Tre shqiptarët e “11 shtatorit”

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Tre shqiptarët e “11 shtatorit”
Tre_shqiptaret_e_11_shtatorit.jpg
Historia e Rrok Camaj, Mon Gjonbaba dhe Simon Dedvulaj, shqiptarët e shuar në kullat binjake

Disa ditë pas tragjedisë amerikane të 11 shtatorit, “Nju Jork Tajmsi” njoftoi përfundimisht se numri i atyre që kishin humbur jetën në të dy kullat binjake të Uordll Tred Centerit, arrinte shifrën 2987 njerëz. Të tërë, me ndonjë përjashtim të rrallë, kur eshtrat e gjetura, u vërtetuan shkencërisht se kujt i përkisnin, të bërë shkrumb e hi atë mëngjes të bukur të 11 shtatorit 2001, të tërë pa një gjurmë që të identifikoheshin, për të pasur të paktën një varr. Midis tyre ishin edhe tre shqiptarë…

Rrok Camaj, Mon Gjonbaba dhe Simon Dedvulaj, janë shqiptarët e shuar në kullat binjake.

Me emrat e tyre u njoha një mëngjes fillimshkurti të vitit 2000, kur nga Bostoni, ku isha vendosur së bashku me familjen prej disa muajsh, u nisa për në Nju Jork. Një udhëtim prej jo shumë se katër orësh me makinë në këtë qytet që, veç bukurisë së veçantë që ka, jo më kot quhet kryeqendra ekonomike e kulturore e tërë rruzullit tokësor.
اdo njeri që viziton për herë të parë Nju Jorkun, ka dëshirë të shohë kureshtjet më të njohura të tij, Statujën e Lirisë, zemrën e tij, Menhetenin me rrokokaqiejtë e mahnitshëm që ngrihen mospërfillës mbi këtë qytet dhe, doemos, edhe dy kullat binjake. Meqë qëndrimi im në Nju Jork do të ishte i shkurtër, së bashku me një mikun tim që banonte prej vitesh atje, vizituam kullat binjake.

Për fat të keq, qielli atë mëngjes ishte i ngrysur nga re të dendura, që mund të shpërthenin në shi, siç ndodhi njëmend më pas. “Mos u mërzit”,- më tha shoku që më shoqëronte. Mandej kuptova se përse m’i tha ato fjalë.

Ashensori ku hipëm, na ngjiti shumë shpejt, bash në katin e 107-të, pra, më të lartin e njërës prej kullave ku ndodheshim. Por ajo që më bëri përshtypje ishte se ne u ndodhën tani mbi shtëllunga resh gjigante, që me siguri po shtrydhnin mbi Nju Jork rrekë shirash e bubullimash që vini mbyturazi deri te ne.

Kur më pa të habitur, shoku më buzëqeshi. Atëbotë, kuptova domethënien e fjalëve të tij. Poshtë, me siguri, mileti kishte nxjerrë ombrellat që të mbrohej nga shiu, kurse ne napraronte një diell i kursyer, jo i ngrohtë, po të marrim parasysh lartësinë e madhe dhe erën e ftohtë, por, të paktëni këndshëm.

Aty shoku më shpjegoi se në kullat binjake punonin tre shqiptarë që i njihte. Të tre nga trojet shqiptare të Malit të Zi.
 
Njeri, Rrok Camaj, që nga viti 1975 punonte pastrues i qelqeve të jashtme të dritareve të mëdha në katet më të larta të kullës ku ndodheshim. Punë shumë e vështirë, ku atij i duhej që në një kosh të madh, që vihej në lëvizje me energji elektrike, të zbriste nga lart-poshtë, qoftë edhe ditë të ftohta me erëra cingëruese, që e lëkundin koshin sa një krah, në tjetrin. Intuita e gazetarit më shtyu që të njihesha me këtë bashkatdhetar, por ai, mjerisht, nuk punonte atë ditë.

Shoku më shpjegoi se për këtë punë që kaq të guximshme të Rrok Camajt, kishin shkruar edhe gazeta amerikane, si “Nju Jork Tajms”, “Deili Njuz”, gazeta shqiptare “Illyria”, që botohet prej vitesh në Nju Jork. Madje, edhe dy gazetarë të tjerë amerikanë kishin botuar një libër të vogël, shoqëruar me foto, që ia kushtonin Rrokut.
Tjetri ishte Mon Gjonbalaj, që punonte pastrues në një kompani në katet e larta të kullës së parë. Edhe ai si Rroku kishte vite që punonte atje. Madje, megjithëse kishte mbushur moshën e pensionit, vazhdonte punën, që kështu, pas disa vitesh të kthehej në viset ku ishte lindur dhe ku kishte dëshirë të varrosej.

