e njëmbëdhjetë vitin “Migjeni”, siç kanë bërë gjatë dekadës së fundit me figura të tjera të ndritura të kulturës kombëtare, të vdekur dhe të gjallë, si Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Petro Marko, Ismail Kadare e tjerë.

Shkodra, qyteti i lindjes, së cilës Migjeni i këndoi dhe i blatoi fjalë që nuk lexohen, por këndohen, aq afër janë me muzikën, pra kjo Shkodër e nominuar me të drejtë nëpër vite dhe dekada si djep kulture dhe çetele arti, çfarë ka bërë, çfarë ka përgatitur për njëqindvjetorin e ikonës letrare që muzat i dhanë asaj? Nuk shohim të ketë bërë ndonjë gjë për të qenë. Në vend që të na befasojë me ndonjë gjetje të denjë për lartësinë e poetit, Shkodra rrezikon të na befasojë dhe trishtojë me indiferencën e saj.

A është kjo një harresë e paqëllimshme injorantësh pa asnjë lidhje me kulturën dhe artin, nga ata që janë kacavarur në shtyllën e pushtetit vetën për të bërë lekë? Apo ka diçka të programuar dhe të qëllimshme në gjithë përpjekjet që bëhen për të zvogëluar dhe mundësisht injoruar figurën e Migjenit?

Ka injorancë kudo ku shpërfillen apo dhunohen vlerat. Kjo është si një e bëjnë dy. Por rezervohem të pohoj se harresa për Migjenin është e paqëllimshme. Injorantët në një anë dhe një takëm politikanësh në anën tjetër e kanë kapur kaherë me Migjenin. Më parë ishte bërë me dije se muzeu i tij modest në Shkodër ishte mbyllur, se edhe varri i tij atje ishte profanuar. Reflekset e një fryme të tillë, diku me frymëzim klerikal, diku me frymëzim antikomunist, herë mbytëse, herë edhe armiqësore kundër poetit, mbërritën pastaj deri në zyrat shtetërore ku pagëzoheshin çmimet kombëtare të letërsisë dhe ku Migjeni u zhgradua, duke e lidhur emrin e tij me një çmim të dorës së dytë që u jepej letrarëve debutues. Rasti ishte shqetësues jo se Lasgush Poradeci, me emrin e të cilit ishte pagëzuar çmimi kryesor, nuk është një poet shumë i mirë, por nuk ka dyshim se çdo juri profesionistësh do të vendoste Migjenin të parin. Pa u menduar gjatë.

Revanshizmi, linçimet, bllokada e heshtjes apo edhe fushatat kundër veprës së Migjenit nuk kanë pasur asnjëherë justifikim. Atë dhe veprën e tij nuk i lidh asnjë me komunizmin. Antiklerikalizmi i tij është një dukuri filozofike dhe kulturore shumë e përhapur në botën e përparuar. Megjithatë, kjo që ka ndodhur mund të konsiderohet një nga ato stihitë kalimtare që madhështia i pranon pa fjalë. Koha pas viteve nëntëdhjetë ka qenë koha për të nxjerrë nga harresa dhe syrgjyni shkrimtarët e ndaluar nga regjimi komunist, si Gjergj Fishta, Martin Camaj e tjerë. Në këto rrethana, shumëkush, ndoshta edhe migjenianët me të spikatur, e kanë pranuar një farë “moratoriumi” në lidhje me kujtimin e dhe lavdinë e Migjenit, me idenë fisnike që vala e vëmendjes, respektit dhe venerimit të merituar të kthehet nga ata, të cilët u censuruan politikisht për një gjysmë shekulli. Ka qenë dhe është akoma e drejtë që skena t’u jepet me përparësi atyre, derisa për gjithë shkrimtarët e vërtetë të vendoset njëlloj pariteti në planin e njohjes me mjetet publike .

Por kjo sjellje nuk do të ishte fisnike nëse në emër të rehabilitimit të disave të persekutohen disa të tjerë. Vjen një moment kur përtej çdo rivendikimi politik në lidhje me fatin e autorëve, vlerat që ata kanë krijuar sistemohen nëpër vendet e veta dhe rikrijojnë hierarkinë artistike, e vetmja hierarki e vërtetë dhe jetëgjatë në letërsi. ثshtë e qartë se nuk janë padrejtësitë e mëdha por është arti i madh ai që përcakton në këtë renditje. E dimë mirë poetët, studiuesit dhe kritikët e mirëfilltë të Shqipërisë; e di Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Rodolf Marku, Moikom Zeqo e mjaft të tjerë akoma më të rinj, me të cilët kam pasur rastin të bisedoj gjerë e gjatë për poezinë shqipe, se Migjeni ka kurorën e mbretit të poezisë. Për të mund të thuhen fjalët që ka thënë Maksim Gorki për Eseninin se ishte një organ i lindur për poezi.

Gjuha shqipe ka kaluar një sprovë dhe ka fituar një nder të madh duke artikuluar një shpirt dhe një vizion aq thellë si ai që plazmohet në veprën e Migjenit. E megjithatë, ndoshta edhe për arsye se ky poet i madh vetmitar nuk vlen për të shërbyer interesat propagandistike të qeverisë apo të korenteve kulturore pranë saj, qeveria dhe ministria nuk e kanë shpallur vitin e njëqind vjetorit të lindjes së tij vitin “Migjeni”. Kanë gabuar. Kanë fyer veten. Kanë provokuar kulturën. Kanë treguar sa të vegjël janë.

Inteligjenca e iluminuar shqiptare nuk mund të pranojë që Migjeni të bëhet ndërgjegjja e saj e vrarë. Për gjithë njerëzit që kanë kultin e adhurimit të vlerave maksimale në këtë vend, njerëz të kulturës qofshin apo të fushave të tjera, ka ardhur koha me e shkëputë njëherë e mirë poetin e dhimbjes krenare nga nëpërkëmbja e injorancës, shpërfilljes, keqdashjes apo edhe e urrejtjes së ndokujt. Kjo, në fakt, është një sfidë ndaj degradimit dhe korrupsionit politik dhe shoqëror që po bren këtë vend. Sfidë e denjë për qytetërimin.
 
Pe: Migjeni, shumë i madh për qeveritarë të vegjël

Figura si Migjeni jane te paharrueshem. Perjete rrofte kujtimi i tij se me veprat e tij ka pasuruar edhe jetet tona.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top