I treti, Simon Dedvulaj, punonte mbikëqyrës në një kompani që i kishte zyrat nëkullën e dytë binjake. Ishte i ri, i porsamartuar dhe ndjehej shumë i gëzuar. Shoku im kishte pasur rast të bisedonte me ta, kur ishte takuar disa herë në një nga kafenetë në Bronks, kuartier i Nju Jorkut, ku vinin shumë shqiptarë. Ai shtoi se në kulla punonin edhe shqiptarë të tjerë, të cilët nuk i njihte.

Shoqëruesi ynë, një amerikan i shkathët dhe gazmor, na tregoi pastaj historinë e ndërtimittë kullave binjake, që ishte nisur më 1966, sipas projektit të arkitektit të njohur japonez, Minoru Jamasaki, me investues Port Autority of Nju York. Për të krijuar hapësirën e nevojshme që duheshin për to, ishin shkatërruar 164 ndërtesa të mëdha e të vogla. Kishin punuar rreth 10 mijë punëtorë, nga të cilët 60 kishin gjetur vdekjen aksidentalisht. Kulla e parë,( e veriut), kishte përfunduar së ndërtuarinë dhjetor të vitit 1970, dhe e dyta,( ejugut), në janar të vitit 1971. Në të dy kullat ishin vendosur zyrat e Qendrës Botërore të Tregtisë, (WTC).

Pas atentateve të 11 shtatorit 2001, u kujtova për shqiptarët e mësipërm që punonin në kulla, por nuk arrita të merrja asnjë njoftim për fatin e tyre. Shoku që më kishte shoqëruar gjatë vizitës te njëra nga kullat, në shkurt të vitit 2000, ishte larguar nga Nju Jorku.
Dhe koha jonë e mbushur me hallet e ditës, kishte bërë të veten. Të them të drejtën, thuajse i kisha harruar ata, aq më tepër që nuk i kisha njohur së afërmi.

Mirëpo më 2004 kolegu im, Vehbi Bajrami, sot botues i gazetës “Illyria”, gjatë një takimi në Boston, më dhuroi librin“Shqiptarët e Amerikës”, me një parathënie të shkëlqyer të Ismail Kadaresë, në të cilin shpaloset tërë historia e ardhjes së mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë nga fundi i shekullit të 19-të, deri më 1991. Dhe, duke e lexuar me shumë kureshtje këtë libër, në kapitullin“Shqiptarët që mbetën në gërmadhat e 11 shtatorit dhe ata që shpëtuan”, u njoha me tre bashkatdhetarët që përmenda më lart. Që të tre, për fat keq kishin humbur jetën atë ditë duke u ndodhur në ato kulla.
Eshtë interesant të theksojmë se një nga tri reportazhet, atë kushtuar Rrok Camajt, publicisti Vehbi Bajrami e ka botuar para kësaj tragjedie në gazetën “Illyria”. Aty njihemi me emocionet që kishte përjetuar ai gjatë atentatit që u bë në njërën nga kullat më 1993, kur, si zakonisht, i ndodhur brenda në kosh, po pastronte dritaret e kateve të sipërme të kullës së parë.

“Ishte mesditë e 26 shkurtit të vitit 1993,- shkruan autori,-kur Rroku dëgjoi një dridhje të lehtë të ndërtesës, që u pasua me fikjen e dritave. “Mund të jetë ndonjë defekt në katin e sipërm”, kishte menduar.
Më vonë dalloi tymin që vinte nga poshtë e futej si gjarpër në të gjitha pjesët e ndërtesës. Pastaj klithmat e njerëzve, thirrjet për ndihmë. “Nuk shpresova se do të shpëtoja gjallë”,-vazhdoi Rroku, i cili zbriti poshtë, përmes shkallëve me frymëmarrje të vështirësuar nga gazrat që kishin shpërthyer.”

Kurse në shënimin që është bërë nga autori pas botimit të këtij libri më 2004, ku përfshihet ky reportazh, shkruhet kështu për Rrok Camajn: “Në ditën tragjike ai shkoi në punë si zakonisht, në orën 9.15 minuta, të mëngjesit. Pasi ndërtesa ku punonte, u godit nga aeroplani, ai kishte telefonuar në shtëpi nga kati 105-të dhe kishte biseduar me të shoqen, Katrinën: “Jam shëndoshë e mirë. Në dorë të zotit jemi e çka bahet, le të bahet. Pa marrë parasysh se çdo të ndodhë, mos i shqetëso fëmijët,”- ishin fjalët e fundit të Rrokut.
Në shkrimin tjetër për Mon Gjonbalajn,Vehbi Bajrami shkruan:
-Disa minuta pasi terroristët sulmuan ndërtesën e parë, Moni telefonoi në shtëpi dhe bisedoi më të vëllanë, Bekimin, i cili atë çast po ndiqte kanali televiziv CNN, - tregon i biri i tij, Salihu.
-Diçka ka ndodhur këtu. Një bombë ka shpërthyer në ndërtesën tjetër, -ishin fjalët e Monit.
-Nuk është bombë, por aeroplan,-ia ktheu i biri.
-Aeroplan ? -kishte pyetur Moni.
Në orën 9.09 minuta Moni telefonoi sërish në shtëpi dhe bisedoi me Albanën, të shoqen e Bekimit:
-Gjendem në katin e 86-të. Jemi bllokuar të gjithë. Nuk shohim gjë tjetër, veçse tym. Nuk di a do të shihemi më. Të keni kujdes veten dhe fëmijët.”(Po aty, faqe 593).
Në rrethana pak a shumë të njëjta humbi jetën edhe Simon Dedvukaj, që punonte atë ditë në katin e 27-të të kullës së dytë. Xhaxhai i tij, Deda, dëshmon se Simoni telefonoi në orën 8.30 e pastaj zëri i tij nuk dëgjua më.
Një vit më pas, me anë të analizave shkencore u arrit të identifikoheshin disa nga eshtrat e tij dhe ai u varros më 2 shtator të vitit 2002, pas një ceremonie, ku morën pjesë rreth 3500 shqiptarë, të krishterë e myslimanë, të ardhur edhe nga qytete të tjera amerikane, ku banonin shqiptarë. Jo vetëm kaq, por shumë biznesmenë shqiptarë e njerëz të thjeshtë, dhanë ndihma për familjet e sipërpërmendura që pësuan këtë fatkeqësi të kobshme.
Në faqet e këtij libri u njoha edhe me pjesëtarët e një familjeje shqiptare, që punonin në kullën e dytë binjake dhe të cilët kishin shpëtuar mrekullisht. Një ndër pjesëtarët e kësaj familjeje ishte Bardhyl Quku, prindërit e të cilit, kur ai ishte vetëm pesë vjeç, ishin larguar nga Shqipëria para vendosjes së regjimit komunist, më 1944 dhe pastaj kishin mërguar në Amerikë. Bardhyli ishte nënpresident i një kompanie investimesh dhe vajzate tij, Lori dhe Daniela, punonin së bashku më të.

Bardhyli nuk ndodhej në ndërtesë kur ndodhi tragjedia. Ai e kishte zakon shpeshherë që të shkonte në punë pas orës 10.00. Edhe vajzat e tij qenë më fat. E para, atë ditë kishte shkuar te dentisti; e dyta, kur mori vesh për sulmin në ndërtesën e parë, nga kati i 73-të, sipas një njoftimi, zbriti shkallët.

-Kur arrita në katin e 4-të, dëgjova njoftimin tjetër se të gjithë duhej të ktheheshim në vendet e punës, sepse nuk parashikohej ndonjë rrezik. Mirëpo unë sikur e ndjeva se edhe këtu do të ndodhte ajo që ndodhi në ndërtesën e parë. Me shumë mundime dola nga ndërtesa, kur ajo u godit, -tregon Daniela, vajza e parë.
Kurse vajza tjetër, Lori, shpëtoi se atë mëngjes kishte shkuar për vizitë të dentisti.

-U përpoqa t’i telefonoja Danielës,- thotëajo,- por lidhjet ishin bllokuar. Pastaj mora vesh se edhe ajo ishte shpëtuar se bashku me babën.

Kështu si pjesëtarët e kësaj familjeje shqiptare, edhe shumë e shumë amerikanë dhe të kombësive të tjera, arritën të shpëtojnë pas sulmeve të pabesa të terroristëve. Edhe terroristë humbën jetën, por ata me besimin e verbër se bëmave të tyre do të shkonin… në Parajsë. اfarë tragjikomedie…

*Autori, shkrimtari i njohur Skifter Këlliçi, ka qenë gjithashtu, dëshmitar i ngjarjeve, si punonjës i Aeroportit Ndërkombëtar Logan, të Bostonit, në shtator të vitit 2001
 
Paqja dhe meshira e Zotit qofte mbi ta :(
 
po perse nuk ngriten flamurin e bardhe kur pane avionin keta pastrusit e xhamave
 
Ju qoft i leht dheu.ps ka ndokush informacjon nese ka pasur Hebrenj ne momentet e perplasjeve. flm
 
Titulli: Tre shqiptarët e “11 shtatorit”

Shum prekese.
 
Titulli: Tre shqiptarët e “11 shtatorit”

Gjenah.....
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top